Lushnjë/7 të pushkatuar sepse fshehën origjinën kulake

0
707
blank

Duket e pamundur që nën diktaturën komuniste, njerëzit të ndryshonin identitetin dhe t’i përvidheshin regjimit, por, sipas Sigurimit të Lushnjës këtë e kishte bërë një grup kulakësh. Ndëshkimi ndaj tyre nuk mund të imagjinohej më i ashpër sesa aq: 7 u pushkatuan dhe 12 u dënuan me 25 vjet burg pa dhënë detaje sesi ata kishin mundur ta mashtronin regjimin për vite me radhë.

Si një nga qendrat e të internuarve, pas mbylljes së kampeve me tela me gjemba, Lushnja ishte në çdo çast e survejuar nga Sigurimi i Shtetit.

Në botimin “Zhdukur-Sigurimi në fjalët e veta” të AIDSSH, publikohen të dhëna nga Historiku i Sigurimit të Shtetit në Lushnjë, në vitet 1943-1975, i cili përmban shifra domethënëse për aktivitetin intensiv të Sigurimit në këtë zonë. Në vitin 1951, në Lushnjë banonte një miks kategorish: të internuar (419), emigrantë kosovarë (2777), shtetas jugosllavë (37), elementë antiparti (500), të burgosur politikë (1445) dhe ordinerë (1233) të cilët Sigurimi i kishte në vëmendje. Por në survejim nuk ishin vetëm të internuarit, emigrantët dhe të burgosurit. Një nga kategoritë kryesore në vëmendjen e Sigurimit ishin familjet kulake vendase.

Të dhënat e vitit 1948 flasin për 318 familje të tilla, ndërsa në analizën e hollësishme që u bë në vitin 1969 rezultonte se mes 2091 personave që ndiqeshin me bashkëpunëtorë, 133 ishin kulakë. Sigurisht lufta e klasave, e cila “ishte ashpërsuar”, siç shkruhej në dokumentet e Sigurimit në vitin 1951, kishte bërë të vetën në uljen e numrit të kulakëve, një pjesë e të cilëve ishin vrarë apo burgosur, por “vigjilenca” ndaj tyre nuk ishte ulur. Ata bashkë me të internuarit, të dëbuarit, familjet e të arratisurve, emigrantë politikë kosovarë e me radhë, përbënin një kontigjent të gjerë që e mbante Sigurimin në aktivitet të pandërprerë. Punonjësit e tij, për të mbajtur nën kontroll situatën, kontrollonin gjithçka deri edhe pakot dhe letrat postare, përmbajtja e të cilave nuk ishte sekret për ta. “Deri në 1960, Sigurimi numëron se kanë ardhur 786 pako të dërguara nga persona të ndryshëm që ndodhen jashtë shtetit, kanë dalë nga vendi 10 pako, ndërsa letra të ardhura janë 130, të dala 721 copë me përmbajtje armiqësore të ndryshme”, shkruhet në raport.

E megjithatë, këtij kontrolli kaq të imët, jo vetëm nga Sigurimi i Lushnjës, por edhe në gjithë territorin e Shqipërisë, i kishin shpëtuar, referuar gjithmonë dokumenteve të vetë Sigurimit, disa kulakë. Ata ishin larguar nga vendlindja, kishin ndryshuar mbiemrat dhe kishin humbur gjurmët. Në vitin 1967, “u zbulua” një grup i tillë prej 19 vetash, të cilët sipas Sigurimit, që i quan kulakë sipërmarrës, e kishin shtrirë aktivitetin e tyre në Fier, Vlorë, Lushnjë, Berat, Tiranë dhe Korçë.

“Mbeturinat e klasave dhe të armiqve, për t’i shpëtuar vigjilencës së Partisë dhe popullit, janë larguar nga vendlindja, kanë ndërruar mbiemrin e origjinën shoqërore, kanë zotëruar zanate e aftësira tekniko-profesionale, janë paraqitur si të varfër, kanë krijuar shoqëri me familjet e komunistvëve e njerëz të ndershëm”, thuhet në historikun e Sigurimit të Lushnjës.

Më 7 maj të vitit 1967, 7 u dënuan me pushkatim dhe 12 me 25 vjet heqje lirie.

Në vijim, shkruhet në botimin e AIDSSH-së, akuza është dëm ekonomik, duke “komprometuar edhe elemente me qëndrim të mirë politik” përmes parave e pijeve. Mehmet Qazim Bregu dënohet me litar, Xhemil Faik Margaritari dënohet me vdekje, Skënder Ali Mustafaraj dënohet me vdekje, Selait Axhem Çela dënohet me vdekje.

Lufta ndaj kulakëve, edhe pse kishte nisur bashkë me regjimin komunist, nuk kishte të ndalur as në fund të viteve ’60, kur me akuza të pasqaruara, të ashtuquajturit kulakë, morën dënimet maksimale.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.