Nelo Dedgjoni, martiri që shmangu vëllavrasjen

0
259
blank

Nelo Dedgjoni u skarifikua në 1944 që batalioni “Baba Abaz” dhe forcat e Ballit Kombëtar në Tepelenë të mos luftonin mes tyre. U pushkatua pak ditë më vonë nga ajo ngjarje, ku ndërhyrja e tij, vazhdon të përmendet me mirënjohje në qytetin e Tepelenës. I nipi, Arnel Dedëgjoni, sjell, për kujto.al, jetën dhe historinë e Nelo Dedgjonit

Nga Arnel Dedëgjoni

Nelo Hasim Dedgjoni lindi në një nga familjet më të mëdha të Tepelenës dhe u rrit me ndenja patriotike për atdheun, gjë të cilën e shfaqi që në rininë e tij gjatë kryengritjes kundër turqve ku në zonën e Dervenit ishte mbështetësi kryesor i kësaj kryengritjeje në krahë të Ali Luzatit. Për pjesëmarrjen në kryengritjen kundër turqve të vitit 1910, kisha dëgjuar nga gjyshja, por e përforcova kur, para disa vitesh, në një gazetë kish një artikull ku thuhej se Ali Kalo Luzati kërkoi dhe gjeti mbështetje për kryengritjen në zonën e Dervenit te Nelo Hasim Dedgjoni dhe te Hasaf Dragoti. Pas shtypjes së kryengritjes, u largua në Amerikë për t’iu shpëtuar turqve të cilët donin ta arrestonin dhe ta çonin ushtar në Izmir. Në Amerikë, jetoi dhe punoi për 20 vjet rresht në New Bedford ku mbaroi dhe një shkollë 7- vjeçare. Për 10 vjet, punoi për shoqatën Vatra dhe kontribuoi për të financuar luftën e Vlorës, flitet për 26 mijë stërlina të paguara prej tij dhe vitet e fundit, emri i tij del shpesh në listat e shoqatës Vatra.

Pas kthimit nga Amerika krijoi familjen e tij në Memaliaj.

Në mbrëmjen e datës 29 janar të vitit 1944, pasi mori vesh se në kala ndodheshin forcat e Ballit Kombëtar dhe po rrethoheshin nga batalioni “Baba Abaz” i hipi kalit e shkoi në Tepelenë për të ndaluar gjakderdhjen që po përgatitej të ndodhte midis forcave nacionaliste dhe partizanëve. Pas shumë debateve të ashpra krerët e Ballit Kombëtar të Tepelenës pranuan mendimin e Nelos i cili u mbështet fort nga Medi Axhemi (Çela) që të mos bëhej rezistencë, por të dorëzoheshin dhe të dënoheshin 4 a 5 krerët e Ballit dhe të shpëtonin të tjerët sepse po të bëhej luftë do kish viktima të shumta nga të dyja krahët të cilët ishin të njohur, shokë, miq dhe kishin lidhje gjaku me njëri-tjetrin.

Në datë 3 shkurt 1944 dolën në gjyq ku sipas Dak Gumenit i cili ishte partizan, Neloja ka mbajtur një qëndrim të ashpër duke u shprehur se ishte antikomunist dhe ndaj e pushkatuan. Bashkë me 4 të tjerë u pushkatuan në Bënçë ku dergjet dhe sot e kësaj dite. Shumë nga fëmijët dhe nipërit e atyre nacionalistëve që shpëtuan, edhe sot e kësaj dite janë mirënjohës ndaj Nelos që dha jetën për të shpëtuar baballarët apo gjyshërit e tyre dhe kur i dëgjoj që ma shprehin, ndihem krenar që jam nip i tij.

Pas vrasjes së Nelos, në familjen tonë erdhën partizanët dhe morën të gjithë grurin, misrin, bagëtitë, rrobat dhe në familje, perveç zisë, pllakosi dhe varfëria duke i lënë në acarin e dimrit fëmijët, nipërit dhe mbesat, pa bukë, pa ushqime, pa rroba dhe pa shtresa.

Gjatë kohës së komunizmit nuk na internuan, por nuk na jepnin të drejtën e studimit pavarësisht se ishim shumë mirë me mësime. Nuk mund ta harroj kurrë sesi u mblodh organizata bazë e partisë dhe i kërkoi babait tim pse më kish vënë mua emrin e babait të tij dhe i kërkuan që të më ndërronte emrin. Kur erdhi në shtëpi dhe më pyeti në doja ta ndërroja emrin, unë fillova të qaj dhe i thashë “jo”. Atij iu mbushën sytë me lot dhe më tha: Mos u tremb, se nuk ta ndërroj.

blank

Me gjithë përpjekjet e familjarëve, dhe sot e kësaj dite, nuk kemi mundur të gjejmë eshtrat e tij. Është dekoruar si Martir i Demokracisë për moslejimin e vëllavrasjes në Tepelenë.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here