Gazetari i mirë Xhemal Farka, kumbimi i së qeshurës dhe pushkatimit

1
844
blank

Një gazetar me ndjeshmëri migjeniane. Një kolumnist me ide përparimtare. Një folës radiofonik me qëndrime patriotike. Një riosh brilant, që me inteligjencën dhe të qeshurën e tij, do bënte këdo ta donte, por jo njerëzit e diktaturës.

 

Xhemal Farka u lind një vit pas shpalljes së Pavarësisë, kur i ati, Hamdi Farka, ishte angazhuar në ngritjen e flamurit në Tiranë. Fëmija i tretë i familjes u bë djali që gjallëronte gjithë fisin me humorin e tij, një nxënës i shkëqyer që ndoqi “Harry Fultz”-in dhe një i ri shumë i angazhuar. Emri i tij do të përmendet që në moshën 16-vjeçare kur bashkë me dy djem të tjerë grumbulloi 70 franga ari në ndihmë të studentit të sëmurë në Austri, Lasgush Poradeci duke shëtitur listën në Pazarin e Tiranës.

Tek ai u zhvillua dhe një talent në të shkruar, çfarë e ndërthurur me shpirtin e një qytetari të angazhuar, e bëri një nga kolumnistët e njohur të viteve ’30. Nëshkruar me pseudonimet Sula i Fajës, Xhefar, apo nistoret Xh.F, në gazetën “Arbënia”, do të botonte disa artikuj: vëshgime për vlerat shqiptare apo shkrime për problemet sociale, siç është reportazhi “Fëmijë të natës”, për lypësit e kryeqytetit. Spikat te ky shkrim, jo vetëm zotësia për ta kapur dhe pasqyruar të gjallë dukurinë e trishtueshme që mbetet e njëjtë dhe sot, ashtu si dhe shkrimi mund të qëndrojë fare mirë në një gazetë të ditëve tona, por edhe ndjeshmëria e këtij 23-vjeçari, të cilin, jeta në një mjedis familjar e shoqëror të emancipuar dhe pa mungesa, nuk e kishte bërë të verbër ndaj atyre që nuk kishin mundësitë e tij. Ja një pjesë e atij shkrimi të botuar në vitin 1936: “Kemi vue re shpesh herë se fëmijë të vegjël të vobegët shëtisin natën rrugë-më-rrugë e kafe-më-kafe tue lypë lëmoshë. Mërinë mesnata dhe ata, të këputun për gjumë, këmbë-zbathun, të pa-veshun mirë dhe tue mbërdhifun vazhdojnë të lypin. Tashti, lene se ditën lypin, po natën që gjumi për fëmijët është aq i domosdoshëm, pse pa-gjumësija u a shkatërron shëndetin, natën s’duhen lanë. Ata nuk dalin me lypë me vullnet të vet, prindët e tyne i dërgojnë me zor për me jetue në kurriz të të vegjëlve të tyne. Asht tragjike puna!...”.

blank

Guximi, stili, humori i hollë me të cilin vishte kritikën në shkrimet me dialekt tiranas, do bënin që drejtuesit e gazetës t’i jepnin hapësirën e një kolone të përjavshme që ai e quajti “muhabet tirançe” dhe ku shprehte idetë e tij për emancipimin e gruas dhe kundër patriarkalizmit dhe kritikat për kushtet ekonomike të shqiptarëve e veçanërisht fshatarëve të Shqipërisë, të ndriçuara nga bindjet social-demokrate. Aq të mprehta ishin këto shkrime, sa e mbesa ka treguar që vetë mbreti Zog, i kishte thënë vëllait të madh të Xhemalit, Ibrahimit, nëntoger i Mbretërisë: “Shiko se vëllai yt, shumë po na qorton”. Gazetari i ri kishte një interes të veçantë edhe për folklorin e trevës së tij. Ai mblodhi proverba të vjetra tiranase që i botoi në rubrikën letrare “Nga folklora e Tiranës”. Ky aktivitet publicistik e vuri në kontakt me intelektualë të kohës, si Musine Kokalari, me të cilën do i puqeshin udhët edhe  gjatë periudhës së hetuesisë, ku siç shkruan Musineja në ditarin e saj, Xhemali “nuk tha asnjë fjalë për të”, duke duruar çdo presion e torturë, pa tradhtuar miqtë dhe idealet e tij.

blank

Aftësitë e dala në pah gjatë viteve të shkollës dhe më pas gjatë aktivitetit publicistik, veçanërisht interesi ndaj çështjeve sociale dhe kulturore të Shqipërisë, bëri që Sotir Kolea, drejtor i Bibliotekës Kombëtare gjatë viteve ‘30 , t’i akordonte ish-studentit të tij, një bursë studimi në Universitetin Amerikan të Bejrutit për të studiuar koloninë e shqiptarëve atje. Gjatë viteve të studimit, sipas Dr.Jakov Milajt, Xhemali u zgjodh mes emigrantëve shqiptarë bashkë me Branko Merxhanin dhe Mirash Ivanajn nga një organizatë që kërkonte folës për “Zërin e Amerikës”. Pas pushtimit të Libisë, të tre ata u zhvendosën në Jerusalem ku punuan për radion e njohur. Më vonë, Xhemal Farka shkon në Itali, ku, në bazë të cilësive të duhura, kredencialeve të mira, gjuhëve të huaja që njihte, punësohet në Radio Bari. Punon atje krahas aleatëve anglezë dhe mbron çështjen shqiptare duke kundërshtuar pushtimin nazist. U angazhua shpirtërisht edhe në këtë mision siç kishte bërë në shkrimet e shtypit shqiptar. Xhemali bënte një gazetari të sinqertë ku shfaqte haptas idetë dhe shpirtin: dëshira për drejtësi, pasioni për të vërtetën, kundërshtimi i së keqes, humori që zbukuron jetën, ishin karakteristika të punës, po aq sa të personalitetit të Xhemalit. Kronikat e tij në favor të luftës së aleatëve dhe ushtrisë nacionalçlirimtare, ishin dëgjuar edhe në Shqipëri, aq sa në vitin 1945, kur Xhemali u kthye në Shqipëri, atë e priti ministri i Jashtëm i asaj kohe, Omer Nishani. Në ato çaste, Xhemalit do i jetë dukur se kishte pasur të drejtë në këmbënguljen për t’u kthyer në atdhe për të kontribuar në ndërtimin e vendit, ndryshe nga ç’i kishte këshilluar vëllai i madh, Ibrahimi, atje në Bari, i cili me të fituar komunistët, ishte arratisur nga Shqipëria. Këndvështrimet e ndryshme për realitetin e ri shqiptar, të cilin Ibrahimi e kishte parë nga afër, ndërsa Xhemali e idealizonte së largu, sollën një grindje mes vëllezërve. Ibrahimi e quante marrëzi kthimin në Shqipëri, Xhemali e quante ca më keq qëndrimin larg atdheut, ku e priste familja, miqtë dhe ardhmja që ai mendonte, por shumë shpejt do ta shihte me sytë e tij dhe do të kuptonte vërtetësinë e fjalëve të të vëllait.

Djali i qeshur që sillte gjithmonë gëzim me humorin e tij mes të afërmëve dhe miqve u rikthye, por vetëm për pak kohë. Motra dhe vëllai i vogël, për të cilët mendonte kur ishte larg Shqipërisë, vetëm pak vite më vonë do të gërmonin dheun me duar në vendet ku u thoshin se e kishin varrosur trupin e pushkatuar të Xhemalit. Miqtë me të cilët mendonte që do të ndërtonte një Shqipëri më të mirë, u burgosën ose u pushkatuan bashkë me të. Xhemal Farka, u arrestua pranë Hotel Dajtit, në gusht 1945, bashkë me Lef Nosin, Vasil Nosin dhe izraelitin Marko Menahemi, që Vasili e kishte shpëtuar nga nazistët. Nipi i Lef Nosit ka treguar që atë ditë Xhemalit i thanë të shkonte sepse për të nuk kishte urdhër arresti, por ai nuk kishte pranuar ta linte vetëm mikun e tij, Lef Nosi, i cili prej kohësh fshihej dhe qarkullonte i maskuar për t’i shpëtuar ndjekjes së Sigurimit. Mbesa e Nosit ka rrëfyer që Xhemal Farka, u maskua bashkë me Lefin, si fshatar me çibuk e qeleshe dhe shkuan pranë Misionit Anglez në Tiranë, duke qenë që Xhemali kishte njohje me ta. Misioni anglez nuk u dha mbështetjen që prisnin, Lefi u largua për në Elbasan, por kur u kthye në Tiranë, sërish u ndihmua nga Xhemal Farka që e fshehu për ca kohë te mulliri i tij në hyrje të Tiranës. Te Lef Nosi, Xhemali shihte firmëtarin e Pavarësisë, por ai ishte edhe xhaxhai i mikut të tij që nga koha e Bejrutit, Vasilit. Me këta njerëz Xhemali ndante idealet. Megjithëse kushdo do dëshmonte që me të qeshurën dhe gjallërinë e tij, ai ishte një dashurues i jetës, me çfarë u kuptua nga qëndrimi në hetuesi, ai nuk donte një jetë pa ideale. Ndihma ndaj Lef Nosit ishte një nga akuzat, tjetra ishte ajo e agjentit anglez që e rreshtonte si tradhtar të atdheut me grupin e “Azona e la Rossa”, vilës ku takoheshin në Bari shqiptarë e të huaj. 25 prej këtyre shqiptarëve u arrestuan kur u kthyen në Shqipëri dhe 5 prej tyre, përfshirë Xhemalin, edhe pse akuzat nuk u vërtetuan me fakte, u pushkatuan. “Shoku gjyqtar! Të akuzuarit nuk i kam akuzuar se kanë jetuar në vilën Azona e La Rossa…I kam akuzuar se të gjithë atje e kuptuan se kishin të bënin me Shërbimin Sekret të Ballkanit me agjent Fultz-in…bashkëpunuan me ta e pranuan të bëhen agjentë të tyre”- thuhet në pretencën e prokurorit.

Ishte shkurti i vitit 1948, kur xhandari i birucave të Tiranës, ia hodhi vëllait të Xhemalit ushqimet që ai kishte sjellë duke i thënë: “Ik se e ke te Bregu i Lumit”, siç tregon vetë e bija e Hasanit, Zenita, por ai dhe e motra nuk e gjetën kurrë. Diktatura vrau si tradhtar atë që nuk tradhtoi asnjë mik, si armik atë që punoi për Shqipërinë. Ishin qartas kundërshtarë. Xhemali ishte në anën e së vërtetës e dashurisë për jetën. a.çano/kujto.al

Ky shkrim është mbështetur në të dhëna të publikuara më parë nga Marsida Najdeni dhe Pertefe Leka në najdeni.com dhe radiandradi.com dhe Fatmira Nikolli te shqiptarja.com. Autoret kanë shfrytëzuar citime të personazheve në gazetën Tema, në emisionin radiofonik të Nebil Çikës, i riu, “Rrno për me tregue” dhe në sajtin idituri.com si dhe dosje të AIDSSH.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

1 Koment

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here