Lulja e Etëhem Haxhi Ademit

0
344
blank

Një tregim nga shkrimtari i spikatur i viteve ’30 që ndërroi jetë në burgun e Burrelit

Më 25 janar të vitit 1947, në ora 12.00 të natës, forcat e Sigurimit  të shtetit i vunë hekurat në dorë njërit prej intelektualëve më të shquar të kohës, shkrimtarit Etëhem Haxhiademi.

blankAtë natë u largua nga familja për të mos u kthyer kurrë më. Në fillim u dënua me pushkatim. Kur kryetari  i  gjyqit ushtarak komunikoi vendimin: "Armiku i popullit, Etëhem Haxhiademi dënohet me vdekje!", salla e gjyqit oshëtiu nga thirrja: ‘RROFTË SHQIPËRIA!’. Ishtë zëri i shkrimtarit të famshëm të viteve ’30, Etëhem Haxhiademi. Regjimi komunist e kishte arrestuar si armik i popullit dhe i partisë dhe vendosi ta ekzekutojë. Ishte viti 1947, koha kur diktatori komunist kishte nisur spastrimin e të gjithë elitës intelektuale të Shqipërisë. Etëhem Haxhiademi ishte njëri prej tyre.

Pas vendimit për pushkatim, Haxhiademit iu fal jeta, por u dënua me burg. Vuajti 18 vjet në burgun e Elbasanit, Gjiorokastrës e më pas në Burrel. Ndërroi jetë në burgun e Burrelit, gjashtë muaj para se të lirohej. Si përfaqësuesi i rrymës letrare të klasicizmit në letërsinë shqipe, Etëhem Haxhiademi, kishte botuar në vitet ’30 tragjeditë “Uliksi”, “Akili”, “Aleksandri”, “Pirrua”, “Skënderbeu”, “Diomedi” dhe “Abeli”. Është  gjithashtu autor i një përmbledhje me poezi me titullin “Lyra” (1939) dhe përkthimi i “Bukolikeve” të Virgjilit (1932).

Bashkë me autorin u burgos edhe vepra e tij. Ato u zhdukën nga qarkullimi menjëherë. Çdo vepër e shkruar prej tij u zhduk për 50 vite për t'u rikthyer pas rënies së diktaturës. Kujto.al ka zgjedhur një tregim të Etëhem Haxhiademit botuar në revistën "Shkëndija" në vitin 1941.

blank

Lulja

Prej Etëhem Haxhi Ademit

Ah sa e bukura dhe sa e lumtun qe!

Ishte koha e rinis, koha e pranverës; nji lule e vogël bashkë me shoqet e veta ishte zbyrthyer e ishte çelë ndër midis të një kopshti të bukur.

Era e saj e ambël e kandëshme përndahesh anë mbanë, dhe kënaqte gjithë rrethet e atyshme.

Bukurija dhe hijeshim’ i saj tërhiqte vërenjten e gjithkujt; me të gjithë kishte miqësi. Bletat punëtore, fluturat me gjithë farë farë ngjyrash për bukuri shkoshin përdit e i vizitoshin e dhe gëzoheshin tepër prej ‘saj. Djemt e vashat bukuroshe sa fort e doshin! Mëngjës për mëngjes veshin rreth saj e kqyrshin me dashuni, e fërkoshin me ato duar të pambukta, dhe i tërhiqshin erë;

Se ishte edhe ajo atëher si ato e bukur!

blankIshte fatbardhë edhe gëzonte një jetë të gëzuar. Si mendonte aspak të kqijat e kësaj bote dhe kujtonte se përherë do të rrinte e re, e bukur! por ah moj e shkretë!..

Një mëngjezit kur Dielli edhe s'kishte lemë, kur er e kandshme e fërkonte bukur rreth e qark saj’e fërkonte si nji momë e dashur, nji vajzë fare e vogël qi s’kishte ndonji miqësi me lulen, ishte zgjuem nga gjumi dhe kishte dalë në dritare të saj e shikonte rreth e rrotull. Kqyrte anë mbë anë dhe shifte bukurina të ndryshme të natyrës; ma së fundi shef dhe lulen: Ah! Sa fat i lik; sa ças i shkretë qe ky vështrim për lulen e gjorë!.... U ngrit nga vendi ku ishte dhe zbriti n’ oborrt. E shikojë dhe nji herë ma për së afërmi dhe vojti drejt e te ajo.

Sa e bukra dukesh e shkreta lule atëherë! Ishte ngjomë bukur e bukur për vesën e mëngjezit dhe tundesh sa andej këndej prej veriut, si ndonji foshnje qi tundet prej momës së vet. Ishte zgjuem mb’ atë çast prej gjumit të natës dhe me gas të math shijonte dritën e bekuar.

Vajza qëndroi përpara ‘saj; e vështroi me kujdes, pastaj u ul e i tërhoq erë.

  • Ah! sa lule bukur, tha me vehte; sa e ambla qenke, o lulëza ime. Ti me këtë bukuri që ke po humb vehten tate. Unë nuk munt të la këtu ty, lulëz’ e dashur. Do të këpus; dua qi të vijsh ke unë, se dhe unë nuk jam ma e keqe se ty! Dëshiroj të vë në kryet t’em të bukur.

Kështu tha vajza dhe zgjati dorën e bëlurtë ….. e këputi! ….. e vuë pastaj në krye dhe iku.

Lulja e vogël nuk u idhnue aq tepër ndonse u këput, se vajza e vogël i bante nderime pa masë: e përgëdhelte, e fërkonte, e përqafonte e i merrte erë. E vinte në krye tyke i kënduë dhe pastaj e hiqte prap, e kqyrte tyke bamë buzën me gas: por lulja rinte kryevarun. Mendonte natën qi do të vinte, e cila ishte shënji i pleqënis së ‘saj.

Mirë po nuk shkoi dhe shumë kohë; Dielli pak nga pak po shdukesh e po mëshifesh prapa mali, puntorët këtheshin tufa tufa nga arat ku kishin punuem; zoqt fluturojshin e shkoshin truma truma nëpër çerdhet e ‘tyne dhe gjithë njerëzija shkonte në shtëpi të vet.blank

Tani ma u errsuë, dhe vajza e jonë ra me fjetë, qi të qetsojë pak atë trupthin e bukur; lulen e vuni me kujdes sipër petkavet të veta.

Të nesërmen u zgjuë. U ngrit e veshi petkat dhe e vështroi nji herë lulen me sy të përgjumun. E shkreta lule atëherë kishte nisë për nji jetë t’jetër; ishte fishkë e ishte drobitun. Gjethet e saja qi deri dje qenë aq të bukra tani ishin rrudhë e ishin bamë si faqet e ndonji plake pesë dhet vjetësh.

E muar për nji herë kur e shef ashtu dhe me zëmërim e huth në pluhnit.

Atëherë kthehet lulja e i thotë: pse vasho me hudhe? Tani duket nuk të hyjë në punë ma; apo pse u fishkësh! Pse vall a nuk do të vijë nji ditë qi edhe ti do të fishkesh?!....

S’munt të mba ma qi të rrishë me muë lulja ime, thotë vajza si ma me të butë. Ti u plake e unë edhe jam e re e e bukur. S’munt të ve ma në kryet t’em se më shëmton! Tani unë shkoj në kopësht dhe gjejë nji t’jetër të re e të bukur si ç’jam vetë. A mundet të rri nji vajza bashkë me nji plakë?

blank

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.