Kanë arrestuar mësuesin

0
1224
blank

Themeluan institucione arsimore. Hartuan tekste shkollore. Nuk e kursyen veten në përhapjen e dijeve. E megjithatë, diktatura i dënoi. Kujtojmë dhe nderojmë sot mësuesit, intelektualët e rrallë dhe njerëzit me shpirt të zjarrtë, që u vranë e u burgosën në komunizëm. Që një mëngjes papritur nuk u shfaqën më në katedër dhe nxënësit druheshin të thoshin me zë të lartë që mësuesi ishte arrestuar. Por dhe ata që iu ndalua fjala dhe profesioni. Që askush nuk mund t’i uronte më lirshëm: “Gëzuar 7 Marsin!”

Të rendisësh gjithë mësuesit e dënuar në komunizëm është një sfidë shumë e madhe, sepse i tillë është edhe numri i tyre. Ky shkrim është shumë larg realizimit të kësaj sfide, por sot, në Ditën e Mësuesve, kërkojmë të kujtojmë persekutimin e padrejtë që përjetoi kjo kategori, e cila ishte një nga më të goditurat. E para, sepse mësues u bënë njerëzit më të shkolluar, shpeshherë edhe jashtë Shqipërisë, të cilët ishin në shenjestër, por edhe sepse ata, duke pasur një shkallë njohurie dhe ndërgjegje të lartë, e kuptonin gjendjen ku kishte hyrë Shqipëria dhe e kundërshtonin atë. Një arsye tjetër është që mësuesit e parë të specializuar brenda vendit, ata që studiuan në shkollat e mesme pedagogjike, u përkisnin shtresave të “armiqve”. Duke qenë që Shqipëria pas luftës, kishte nevojë për mësues në fshatrat e thella, kjo detyrë e rëndë iu la pikërisht klasës më pak të favorizuar, të cilët, me atë rast, patën mundësinë për t’u shkolluar dhe për të punuar në profesion. Megjithatë kjo nuk do të zgjaste shumë. Prejardhja familjare bënte që këta mësues të survejoheshin pa pushim dhe mjaftonte një varg apo një fjalë që ata të dënoheshin, siç ndodhi me Uran Kostrecin, që zëvendësoi të atin në burg. Por edhe nëse sjellja e tyre ishte brenda së lejueshmes, biografia do e kthente shumë shpejt në zonë të ndaluar, profesionin e mësuesit. Sapo u formuan mësues të rinj me biografi të pastër, shumë prej fëmijëve të familjeve armike, u pushuan dhe u dërguan në punë krahu. Kështu ndodhi me Ida Temalin, vajzën e farmacistit, Gjon Temali, të pushkatuar pas shpërthimit të bombës në Ambasadën Sovjetike. Që ajo të vazhdonte shkollën, sakrifikuan në punë të rënda e ëma dhe të motrat, po shumë shpejt u pushua nga puna si mësuese dhe iu bashkua atyre. Po ishte edhe pozicioni i rëndësishëm i mësuesve si edukatorë brezash, që tërhiqte mbi ta vështrimin e Sigurimit, duke e rritur mundësinë e dënimeve. Ndaj mësuesit e dënuar i has ngado nëpër dëshmi e biografi. Disa janë ezkekutuar, disa janë dënuar me burgje, disa të tjerë janë internuar dhe mjaft prej tyreve iu është hequr e drejta e profesionit. Komunizmi ka lënë shumë gjurmë goditjesh mbi këta intelektualë, duke mos u stepur as para simboleve të gjalla të kësaj fushe, siç ishte Sevasti Qiriazi, që mbylli sytë me hidhërimin e një biri të vrarë nga torturat në burgjet komuniste dhe një tjetri në qeli. Nuk u stepën as para vajzave të reja, siç ishte Marie Tuci, mësuesja 22-vjeçare që u torturua për vdekje.

blank
Marie Tuci

I ka përndjekur në çdo fazë të tij, si në vitet e para, kur në 1945-ën, u arrestua mësuesi nga Prizreni, Kolë Margjini, që kishte studiuar pedagogji në Vjenë, i cili iu dorëzua serbëve dhe ndërroi jetë në burgjet e tyre pas pesë vitesh, deri te ato të fundit, kur në vitin 1988, u var në mes të Kukësit, arsimtari dhe poeti Havzi Nela. 11 vite më parë ishin pushkatuar dy mësues-poetë të tjerë, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka. Vilsonit nuk iu dha e drejta të punonte në profesion, ndërsa Gencit iu hoq kjo e drejtë pas disa vitesh punë dhe më pas, në vitin 1977 atyre iu hoq dhe e drejta për të jetuar. Po në vitet e para të diktaturës, sapo kishte dorëzuar maketin e antologjisë së letërsisë për klasat e larta, u arrestua e më pas ndërroi jetë, Qemal Draçini, shkrimtari, studiuesi, kritiku, e publicisti i talentuar shkodran, që shkëlqeu si në çdo gjë tjetër edhe në mësimdhënie. Nxënësit, e tij, siç ka dëshmuar Nexhmi Bushati, trishtoheshin kur binte zilja dhe ora me profesorin e letërsisë, përfundonte. "Atëherë, magjia fikej", ka thënë ai. Et’hem Haxhiademi është një tjetër mësues dhe shkrimtar që nuk i mbijetoi komunizmit edhe pse nuk u dënua me ekzekutim. Ai humbi jetën në burgun e Burrelit, në vitin 1965, pasi ishte dënuar me burgim të përjetshëm, i arrestuar një natë në shtëpinë e tij, teksa, siç shkruan Profesor Hazir Mehmeti, ishte duke korrigjuar hartimet e nxënësve. Në atë burg, kishte mbyllur sytë 8 vite më parë, i dënuari i përjetshëm i orëve të para të komunizmit, arsimtari dhe ish-ministri i Arsimit, Xhevat Korça, që vendosi t’i jepte fund jetës me një grevë urie. Ata kanë mbetur përjetësisht të burgosur në Burrel.

blank
Sulejman Harri

Të tjerë, arritën të dalin nga burgjet komuniste, por nuk iu kthyen më kurrë mësuesisë. Ishin intelektualë të arsimuar jashtë, njohës të disa gjuhëve të huaja, që pasi u liruan, filluan të bëjnë punë të rëndomta, ose në rastin më të mirë përkthime, sigurisht në anonimat. Izet Bebeziqi, njihte 11 gjuhë të huaja, por u dënua për një grusht fjalësh, për më tepër të vërteta, që “pjesëmarrja në votime nuk është e detyrueshme”. E bëri këtë deklaratë në zgjedhjet e para të 2 dhjetorit 1945 dhe u arrestua për t’u dënuar me 7 vite burg. Hysni Alimerko, i diplomuar në Firence, vuajti 16 vite burg. Veniamin Dashi, profesori i Normales së Elbasanit, Liceut të Korçës dhe gjimnazit të Durrësit, me gradë shkencore në histori, të marrë në Vjenë, u dënua me 20 vite burgim, por u lirua më herët për të punuar si punëtor krahu e më pas si përkthyes anonim. Themeluesi i Ushtrimores së Elbasanit, Sulejman Harri u dënua me burgim të përjetshëm dhe megjithëse u lirua në vitin 1956, i përjetshëm mbeti largimi i detyruar nga mësimdhënia. Të tre këtë të fundit, u dënuan në vitin 1947. Po atë vit u dënua mësuesi dibran Edip Tërshana. U arrestua në sy të nxënësve dhe u dënua me ekzekutim. Siç ndodhi një vit më vonë me mësuesin dhe hartuesin e teksteve, Fadil Gurmani. Ai u ekzekutua më 9 mars 1948, dy ditë pas asaj që në 1960-ën do të shpallej Dita e Mësuesit. Nuk arriti ta festonte kurrë, si shumë kolegë të tij, shumica e të cilëve nuk janë përmendur në këtë shkrim.

Edhe ata që e mbërritën gjallë këtë datë, u mohuan në vazhdim nga urimet e nxënësve, te të cilët respekti ndaj mësuesit do të mbështillej me frikë. U mohuan edhe nga çdo vlerësim i merituar për kontributin e tyre, duke e zbrazur panteonin shqiptar të mësuesve që i paraqitej publikut.

Me rënien e regjimit komunist, disa prej këtyre mësuesve kanë marrë titullin “Mësues i popullit” e  medalje të tjera, megjithatë ka ende shumë për për të bërë për të nderuar këto figura. Nëse mesazhet e të gjithëve në këtë ditë janë urime për mësuesit, nuk duhet anashkaluar një tjetër akt i rëndësishëm për nderimin e tyre: kujtesa.

Nga A.Çano

Shënim: Ky shkrim është ndryshuar nga botimi i parë në vitin 2020. Ndjesë dhe nderim për  të gjithë mësuesit e dënuar nga regjimi komunist, që nuk janë përmendur në këtë shkrim. Arsyeja e vetme është pamundësia për t'i përmendur të gjithë.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here