Dokumentar/ Mark Çuni, martir i lirisë

0
858

Ishte vetëm 27 vjeç, e donte atdheun e tij, urrente diktaturën, donte lirinë. I tillë edhe vdiq, i lirë. Kjo është historia e Mark Çunit, seminaristi jezuit, i cili iu kundërvu komunizmit dhe para togës së pushkatimit arriti t'i përngjante Krishtit, duke i falur ata që e dënuan pa të drejtë vetëm sepse i shërbeu atdheut dhe lirisë. 

Nga Simon Shkreli/ Kujto.al

Lufta e dytë botërore kishte përfunduar, okupatoret u larguan, por në Shqipëri, po vinte një okupim tjetër, kësaj radhe po okupohej liria... Mark Çuni ishte vetëm 27 vjeç, me zellin e një të riu që e donte lirinë, dashuronte atdheun, u vendos kunder instalimit të një diktature të re, që po mbillte frikë dhe terror, ndërsa propagandonte çlirimin...

“Në seminarin jezuit disa të rinj u banë bashkë dhe krijuan organizatën “Bashkimi Shqiptar”, më 15 maj të vitit 1945. Organizata “Bashkimi Shqiptar”, faktikisht ishte një organizatë që opozitën e saj e përqëndronte normalisht në një opozitë jo të dhunshme, në një opozitë e cila do zhvillohej nëpërmjet konferencave, nëpërmjet bisedave, nëpërmjet mbledhjeve, nëpërmjet agjitacionit le të themi në popull, dhe nëpërmjet trakteve”- thotë Pjerin Mirdita, historian

Ndërsa historiani Dom Nikë Ukgjini flet për arsyet që e shtynë Mark Çunin drejt idesë së “Bashkimit Kombëtar”.

“Ai faktikisht ishte më këmbëngulës dhe me një shpresë të madhe se kjo ide e “Bashkimit Kombëtar”, që ishte ideali i shqiptarëve në shekuj. . Pra do të fillojë të jetojë, të mbijetohet, të realizohet konkretisht sepse në atë kohë në fakt ishte dhe informacioni edhe nga rektori i seminarit nga anglo-amerikanët se ata do të zbarkojnë në fund të ’45 dhe dikun e nga mesi i ’46 kishin shpresë të madhe.”

Idealist, besnik i Krishtit dhe i lirisë së atdheut, Shqipërisë. Mark Çuni lindi me 30 shtator 1919 në fshatin Rranxa të zonës së Bushatit. Ishte vetëm 5 vjeç kur babai i tij Ndoc Frani ndërron jetë. Ai rritet nga e ëma Dila, e cila kishte një rol të madh në formimin e tij dhe në rritjen e tij në frymën e besimit në Krishtin. Ndërsa kundërshtimi i saj që djali të mos ndiqte rrugën e meshtarit ishte i kotë.

Nipi i tij, Vlash Gjondrekaj, thotë se “nëna jeme ka thanë shumë gjëra për dajën. Ajo përpara se me u nis për atë rrugë, asht lut që të shkojë për prift. Edhe janë çu, se prindërit nuk kanë dasht me e lanë për t’u bërë prift. Asht lut, u çoshe natën asht lut që Zoti me i mbush mendjen që me e lanë me shku për me vazhdu shkollën për prift.”

Mbasi mbaron shkollimin fillor në fshatin e tij të lindjes Mark Çuni regjistrohet në seminarin papnor në Shkodër, duke ndjekur rrugën për  cilën ishte i thirrur dhe besnik ndaj thirrjes në shërbim të fesë dhe atdheut.

Ja si e përshkruan këtë thirrje shpirtërore të Mark Çunit Dom Dritan Ndoci, famullitar i Rranxës dhe nismëtar i këtij dokumentari për jetën e seminaristit që lindi e u rrit në këtë fshat.

“Marku kur ka hyrë të flasë me Zotin në ndërgjegjen e tij ka vënë re se mund të bëjë shumë. Por problemi ishte se u ndesh me ato që pikërisht në ndërgjegjen e tyre, nuk u ndalën të flisnin me Zotin edhe këtu ndodhi ai dualizmi që nganjëherë duket sikur ekziston në botë, pra e mira dhe e keqja. Ata që në ndërgjegjen e tyre e rrënjosin Zotin dhe ata që në ndërgjegjen e tyre nuk e venë Zotin edhe atëhere pasojat i dimë.”

Studiuesi Palokë Rrotani beson se 27-vjeçari nëpërmjet besimit në Zot kishte fituar guximin për të bërë punë të mira. "Ajo që kam vënë re tek Mark Çuni, kam vënë re që i kishte dhanë Zoti, guximin për me e bë një punë të mirë ashtu si e kërkon krijuesi, edhe me shkue e në grykë të pushkës për këtë punë pa pas frikë.”

Jezuiti atë Luciano Fozzer që e pati nxënës në seminar, e kujton kështu: “Ishte ndër të parët për nga virtytet, për nga mësimet, si edhe në sport … I gatshëm t’u shërbente të tjerëve”.

Marku lexonte shumë për të zgjeruar kulturën dhe ende i ri kishte filluar të botonte disa shkrime në revistat Kumbona e së Dielës dhe Aurora Consurgens. Me rastin e 25-vjetorit të shugurimit ipeshkvnor të Papa Piut XII shkroi dramën Gjaku i falur, që kishte si synim pajtimin e familjeve në gjak. Me dëshminë e jetës së vet, Marku ishte, siç e thekson atë Fozzer-i, “një shembull për shokët e tjerë të seminarit”. Mark Çuni në vitin 1943 boton edhe veprën e tij poetike “Stolija e ligjeratës”.   Një vepër në vargje për stilistikën me 51 poezi për të rregulluar mënyrën e duhur e të shprehurit.

“E çfarë kishte ba; kishte botuar të vetmin libër “Historia e ligjëratës”? E pra ato pak forca që ka pas i ka mbledh për të dhuru pak dije. Me dije donte të luftonte komunizmin jo me armë”- thotë Dom Dritan Ndoci.

Mark Çuni nuhati kohën kritike me ardhjen e komunizmit si një largpamës i vërtetë, duke shprehur me të madhe se ateizmi po trokiste në derë. Me 2 dhjetor 1945 do mbaheshin zgjedhjet, me qëllim legjitimin e pushtetit të ri. Ai nuk mund të qëndronte indiferent dhe nis e përgatitet për t’iu kundërvënë komunizmit, me armën më të madhe që ai kishte, fjalën dhe të vërtetën.

“Këta seminaristë, një pjesë e tyre u mblodhën shpejt, filluan shtypnin trakte dhe duke pas parasysh se shpejt po afroheshin edhe zgjedhjet….. Duke punuar në popull dhe duke i treguar popullit se çfarë ishte ideologjia komuniste.  Çfarë përfaqësonte ideologjia komuniste dhe si ideologjia komuniste ishte kundër veçanërisht kundër besimeve fetare. Këto trakte filluan të përhapeshin fillimisht në qytetin e Shkodrës, u shtypën nga vet këta të rinj seminaristë, u përgatitën nga këto të rinj seminarist me ndihmën edhe të punëtorëve të tjerë që punonin në shtypshkronjën e Jezuitëve”- thotë Mirdita.

Sipas Ukgjinit, seminaristët në filozofinë e vet mendonin se Shqipëria nuk duhet t’i rikthehej diktaturave por duhet të vazhdojnë të liberalizohet siç ishin krijuar ato bërthamat e shtetet demokratike në disa vende të Europës. Por diktatura komuniste me ashpërsinë më të madhe arrin dhe bie në gjurmë të  organizatës “Bashkimi Shqiptar”, e cila themelohet nga Mark Çuni, dhe nisin arrestimet. Në dokumentet e kohës regjimi kishte ndërtuar edhe skemën se si funksiononte kjo organizatë duke akuzuar eprorët e Seminarit të Jezuiteve At Gjovani Fausti dhe At Danjel Dajani si organizatorët dhe udhëheqësit kryesorë.

Por, sipas Mirditës, mësuesit e Mark Çunit u akuzuan pa prova.

“Duhet thanë që drejtuesit e urdhërit jezuit siç ishin rektori i kolegjit At Danjel Dajani dhe nënprovinciali, zvendësprovinciali Xhovalin Fausti nuk kishin dijeni, apo nuk ishin organizatorë të kësaj organizate. Ata thjesht kishin kontribut mjaft të madh në formimin dhe edukimin me ndjenjën e patriotizmit dhe atdhedashurisë karshi këtyre të rinjve. Dhe të rinjtë vet me iniciativën e tyre pra ishin ata që formuan këtë organizatë. Por duhet thanë që për regjimin komunist kjo në njëfarë mënyre ishte diçka që i përshtatej se dokumenti që është zbulu organizata “Bashkimi Shqiptar”, nuk kishte rast më të mirë për të goditur udhëheqësit e urdhërit jezuit.”

Imzot Angelo Massafra vlerëson guximin e seminaristit të ri për të kundërshtuar komunizmin si një e keqe për shoqërinë shqiptare.  “Atëherë kur ishin gati për t’u bërë votimet e para, ka qënë i detyruar nga ndërgjegjja e vet për të krijuar këtë grup “Bashkimin”!  Për të qënë kundër diktaturës së majtë. Kundër komunizmit se në vendet e tjera kishte bërë shumë më dëm edhe kishte frikë se do të kishte bërë të njëjtën dëm edhe këtu ku ai ka bërë edhe dëme më të këqija siç i dimë shumë mirë. Për këtë ka qënë i angazhuar për të bërë këto “trakte”- thotë ai.

Në shtator të vitit 1945, intensifikohen përpjekjet për arrestimin  pjestarëve të organizatës “Bashkimi shqiptar”. Ndërsa ata tashmë kishin vepruar edhe në zona tjera jo vetëm në Shkodër.

Nip i Çunit, rrëfen bisedën me mësuesin Padër Gjergj Vata, për traktet e para antikomuniste të lëshuara në Shkodër.

“Se traktin e parë e ka ba Mark Çuni, traktin e parë antikomunist në Shkodër. Duke dëftu në këtë trakt, për këtë mu më kanë thanë Padër Gjergj Vata, mësuesi letërsie, profesor letërsie edhe prift; “Marku e ka ba, e i thashë mos ashtu se lenë Dilen vetëm, të ëmën!” Ai nuk e ka dëgju as Padër Gjergjin. Mbas nja dy a tre javësh ky trakt ka dalë në tanë Shkodrën. Edhe me këto trakte kanë ardh edhe nja 200 copë ose 300 copë në Ranxa, iu kanë dhënë dy shokëve dhe kushërinjve të vet në Ranxa”- thotë Vlash Gjondrekaj.

Një tjetër i afërm i seminaristit antikomunist, Vasë Çuni, sjell detaje nga aktiviteti i organizatës.

“Babai im edhe Rrok Martini kanë kenë korrierët e tij. T’u shpërnda traktet poshtë e përpjetë kundra komunizmit dhe më duket se kanë ba një veprim këtu në Barbullush kanë prerë telat e telefonit, lidhjen telefonike në Shkodër-Tiranë. Edhe kur vjen puna e arrestuan e dënuan. 5 vjet ka bërë burg në të njëjtën kohë me Mark Çunin, kanë kenë në të njëjtën periudhë. I kanë arrestuar tanë përnjëherësh në tanë Republikën. Përveç se janë arrestu në Shkodër, janë arrestu edhe nëpër rrethe të tjera. Psh, në Lezhë, në Durrës, në Tiranë, e në Gjirokastër.”

Pjerin Mirdita sjell detajet historike të arrestimit. “Dhe më 27 nëntor të vitit 1945, Zoji Themeli që ishte në atë kohë drejtuesi i  seksionit të brendshëm  për qytetin e Shkodrës, nëpërmjet një telegrami flet për herë të parë se kanë rënë në gjurmët e një organizate, e cila pra drejtohej nga dy udhëheqësit e urdhërit jezuitë”.

Filluan menjëherë arrestimet, filloi menjëherë terrori edhe torturat nga më të ndryshmet. Mbrëmjen e 7 dhjetorit 1945 ish-sigurimi arrestoi seminaristin Mark Çuni, kurse më 31 dhjetor Atë Giovanni Faustin dhe Atë Daniel Dajanin, si eprorë dhe përgjegjës të Seminarit, në total arrestohen 39 persona. Hetuesia ishte e tmerrshme. Ndaj tij dhe të tjerëve ushtroheshin tortura çnjerëzore. Hetuesit kërkonin që Mark Çuni të pohonte atë që ata kërkonin, duke akuzuar eprorët e Seminarit të Jezuitëve At Danjel Dajanit dhe At Gjovani Faustin si drejtues të organizatës Bashkimi Shqiptar.

Sipas Ukgjinit, “kjo lëvizje nuk ka qënë vetëm e këtyre por si duket kanë qënë bërthama sepse aty llogaritet që kanë qenë 39 anëtarë të kësaj lëvizje,  studiues,  aktivistë, studentë të profileve të ndryshme. Kështu që ka qënë një aksion pothuajse mjaft i madh në veri të Shqipërisë.”

Mirdita beson se organizata edhe pse për pak kohë arriti të prodhonte rezultat dhe kjo u kuptua nga manipulimi i zgjedhjeve të para.

“Por duhet thanë që në zgjedhjet e 2 dhjetorit të vitit 1945, qëllimi i organizatës në njëfarë mënyre filloi edhe u rrit sepse rezultatet e zgjedhjeve u manipuluan. Në veri masivisht kanë votu kundër Frontit Demokratik. Por rezultatet normalisht u manipuluan nga regjimi diktatorial i kohës dhe u nxor një shifër aty sikur zona e Veriut, qyteti i Shkodrës e zonat përreth, kanë votu me 90% pra Frontin Demokratik”.

Gjyqi

Gjyqi nisi me datën 31 janar 1946, ora 09.00, në Kinema “Rozafat” të qytetit të Shkodrës, kundër organizatës antikomuniste “Bashkimi Shqiptar” nga Gjykata Ushtarake e Qarkut, e përbërë nga trupi gjykues, me  kryetar: Mustafa Iljazi, antarë: Namik Qemali e Tonin Miloti ndërsa prokuror ishte Aranit Çela. Një gjyq i montuar ku tashmë pjesa më e madhe e të akuzuarve e dinin dënimin që do merrnin.

Mark Çuni merr përsipër gjithë peshën e krijimit të organizatës. Në gjyq ai do thoshte: “Unë dhe prof. Gjelosh Lul Marku kemi drejtue punën e kësaj organizate. At Fausti ka kenë në Tiranë deri në maj të ’45, pra, nuk ka dijtë gja kur kemi formue organizatën. Fausti e Dajani nuk na kanë folë për politikë. Me At Gjon Shllakun nuk kam pasë asnjë lidhje për këtë punë... Nuk dij se asht bisedue për “dorën e zezë” ndonjëherë. Unë kam veprue në kundërshtim me rregullat e seminarit, por këtë e kam ba në kokën teme, e dij se asht gabim, por unë e kam ba.  Klerikët nuk kanë ba pjesë në organizata politike mbasi e kanë të ndalueme, dhe as na nuk e kemi kërkue një gja të tillë. Faji bie mbi mue!”

Salla e gjygjit ishte mbushur me njerëz që i shkonin për shtat regjimit të cilët kanë brohorit kundër seminaristit të akuzuar. Ndërsa prokurori famëkeq Aranit Cela kërkoi 11 ekzekutime me vdekje.

Nana e Markut bënte përpjekje të vazhdueshme ta vizitonte në burg, sa ishte në hetuesi nga 7 dhjetori deri në fund të Janarit kur nisi gjyqi. Madje të vetmet komunikime që i kishte me të ëmen i kishte përmes shikimeve në sallën e gjyqit.

“Po nga dëshmitarë kemi dëgju se nana e tij ka tregu këtë detaj interesant e të dhimbshëm sesi edhe në gjyq për shembull, nuk kishte si t’i afrohej Markut edhe nga larg i tregonte kryqin, ruzaren që në atë kohë, normal lejoheshin këto simbole fetare nuk ishte ’67. Por me një përçmim që e kuptojmë. Por ngaqë nuk kishte se çfarë t’i thoshte i tregonte kryqin, edhe Marku thuhet se me shenja, me sy i bënte të kuptonte se kishte Krishtin e si kishte frikë komunistët”- thotë Dom Dritan Ndoci.

Age Goli, që e ka njohur nanë Dilen, mban mend rrëfimet e saj nga gjyqi i djalit të vetëm.

“Ajo bisedonte nganjëherë me ne, por jo si me thanë me ta diftu. Por se e mbaj mend kur ishin para gjyqeve i çonte kryqin e krishtit; thoshte; ia kam çuar dhe i kam thanë kushtoju këtij dhe mos kij frikë. Ai s’ia ka kthyer përgjigjen, por ka parë mirë nanën e vet dhe ka marrë si të thuash forca më tepër, ashtë mundu me qëndru”.

Ndërkohë që me ligjin elektoral të kohës ku garantonte lirinë e shprehjes 15 ditë para dhe 15 ditë pas zgjedhjeve të 2 dhjetorit, eprorët e seminarit besonin se nuk është kryer ndonjë vepër e rëndë. Madje At Danjel Dajani e këshillon Mark Çunin të mos largohet nga Shqipëria.

Sipas Gjondrekajt, “Mark Çunin kanë ardh me e marrë te ura e Bunës me lundra për me dalë jashtë tri herë”.

Sipas Dom Ndocit ai hezitoi të arratisej pasi nuk donte me lënë nanën vetëm.

“Ai nuk e diskutonte që dëshironte të ikte nga Shqipëria kur u kërcënua, e pa se po kërcënohet me arrestim e tij dhe pastaj dihet se do t’i vrisnim. Por e pengoi nana, nana që i tha; kam frikë se kur të ikësh ti unë atëhere do të mbaroj”!  E penguan eprorët e i thanë At  Daniel Dajani, eprori i tij, duke i thanë; nuk besojmë se do të na bajnë gjë, na arrestojnë, na penalizojnë por jo ndonjë gjë të madhe”.

Dodë Goli, djal i vëllaut të Dile Çunit, nënës së Mark Çunit, tregon një bisedë të bërë më hallën e tij.

“Kena bisedu me ta, nganjëherë e nxirrnim te ai muhabet dhe i thoshim; hallë, si ka mundësi për Markun? - Ah more bir, i ka kërku djali i vet i ka kërku hallës; a po më jep lejë të iki? Se unë iki. - Jo ti me ik, nuk ke si me ik; i ka thënë se unë mbytem në ujë të Bunës”! – Masandej ai i ka thënë; jo sa ti të mbytesh në ujë të Bunës, unë rri këtu dhe dorëzohem vetë se s’kam nga shkoj më”.

Por çka e shtyu Mark Çunin të qëndronte në Shqipëri e të mos arratisej?

Sipas Dom Dritan Ndocit kjo lidhej me vlerat e familjes, dashurinë për nanën dhe bindjen ndaj eprorëve të tij.

“Patjetër dalin në pah edhe vlerat e atdhedashurisë, ishte ky njerzillëku i tij, kjo anë njerëzore e tij, e patjetër feja e tij që e ka nxit të besojë në birin e Zotit, e ka ndihmu të jetë njeri në fund. Një njeri në këtë botë që ka vështirësitë e tragjeditë e veta”.- thotë Ndoci.

Gjyqi do zgjaste vetëm 22 ditë me 22 shkurt 1946 do merret vendimi. Pas përdorimit të torturës fizike dhe psikologjike në hetuesi, trupi gjykues vendosi që të dënohen me vdekje, pushkatim, 8 veta, me burgime të përjetshme 60 dhe 39 vetë të tjera të dënoheshin me vite të ndryshme burgimi. Dënimet me vdekje u firmosën nga vetë diktatori Enver Hoxha.

Amaneti

Me 4 mars 1946 në orën 5 të mëngjesit do egzekutohen nga një togë e pushkatimit At Danjel Dajani, At Giovanni Fausti, At Gjon Shllaku, Mark Çuni, Qerim Sadiku dhe Gjelosh Lulashi.  Ekzekutimet u kryen pranë murit të varrezave katolike të Rrmajit.

“Mirëpo ai është pushkatu edhe me dorë të thyer për arsye se e kanë torturu jashtëzakonisht shumë. Kështu që kur ia dhanë dënimin me pushkatim, përpara se me pushkatu më 4 Mars të ’46 ata kanë shku të fortë, se kanë ditë çfarë kanë ba. Bile kanë shku tu i dhanë uratë e t’u iu lut Krishtit. Tu i dhanë meritat Zotit.”- thotë Gjondrekaj…

Ndërsa Pjerin Mirdita sjell një fakt nga rrëfimet e At Zef Pëllumbi në librin e tij “Rrno për me tregue”. “Ai na jep një fakt ndoshta interesant sepse jep dëshminë e një ushtari që ka qenë pjesë le të themi e trupës së ekzekutimit, i cili i ka thënë; nuk më ka rastis asnjëherë të shihja një diçka të tillë se gjithë kanë vdek si trima, me fytyrën përballë pushkëve dhe kanë vdek duke thanë; “Rroftë Krishti Mbret!”

Tashmë Dilë Çunit nuk i mbetet asgjë vetëm të lutet, dhimbja për të birin e vrarë, pa asnjë faj ishte e madhe. Ndërsa nuk kishte as edhe një varr se ku të qante, të vetmin ngushëllim ajo kishte lutjen dhe besimin e fortë.

“Nanëdaja mbas murit të kishës së Rrmajve, ka vënë disa shenja kryqi. Kryqat nuk i kanë vënë me asnjë ngjyrë, vetëm me ngjyrë të zezë për mos me u fshi muri. Edhe ka shku përgjithherë te ata kryqa e mbas murit, është ngushulluar e është lut për të birin”- tregon Gjondrekaj.

Përveç kujtimit për Markub nga sendet e tij personale janë një shall i dhuruar nga e ëma, dhe një brez, ndërsa këmishën me gjakun e Mark Çunit si shkak i torturave të shumta e ëma e ka marr me vete në varr. Këmishën  e ka ruajtur si të vetmen lidhje fizike me të birin dhe sipas amanetit të saj është vendosur në arkivolin duke marr me vete në udhëtimin e fundit.

Mark Çuni i ngjau kaq shumë Krishtit me ikjen e tij nga kjo botë.

Në procesvervbalin e mbajtur mbi vullnetet e fundit të të pushkatuareve mes të cilëve edhe Mark Çuni ai i falë ata që po e vrasin. Dëshmi e besimit të tij, dashurisë ndaj njeriut, dashurisë ndaj atdheut dhe lirisë…

“Fjalët e fundit të Mark Çunit janë shumë interesante të thjeshta. Ai thotë; “ I fal ata që më kanë dënu, më kanë gjyku e po më ekzekutojnë”! Domethënë po falte armiqtë e vet, kështu po i përgjante Jezu Krishtit; I thoni nanës, të i japin Ludovik Rashës 14 napolona se ia kam borxh. Donte të lante borxhin e fundit ndërkohë që komunistët po hynin në borxh me tanë Shqipërinë. E i thonte nanës ta kryente këtë amanet. Ku normalisht duhej djali me kry amanetet e nanës dhe jo kështu. Edhe thotë rr’noftë Krishti mbret, rr’noftë Shqipëria! Krishti dhe Shqipëria tashmë ishin ba një në zemrën e tij. Krishti i kishte mësu ta donte edhe Shqipërinë, këtë Shqipëri me të këqijat e saj e me të mirat e saj”- e përshkruan amantin e fundit të tij, Dom Dritan Ndoci.

Kujto.al

*Ky dokumentar u shfaq në Famullinë e Rranxës në Shkodër më 4 mars 2022 në përkujtim të Mark Çunit, martir i Kishës Katolike dhe i Shqipërisë. Realizuar nga fondacioni Kujto.al me mbështetjen e Famullisë Rranxa, Bushat.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here