Kur mësova se unë nuk do të isha kurrë si fëmijët e tjerë

0
624
blank

E gjithë fëmijëria dhe rinia rrëfehet përmes udhëtimeve drejt burgjeve. Është historia e Ilmi Plakës i cili u rrit e u burrërua përmes këtyre udhëtimeve në çdo cep të Shqipërisë. I ka njohur të gjitha burgjet e kampet e punës, sepse Shaban Plaka vuajti dy herë nga dhjetë vjet në burgjet komuniste dhe kampet e punës. Kalvari i tij nis me kampet e punës në Rinas, kënetën e Maliqit, në Beden, Kuçovë, Berat… e shumë, e shumë kampe të tjera pune, për t’u mbyllur pastaj me burgun famëkeq të Burrelit. Ka dhimbje të madhe në rrëfimet e Ilmi Plakës. Do të vazhdojmë të botojmë pjesë nga ky rrëfim.

blankPërballja me diktaturën komuniste

"Do të përpiqem të sjell në kujtesë historinë e jetës time, vuajtjet dhe mundimet e familjes sime të madhe e të vogël, edhe ato të fisit Plaka. Një fis i madh, që i vuajti 45 vitet e diktaturës me ndëshkimet më të rënda, mënjanimin nga të gjithë me damkën demaskuese kulakë, por kurrë nuk u nënshtrua dhe i bëri ballë me dinjitet atyre kohërave të vështira.

Do ta tregoj jetën time ashtu siç e jetova, me vuajtjet e hidhërimet, me përpjekjet e pafundme për t’i mbijetuar persekutimit të egër nga diktatura komuniste. E ndjej detyrim, që të shkruaj kujtimet e një jete të vështirë, në mënyrë që fëmijët e mi, nipërit e mbesat, por edhe të rinjtë e Shqipërisë ta njohin historinë e viteve të diktaturës komuniste, t’i njohin ngjarjet ashtu siç kanë ndodhur dhe të patjetërsuara, sepse është një ndër kohët më të vështira që ka kaluar vendi ynë, që nuk duhen harruar për të mos u rikthyer.

Përveç babait tim, në atë kohë u burgos edhe xhaxhai im Ibrahimi, në vitin 1947.

Bashkë me nënën e gjyshen shkonim gjithashtu edhe të xhaxhai për t’i çuar ushqime dhe veshje. Pas takimit të parë me babain, nëna me gjyshen më merrnin në çdo takim që kishim. Kështu njoha çdo burg të Shqipërisë. Më pas, kur u rrita, shkoja vetëm herë pas here për të takuar babain e për t’i çuar ushqime dhe veshje.

Kur kthehesha në shtëpi që pothuajse ishte boshatisur e kishte mbetur vetëm me muret e zhveshur, e kisha shumë të vështirë ta besoja se dikur ajo kullë kishte qenë plot me njerëz që prisnin e përcillnin miq dhe begati që vinte nga puna e palodhur e të gjithëve.

Më vonë, e kam kuptuar se babai im Shaban Plaka, kishtë në zotërim disa hektarë tokë, përmes të cilave siguronte të ardhura të mjaftueshme jo vetëm për familjen e tij, por edhe për të ndihmuar banorët e zonës. Dikur, nëna dhe gjyshja kishin jetuar në kushte shumë të mira.

Një ditë, gjyshja më tregoi tokat e babait, të cilat nuk ishin më tonat, sepse i kishin sekuestruar. Atëherë nisa të kuptoj pse mua më thërrisnin “biri i kulakut”. Mësova se babai kishte hyrë në burg, sepse akuzohej si “armik i popullit”. Këtë fjalë unë e kisha dëgjuar në shkollë. E dija se ishte një fjalë fyese dhe kur më tregoi gjyshja të vërtetën, unë u mërzita shumë. Nuk arrija dot ta kuptoja mirë në atë kohë, por nuk e harroj ndjesinë e keqe që m’u krijua. Më dukej se unë nuk do të isha kurrë si fëmijët e tjerë.

Megjithatë, nëna me gjyshen më kanë rritur me shumë kujdes dhe dashuri. Edhe pse mbetëm pa asnjë burim të ardhurash, madje u bëmë shumë të varfër, e gjenin mënyrën që të më mbanin sa më mirë të mundeshin. Gjyshja m’i mblidhte këmbët me një lloj këpuce të bëra me fletëçadre. I merrte fletët e çadrës, i qepte dhe i sajonte si këpucë për mua. Por, ka pasur edhe njerëz të mirë që na kanë ndihmuar shumë, madje duke rrezikuar jetën e tyre, sepse ne ishim kulakë dhe askush nuk duhet të rrinte me ne. Askush nuk duhet të fliste me ne, e jo më të na ndihmonin. Ka qenë një grua me emrin Tase Todri. Ishte rrobaqepëse. Ajo me qepte fshehurazi ndonjë rrobe dhe ma jepte. Mbaj mend një xhamadan që më ka qepur dhe jam gëzuar shumë. Kurrë s’kam për ta harruar atë xhamadan, sa jam gëzuar kur ma solli nëna në shtëpi. Ishte kohë e vështirë atëherë dhe shumë pak njerëz guxonin të na ndihmonin, ndaj dhe unë nuk e harroj dot kurrë emrin e asaj gruaje dhe gjithë jetën time do të kem mirënjohje për të. S’kishim bukë. Uria më ka munduar shumë. Por gjyshja dhe nëna bënin të pamundurën për mua.

“Armiku i popullit”

Po rritesha me vuajtje e mundime dhe dalëngadalë po mësoja historinë e familjes time. Isha rreth 15 vjeç, kur nëna dhe gjyshja më treguan historinë e dënimit të babait dhe dy xhaxhallarëve të mi.

Gjatë luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Shaban Plaka dhe dy vëllezërit e tij, Ibrahimin dhe Xhemalin, kishin qenë pjesë e lëvizjes antifashiste. Ata kishin luftuar kundër pushtuesve bashkë me partizanë të tjerë të zonës së Gostimës.

Shaban Plaka, kishte qenë partizan në Batalionin e Dumresë deri në operacionin e dimrit 1943-44, ku nën presionin e pushtuesve gjermanë, dhe pa armatime, partizanët e këtij batalioni nuk mundën të rezistonin më në vijën e frontit dhe batalioni u shpërnda. Ashtu si shumë të tjerë, Shaban Plaka u kthye në shtëpi, ndërsa dy vëllezërit, Xhemali dhe Ibrahimi, vazhduan angazhimin në forcat partizane në batalione të tjera.

Disa ditë më vonë Shabani u përfshi në rradhët e Ballit Kombëtar për një periudhë 3-mujore dhe në verën e vitit 1944 u rikthye pranë familjes.

Kryetar i Ballit Kombëtar në Gostimë ishte xhaxhai i tij, Nuri Plaka. Në zonën e Sulovës, Llukman Plaka, kushëriri i tij, ishte gjithashtu kryetar i Ballit Kombëtar. Shabani u emërua nënkomandant.

Gjatë kohës së luftës, Shabani dhe vëllezërit e tij, qoftë në radhët e partizanëve apo të ballistëve, e kanë ndihmuar pa rezerva Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe shumë familje në nevojë në zonën e Dumresë.

Në tetor të vitit 1944, Xhemal Plaka ra dëshmor në Peshkopi gjatë luftimeve të çetës partizane ku bënte pjesë, përballë pushtuesve gjermanë. Ndërkohë, vëllai tjetër Ibrahimi vazhdoi të ishte pjesëtar i çetës tjetër të partizanëve të Elbasanit.

Pas çlirimit, familja Plaka i kishte dhënë një dëshmor atdheut dhe dy djemtë e tjerë kishin luftuar për liri. Por nuk do të ishin të tre njësoj, sepse Xhemali u shpall dëshmor i Atdheut, Ibrahimi u emërua kryetar i këshillit si vëlla dëshmori, ndërsa Shabani u arrestua si “armik i popullit”, pasi kishte qenë pjesë e çetës së Ballit Kombëtar.

Emri i Shaban Plakës ishte në listën e atyre që do të quheshin “armiqtë e popullit”, madje nga të parët që do të arrestoheshin. Më 17 nëntor 1944, Shabani u arrestua me akuzën, se kishte qenë pjesëtar i Ballit Kombëtar dhe dyshimin se kishte marrë pjesë në vrasjen e një partizani.

Ndërkohë, xhaxhai i tyre Nuri Plaka, ishte larguar në mal, për shkak se ishte shpallur gjithashtu “armik i popullit” dhe ishte dënuar me pushkatim. Gjatë qëndrimit në mal me çetën e Hamit Matjanit, Ibrahimi ishte kryetar këshilli, por nuk mund të rrinte indiferent ndaj xhaxhait të tij dhe vendosi ta ndihmojë. Mori qerren dhe e ngarkoi me bukë, ushqime e veshje dhe u nis vetë të shkojë në vendin ku ishte fshehur Nuri Plaka.

Në ndihmë të Nuri Plakës u angazhuan edhe kushërinjtë e Shabanit, Ismail Plaka dhe Hysen Plaka, të dy pjesë e fisit të Plakallinjve. Pak kohë më pas, në vitin 1946, nga komunistët u ngrit akuza se plakallinjtë kishin ndihmuar çetën e Hamit Matjanit. Në të vërtetë, ata ndihmuan Nuri Plakën, xhaxhain e tyre.

Kështu u arrestua edhe Ibrahim Plaka bashkë me dy kushërinjtë e tij, Hysen dhe Ismail Plakën. Megjithëse kishte qenë partizan dhe të gjithë shokët e tij ishin me detyra të rëndësishme në atë kohë, Ibrahimi u arrestua. Edhe vetë Ibrahimi kishte qenë kryetar i këshillit menjëherë pas çlirimit.

Ibrahim Plaka ishte shenjestruar edhe sepse kishte votuar kundër sistemit komunist në zgjedhjet e vitit 1945. Në ato votime ishin dy kuti, një e kuqe dhe një e zezë. Ibrahimi votoi në kutinë e zezë duke dalë kundër Frontit Demokratik, siç quhej gjatë atyre votimeve kandidimi i komunistëve. Ibrahimi e deklaroi hapur votën e tij kundër, duke sqaruar se vëllai partizan, Xhemali, nuk e kishte dhënë jetën për të burgosur vëllain tjetër, Shabanin.

Gjyqi

Ndërkohë që vazhdonin arrestimet e anëtarëve të tjerë të fisit Plaka, nisi gjyqi i babait tim, Shaban Plakës, në Elbasan. Me një dosje të sajuar nga Sigurimi i Shtetit, Gjykata Ushtarake e dënoi fillimisht me pushkatim. Por menjëherë do të angazhoheshin partizanët e Gostimës, miqtë e tij, të cilët e kishin njohur ndryshe Shaban Plakën, jo si armik të popullit, por si një atdhetar që kishte luftuar me mish e me shpirt për çlirimin e atdheut dhe kishte vënë gjithë pasurinë e tij në dispozicion të luftës.

Disa partizanë të Gostimës lëshuan deklarata, që dilnin në kundërshtim me akuzën e Sigurimit të Shtetit. Në akuzën kundër Shabanit, nënvizohej se kishte vrarë Janaq Kilicën dhe Sulë Misirin, akuzohej edhe se kishte djegur fshatra kur kishte qenë pjesë e çetës së Ballit Kombëtar. Por, këto akuza u mohuan nga dëshmitarët në gjyq, kryesisht nga pjesa e atyre që kishin qenë partizanë. Avokati i Shaban Plakës, Dhimitër Bebi kërkoi pafajësinë për Shaban Plakën bazuar në deklaratat e dëshmitarëve, të cilët deklaronin se nuk ishte aspak e vërtetë që Shaban Plaka të kishte vrarë ndonjë pjesëtar të forcave partizane, përkundrazi kishte strehuar e shpëtuar shumë partizanë.

Deklaratat e mëposhtmne gjenden në dosjen që Sigurimi i Shtetit kishte hartuar për Shaban Plakën, dosje të cilën e kam tërhequr tek Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, AIDSSH .

Në deklaratën e tij, Major Rrahman Uruçi thekson: Në kohën kur okupatori gjerman ishte në fuqi unë kisha lënë familjen time. Shaban Plaka, si ushtar i Ballit Kombëtar, kishte gjetur familjen time, e kishte marrë dhe çuar në shtëpinë e vet dhe e mbajti njëfarë kohe. E lëshoj këtë deklaratë jo për ndonjë interes, por prej shpëtimit të familjes sime që ta përdorë kur t'ja lypë nevoja.

Një tjertër partizan dëshmoi, se Shaban Plaka e kishte shpëtuar familjen e tij, duke treguar se si babai im e kishte marrë familjen e tij dhe e kishte mbajtur në shtëpi deri sa kaloi dimri i vitit 1944.

Xhevdet Deshnica, partizan: Në shtatorin e '44-s në brigjet e Shtërmenit dhe Shënavlashit, ramë në përpjekje me forcat e Hamit Matjanit dhe u tërhoqëm të rrethuar, gati të vriteshim. Me anën e Shaban Plakës drodhëm rrugën, shpëtuam prej rrethimit e rrezikut dhe u strehuam në shtëpinë e Shaban Plakës e të vëllazërisë së tij në Katundin Gostimë. Mbeta i arratisur gati gjithë dimrin deri në pranverë. Shtëpinë e tij e kam patur bazë. Fëmijët e mi më të vegjël më kishin mbetur vetëm në mes të dimrit, me vëllain në katundin Shënavlash. Shaban Plaka e vëllezërit e tij kanë shkuar fshehur, i kanë marrë dhe i kanë sjellë në shtëpinë e tij.

E vërteta e Shaban Plakës kishte qenë një tjetër nga ajo që pasqyrohej në aktakuzën që kishte përgatirur Sigurimi i Shtetit. Në deklaratën e Major Rrahman Uruçit, dukej qartë se si ishte sjellë babai im, sepse ai kishte ndarë shtëpinë e bukën me njerëzit që patën nevojë për të.

Një tjetër deklaratë që ka qënë mjaft e rëndësishme për të shpëtuar babain tim nga pushkatimi ishte edhe ajo e Koço Trëndafilit, pjesëtar i forcave të Ushtrisë Nacionalçlirimtare në Batalionin e Dumresë. Ai konfirmon faktin se shtëpia e babait tim kishte qenë strehë për partizanët.

Koço Trëndafili: “Nga fundi i vitit 1943, dy shtabet, ai joni dhe i Rrahmanit, vendosën shpërndarjen e ushtrisë mbasi nuk kishte mundësi rezistence. Atëherë, unë bashkë me dy shokë kemi arritur në katundin Gostimë dhe hymë në shtëpinë e Shaban Plakës, meqë ishim informuar se kjo shtëpi kishte mbajtur edhe partizanë të tjerë”.

Një tjetër partizan dëshmoi në gjyq në mbrojtje të babait tim, quhej Kostandin Buda. Gjendet edhe deklarata e tij në dosje. Ai ka pohuar se babai im kishte dhënë kontribut shumë të rëndësishëm në shpëtimin e disa partizanëve, duke vënë edhe veten ne rrezik.

Kostandin Buda: Në verën e vitit 1944, Shaban Plaka, në kohën që Elbasani ishte i rrethuar, bënte roje në ullishten e Shën Thanasit. Ka sjellë prej ullishtes shoqet partizane Afërdita Shahini dhe e quajtur edhe Shpresa, bashkë me Persefoni Todri dhe shokun Vasil Jordani. I solli në shtëpinë time, ku hoqën rrobat partizane dhe u veshën si fshatarë, më pas i shoqëroi brenda në qytet mbasi kishin punë me rëndësi sepse vinin nga bazat partizane. Shoqet kanë qarkulluar lirisht e të mbrojtura nën udhëheqjen e Shaban Plakës.

Petrit Leci dhe Thanas Borodani, ishin dy partizanë të tjerë që dëshmuan se cila klishte qenë marrëdhënia e tyre me Shaban Plakën dhe cili kishte qenë në të vërtetë kontributi i tij në ndihmë të lëvizjes Nacional – Çlirimtare.

Petrit Leci dhe Thanas Borodani: Ditën që u vra Ali Abazi, prej Rinisë së Ballit Kombëtar, ne u kapëm prej ballistëve, na akuzuan si atentatorë dhe na burgosën. Shaban Plaka na mori në mbrojtje, duke na siguruar nga çdo e keqe, bile na bëri edhe lehtësime duke na ofruar një vend të mirë fjetje. Këtë e bënte për dashurinë që ndjente ndaj nesh si të rinj të Lëvizjes Nacional çlirimtare. Shabani vetë nguli këmbë për lirimin tonë dhe ia arriti qëllimit duke na lëshuar, e për t'u siguruar nga çdo rrezik na shoqëroi deri në familjet tona.

I sjell në kujtesë këto deklarata jo vetëm për të rrëfyer cili ishte babai im, por edhe në shenjë mirënjohje ndaj këtyre burrave, që në një situatë shumë të vështirë, siç ishte represioni komunist në vitet e para të diktaturës, morën guximin dhe treguan të vërtetën për kontributin e babait tim. Dëshmitë e tyre ishin faktor mjaft i rëndësishëm për ta shpëtuar Shaban Plakën prej dënimit me pushkatim.

Ishte kohë shumë e vështirë atëherë dhe pak njerëz merrnin guximin të tregonin të vërtetën, sepse regjimi komunist kishte hartuar listat e ekzekutimeve pa marrë parasysh se çfarë kishin bërë dhe sa fajtorë ishin ata që do të dënoheshin. Ndaj, i kujtoj me respekt këta burra që iu gjendën në ditë të vështirë babait tim.

Dënimi dhe burgosja

Pas deklaratave të lexuara në gjyq, dënimi me pushkatim u konvertua me 101 vite burg dhe në seancat e mëpasme, me këmbënguljen e avokatit dënimi u ul në 25 vite. Shaban Plaka ishte krejt i pafajshëm, madje ishte një ndër kontribuesit më të rëndësishëm në luftën nacionalçlirimtare, me tre anëtarë të familjes si pjesë e forcave partizane dhe me kontributin e gjithë pasurisë në shërbim të luftës antifashiste.

Megjithatë, e gjithë jeta e babait tim shkoi burgjeve. Ai ka vuajtur dënimin pothuajse në çdo kamp pune dhe burg". Pjesë nga libri: JETA E NJË FËMIJË “KULAKU” NË DIKTATURË!, me autor Ilmi Plaka, botuar nga ISKK.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here