Dokumenti Mars ’48: Fran Miri me 4 burra mposhti dy batalione të Sigurimit

0
824
blank

Si i mposhti Fran Miri dhe 4 të arratisurit e tjerë, batalionet komuniste. Ata lanë 7 të vrarë dhe 6 të plagosur dhe i shpëtuan rrethimit të gjallë... 

Edhe pse viti shënonte 1948, “Lufta” nuk kishte mbaruar në Shqipëri. Prej katër vitesh, në çdo krahinë të Shqipërisë, zhvilloheshin beteja mes forcave antikomuniste dhe forcave të armatosura të regjimit të Enver Hoxhës.

Ishte një luftë e pastër civile, e orkestruar nga vetë diktatori, për të zhdukur çdo element që përbente rrezik për pushtetin e komunistëve. Pas spastrimeve të para, që ishin realizuar që në dhjetor të 1944-ës, duke e intensifikuar goditjen në vitin 1945 dhe më 1946, masakra të shumta ishin shënuar, sidomos në veri vendit. Vrasje me gjyq e pa gjyq, dhjetëra të vrarë në përpjekje të armatosura, ku shënoheshin ditë të tëra luftimesh. Kjo atmosferë kishte mbërritur deri në vitin 1948.

Dokumentet dëshmojnë se në mars 1948, në malet e Kurbinit vijonte ndjekja e forcave komuniste për të kapur e vrarë Fran Mirin dhe 4 të arratisur të tjerë bashkë me të. Por komunistët vetë, në dokumentet e tyre, e tregojnë se sa të dobët ishin para këtyre 5 burrave të arratisur në male që nuk përuleshin, edhe pse i kishin rrethuar me dy batalione.

Historia e Fran Mirit kishte nisur që në vitet e luftës, kur ai së bashku me vëllanë e tij, Gjekën, kishin qenë partizanë të Brigadës 23, por meqë pas çlirimit, kishin refuzuar të merrnin pjesë në luftën vëllavrasëse kundër forcave të Prek Calit që ishte daja i tyre, ishin larguar nga radhët e brigadës dhe kishin kaluar në arrati me forcat antikomunsite që vepronin në malet e Kurbinit.

Në të vërtetë, e gjithë familja Miri ishte investuar shpirtërisht me forcat nacionaliste, duke qenë gjithmonë në krah të Abaz Kupit. Tragjedia mbi familjen e tyre, do të niste në gusht të vitit 1946, kur do të pushkatohej Mark Miri në atë që njihet si masakra e Gurëzit. Sipas një skenari të përgatitur nga Sigurimi i Shtetit, që kulmoi me vrasjen e Rexhë Deliut, regjimi komunist e përdori këtë ngjarje si karrem për të pushkatuar pa gjyq, në mes të fshatit, në sy të grave e fëmijëve: Zef Mirin, Mark Mirin, Ndue Mirin, Ndue Franin (nipi i Mirajve që u ndodh rastësht në Gurëz, nga Malësia), Gjo` Vatin, Nikoll Dedën, Mark Stakën, Nik Tom Prelën, Matush Kolën dhe Zef Nik Stakën.

Vetë Frano Miri e përjeton këtë tragjedi i arratisur në male. Komunistët nuk do të ndaleshin, duke e ndjekur këmba-këmbës, për ta gjetur e për ta vrarë edhe atë. Por ai ishte një strateg i zoti në luftime, e këtë e tregon edhe vetë dokumenti i mëposhtëm.

blank

Në betejën e zhvilluar në malin e Bretes në Krujë, në 1 mars 1948, dëshmohet qartë se vetëm përmes spiunimit e prerjes në besë, komunistët do të mund ta lokalizonin vendndodhjen e tij.

Aksioni që dëshmohet në këtë dokument, përfundon në favor të antikomunistit Fran Miri, edhe pse përballë dy batalioneve komuniste, armatosur deri në dhëmbë me bomba dore, mitralozë e automatikë, ai dhe katër shokët e tij, pas orësh të gjata luftimesh, arrijnë t’u shpëtojnë rrethimeve të trefishta që kishin realizuar komunistët, duke lënë pas 7 të vrarë e 6 të plagosur nga forcat komuniste.
Dokumenti zbulon se asnjë prej shokëve të Fran Mirit dhe as ai vetë, nuk mbeti i vrarë në luftime, por dyshonin se dy prej tyre ishin plagosur e larguar nga vendi i rrethuar.

Historia e mëtejshme dëshmon se Fran Miri arrin të kapet i prerë në besë, po atë vit, dhe fundi i tij ishte me të vërtetë i tmerrshëm.

Pasi rrethohet dhe vritet në përpjekje prej komunistëve, trupat e Fran Mirit dhe Zef Dod Përvukës i çojnë në Gurëz, për të frikësuar popullin e zonës. Më tej, ata i varrosin në një bregore, jo në varrezat e fshatit. Por megjithë këtë, fshatarët nuk ngurronin të vinin natën lule e kurora, e kjo kishte tërhequr vëmendjen e njerëzve të Sigurimit, të cilët kishin lajmëruar kryetarin e Degës së Brendshme në Krujë, Nuri Luçi, (një prej figurave më të diskutuara pas ekspozimit të portreve në Bulevard në muajin nëntor 2019). Sipas dëshmitarëve të zonës, Nuri Luçi kishte urdhëruar që të nxirreshin kufomat nga varret dhe të hidheshin në breg të lumit Mat. Urdhri i tij ishte zbatuar. Policët, për gjithë natën, kishin zhvarrosur dy kufomat dhe i kishin çuar në një gropë në breg të lumit, prej nga eshtrat e tyre nuk do të gjendeshin më kurrë.

Kujto.al e sjell në vëmendje këtë histori, për të respektuar kujtimin e kësaj dere të nderuar trimash, që komunizmi i vrau djemtë më të spikatur dhe i burgosi e persekutoi gjithë familjen, për gjysmë shekulli.

Dokumenti i mëposhtëm vjen i zbardhur sipas origjinalit, që ruhet në Arkivin e Ministrisë së Brendshme.

Relacion mbi rrethimin e bandës kriminelit Frano Miri

Me datën 28 –II- 948 forcat e batalionit 19 dhe 20 ishin duke bërë pregatitjet për ndërrimin e forcavet që do të bahej simbas urdhrit të dhënë nga D.M.P. Po në këtë kohë seksioni i mbrendshëm Krujë na informon me siguri se banda e kriminelit Frano Miri e përbërë prej pesë vetash ndodhej në malin  e Bretit rrethi Krujë. Për këtë të dy batalionet e sipërpërmendura mbasi muarrë aprovimin e komandës së regjimentit u nisën dhe bënë rrethimin e bandës, të cillën e bllokuan plotërisht qysh në orët e para të ditës  1 mars 1948 në vendin ku ishte dhënë informata (Mal’ i Bretes). Kështu që u bënë përgatitjet e para për goditjet me ta (kriminelat).

Luftimi filloj  n’ora 10 para dite të datës 1.III. 948  i cili u zhvillua me teknikën  tre kompani në rrethim dhe një në kontroll. Kjo e kontrollit ishte ajo që  u përpoq dhe i bllokoj në një rreth të ngushtë brenda rrethimit të gjerë. Kriminelët porsa panë rrethimin e sigurtë shpejtuan dhe zunë pozita të forta nëpër gërxhe dhe gurë e shpella që  qenë vende prej natyre fortifikata të mira saqë as bomba e dorës as mitrolozi dhe pushkët nuk i dëmtonin dot lehtësisht. Në këtë kohë ushtarët shtrënguan edhe më tepër rrethimin drejt pozitave të tyre, por prapë nuk i eleminuan dot, përkundrazi kriminelët të favorizuar nga pozitat e tyre  shtinin me precizion dhe dëmtuan trupat tona duke vrarë dhe plagosur prej orës së nisjes së luftimit 10 paraditë deri në 4 mbasdite 13 ushtarë ndër të cilët dhe  N/oficera si dhe plagosjen e një oficeri.

Komanda e veprimit në këtë duke parë se po vinte nata si dhe konditat e  gjithanshme si ajo e pozitave ishin të favorshme për bandën organizoi një skuadër tjetër sulmi për shkatërrimin e forcimeve. Kjo skuadër si u forcua mirë me bomba dore si dhe automatikë sulmoi n’ora 4.30 me bomba mbi 10 minuta qiti jashtë fortifikatave gjithë kriminelët, të cilët u vunë në ikje të çrregullt. Aty kishte mundesi për ç’farosjen e vrasjen e plotë të tyre, por ndodhi e kunderta mbasi ata shpëtuan të gjithë dhe ky shpëtim i tyre mesa u konstatua ndodhi nga mosqitja me preçizion dhe mosmbajtja e gjakftoftësisë nga ushtarët.

Kriminelat mbasi shpëtuan nga vrasja e vazhduan ikjen e tyre duke u mëshefur nëpër shkëmbenj me gjethe derisa afroj nata dhe s’kishte mundësi pamje.

Komanda e Bataljonit atëherë  mori masat e rrethimit të  gjerë duke i mbajtur brenda dhe në kontroll të mirë gjithë pyllin dhe shkëmbenjt e faqes së  malit ku gjendeshin kriminelat.

Aty nga ora 11 e natës kriminelat tentuan për të dalë nga rrethimi këtë tentim e bënë në  anën e poshtme të faqes së malit ku u përpoqën me forcat dhe s’mundën kësaj radhe të dalin dot, përsëri në orën 12 bënë tentimin e dytë për dalje po në drejtimin që u përmend më sipër. Për dalje përdorën bomba dore si dhe qitje me pushkë, kështu mi gjithë kontrollin dhe rrethimin e rregullt që patën forcat duke përfituar nga errësira e madhe si dhe nga pozita e vendit duallën jashtë rrethimit pa mbetur ndonjë i vrarë.

Si përfundim i këtij luftimi u panë nga oficerët dhe ushtarët, që u plagosën dy prej t’arratisurve, ndër të cilët një rëndë, plagosjet u faktuan dhe nga gjaku që kishte rrjedhur në vendin nga kishin ikur.

Nga forcat t’ona u dëmtuanë: të vrarë n/oficera 4,  ushtarë 3,  të plagosur 6, ndër të cilët një oficer plagosur lehtë, 3 n/oficera një prej tyre rëndë, dhe dy ushtarë plagosur lehtë.

Për të gjithë të dëmtuarit u mor masat e rrastit, të plagosurit u dërguan në spital dhe të vrarët u grumbulluan dhe u varrosën në një vend.

Shtojmë se: si gabime gjatë këtij veprimi janë konstatuar:

1)            Grumbullimi i shumtë i forcave në rrethimin e  afërt të kriminelëvet.

2)            Mosmbajtja e gjakftohtësisë dhe qitja jo në precision nga ana e ushtarakëve kur kriminelët shifeshin.

3)            Mos mbajtja e ndërlidhjes së rregullt gjatë natës në rrethim në disa pika, e cila i dha shkak daljes së kriminelavet.

4)            Zjarri i tepërt demonstrativ, i cili ekspozonte pozicionet e forcave tona natën.

Hollësira të tjera mbi të metat e ndodhura gjatë veprimit si dhe emrat e mbiemrat e të vrarëve e të plagosurve do jua njoftojmë më vonë.

kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.