''Kitarë e Burgosur''

0
1069

Sot, 47 vjet nga revolta e Spaçit, Gëzim Çela rrëfen ngjarjen bashkë me historinë e kitares që qëndroi në burg me të 21 vjet, dhurata e çmuar nga këngëtarja e famshme, Vaçe Zela. 

Nga Luljeta Progni

Tingujt e kësaj kitare janë të njohura për këto shpate të thikta. Hera e fundit që i dëgjuan ishte më 23 maj 1973. Atëherë, telat e saj vibronin nën gishtat e njomë të një djaloshi 22 vjeçar, Skënder Dajës, që po luante melodinë e tij të fundit.

Sot, miku dhe bashkëvuajtësi i tij, Gëzim Çela vjen këtu në burgun e Spaçit bashkë me kitarën, për të kujtuar se çfarë ndodhi 47 vjet më parë në këtë vend, midis këtyre godinave burg. Është një ndër ngjarjet më të rëndësishme të kohës së diktaturës, revolta e mbi 360 burrave e djemve të burgosur për motive politike, kundër regjimit më të egër diktatorial në të gjitha vendet e lindjes.

Kampi burg i sigurisë së lartë në Spaç u hap në vitin 1968 dhe funksionoi për 20 vjet. Të burgosurit shfrytëzoheshin për të nxjerrë bakër e pirit nëpër galeritë e minierës së Spaçit, aty ku humbën jetën dhjetëra prej tyre.

Në anë të kësaj godine, në këtë rrëpirë, gjenden eshtra të burgosurish që humbën jetën nga torturat dhe puna e rëndë. Të skllavëruar nga puna e detyuar e në kushte të vështira jetese, të burgosurit u ngritën në revoltën e 21 majit të vitit 1973, për ta tronditur fort regjimin komunist.

Gëzim Çela kishte ditëlindjen pikërisht atë ditë, ndërsa vuante vitin e 11-të si i burgosur politik. Si pjesëtar i revoltës së Spaçit, atij do t'i shtoheshin dhe 15 vite të tjera burg.

Gëzimi ka shumë për të treguar mes fjalëve e lotëve... e po ashtu kitara e të burgosurve, mes tingujve.

Revolta

Të shtunën e 19 majit 1973, të burgosurit skllevër u kthyen si çdo ditë, të rraskapitur nga puna në minierat e Spaçit, vonë në mbrëmje. Të nesërmen, edhe pse e diel, ata ishin të detyruar të punonin përsëri gjithë ditën. Prej tre muajsh, nuk kishin bërë asnjë ditë pushim, nuk kishin parë diell me sy: gjithë ditën punonin brenda nëntokës me dy turne, ndërsa natën e kalonin brenda këtyre kazermave të akullta.

Të dielën diskutuan me njeri-tjetrin për të mos shkuar më në punë. Ishte një revoltë e natyrshme, pasi kishte kaluar çdo cak që mund të durojë një njeri sado i fortë të jetë fizikisht. Në kundërshtim edhe me kushtetutën e asaj kohe, ata detyroheshin të punonin pa pushim në kushtet më të vështira. Ata që kishin përmendur ligjet dhe shfaqnin mosbindje para xhelatëve, e pësonin me një muaj izolim në një birucë të ngushtë.

***

Një prej tyre ishte Pal Zefi. Të hënën, më 21 maj, Pali duhet të ishte rreshtuar bashkë me të tjerët në mëngjes për t'u nisur drejt galerive, sepse kishte përfunduar një muaj dënim në birucën e izolimit. Por askush nuk po dukej.

Atëherë Pali shpërtheu birucën e izolimit, mori një shufër hekuri dhe doli jashtë. Ishte një vendim shumë i guximshëm, por me sa duket tortura për më shumë se një muaj, e kishte çuar në skajin e durimit dhe Pali nuk kishte asgjë pë të humbur...

Ashtu i zemëruar dhe me atë shufër hekuri në dorë, Pali u nis drejt  oborrit të burgut... Njëri prej rojeve e pa dhe iu vërsul, por Pali u përlesh me të dhe e shtriu përtokë. Policët e tjerë u zhvendosën nga të burgosurit e tjerë e u derdhën mbi Palin, por në atë moment të gjithë të burgosurit dolën me vrull në oborr, për të mbrojtur shokun e tyre që po e godisnin barbarisht. Atëherë policët filluan të godisnin edhe të burgosurit e tjerë me shkopinj gome, e nën kërcënimin e armëve...

Disa i arrestuan me pranga të lidhura me zinxhirë me njëri-tjetrin, ndërsa të tjerët u larguan nga fushë-beteja.

Pasdite, përforcime të shumta policore erdhën të merrnin të arrestuarit, por të burgosurit u rebeluan përsëri dhe u bënë zotër të gjithë kampit.

Kur filloi të errësohej, të burgosurit u përpoqën të lironin shokët e arrestuar, por nga të gjitha vend-rojet, filluan të dëgjohen breshëri automatiku dhe u detyruan të tërhiqen përsëri. Radhët e të burgosurve u shtuan, ndërsa të tjerë u kthyen prej galerive dhe u bashkuan në sheshin para kampit. Mes tyre dallohej Skënder Daja, djaloshi 22 vjeçar që iu jepte zemër shokëve.

Përtej rrethimit, prej rojeve vijnë thirrje për t'u dorëzuar, por Skënderi e as shokët e tij nuk kanë ndërmend të dorëzohen. Pas vendosjes së flamurit, djaloshi merr kitarën, ngjitet lart mbi tarracë dhe këndon këngë për lirinë, aty ku forcat policore e kanë të vështirë t'i afrohen, sepse trimëria e këtyre djemve i ka stepur.

Për ato 3 ditë, ata rrëzuan sistemin komunist. Regjimi i egër ishte goditur mu në zemër, aty ku dhuna e diktatura ishin në versionin më të egër, në burgun e  Spaçit.

Ditën e nesërme, horizonti nxinte nga forcat e shumta që kishin ardhur me urgjencë për të shtypur revoltën e Spaçit. Mijëra policë e ushtarë të armatosur me automatikë e mitralozë prisnin urdhrin.

Zëvendësministri i Brendshëm, Feçor Shehu dhe zyrtarë të tjerë të policisë e burgjeve, me kërcënimin e armëve i shpërfillën kërkesat e të burgosurve për takim me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, që të bënin të njohura padrejtësitë ndaj tyre dhe urdhëruan shtypjen e protestës me dhunë.

Mëngjesin e 23 majit, ndërsa të burgosurit kishin 3 ditë pa bukë e pa ujë, forca të shumta policore hynë në kamp dhe pa mëshirë, ushtruan dhunë barbare mbi të gjithë të rebeluarit.

Rreth 370 të dënuar, të lidhur me pranga e zinxhirë, u nënshtruan në oborrin e kampit.

Po atë mbrëmje, u zhvillua një gjyq special për 12 të arrestuarit e parë, katër prej të cilëve u dënuan me vdekje, pushkatim dhe u ekzekutuan menjëherë: Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Bejko dhe Hajri Pashaj.

Kitara në burg

Pas tri ditëve të vrullshme të revoltës, Gëzimi nuk e dinte se ç'u bë me kitarën. Herën e fundit e kishte parë të strukur nën gjoksin e Skënder Dajës, duke lëshuar tingujt e fundit përballë mitralozëve dhe automatikëve që i kishin drejtuar tytat.

A kishte pësuar edhe ajo të njëjtin fat? A ishte shpuar nga plumbat që shpuan gjoksin e martirëve? Mos ishte kthyer në arkivolin e tyre aty tek gropa e madhe nën qershizë?

Jo. Dikush është kujdesur ta shpëtojë kitarën. E ka fshehur nëpër mbeturinat që ka lënë pas revolta, mes parullave e fotografive të tiranëve që lëshonin ende tym. Më pas e fshehën në galeri, e disa ditë më vonë kur situata në burgun e Spaçit u qetësua, mbërriti përsëri pranë të burgosurve, aty ku për 12 vite, priste çdo ditë që ata të ktheheshin prej errësirës së galerive për t'iu dhënë kurajo me tingujt e saj.

***

Kitara kishte ardhur tek të burgosurit ndoshta jo rastësisht. Ishte viti 1962. Një prej ditëve kur Gëzimi dhe disa të burgosur të tjerë ishin mbledhur në vatrën e kulturës, miku i tij Sotiraq Tase me një mandolinë në dorë, i kishte thënë: a sikur të kishim edhe një kitarë, për ta shoqëruar melodinë me akorde. Në takimin e radhës, Gëzimi ia shprehu kërkesën nënës, e cila i premtoi se do interesohej.

Pas dy muajsh, kur nëna erdhi përsëri nga Lushnja për ta takuar, kishte sjellë me vete një kitarë.

Një ditë, nënë Roza kishte takuar mikeshën e Gëzimit, Vaçe Zelën, e cila e kishte pyetur se si është Gëzimi me shëndet... Roza i kishte rrëfyer se po kërkonte një kitarë për Gëzimin, po nuk po gjente. Pa asnjë hezitim, Vaçja i kishte thënë: I jap unë kitarën time...

Kështu, kitara e Vaçe Zelës shkoi në burg... Ishte një dhuratë e paçmuar për të gjithë të burgosurit në Spaç.

Vajza lushnjare, artistja e madhe me zërin e rrallë, gjithashtu të burgosur, iu tregoi me këtë akt se mirësia ekzistonte ende dhe shpresat për lirinë nuk vdesin kurrë.

Kitara e Vaçes qëndroi në burg për 22 vjet. Ajo i shoqëroi të burgosurit nëpër të gjithë kampet burgje ku punonin: Tiranë, Thumanë, Gjorm, Rubik, Laç. Ajo priste çdo ditë të burgosurit, ua hiqte sado pak mallin për prindërit, motrat e vëllezërit, i ushqente me shpresë e gëzim dhe iu gjendej pranë në ditët e vështira për të mbajtur gjallë shpirtin pavarësisht dhunës, urisë e kushteve të tmerrshme në punë.

Kur Gëzimi u lirua nga burgu herën e parë, në vitin 1965, nuk e mori me vete kitarën. Shokët iu lutën që ta linte me ta dhe Gëzimi pranoi. E kitara e priti 6 vjet, deri sa Gëzimin e dënuan për herë të dytë dhe pas 6 vitesh u ritakuan përsëri brenda hekurave... dhe vazhduan të qëndrojnë bashkë edhe pasi Gëzimi u dënua për herë të tretë pas revoltës së Spaçit, deri sa u lirua në vitin 1984.

Sot, ajo ndodhet në shtëpinë e tij, pranë kujtimeve për njerëzit e tij të dashur, pranë fotografisë së nënë Rozës. Tingujt e kitarës dhe vuajtjet e nënës për djalin e burgosur e shoqërojnë gjithë rrëfimin e tij.

Vikama e Nënës

Vikama e një gruaje vinte si zë i largët pëmes dritareve të gjykatës së Rreshenit, kur grupi i dytë me 20 pjesëmarrës të revoltës së Spaçit po merrnin ridënimin. Gëzim Çela ishte një prej tyre dhe me sa duket, i vetmi që po e dëgjonte atë vikamë... i ngjante më zërin e nënës së tij. Nuk e priste nënën, sepse e kishte takuar vetëm pak ditë më herët, kur kishte qenë takimi i radhës. Nëna nuk kishte arsye të gjendej atë ditë në Rrëshen, nuk kishte nga ta merrte vesh ç'kish ndodhur. Gëzimi u mundua ta largonte brengën, por ajo vikamë ende oshëtinte në veshët e tij.

Sapo u njoh me vendimin e gjykatës për ridënimin edhe me 15 vjet të tjera burg, lidhur bashkë me 19 të tjerët po zbriste shkallët që të çonin drejt qelive. Pyeti shokun e vet nëse e kishte dëgjuar edhe ai atë zë, por ai mohoi ta kishte dëgjuar. Gëzimi kishte vendosur të mos i tregonte nënës, të mos ia shuante shpresën se mund të lirohej së shpejti.

Pas pak orësh në dritaren e vogël të qelisë u shfaq koka e një polici që pyeti: Është këtu Gëzim Çela?

Gëzimi u çua, ndërsa polici i zgjati një pako të mbëshjtellë që mbante emrin e tij. E kuptoi se nuk i kishin bërë veshët aspak. Instiktet e tij e kishin njohur vikamën e nënës. Pa vetëdije, shqisat e tij i kishin thënë se ajo kishte qenë aty. Kishte qënë nëna Rozë.

Ajo s'kishte lënë vend pa e kërkuar të birin. Ku ishte? Në Spaç, në burgun e Tiranës, në Burgun e Rrëshenit? A ishte gjallë?  Sajoi atë pakon e vogël me të vetmen shpresë që të mos ia kthenin mbrapsht, çka nënkuptonte se Gëzimi ishte gjallë. Dhe pakon nuk ia kthyen. Veçse as Gëzimi nuk do të kthehej për një kohë shumë të gjatë, e do të vazhdonte të mbetej vetëm, fillikat.

 

***

Nënë Roza filloi kalvarin e gjatë të vuajtjeve kur bashkëshorti i saj, babai i Gëzimit, Muharrem Çela, ishte larguar jashtë kufijve me ardhjen e komunistëve në pushtet, sepse ishe në listën e njerëzve që regjimi i kishte shpallur armiq. Para se të largohej, kishte dërguar në Mal të Zi, Rozën dhe Gëzimin, e do të kthehej shpejt për t'i marrë me vete. Por, fati i keq do ta kthente nënën me Gëzimin në Shqipëri.

Në këto rrethana, Nënë Roza u detyrua të pranonte punë si mami në Lushnje, larg nga të gjithë të njohurit. Edhe pse e vetme, ajo arriti të krijojë respekt te qytetarët e Lushnjes, ndërsa Gëzimi i saj i vetëm kishte krijuar shoqërinë e tij me të rinj artistë e intelektualë. Nuk do të kalonte shumë dhe Gëzimi i saj do të arrestohej shpejt si bir i armikut të popullit.

E ndoqi të birin pas nëpër burgjet e diktaturës. Një herë në çdo dy muaj ajo mund ta takonte nga 15 minuta. Nuk mungoi kurrë në dhomën e takimit, për 22 vitet që Gëzimi ishte pas hekurave.

Jetoi me ndjenjën e fajit për gjithë ato vite, duke menduar se po të mos ishte kthyer në Shkodër ato fillime të diktaturës, nuk do të ndodhte kështu.

E pa të birin pas tyre kur ishte ende fëmijë, kur rinohej, kur burrërohej... larg njerëzve, shokëve, larg të gjithëve... I mbyllur aty për çdo 21 maj, kur rritej edhe një vit më shumë.

E pa gjithmonë të lodhur, të keqtrajtuar, të nëpërkëmbur e të dëshpëruar. Edhe kur shpresonte se pas dënimit të parë do ta kishte në shtëpi, pranë vetes, ia morën prapë. Edhe pas dënimit të dytë, ia morën prapë. Edhe kur e kishte në shtëpi, presionet e kallëzimet për të birin nuk rreshtnin, derisa ta mernin prapë.

...dhe nuk u lodh duke ndjekur të birin deri në vitin 1984, deri kur Gëzimi ishte bërë 49 vjeç.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here