23 vite burg për babanë e arratisur, e gjithë familja në shënjestër

0
283
blank

Historia e përndjekjes së familjes kavajase Cara, rrëfyer nga nusja e kësaj familjeje, Sofika. Vetëm sepse babai i familjes konsiderohej eksponent i Ballit Kombëtar dhe ishte i arratisur në Australi, dy nga djemtë e tij u burgosën për 23 vjet dhe gjithë pjesa tjetër e familjes qëndroi 17 vite në internim, duke mos u lejuar të shkollohej dhe duke u detyruar të kryente punët më të rënda

Nga Sofika Cara Prifti

Në vitet 1964-'65 u dha urdhër nga shteti që të ndalohej tregtia private (Bardhi punonte si shitës i rregullt enësh prej bakri me të cilat furnizohej në Kavajë, ndërsa jetonte në Fier, ku familja ishte vendosur për arsye pune që në vitin 1939-shënim i kujto.al). U tha se zyra e punës do t’i punësonte njerëzit sipas profesioneve që kishin. Bardhin e kishin punësuar si bufist në fshatin Drizë, ku sapo kishin filluar punimet e azotikut. Në punë ai ishte shembullor. Punoi një vit dhe befas atë e pushuan, sepse dikujt i shkoi mendja se ai ishte djali i një të arratisuri politik, i një ish-ekpsonenti të Ballit Kombëtar…Mbeti shumë kohë pa punë im shoq, derisa më në fund e çuan punëtor në Ndërmarrjen rruga-ura, shumë larg nga qyteti, ku dhe e arrestuan shumë shpejt!

Arrestimi i Bardhit

Ishte ditë e diel, 26 shkurt 1967. Si zakonisht, burrin e përcolla për në punë në orën gjashtë e gjysmë, në mëngjes. Në orën nëntë të po atij mëngjesi, një trokitje e fortë u dëgjua në portë. Dola shpejt dhe e hapa e trembur. Kur ç’të shihja! Gjashtë burra fytyregër qëndronin para portës, mes tyre operativi i lagjes, Bastri Basha, kryetari i këshillit të lagjes “15 Tetori”, Fejzi Hoxha, një anëtar i këshillit të lagjes dhe tre policë.

-Ku e ka dhomën e tij Bardhi?-pyeti egër operativi i Sigurimit.

-Unë jam e shoqja!- i thashë e tronditur.- Çfarë ka bërë Bardhi?

-Do ta marrësh vesh më vonë se kush është Bardhi!-u përgjigj ai gjithë inat.

Njerëzit e qeverisë u futën në dhomë me vrull dhe më thanë me ton urdhërues e arrogancë:

-Ti rri aty te dera dhe mos prek asgjë me dorë! Ne kemi ardhur të kontrollojmë shtëpinë e armikut të popullit Bardhi Cara!

-Bardhi armik?!-thashë unë, tepër e tronditur dhe e befasuar.

-Po, po, armik, dhe shumë i rrezikshëm!- m’u përgjigjën ata.

Dhe pas këtyre fjalëve, ia nisën kontrollit, duke shqepur të gjitha gjërat, që ishin të qepura, dyshekë e jastëkë dhe për çfarë dyshonin. I kthyen të gjitha përmbys, madje edhe një qyp farfuri i kohës së parë, që ishte shumë antik e i bukur, me grykë të ngushtë, ku nuk hynte dora, por bënte një zhurmë kur e tundje, e thyen! (Fëmijët kishin futur brenda kopsat e trikos dhe një shami të vogël dore, që nuk i linte të binin kopsat poshtë.) Në dysheme u shpërndanë copat e qypit, kopsat dhe shamia…Pasi mbaruan me kontrollin, më dhanë një letër dhe më thanë me zë të egër: -Firmos këtu, që gjatë kontrollit nuk të kemi dëmtuar asnjë gjë! Firmosa duke m’u dridhur stilolapsi në dorë dhe i pyeta e habitur: -Përse nuk po më thoni se çfarë ka bërë Bardhi? Ta di të paktën! Kryetari i këshillit të lagjes m’u përgjigj me një ton habitor:

-Nuk na e kishte marrë mendja kurrë për Bardhin! Paska qenë thëngjill i mbuluar…Nesër shko çoja një batanije në burg!

Ikën!

blank
Marre, bashke me fotot e tjera te ketij shkrimi, nga libri "Te falesh..." i Sofika Cares.

Akuza e parë

Qysh nga dita e arrestimit të Bardhit, kishin kaluar 2 muaj. Sipas udhëzimeve nga lart (ishte viti 1967), që elementët “armiq të pushtetit” të bëheshin si shembull për të gjithë, gjyqi i Bardhit do të zhvillohej në lagje. Ne si familje, nuk na lajmëruan fare. Banorët e lagjes dhe shumë persona nga lagjet e tjera ishin lajmëruar. Atë ditë, kur shkova të blija bukë, para se të hyja brenda, dëgjova një fqinjë që i thoshte tjetrës: “Selvi, do të vish në orën 10 tek shkolla Nr.6, se del Bardhi në gjyq? Kështu na lajmëruan”! Sapo hyra unë, ato i prenë fjalët si me gërshërë, nuk folën e po më shikonin me bisht të syrit. Ishte ditë e diel, njerëzit e kishin pushim. Ky gjyq aplikohej për herë të parë, pra, që të goditej personi publikisht dhe dënimin ta bënte, gjoja, lagjja, ndonëse atë e kishte dhënë me kohë qeveria! Te ballkoni i shkollës Nr.6, para një tavoline të madhe, ishin ulur hetuesi, prokurori, kryetari i këshillit të lagjes, anëtarët e gjyqit, më tej ishin policët, që e kishin rrethuar burrin tim, Bardhin, se mos ikte, të cilit, edhe pse po gjykohej, hekurat nuk ia kishin hequr nga duart! Hetuesi, një farë Zoi Xhafa, lexoi “akuzën”, që kishte hartuar për dënimin e burrit tim. Ai u shpreh kështu:-Sot, më datë 28 prill 1967, jemi mbledhur këtu për të gjykuar e dënuar në një gjyq special, armikun e popullit, Bardhi Carën, gjyq ky që bëhet për herë të parë në këtë formë, për ta dënuar vetë banorët e lagjes të akuzuarin. Lagjja e njeh më mirë tradhtarin e popullit Bardhi Cara, i cili është armik i betuar i partisë, me shokun Enver Hoxha në krye! Bardhi është i biri i Musa Carës, i cili edhe ky është një armik i betuar i pushtetit tonë, ka qenë eksponent i Ballit Kombëtar, që u arratis nga Shqipëria dhe shkoi në Australi. Ai nuk u kthye më, sepse e dinte se çfarë e priste. Bardhi ka paramenduar që të arratisej jashtë shtetit për tek i ati sepse mendonte që jeta atje është më e mirë se tek ne. Ai ka ofenduar vëllezërit tanë kinezë, që janë miqtë më të mirë për ne!

blank
Bardhi, para denimit me burg

Kinezët dhe italianët në vitet 1965-1966 punonin për ndërtimin e Azotikut në Fier. Bardhi, sipas tyre, kishte marrëdhënie të mira me italianët…Se ai na paskësh bërë agjitacion e propagandë për fenë! Në fakt Bardhi, kur po prishnin kishën në qytet, i kishte thënë një komshiu që e kishte shok: “Sa keq, që po i prishin gjithë këto kulte fetare, kaq të bukura! E çfarë të keqe po i bëjnë ato shtetit? Ato janë vepra arti të vlefshme, me piktura shumëvjeçare. (Këto fjalë Bardhi i pranoi që i kishte thënë.)

Pas mbarimit të fjalëve të hetuesit, e mori fjalën kryetari i këshillit të lagjes e disa të tjerë që u vinin gishtin. Më e bukura ishte se ata që flisnin, ishin oficera e kaptera ushtrie të ardhur në Fier dhe banonin në lagjet e tjera. Ata nuk e njihnin fare Bardhin dhe flisnin siç e kishin marrë “mësimin”…Hetuesi pastaj ia dha fjalën kryetarit të frontit demokratik, me emrin Llambi Profka, burrë serioz, i cili, ndër të tjera, tha: -Po çuditem që sot po dëgjoj këto fjalë për Bardhin. Unë e kam pasë shumë afër, asnjëherë s’e kemi pasur problem atë për asnjë gjë. Të gjithë në familjen e tij i njohim si njerëz të mirë, që shikojnë punën e tyre. (Pas pak ditësh, Llambi Profkën e hoqën si kryetar të Frontit). Në përfundim të gjyqit, nga banorët e lagjes, nuk foli asnjëri, sepse na njihnin mirë, që vërtet ishim familje që shikonim punën tonë…

Hetuesi mbasi u bind se lagjja nuk pati ankesa dhe nuk do ta dënonte Bardhin, u ngrit e tha: -Mirë, atëhere. Ju nuk e dënuat Bardhin, por atë do ta dënojë gjyqi i popullit dhe ligji!

“Gjyqi” i Bardhit

Pas arrestimit të Bardhit, thashethemet shkonin e vinin nëpër qytet nga njerëz të ndryshëm. Ato ishin fjalë me ngjyrim romantik, aventuresk dhe aspak nuk i afroheshin së vërtetës. Disa pëshpërisnin që, në vitin 1967, kur Enver Hoxha do të bënte inaugurimin e hekurudhës Rrogozhinë-Fier, Bardhi do të hidhte trenin në erë! (Gjë që nuk doli e vërtetë). Gënjeshtra me bisht! Kishte të tjerë që thoshin se Bardhi na qenkej agjent amerikan! Kishte dhe nga ata që thonin se atë e kishin kapur në kufi kur po përpiqej të arratisej jashtë shtetit, në Australi, tek i ati (Bardhin e arrestuan në punë). Qarkullonin edhe shumë e shumë fjalë të tjera, që po na çmendin. Bardhin e mbajtën tre muaj në hetuesi, pastaj na lajmëruan se do dilte në gjyq. Nuk kisha shumë që kisha lindur fëmijën dhe isha e sëmurë, por ashtu shkova dhe e dëgjova gjyqin e tij. Gjyqtari Gaqo Sheshi lexoi akuzën, e cila për ne nuk ishte e re, sepse e patëm dëgjuar në “gjyqin” e lagjes. Prokurori këtë radhë ishte Rrapi Mino, një monist i tërbuar ky, një njeri që vetë kishte prishur një familje dhe kishte lënë fëmijën me një prind…

Në fillim ai e pyeti Bardhin ftohtë:

-Si e ke emrin?

-Bardhi Cara! -u përgjigj im shoq.

-Sa vjeç je? -bëri pyetjen e dytë.

-29 vjeç jam! -qe përgjigjja.

-Sa fëmijë ke?

-Një djalë katër vjeç e di, por nuk e di se me çfarë jam shtuar! -foli, duke ngritur supet Bardhi.

-Je shtuar me një vajzë, je bërë me dy fëmijë ,- foli ashpër prokurori, -po mjerë ata që nuk e dinë se çfarë babai kanë! Le që edhe ata si ti do të përfundojnë!

…Pastaj nisën të thërrisnin “dëshmitarët”, të cilët ishin spiunët servilë të tyre, që, kur flisnin, ngatërroheshin me veten…Avokati i Bardhit ishte Kujtim Sina. Mbaroi gjyqi shumë shpejt, sepse çorba ishte gatuar me kohë nëpër zyrat e hetuesisë dhe, me gjithë kundërshtimet e Bardhit, ai u dënua me 16 vjet burg, si armik i betuar i komunizmit. Pas tre-katër ditësh atë e dërguan në burgun e Tiranës, ku ishte qendra e shpërndarjes së të burgosurve nëpër kampe. Kurse pas një jave, Bardhin e transferuan në kampin e Skrovotinës, afër Panajasë, në Vlorë, ku nxirrnin kripë. Dënimi i mbeti 15 vjet!

Arrestimi i kunatit

Pesë vjet kishin kaluar nga arrestimi i Bardhit (ndërkohë Sofikën e kishin pushuar nga puna si mësuese, ajo punonte në një fabrikë përpunimi lëkurësh, 6 muaj ditën dhe 6 muaj natën në fshatin Sheq i Madh, shënim i kujto.al)! Mendova se shteti komunist më kishte lënë në harresë, por jo! U rikthyen të trokiturat në portën tonë. Ishin më të forta këtë herë se trokitjet e para! Erdhën prapë ata njerëz që kishin arrestuar e dënuar Bardhin: operativi Basri Basha, kryetari i këshillit të lagjes Fejzi Hoxha, një anëtar këshilli dhe dy policë! Këtë radhë ata kishin vënë në shënjestër vëllanë e Bardhit, Sabri Carën. E akuzonin për “agjitacion e propagandë”…Ja se për çfarë akuzohej Sabriu: se nuk kishte dëgjuar kongresin e partisë, që u bë në vitin ’70-’71! Në të vërtetë, ai kishte parë e dëgjuar për atë kongres në televizionin e ndërmarrjes, me kolektivin. Ishte organizuar nga ndërmarrja dëgjim i detyruar për të gjithë! Kunati punonte gomist në parkun e makinave. Ishte mjeshtër gomash. Shkonte në punë gjithë dinjitet e ishte shumë i rregullt në veshje. Kishte thënë diku “s’ka djathë e qumësht”, por të gjithë e dinin se çfarë nuk kishte në atë kohë! Kjo sajesë e dënoi Sabriun me tetë vjet burg, dënim të cilin e kreu në Spaç të Mirditës. U ndodh atje në kohën e revoltave. Më e keqja ishte se njerëzit e sigurimit sajonin fjalë të paqena, shpikje të tmerrshme. Kështu, për të përçarë njerëzit e shtëpisë, me gjithë ato halle që kishim, na thoshin: “Të dhënat i kemi nga njerëzit e shtëpisë…” Ishte një nga qindra e mijëra manovra, që i përdorte ai sistem për të futur sherrin dhe përçarjen në familje, me gënjeshtra nga më të stërholluarat. Sabriu ishte njeri i mirë, i vetëmohuar, nuk shoqërohej me njeri. Pasi i qe dënuar i vëllai, Bardhi, me 15 vjet burg, rruga e tij ishte shtëpi-punë dhe anasjelltas, sepse ai regjim e gozhdoi fare. Kur e arrestuan Bardhin në fillim ai u zemërua me të vëllanë e thoshte: “Na mori në qafë! Ç’na bëri! Kot nuk të dënon njeri!” E bënte Bardhin fajtor, nuk shkoi ta takonte asnjëherë se kishte frikë të jashtëzakonshme. As fëmijëve tanë nuk ua hidhte sytë fare. Mirëpo, kur e arrestuan 5 vjet pas të vëllait, kot fare, atëherë e kuptoi se familje e tyre ishte vënë në rrethin e kuq për ta likuiduar.

Shënim: Marrë nga libri “Të falësh…Fisi i vjetër kavajas-Cara”, i autores Sofika Cara (Prifti), botim i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK)

Në foton kryesore: 4 vëllezërit, pas burgut, Sabri Cara, Bardhi Cara, Xhevdet Cara dhe Besnik Cara.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here