Një nga fjalitë e përsëritura nga rojet e birucave të hetuesisë dhe qelive të burgjeve për të afërmit që vinin të interesoheshin për të dashurit e tyre të arrestuar, ishte: "Shkoni se e keni te Bregu i Lumit". Një zëvendësim sarkastik i njoftimit se i afërmi i dënuar kishte ndërruar jetë, i torturuar ose i ekzekutuar dhe ishte groposur në vendin e quajtur Bregu i Lumit, në periferi të Tiranës.

Kështu i tha roja zonjës Hilde, bashkëshortes austriake të inxhinierit topograf Selim Zyma: Ik, se e ke te Bregu i Lumit.

Kështu i thanë edhe Hasanit, vëllait të gazetarit, Xhemal Farka.

Bregu i Lumit është një nga vendet e përdorura më së shumti në Tiranë për të ekzekutuar dhe varrosur fshehtas të dënuarit politikë.

Dëshmia/Zenita Farka, mbesa e Xhemal Farkës: “Një ditë shkurti të vitit 1947, xhandari ia hodhi ushqimet. I tha: “Ik, se e ke te Bregu i Lumit!”. Atëherë babai e kuptoi që e kanë pushkatuar. Bashkë me hallë Eminenë dilnin netëve ta kërkonin. Ajo mbulohej me një çarçaf si me burkë që të mos e njihnin. Iknin natën e gërmonin me thonj për ta gjetur”.

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.