Revolta e Spaçit-Dëshmia e nënoficerit që u konfliktua i pari me Pal Zefin

0
1679
blank

Pikënisja e revoltës në Spaç në mëngjesin e datës 21.5.1973 ishte konflikti midis nënoficerit Mark Tuci dhe Pal Zefit. Ngjarja nisi për shkak se Tuci harroi ta mbyllte Pal Zefin me çelës në birucë, ndërsa ky doli prej vendit të izolimit. Dëshmia e nënoficerit që përgjigjej për regjimin e brendshëm është një tjetër këndvështrim si e ka parë ai zhvillimin e revoltës dhe hedhjen e parullave aty. Nënoficeri Mark Preng Tuci, i vitlindjes 1943, lindur në fshatin Grosh të Mirditës, dha dëshminë para hetuesit Shaban Dani, efektiv i Degës së Punëve të Brendshme Mirditë.

Dëshmia:

“Më 21.5.1973 kam qenë roje i brendshëm në kampin e Spaçit. Në mëngjes rreth orës 5.10 kam shkruar te birucat dhe u kam hequr batanijet të dënuarve. Kur jam larguar, harrova t’i vë drynin birucës ku ishte Pal Zefi, e mbylla vetëm me shul. Pali përfitoi, hapi derën, doli jashtë, mori një hekur në dorë dhe hipi në tarracë. Kam njoftuar oficerin e rojës, Fejzi Liço dhe bashkë me të erdhën 5 nënoficerë: Zef Mardhoqi, Ndue Llesh Ndoj, Ndue Prendi, Skënder Neziri. Kur oficeri dha urdhër ta kapim të dënuarin Pal Zefi, për ta futur forcërisht në birucë, Pali na u vërsul. Goditi me hekur të dënuarin Mehdi Noku, polic Ndue Ndoj, ndërsa ne të tjerët e kapëm Palin.

Këtë çast, Palit i erdhën në ndihmë të dënuarit Hajri Pashaj, Jorgo Papa, Dashnor Kazazi, Fadil Dushku, etj. që nuk i mbaj mend se u grumbulluan shumë. Këta, si e nxorën Palin nga duart tona, na kanë qëlluar me grushte, por cili konkretisht nuk e mbaj mend se u bë rrëmujë e madhe. Ne u tërhoqëm se nuk kishim çfarë t’u bënim, ata ishin shumë. Më vonë, kemi nxjerrë turnin e parë në punë. Ka dalë edhe turni i dytë në orën 14.30.

Mbrëmjen e kësaj dite, është arrestuar Pali nga organet e hetimit dhe kanë nxjerrë nga kampi... Kanë arrestuar Syrja Lamen që ishte në birucë. Deshëm të arrestonim Pavllo Popajn, por ai nuk u bind. Në orën 10.00 mbasi kanë ngrënë darkë, në kohën kur u dha urdhri për t’u përgatitur turni i tretë për punë, një pjesë e të dënuarve u ngritën në revoltë duke thirrur: “Duam Palin”, “Nuk dalim në punë”. Thyen birucat, nxorën të dënuarit Syrja Lame, Xhafer Xhomi, Muharrem Isufi dhe kanë qëlluar rojet. Pasi dolën, të dënuarit shpërthyen edhe birucat e tjera, hapën derën e jashtme e u bashkuan me turmën e të dënuarve të shtetit. Në këtë turmë duke hedhur parulla kundër pushtetit kam parë të dënuarit: Fadil Dushku, Xhafer Xhomo, Muharrem Isufi, Shuaip Seiti, Rexhep Lazri, Stefan Kola, Gëzim Medolli, Tomor Allajbej, etj.. Parullat e tyre ishin: “Duam liri”, “Ja vdekje-ja liri”, “Ushtria është me ne”, “Këta janë kriminelë”, “Poshtë komunizmi”, etj. që nuk i mbaj mend.

Në kohën që u hapën birucat kam qenë roje i brendshëm në kamp e pastaj kam dalë, por veprimet e tyre i kam parë shumë mirë. Sa dola jashtë telave, i kam shikuar gjithë veprimet e tyre. Me këto parulla të dënuarit kanë vazhduar disa orë natën duke thirrur për në kamp. Gjatë kësaj nate kanë djegur këndin e emulacionit. Në mëngjesin e datës 22.5.1973 pashë se kishin ngritur një flamur në katin e tretë të pallatit, i cili ka qëndruar deri pasditen e asaj dite. Pastaj e dogjën. Se kush e ngriti flamurin nuk e di, nuk kam parë gjë, por siç flitej nga të dënuarit më vonë, thoshin se roje i flamurit ka qenë Ndrec Çoku e Dedë Bardhi. Më 22.5.1973 të dënuarve iu bëri thirrje drejtori i Policisë (Kasem Kaçi-shënim) për të dalë në punë e për të biseduar, por ata në mënyrë demonstrative nuk pranuan, por hidhnin parulla e thirrnin kundër pushtetit. Pastaj erdhi zëvendësministri (Feçor Shehu-shënim) e u bëri thirrje, por edhe këtë e refuzuan, duke kërkuar të vinte kryeministri, etj., duke vijuar me parulla armiqësore. Më aktivistët në hedhjen e parullave  ishin: Shuaip Seiti, Tomor Allajbeu, Xhafer Xhomo, Thanas Kokoneshi, Seli Peçi, Skënder Daja, Hajri Pashaj, etj.. Në këtë mënyrë, të dënuarit kanë vazhduar duke hedhur parulla deri në mëngjesin e datës 23.5.1973 kur hynë forcat tona në kamp. Këtë kohë kanë refuzuar për t’u dorëzuar Jorgo Papa, Dashnor Kazazi, Skënder Daja, Dervish Bejko, Gëzim Medolli."

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here