Një grua

1
2042
blank

Një grua që të bind se të jesh e fortë nuk do të thotë as të jesh burrë, as të jesh si burrë. Një grua, që diktatura komuniste e bëri të vuaj shumë, por nuk ia theu dot as forcën, as bukurinë.

I arrestuan të fejuarin 8 muaj pas fejesës. Ajo ishte vetëm 18 vjeçe. Megjithatë vendosi të mos ndahej prej tij. Shkonte ta takonte në të gjitha burgjet ku e çuan, deri sa e burgosën dhe atë vetë. I fejuari doli nga burgu, por ndërroi jetë zemërplasur në internim, ndërsa Meshani u lirua pas 11 vitesh, por nuk u martua. Adoptoi një vajzë dhe në vitin 1991, u largua me të në Greqi për t’u vendosur më pas në Kanada ku ndërroi jetë 5 vjet më parë, e lumtur dhe pa pengje. Kur e bija e pyeste nëse ishte penduar për zgjedhjen që kishte bërë, Meshani, e hijshme dhe elegante edhe në të 80-at, i përgjigjej: “Njeriu në jetë zgjedh për t’u mbajtur mend për diçka. Dikush për pasuri, dikush për famë, dikush për aventurë. Unë doja të mbahem mend për besnikëri. Ia arrita qëllimit”.

Pak kohë më parë, kujto.al publikoi një shkrim për gratë që vuajtën më shumë vite burg gjatë regjimit komunist, mbështetur edhe në librin “Genocidi mbi elitën intelektuale të kombit shqiptar” me autor Tomorr Alikon. Në faqet e këtij libri, autori liston disa nga gratë e dënuara gjatë diktaturës, duke publikuar fotografitë dhe një përshkrim të shkurtër të dënimit të tyre, aq sa e lejon natyra e këtij botimi përmbledhës, por sigurisht, që pas çdo emri, ka një histori. Disa prej tyre janë bërë të njohura tashmë, të tjerat ende duhen zbuluar. Kujto.al, i mungonte historia e Meshan Çinit, ndaj vendosëm që të mësonim më shumë për të. Duke kërkuar, vumë re që për këtë grua, bukuria e së cilës dallohet edhe në ato foton e vogël bardhezi të librit të Tomorr Alikos, ishte shkruar më parë. Vajza e saj e adoptuar, Edlira Begeja Çini, kishte folur në disa intervista për të ëmën. Jo vetëm kaq, por vetë Meshani, pak kohë para se të ndërronte jetë, kishte dhënë një intervistë për gazetarin Milaim Zeka, e cila gjendet e publikuar në youtube. Dhe kishte mbetur po aq e bukur dhe elegante! Ndërkohë e kish rrëfyer historinë e jetës edhe për Fatbardha Saraçi Mulletin, të cilën autorja e ka përfshirë në librin e saj "Dhimbje", botuar në vitin 2017

Meshani, për të cilën është shkruar edhe një libër me titull “Bukuria fatale”, nga Rifat Dajti, është lindur në vitin 1928 në Delvinë, në një familje patriotike. Gjyshit të saj Jaho Çinit i këndohej këngë, ndërsa i ati, Hajro Çini kishte qenë i angazhuar në luftën për Pavarësi, nderuar para disa vitesh me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”. Ata ishin një familje e pasur, me një shtëpi të madhe, me 4000 ha toka në zotërim dhe me shumë shërbëtorë. Meshani u rrit me të gjitha të mirat për shkak të gjendjes ekonomike, por edhe me përkëdhelje të pakursyera si më e vogla e familjes.

blankFëmijëria e saj mund të quhet e përfunduar në moshën 17-vjeçare kur u fejua me djalin e patriotit dhe luftëtarit Cen Elezi, nga Dibra. Ishte bashkimi i dy të rinjve, por edhe i dy familjeve patriotike e të zëshme. Me siguri, në ëndërrimet e saj, ky ishte çasti kur do të niste një fazë tjetër jete, e ndryshme nga fëmijëria, por po aq e bukur e ndoshta dhe më shumë, por nuk ndodhi kështu. Të rinjtë u fejuan në vitin 1945, kur komunistët morën pushtetin dhe nisën të godasin të gjitha familjet e pasura dhe me ndikim, duke u sekuestruar pasuritë, duke burgosur këdo bënte rezistencë e ndonjëherë dhe duke i ekzekutuar. Disa përfaqësues të këtyre familjeve, të cilët, që në krye të herës, e kishin kundërshtuar komunizmin, shpresën e vetme e panë te arratisja. Disa ia dolën të kapërcenin kufijtë, por ata që nuk mundën dhe familjarët që mbetën prapa, pësuan vuajtje të patregueshme. Në këtë çast e nis rrëfimin e saj, zonja Meshan në intervistën për Miliaim Zekën, që po e sjellim të plotë, me disa editime, më poshtë.

“Në vitin ’45, u fejova me Selman Ndreun, familje bajraktarësh, djalin e Cen Elezit. Megjithatë, sikur nuk kishin…( sulme) ngaqë ishte Dali Ndreu gjeneral, nipi i Cen Elezit. Deri në atë kohë ishin mirë. Në ‘46-ën këta u lajmëruan që do të arrestoheshin si familje të gjithë, edhe bëjnë tentativë për arratisje në Greqi. Ai që i udhëhiqte, i tradhtoi. I dha 500 lira vjehrri im, Cen Elezi dhe ai bëri sikur iu prish opinga, sikur do lidhte opingën dhe i tradhtoi, u rrethuan. Në këtë kohë, Dali Ndreu ndërhyri dhe tha: “Të paktën të mos pushkatohen” se ishte gjeneral. Bashkë me gruan Liri Gegën. Një nga kunetërit e mi, Xhelal Ndreu, ai dinte gjashtë gjuhë të huaja, u dënua 20 vjet, të tjerët: 2 nga 15 vjet, i fejuari im 10 vjet. Ishte komplet i pafajshëm. Ai nuk ishte fare përzier as në diskutime, por me gjithë familjen dhe ai. Familja u internua.

Kur ra në burg ai, unë shkova e takova. Ishte i padënuar. Tre vjet i mbajtën pa dënim. Mirëpo në hetuesinë e këtyre ka qenë Hito Çako. Hito Çako ishte kolonel dhe vajta të merrja një lejë speciale në gjykatë. Më thotë kryetari i gjykatës: “Ke Hito Çakon atje”, sepse e dinte që Hito Çakua ishte rritur në familjen time. Madje m’i dha dhe shkollë babai im, në Medrese. Unë isha në Tiranë. Sa shkova në Peshkopi, ky e mori vesh. Tha: Ke ardhur?

Shiko, i thashë unë, mos ma bjer me duart e lidhura! Se shërbëtori im ishte, kisha aq kurajo. Nuk i thashë “je shërbëtori im”, por e dinte vetë ai. I thashë: “Të lutem, mos ma bjer me duar të lidhura”. Ashtu veproi. Ma pruri në zyrë, u takova me të.

Edhe më thotë i fejuari im, Selmani: “Ke të drejtë të më lësh sepse je shumë e re”.

-Atë se çfarë do bëj, është punë për mua. Kam ardhur të të pyes, çfarë nevoje ke? Se të lë apo nuk të lë, është puna ime.

Në këtë kohë, Hito Çako thotë…”Ky nuk do të jetë i zoti të hapë një kafene, jo të hapë gjithë atë hotel.- Se kishte hotel Vollgën, e kishte të tijën, “Kontinental”-in. -Ky, tha-, do dënohet me 101 vjet, mund edhe të pushkatohet”.

-Po u dënua me 101, boll që të vete ta shikoj në derë të hekurit, thashë.

Unë deri në atë minutë të betohem, nuk kisha menduar që do ta lë apo nuk do ta lë. Kur më tha Hito Çakoja që ta lija dhe  “do ta dënojmë me 101”, m’u mbush mendja që nuk do ta lë.

-Selman,- i thashë,- rri i qetë. Ç’nevojë ke, unë nuk të lë deri në vdekje.

Kaluan tre vjet pa i dënuar. I kanë torturuar shumë. Kur dilte jorgani i tij, gjithë gjak. Në atë kohë thoshin “torturat e Koçi Xoxes”. Pasi i nxorën në gjyq, i dënuan, i çuan në burg në Kalanë e Gjirokastrës. Shkova i pashë. Ishin 11 vëllezër në burg, me gjithë këtë timin. Në Burrel, kam shkuar i kam parë, në Peshkopi po, në Tiranë po, gjithandej. Mirëpo, në Gjirokastër, nuk më lanë as të hipja në autobus, e ndaluan agjentin që të më jepte biletë, nga inati pse unë kisha vajtur. Ishte kryetar dege Kopi Nikua në Gjirokastër, nga Pogradeci. Ika fshehurazi. Ndejta në një familje në Vlorë. “Ta bëjmë që të shesë edhe pallton që ka veshur”, thoshin. E gjeta mundësinë dhe mbërrita, erdha në familje. Unë rrija me motrën. Ishte transferuar në Lanabregas, i shoqi ishte kryeinxhinier i ujësjellësit. Kisha dhe nënën aty. Dy vëllezërit i kam pasur të arrestuar (ishin arratisur në Jugosllavi nga kishin ikur më pas, një në Australi e një në Trieste, nga kish përfunduar në Kanada), një vëlla në burg.

Ne na hoqën nga Tirana në ‘47-ën. Ku të shkonin? Shkuam me motrën sepse me motrën kemi ndenjur gjithmonë.  I fejuari ra në 46-ën në burg. Unë rashë në 52-shin. Deri në vitin e fundit, në ‘51-shin, unë i shkoja në burgje, vizitoja jo vetëm atë, por edhe vëllezërit e tij.

blank

Në Lanabregas ishte nëndrejtori i kantierit, më shikon. Kur binin minat në tunel, ne dilnim, se ishte barakë dhe binin gurë. Dilnim jashtë fshatit. Dhe më shikon ai dhe se çfarë thotë. Ishin disa dibranë, karpentierë. “Besa, -thotë,- nuk e di çfarë e ka inxhinieri atë, motër a vajzë, unë do ta kërkoj”. Ngrihet një dibran. Ai jo për keq i shkreti, por nga krenaria e dibranit që unë isha e fejuara e dibranit dhe thotë: “Besa, jo ti, po bash Enver Hoxha me e lyp, ajo ka të fejuarin e saj, Selman Ndreun”. Aty mua më vunë në shenjestër dhe më hoqën nga Lanabregasi, biles kam ikur në këmbë në Tiranë, sepse hipa në një kamion dhe më zbritën. Dhe motra ime me një djalë të vogël  kishte një djalë të vogël, më ka shoqëruar në këmbë. 

Arrestimi

Në ‘52-shin isha në Kavajë, në shtëpi, me grip spanjoll. Venë te ajo që mbante librin e pasaportizimeve. Panë librin që isha unë atje. Djali i vogël i motrës thotë: Erdhën ata, pyetën për abllanë. Në orën 3.00 të natës, bie dera. “Deshëm pak Meshanin, sa për një pyetje, në Degën e Brendshme të Kavajës”. Unë u ngrita. Nuk më lanë as të krihesha. Hodha një rrobdishan mbi këmishën e natës dhe pallton sipër. Motra më ndiqte. “E sjellim ne”,- thanë ata. Më lanë përjashta, te Dega e Brendshme, deri në 7.00 sa erdhi kryetari i Degës, Banush Veliu. “Do ikim deri në Durrës!” Thotë motra: “Do vij dhe unë”. “Jo, do ta bie unë”, tha ai. Më morën me tren, jo me xhips sepse nuk donin të binin në sy sepse më njihte gjithë Kavaja, vajzë shumë e re, që ndjek burrin burgjeve, më njihnin njerëzit. Shkuam në Degën e Brendshme, kryetar dege ka qenë Jashar Kazimati, hetuesi im ishte Sotir Xharja. Sekretar: Vesel Damsi.

Më futi në zyrë. -Mirëmëngjes, i thashë unë.

-Je e arrestuar!-ai.

Unë u mbështeta te muri. U mpiva e gjitha. U shtanga. Pse të isha e arrestuar? E dija që nuk kisha bërë asgjë.

Më bëri ca pyetje. “Në birucë”,- thotë. Unë isha e sëmurë. Atje biruca gjithë ujë. I bija derës. Kërkoja të shkoja në tualet. –“Aty ta bësh!” Vetëm se nuk qava ndonjëherë, nuk ua bëra qejfin. Më rrahën në hetuesi. Ishte shumë kriminel hetuesi im. Një fjalë, një grusht. Një fjalë një grusht. Kur më goditi te veshi që më çau timpanin, donte të më godiste në fytyrë, ktheva kokën, më goditi këtu, m’u nxi menjëherë syri.

Katër muaj hetuesi.

Gjyqi

Dola në gjyq. Kisha avokat sepse më kishte sjellë motra. I thashë: Çfarë kemi?

Ai më tha: Rrezikun tënd një fije floku e ndan.

-Do më pushkatojnë?-i thashë. Ika u ula në vend. Dëgjoja nga prapa personelin e gjykatës: Pu, pu gjynah si do e dënojnë këtë kreaturë!

Unë mblodha veten dhe mendova: “Shiko Meshan, siç t’i kanë vënë të gjithë titujt e mirë, mba dhe trimërinë!” Dhe qëndrova e fortë. Filloi seanca. Thotë: Ke qenë me profesion peshkatare? Unë qesha me ironi. -Pse qesh? Je para trupit gjykues.- Po, i thashë, unë as nuk i kam parë peshkatarët, jo të jem vetë peshkatare.

-Ti,- tha- nusja e djalit të Cen Elezit, ti, krushqi me Hysni Demën, ka qenë komandant i përgjithshëm, dibran, u arratis, burrin e motrës, Syrja Golja, dibran dhe ai, në burg. M’i numëroi. Vajzën e Shefqet Vërlacit, shoqe të ngushtë.

-Të gjithë këta më kanë gjetur, s’i kam gjetur unë, i thashë.

Filloi seanca. Pretenca 25 vjet burg.

-Ç’kërkon,- tha,- për herën e fundit?

-Asnjë gjë, thashë. Deshën të kërkoja mëshirë. Siç më thoshte hetuesi: Fol, se po të thuash të vërtetën, nga ne do kesh privilegje. I thashë: Aq sa vihet gjarpri në gji, aq besohet fjala juaj.

Po këtë parrullë, ku e gjete?-më thanë.

Më lindi tani spontanisht,- u thashë.

Vendimi: 20 vjet burg

Nuk kërkova mëshirë. 20 vjet burg, sekuestrim i pasurive të tundshme, të patundshme. Po ku kisha unë? Të gjitha m’i kishin marrë, edhe rrobat e trupit dhe orën e dorës që e kisha në shtëpi.

Kur isha në hetuesi, në birucë, më pyeti Nevzat Haznedari. Ai ka qenë kriminel, thonë. Me mua nuk u soll i ashpër. Më tha: “Më thuaj të kanë rrahur”. I thashë: Ju jeni këtu dhe do ikni, unë në duart e atij do mbetem prapë. Në gjyq thashë që më ka rrahur. Unë pata një fat se Nevzat Haznedari pati sekretar një djalë, që ishte djali i qehajait tonë. Ferat e quanin. Atij i thanë të më arrestonte. Ai thotë: Nuk mundem, se unë jam rritur me të. Dhe mua nuk më ofendoi.

Në burg

Nga burgu i Durrësit më çuan në izolimin e Tiranës, një vit. Tentova 2 herë të helmohesha me ilaçe, 9 muaj në spital. Prapë në izolim. Pastaj në burgun e vjetër ku ishin gratë, pastaj në kamp në bujqësi (ka qenë në burgun e Shkodrës, ku lanin rrobat e ushtarëve, në burgun e Vlorës dhe për disa vite në burgun e artizanatit, ku punonte rrobaqepëse, siç ka treguar në librin "Dhimbje" të Fatbardha Saraçi Mulletit, botim i ISKK). Isha gjithmonë me temperaturë, e sëmurë. Nuk ia dilja dot bujqësisë. Kur do vinte doktori, shkruam emrin. Kur pa emrin tim komandanti Qazim  Balla, ngriti revolen të më vriste. Një Maria Saraçi, një shkodrane, i doli përpara. Edhe gruan e kishte gardiane të burgut, ai, Tixhe i thoshin. -Qazim ç’bën kështu?-i tha dhe i ngriti dorën përpjetë. Marshalli që na nxirrte ne në fushë, se komandanti s’kishte të drejtë të hynte me armë, Xhevahiri, e kishte dhe ai gruan gardiane, ngriti mitralozin dhe më vonë kishte thënë  që do ia shkrehja të tëra plumbat e automatikut, po të qëllonte. Lajmëruan Ministrinë e Brendshme. Erdhi Feçor Shehu, Qatip Dervishi. Lajmëroi një gardiane plakë. Nuk desha të dilja se kisha frikë nga komandanti. Ajo plaka tha: Çohu. Ishte natë. Shkova në zyrë. Më ofruan cigare. “Nuk e pi cigaren”- i thashë. Unë e pija, por nuk e mora. “Na trego si është puna”. -Më mirë se kushdo e dinë gardianet, -thashë. “E duam nga ti”. Dhe ia tregova. U thashë: Unë prapë në dorën e tij do mbetem. Nesër, prunë një komandant tjetër. Atë e diskretituan dhe e hoqën. Unë i them dhe ata që më kanë bërë mirë, nuk ua ha hakun. Edhe ata që më kanë bërë keq, i them, por e gjetshin nga Perëndia! Nuk ua marr hakun!

Selmani

Në ‘56-ën, kur isha në kamp në bujqësi, ai u lirua nga burgu. Në ’62-shin ai vdiq, unë isha në burgun e artizanatit. Më sjell një telegram vëllai i madh i tij, Selman Ndreu. Erdhi gardiania, por i erdhi keq nuk ma dha në dorë, e hodhi në krevat. Unë u bëra keq. U ngritën gjithë shoqet të më jepnin kurajë. Vuajta gjithë atë gjë dhe humba. Ai kur mori vesh që unë rashë në burg ai u sëmur me tuberkuloz. E nxorën nga Burreli dhe e internuan në Llakatund ku ndërroi jetë. Në momentet e fundit e kanë prurë në Sanatorium dhe më pas e trajtuan shumë keq.

Lirimi

Në ‘63-shin, dola nga burgu. Nuk kisha pasaportizim. Unë kudo që të veja duhet të lajmëroja të plotfuqishmin që sot jam te filani se po të mos lajmëroja, do i  hidhnin gjobë të zotit të shtëpisë. Unë kudo që veja, nuk lajmëroja, shkoja fshehurazi. Rrija në Mëzez, te Nishtullat, në Tiranë, dhomë me baltë pa tavan, në Yzberisht. Qepja. Me lagjen e kisha mirë, grurë.

Në ’91-shin, vij në Delvinë, sepse më kërkonin një dëshmi kur kishte vdekur babai im, për një pronë që kishim në Greqi. Atje mora vesh sesi arratiseshin. Dy djem të qehajait të familjes sime, çonin njerëz në Greqi. "Posi,- thanë,- të shpiem ne. Do të dërgojmë telegram". Lidhem me të ambasadës italiane. Më tha: "duhen 1000 dollarë". Më dërgon vëllai i Australisë 1000 stërlina angleze. Vëllai që kisha në Kanada më dërgon çek. Jo thonë nuk ta japim, ai është i arratisur. Nuk e zgjata. Kthehem në ambasadën italiane. Ajo gruaja ishte e sëmurë. Nuk ishte. Thashë: Do iki me këmbë në Greqi. Isha 63 vjeç, vajzën e kisha të vogël 15 vjeç. (Në Greqi takohet pas 45 vitesh, me vëllain, Duron, që erdhi nga Australia) Nga Greqia erdha në Kanada. Ndejta 2 vjet e gjysmë në Greqi. Në 93-shin erdha në Kanada te vëllai. (Takimi i tyre në aeroport, pas më shumë se 45 vitesh, ku vëllai, Jaho Çini ishte i moshuar, në karrocë dhe Meshani me patericë për shkak se kishte thyer këmbën në aksident, ka mbetur në kujtesën e Edlirës, vajzës së Meshanit, si një ngjarje shumë emocionuese)

blank
Ne foto, poshte: Gjyste Qosja dhe Meshan Cini, dy shoqe burgu, qe u takuan pas 50 vitesh

Në '95-ën erdha në Shqipëri se më martohej një vajzë e mbesës. Shkova dhe një herë në 1998-ën sepse babai i çupës ishte i sëmurë. Pastaj kam vajtur në 2008-ën që bëra një testament për vajzën që t’ia lë vajzës çfarë kam.

Kur kam pasur 80-vjetorin, kryeministri i Kanadasë më ka sjellë urim dhe marr pension 1500 dollarë në muaj. Kam shoqëri që më duan shumë. Jam e lumtur.

……..

Zemra e Meshan Çinit pushoi së rrahuri më 20 janar 2017, në Toronto, Kanada. Dedikimet e njerëzve që e njihnin në komunitetin e shqiptarëve të Torontos, tregojnë për dashurinë dhe respektin që ajo kishte ngjallur te kushdo, me fjalën e ëmbël, me transmetimin e pandërprerë të dashurisë me të cilën kishte kapërcyer urrejtjen dhe meskinitetin, me pamjen elegante e të patëmetë që rrezatonte respekt për veten dhe të tjerët. “Nuk zbriste nga dhoma e saj pa vënë perlat dhe pa lyer buzët me të kuq”, ka treguar e bija, Edlira, që ishte dashuria më e madhe e Meshanit.

“Nëna ime biologjike ndërroi jetë kur unë isha 6-muajshe. Ajo më la mua dhe një vëlla e një motër më të madhe. Babai, i pamundur për të mbajtur vetë 3 fëmijë të vegjël, u martua jo shumë kohë mbas ndarjes nga jeta të nënës sime. Njerka ime, kishte teze Meshanin, e cila në atë kohë ndodhej në Sanatorium duke kuruar pasojat e lëna nga vuajtjet e keqtrajtimet e burgut. Pikërisht në atë kohë bëri histerektomi. Në një kohë kur kuptoi që biologjikisht nuk mund të bëhej kurrë nënë, mbesa e saj u martua me një burrë të ve me 3 fëmijë. Atëherë familjarisht vendosën, sigurisht me aprovimin e babait tim, që Meshani të më rriste mua. Në atë kohë, ajo as nuk mund të më adoptonte, sepse automatikisht edhe e ardhmja ime do të merrte pak a shumë të njëjtat ngjyra me të sajat. Babai im nuk rridhte nga familje e persekutuar. Si të tillë, mendohej se edhe unë do ta kisha më të lehtë për të çarë në jetë, nëse nuk do të merrja mbiemrin e saj. Adoptimi i plotë u bë shumë vite më vonë. Gjithsesi, unë falë sakrificave të saj kam kaluar një fëmijëri shumë më të mirë se shumica e moshatarëve të mi. Kam veshur këpucë me porosi në moshën 5-vjeçare, në një kohë kur ajo hante bukë e kripë e rigon”, ka treguar Eda për nënën e saj. Ato të dyja banuan në shtëpinë e motrës së Meshanit, Firdesit, e bija e së cilës u martua me babanë e Edës. Firdesi dhe bashkëshorti i saj, i diplomuar në Itali, drejtues i disa punimeve të rëndësishme bonifikuese në Shqipëri, Xhaferr Shehu, e kishin mbajtur dhe mbështetur gjatë gjithë jetës Meshanin, si para se të arrestohej edhe pasi ajo doli doli nga burgu. Kjo u kthye në shkakun kryesor që inxhinier Xhaferrin, ta arrestonin e ta dënonin me 10 vite burg. Edlira i ka kushtuar një shkrim in memoriam edhe atij, gjyshit të saj, siç e thërriste që kujto.al e publikoi pak kohë më parë.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

1 Koment

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here