Sokol Teme Sejko nuk pranoi asnjë akuzë dhe u pushkatua kur ishte 24 vjeç

0
930
blank

Një ngjarje e zakonshme në Berat në 22 prillin e vitit 1973, u gjet si shkak për të nisur një tragjedi që i mori jetën djalit të Temes Sejkos, Sokolit. Dy dërrasa ishin nxirë në Kombinatin e Tekstileve “Mao Ce Dun”, ndërsa një tekstilistja Thëllëza Lundra (arrestuar më 30.4.1973), e dashura e Sokolit, ishte vënë në pranga se kishte dashur “të digjte kombinatin”. Në mjedise të kombinatit, vende ku mblidheshin pasivisht njerëz, filloi të pëshpëritej gjithnjë e më shumë nën zë e mbi zë se pas kësaj ishte djali i Teme Sejkos pasi ai kishte lidhje me këtë vajzë, që ishte 15 vjeç.

Nisi legjendimi i një ngjarje, përhapja e informacionit jozyrtar e të rremë në popull. Ky ishte hapi i parë i përgatitjes dhe përpunimit të opinionit se kishin të bënim me gjëra serioze që në fund do merrnin formën e “organizatës”.

Sokoli punonte në kombinatin “Mao Ce Dun”. Do akuzohej se kishte dashur të kryente djegien e pambukut. Për këtë arsye shfrytëzohet një incident i vogël ku për arsye teknologjike, merr flakë një sasi e vogël pambuku, e cila shuhet në çast.

U hapën dosje formulare tërësisht të pabazuara, ndaj Sokolit dhe Thëllëzës. Sokoli u arrestua më 3.6.1973. Paralelisht ndaj tij u zhvillua proces agjenturial-operativ dhe hetimor-gjyqësor. Sokoli kishte ardhur në Berat në vitin 1961 kur ishte vetëm 11 vjeç.

Iu vunë disa bashkëpunëtori Sigurimi, Sokolit dhe Thëllëzës, por asgjë nuk doli. Në një raport të fshehtë midis një spiuneje dhe Thëllëzës, zhvillohet ky debat:

-“Flutura”: Po u dogj fare pambuku atje?

-Thëllëza: E shuajtëm fare moj.

Te Sokoli drejtohet spiuni “Sputniku”, por as ky nuk qullos gjë. “Sputniku” ishte një spiun ordiner ishte akuzuar për dëmtimin e rezervave të naftës në Qytetin Stalin.

E gjithë hetuesia e zhvilluar ndaj Sokol Sejkos është shembull tipik sesi nuk duhet të jetë një proces.

Dosja hetimore në ngarkim të Sokol Sejkos ka pikësëpari detyrën të përmbysë atë që ka dosje operative në të cilën nuk del asgjë që të provonte akuzën e ngritur. Pra po të flasim në gjuhën e Sigurimit, të akuzuarit nuk “u zbërthyen”, por ngelën të pazbërthyer.

Më 4.6.1973 hetuesi i zellshëm Jake Tefiku merr në pyetje Sokol Sejkon për t’i folur rreth bisedave që kishte pasur me Thëllëzën. Qysh në fillim ai thotë se bisedat me të kanë qenë të karakterit dashuror dhe asgjë tjetër. Sokoli nuk pranon asnjë akuzë. Aso kohe në mensën e kombinatit ishte përhapur fjala se djali i Teme Sejkos kishte dashur të digjte kombinatin duke përdorur Thëllëza Lundrën. Këto fjala ia kishte thënë nëna e Sokolit të cilës ia kishte thënë një shoqe që punonte në kombinat. Duket qartë që Sigurimi kishte filluar legjendimin e ngjarjes sikur ajo kishte lidhje me Sokol Sejkon. Midis të tjerash Sokoli shprehej:

“Unë nuk e dua këtë parti e këtë pushtet qysh nga koha që mua nuk më dhanë të drejtën të ushtroja një zanat. Ndaj tyre kam ushqyer urrejtje e hakmarrje. Kam mbajtur shpresë në ndërhyrjen e forcës amerikane në Shqipëri për të ndryshuar gjendjen ekonomike, të përmbysnin pushtetin që është në Shqipëri për të ndryshuar gjendjen politike dhe të vendosnin pushtetin sipas modelit të tyre”.

Gjykimi i Sokol Sejkos dhe “grupit” (u shtuan edhe dy të tjerë) u bë për dy ditë më 25 – 26 janar 1974 në kombinatin e tekstileve “Mao Ce Dun”, para punëtorëve, në mënyrë që edhe ata të shihnin “armiqtë”. Seancën e drejtoi Irakli Puka, ndërsa ishte prokuror Orhan Frashëri. Sokoli akuzohej në bazë të nenit 64, në kombinim me nenin 76, 70 e 73/1 të Kodit Penal. Gjykata e Rrethit Berat, me vendimin nr.12, datë 26.1.1974, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me vdekje, pushkatim, konfiskimin e pasurisë dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për 5 vjet. U la në fuqi me vendimin nr.176, datë 9.2.1973 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

Cilësohej “armik i betuar i pushtetit popullor duke ushqyer ndjenja të hakmarrjes kundër RPSH-së”, se ishte “përpjekur që në rrugën e tij të armiqësisë bashkohet me elementë armiq e të degjeneruar dhe së bashku me ta të hidhet në veprimtari të hapur dhe konkrete, por të organizuar për përmbysjen, minimin e dobësimin e pushtetit popullor në Shqipëri, të sigurimit të jashtëm e fuqisë ushtarake të tij dhe tipareve kryesore të revolucionit popullor në fushën ekonomike, politike dhe shoqërore”.

Sokol Sejko refuzoi të kërkojë falje. Në mungesë të kërkesës së tij për falje të jetës, familja e tij, gjyshi 81 vjeç, dy pjesëtarë të tjerë të familjes Shahe si dhe nëna dhe vëllai kërkuan faljen e jetës së Sokolit. Sigurisht mungesa e kërkesës për faljes të jetës irritoi edhe më shumë diktaturën e proletariatit. Por me vendimin ne datës 28.2.1974, Presidiumi i Kuvendit Popullor, e refuzoi faljen e jetës.

Me urdhrin nr.119/2, datë 2.3.1974 të ministrit të Punëve të Brendshme (nënshkruar në mungesë të tij nga zëvendësministri Feçor Shehu), përgatitur nga Drejtoria e Hetuesisë, u vendos ekzekutimi i Sokol Sejkos më 6.3.1974, ora 24.00 në vendin e caktuar. Ekzekutimi do kryhej nga Dega e Punëve të Brendshme Berat.

blank

Procesverbali i ekzekutimit të Sokol Sejkos u mbajt me shkrim dore. U nënshkrua nga zëvendëskryetari i Degës së Punëve të Brendshme Berat Refat Nenaj, prokurori i rrethit Orhan Frashëri dhe mjeku ligjor Andon Koka. Fjalët e fundit të Sokol Sejkos ishin dinjitoze, si gjithë qëndrimi i tij në proces: “Nuk kam shumë gjëra për të thënë, ashtu siç nuk më takuat kur unë isha 9 vjeç me babain tim kur ai u ekzekutua, po ashtu nuk më takuat edhe mua me njerëzit e familjes time. Afrohuni edhe pak edhe shtini”.blank

Ishte vetëm 24 vjeç. Lindur më 1.10.1950, vrarë më 6.3.1974.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here