Masakra e Myzeqesë/ Brigada e Mehmet Shehut vrau rreth 80 nacionalistë

0
1431
blank

“Me të vërtetë Ballit i dhamë një grusht të fortë në ekzekutimin e 65 ushtarëve të tij, porse mua më duket se kemi qenë të gabuar, kemi ekzagjeruar, kemi qenë shumë të rreptë”, pranonte vetë drejtuesi i kësaj masakre

Një nga betejat më të përgjakshme të Luftës Civile ndërmjet Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe forcave luftarake nacionaliste, ishte lufta në Golem të Lushnjes, në 21 tetor 1943, pas prishjes së njëanshme të marrëveshjes kombëtare të Mukjes nga komunistët, me nxitjen e emisarëve komunistë jugosllavë Miladin Popoviç e Dushan Mugosha dhe pas Konferencës së Labinotit (4-8 shtator 1943), ku u shpall zyrtarisht lufta e armatosur kundër Ballit Kombëtar.

Një nga ato masakra qe ajo në afërsi të Lushnjes, te kodra e Cen Hasanit, në fshatin Golem, në 21 tetor 1943. Brigada I sulmoi forcat nacionaliste të komanduara nga Tefik Cfiri dhe Isa Manastirliu, dy komandantë të çetave të Ballit Kombëtar që kishin marrë pjesë në luftimet kundër pushtuesve italianë, bashkë me forcat nacionalçirimtare: Tefiku në Mallakastër, në bashkëpunim me Mehmet Shehun dhe Isai në luftën e përbashkët të Qafë-Shtamës, nën komandën e Abaz Kupit, në 4-5 gusht 1943, pra, një ditë pas Marrëveshjes së Mukjes.

Por krerët komunistë e prishën këtë marrëveshje dhe i kthyen pushkët kundër atyre, me të cilët deri atëherë kishin bashkëpunuar kundër okupatorëve.

Mehmet Shehu shkruante: “U ramë befas dhe i shpartalluam të 400 bashibozukët ballista: 172 robër dhe 10-15 të vrarë”. (AQSH fondi 41 v.1943 D.32)

Pas betejës, Mehmet Shehu urdhëroi, në kundërshtim me çdo rregull lufte, pushkatimin e 65 robërve, që s’ishin tjetër veçse luftëtarë të thjeshtë e të rinj të pafajshëm, bujq nga fshatrat e Myzeqesë, që nuk pranuan të bashkoheshin me Brigadën I Sulmuese (vetëm njëri pranoi) dhe nuk donin të luftonin më, po të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Ata që nuk i zuri plumbi, i theri thika e Dushan Mugoshës, zëvendëskomisarit të Brigadës me pseudonimin Salë. Atje nuk kishte as italianë, as gjermanë, kish vetëm shqiptarë që luftonin kundër njëri-tjetrit, kishte dhe një të huaj, një komunist malazez që ushtronte luftën kundër shqiptarëve si një zanat i vjetër. Kemi të bëjmë me një krim lufte kundër njerëzimit: Vrasja e robërve të luftës.

Këtë masakër e pranon edhe vetë komandanti i Brigadës I Sulmuese, Mehmet Shehu në një letër autokritike drejtuar Shtabit të Përgjithshëm:

“Me të vërtetë Ballit i dhamë një grusht të fortë në ekzekutimin e 65 ushtarëve të tij, porse mua më duket se kemi qenë të gabuar, kemi ekzagjeruar, kemi qenë shumë të rreptë. Do të mjaftonte të pushkatoheshin 15-20 ballistë nga më përgjegjësit…Gjurmët e këtij terrori duhen zhdukur dhe shpresojmë se do t’i zhdukim në të ardhmen. Kjo do të vlejë shumë edhe për mua personalsht, që të mos nxitem herë tjetër, të jem m’i matur e të mos lë të tërhiqem nga sentimentet dhe buçitjet e çastit, që në mua shfaqen akoma si konsekuencë e një origjine mikroborgjeze, patriarkale, prapanike, mesjetare.” (AQSH fondi 41 D.32 v.1943)

Sipas dëshmive të Xh.Staraveckës, i pranishëm në këtë masakër kolektive, pushkatimet u urdhëruan nga Mehmet Shehu dhe Dushan Mugosha, i cili ishte i plotfuqishëm në Brigadën I. Fiqrete Sanxhaktari (Shehu) ndikoi tek Mehmeti për të hequr nga rreshti i ekzekutimit 10 “lafshëpaprerë”, meqenëse balanca rëndonte nga ortodoksët, për t’i bërë qejfin Dushanit. Me gjithë 12 të vrarët në përpjekje dhe tre të tjerëve që Mehmet Shehu i mori me vete dhe i pushkatoi, numri i këtyre viktimave arriti në rreth 80 vetë.

Prej katundit Remas: Rako Nako, Bani Lika, Ramë Koçi, Prof Gjata, Qazim Pina. Kryekuq: Murat Malsori, Hysen Ismaili, Osman Plaku, Hamdi Çoku, Shyqyri Leka. Shënkollas: Tafil Doka, Daut Gjata, Haxhi Dedej. Grabian: Ndin Ndoni, Gaqo Ndoni. Çiflig: Beqir Cani, Sabri Bullari, Tafil Llusha, Roç Llusha, Ymer Bullari, Haxhi Sina, Arif Halili. Prej katundit Kalosh: Shemsi Arapi, Cen Arapi, Nazif Qylafi. Prej katundit Gur: Selim Kuqi, Til Bello. Shënepremte: Haxhi Murrizi, Kadri Murrizi, Avni Murrizi, Hysen Murrizi, Ismail Murrizi. Sulzotaj: Trifon Gjeko, Alush Kasemi, Met Kasemi, Prej katundit Biçak: Asllan Vrapi, Elmas Xhepa, Arif Muça, Rakip Xhepa, Bajram Agushi, Shaqir Sula, Çaush Xhepa, Shaban Sina, Haxhi Sina dhe Ndoni Sako, Fani Trungu, Gori Todi, Jani Gjeka, Jorgji Gjoni, Jorgji Lala, Kozma Zhuka, Ibrahim Luzha, Nasi Zhuka, Koli Tashi, Kristo Shkoza, Loni Bita, Llazi Prifti, Lili Shkoza, Mihal Bita, Nasi Janko, Nasi Sako, Nasi Zaho, Perikli Prendi, Pali Zaka, Ristan Bani, Simon Gjini, Stefan Prendi, Todi Gjurgji, Vasil Përboti, Myslim Bedalli, Bajram Jeshili, Mehdi Pirra, Ruho Nako, Hysen Dupi, Latif Karafili, Muharrem Meshani, Bajram Bilbili, Ismail Koçiu, Isuf Buzi, Ramazan Kofsha, Shefik Tota, Gori Lala e të tjerë. (AQSH F.41 v.1943 d.32 dhe “Gjëmat e komunizmit”)

Vllas Arapi (Pelivani), kuadër i Brig.I, që erdhi pas masakrës, i tha Mehmetit: “Këta pushkatove ti? Trimëri të madhe paske treguar”! M. Shehu iu përgjigj: “Kjo s’është asgjë, me ato që kam parë unë në luftën e Spanjës. Atje janë derdhur lumenj gjaku…” F. Arapi, Kush ishte Vllas Arapi. Tiranë 2000)

Në këtë përgjakje të luftës civile, ishte politika e PKJ dhe dora e emisarëve të saj M.Popoviç dhe D.Mugosha. ”Dy sërbët e mallkuar, që rinin në krye të Partisë Komuniste Shqiptare, sot fërkojnë duart kur shohin se propaganda e tyre, për të cilën ishin dërguar, e bëri punën. Ah, ç’mjerim! Popullin shqiptar e hodhën në vëllavrasje”- thuhet në një dokument të asaj kohe.(AQSH F.270 d.11 v.1943).

Botojmë letrën e Mehmet Shehut, drejtuar Enver Hoxhës, datë 30.10.1943 për këtë ngjarje:

Dokumenti 32

Letër e Mehmet Shehut për Shtabin e Përgjithshëm të UNÇ-sëblank

Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional Çlirimtare

Kur ishim në Dumre, unë u nisa me 2 batalionë të Brigadës I dhe me 3 mortaja për të përballuar bashibozukët e Isa Manastirliut, Hamit Matjanit, Tefik Cfirit e Hajdar Cakranit. Kur shkova pranë Lushnjës ballistat ishin në Myzeqe, kështu që bëmë përgatitjet për t’i rënë në Lushnjë. Porse para se t’i binim Lushnjës me forcat e Brigadës dhe të Lushnjës, Isa Manastirliu na dolli befas nga krahu i djathtë për të marrë krahët neve ndërsa Hamit Matjani mestonte të na merrte krahun e majtë nga Kosova (e Lushnjës). Neve u detyruam t’u përgjigjemi me një herë. U ramë befas dhe i shpartalluam të 400 bashibozukët ballista: 172 robër , 10 -15 të vrarë.

Robërit i gjykuamë. Gjyqi përbëhesh prej meje, nënkomisarit të komandës vendit Lushnjës dhe një partizani të Bat. I. Brigadës. Neve (gjyqi) vendosëm ekzekutimin e 65 ballistave. Të tjerët, 29 vullnetarë për Brigadë e batalione të vendit, të tjerët u liruan të çarmatosur.

Me të vërtetë që Ballit iu dha një grusht i fortë me ekzekutimin e 65 ushtarëve të tij (çerdhe të Hamit Matjanit dhe luftëtarë kundër nesh, me armë, kusarë, kriminelë e grabitës të popullit), porse mua më duket se kemë qenë gabuar, kemi ekzagjeruar, kemi qënë shumë të rreptë. Do të mjaftonte pushkatimi i 15 – 20 ballistave nga më përgjegjësit. Porse këtë rradhë gabimi, faji kryesor është i imi personalisht, mbasi gjyqi kryesoresh prej meje, dhe deri diku, të 2 anëtarët e tjerë kanë qenë influencuar prej meje. Unë, i dehur relativisht nga urrejtja kundër ballistave tradhtarë, i revoltuar nga krimet dhe tradhtitë e tyre, i rrëmbyer nga temperamenti mikro-borgjez i çasteve, qesh i mejtimit për këtë masë të pa masë. Kjo ka rrjedhur nga shkaku se unë ishja vetëm dhe shokët e tjerë të Shtabit Brigadës ishin larg, s’munda të këshillohesha me ta sepse s’premtonte koha. Sikur Shtabi i brigadës të qe i gjithë pranë gjyqit, sigurisht që nuk do të mbërrinim n’ato përfundime.

Gjurmët e këtij terrori duhen çdukur dhe shpresojmë se do t’a zhdukim në t’ardhmen. Kjo do të vlejë shumë edhe për mua personalisht, që të mos nxitem herë tjetër, të jem m’i matur e të mos lë të tërhiqem nga sentimentet dhe buçitjet e çasteve që në mua faqen akoma si konsekuencë e një origjine mikro-borgjeze, patriarkale, prapanike, mesjetare.

Të fala shoqërore

Komandanti i Brigadës I

Nga Uran Butka/ Drejtor i Institutit të Studimeve “Lumo Skëndo”

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here