Edip Tërshana lindi më 15 mars 1907, në Dibër të Madhe. Ishte djali i katërt i Abdurrahmanit dhe Sabries. I ati anëtar i klubit patriotik "Bashkimi" merr pjesë në Kuvendin e Dibrës më 23 korrik 1909. Punon për hapjen e shkollave shqipe me alfabetin latin dhe është pjesëmarrës me armë në dorë i përpjekjeve të mëdha të viteve 1912-1913 kundër serbëve.

Shkollën fillore, Edipi e filloi në vitin 1916 në shkollën shqipe të Dibrës. Më 1920, ajo mbyllet dhe ai fillon punë si çirak në një repart qeleshpunuesish. Në vitin 1922, vendosen në Peshkopi. Po atë vit vazhdon shkollën qytetëse të hapur në Tiranë me vendimin e qeverisë së Sulejman Delvinës, për fëmijët dibranë. E mbaron në vitin 1923 dhe po atë vit fillon shkollën normale në Elbasan të cilën e mbaron në vitin 1928.

Më 16 shtator 1928, fillon punë si mësues i klasës së parë në shkollën plotore Shijak. Kështu vazhdon vite me radhë. Pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste e priti me indinjatë. Refuzon me përbuzje propozimin për t'u regjistruar si anëtar i partisë fashiste. 27 nëntor 1942, 30-vjetori i shpalljes së Pavarësisë. Me nismën e tij vihet në skenë drama e Foqion Postolit, "Lulja e Kujtimit". Entuziazmi ishte i paparë. Sallën e ndezën më tepër fjalët e zjarrta të Edip Tërshanës dhe Beqir Haçit. Të nesërmen manifestimi i madh në shesh për ditën e flamurit. Përleshje me forcat e kuesturës.

Në pranverën e vitit 1942, bie në kontakt me elementë antifashitë si Irfan Hajrullai dhe Mustafa Gjinishi. Ata e njohin me punimet e Konferencës së Pezës. Në bazë të vendimeve të saj, shtruan nevojën e krijimit të Këshillit Antifashist të Dibrës. Me krijimin e tij zgjidhet kryetar i këtij këshilli. Motivi kryesor i tij ishte lufta kundër pushtuesve fashistë. Në të bënin pjesë të gjitha forcat politike të vendit.

Në 8 shtator 1943, Italia kapitullon. Edipi merr kontakt me kapitenin anglez Hendz dhe komandantin e batalionit italian "Firence" Armando Picci, për të ardhmen e këtij batalioni. Vendosin që forcat e këtij batalioni të vihen në dispozicion të Komandës së Divizionit të Lartë Aleat të Lindjes së Mesme. Divizioni largohet nga Dibra. Këshilli Antifashist del nga ilegaliteti, por rrugët morën një rrjedhë tjetër, farë të papranueshme. Mbrojtjen e qytetit e mori komanda partizane që priste kthimin e Haxhi Lleshit. Çuditërisht filluan plaçkitjet në qytet. U dogjën edhe disa shtëpi, kryesisht të nacionalistëve. Më 9 shtator 1943, organizohet një mbledhje në Prefekturë. Edipi kërkon shpjegime për gjendjen, por askush nuk i kthen përgjigje. Tradhtia e madhe e Konferencës së Mukjes kishte filluar të vihej në zbatim nga krerët e lëvizjes komuniste. Edipi detyrohet të japë dorëheqjen nga kryetari i Këshilit Antifashist në shenjë proteste.

Tashmë pasojat e Mukjes ishin shpërndarë në gjithë Shqipërinë. Edipi dhe kapiteni angelz Hendz, kërkojnë të gjejnë një rrugë pajtimi ndërmjet forcave që po vinin drejt një lufte vëllavrasëse. Më 24 shtator 1943 organizohet një takim i Mithat Frashërit, Hasan Dostit dhe Isuf Luzit, me krerët dibranë, Fiqiri Dine dhe Cen Elezi që kishte si qëllim organizimin e një Komiteti Kombëtar dibran. Por ngjarjet kishin marrë rrugë. Komunistët kishin mundur të marrin në dorë drejtimin e këshillit. Sipas udhëzimeve të tyre, krahas flamurit shqiptar u ngrit edhe ai maqedonas. Shenja e parë e tradhtisë së madhe që do vazhdonte më vonë me dorëzimin e këtyre krahinave jugosllave. Edipi heq dorë përfundimisht nga ky këshill.

Në mars 1945, shkon të takojë dhëndrrin e tij, Habib Gegën që ndodhej në burg. Merr kontakt me Qenan Dibrën, i cili i rekomandon për avokat Suat Asllanin. Ata e informojnë për lëvizjen antikomuniste që kishte filluar në Tiranë, me pjesëmarrjen e personave të rrymave të ndryshme. Ata i parashtruan organizimin e një organizate të tillë antikomuniste dhe demokrate në Dibër. Këtë gjë, Edipi filloi ta vinte në zbatim porsa mbërriti në qytetin e tij. Aty takohet me miqtë e tij, Shefqet Shehun, Eqerem Kukelin, Rasin Fetahun, Islam dhe Xheladin Ndreun, me të cilët krijon bërthamën e organizatës që do të quhej "Bashkimi Demokratik" dhe që do të përmblidhte rreth vetes përfaqësues nga rryma të ndryshme si social-demokratë, monarkistë dhe të grupit të rezistencës. Lidhjet me Tiranën i mbante nëpërmjet Qenan Dibrës.

Aktiviteti i mësipërm nuk kishte si të mos binte në sy të sigurimit të shtetit. Për këtë sipas udhëzimeve nga qendra, Edipi tërhiqet për pak kohë. Cen Elezi me 10 djemtë, Islami, Xhelali, Ganiu, Xheladin Ndreu etj., Dan Kaloshi dhe Menajt e Lurës, detyrohen të marrin malet. Shefqet Shehu, Rasim Fetahu dhe Eqerem Kukeli, arrestohen. Po ashtu, arrestohen në Tiranë edhe Qenan Dibra, Suat Asllani, Ivzi Golja dhe të tjerë. Kishte filluar terrori i tmerrshëm komunist.

Ardhja e Hysni Alimerkos si profesor i letërsisë në fund të shtatorit 1946 në Peshkopi, i dha hov të ri lëvizjes. Ajo kishte gjetur në personin e tij njeriun që dinte të drejtonte dhe të jepte leksione të shkëlqyera organizimi. Hysni Alimerkua i lindur në Tragjas të Vlorës, mori mësimet fillore dhe të mesme në vendin e tij. Pastaj shkoi për studimet e larta në Firence të Italisë ku u diplomua për letërsi. Gjatë luftës ka qenë sekretar i Financës së Komitetit Krahinor të Organizatës së Ballit Kombëtar për Vlorën. Takimi me Edipin bëri që pikëpamjet e tyre të ishin të njëjta. Së bashku me Jani Ikonomin, Alqi Nushin dhe Kozma Gjergon, u bënë strumbullari i lëvizjes antikomuniste në Peshkopi.

Më 17 maj 1947, në Dobrovë, shefi i sigurimit, Kopi Niku, kryen arrestimin e Edip Tërshanës. Arrestohen gjithashtu edhe Hysni Alimerkua, Jani Ikonomi, Alqi Nushi dhe të tjerë. Për të detyruar të arrestuarit të pranonin akuzat falso u provuan llojet më të tmerrshme të torturave.

Në mbarim të hetuesisë, Edipin e lejojnë të takojë vajzën dhe djalin. Ky takim la mbresa në shpirtin e tij. Ju kujtua e kaluara. Ata i kishin sjellë disa ushqime të mbështjella me një gazetë "Bashkimi" që qarkullonte në atë kohë. Anët e kësaj gazete përdori Edipi për të shkruar dy letra, njërën për të bijën, Lirinë, kurse tjetrën për diktatorin Enver Hoxha. Pastaj vendosi t'i japë fund jetës, duke prerë damarët. Të mbytur në gjak e gjeti një nga rojet rastësisht. Në letrën drejtuar Lirisë shkruan:

"Endrra ime është që Shqipëria të bëhet siç dua unë. Ajo do të realizohet dhe ju do të gëzoni emrin si bij të saj. Të jeni kryelartë se vdes si shqiptar".

Ndërsa në letrën drejtuar diktatorit, ndërmjet të tjerave, thekson me krenarinë e një nacionalisti të vërtetë: "Ideali kombëtar më ka ba qi të jem kundra Lëvizjes Nacionalçlirimtare, unë qi kam qenë krijuesi i saj. Ju, jo vetëm hoqët dorë nga Kosova dhe Dibra, por, sot pushteti juej i quejtun popullor asht në robni të Belgradit politikisht dhe ekonomikisht. Kjo asht tradhëti!

Jam kundra për varsjet me gjyq dhe pa gjyq qi i bahen këtij populli. Jam kundra për burgosjet e 20.000 apo 30.000 shqiptarëve vetëm e vetëm se nuk janë komunistë. Dhe kjo vetëm pse kështu don sllavi. Kjo asht tradhëti!"

Më 17 nëntor 1947, filloi gjyqi kundër 12 të akuzuarve. Para gjykatësve kukull ndodhen Edip Tërshana, Hysni Alimerko, Jani Ikonomi, Ali Nushi, Rexhep Mborja, Selim Graceni, Adem Shehu, Rifat Dibra, Mahmut Ndreu, Elez Selishta, Ferit Pervizi dhe Munir Shatku, para gjykatësve të arrestuarit qëndruan si heronj.

Më 21 nëntor jepet vendimi. Edipi, Hysniu dhe jani dënohen me vdekje me pushkatim.Të tjerët me burgime të rënda. Të arrestuarit kthehen në qeli në pritje të zbatimit të vendimit. Në fund të dhjetorit lejohet takimi i fundit. Xhevria e shoqja dërgon fëmijët.

U ekzekutua  me pushkatim me 18 janar 1948.

 

 

 

Burimi: Reshat Kripa, “Edip Tërshana, simbol i rezistencës kundër diktaturës komuniste”

Edipi pas përfundimit të Normales së Elbasanit, u emërua mësues në shkollën plotore, Shijak, më pas në shkollën fillore "Hasan Vogli" në Tiranë, ku e emërua nëndrejtor, më pas, në vitin 1937, drejtor i shkollës Nr.1 në Durrës, që në 1940, u quajt "Hasan Prishtina".  Gjatë verës së vitit 1941 dërgohet për të dhënë kurse gjuhe shqipe në vendlindje në Dibër të Madhe ku punon me pasion. Për këtë punë të frytshme me qindra fëmijë, në vitin 1941, propozohet dhe emërohet drejtor didaktik në Dibër të Madhe, me veprimtari në rrethet Dibër dhe Strugë dhe në vitin 1942 zëvendës inspektor arsimi dhe hap disa shkolla shqipe në Dibër dhe rrethinat e saj. Në 1944 emërohet nëndrejtor Arsimi në Vlorë, ku punon deri në tetor. Në vitin 1945 i kërkon ministrit të Arsimit, Gjergj Kokoshi dhe merr lejen të hapë Shkollën Unike në Peshkopi, ku nuk kishte shkollë të mesme deri në atë kohë dhe Edipi u bë drejtor i saj. Jep mësim aty deri në arrestimin e tij, në maj 1947. Në 21 nëntor 1947 jepet vendimi i dënimit me pushkatim për  Edip Tërshanën, Jani Konomin, Hysni Alimerkon, por pasi Edipit i gjendet letra kundër Enver Hoxhës, në vendimin e ardhur në Peshkopi nga Gjykata e Lartë Ushtarake, në 13 janar 1948, vetëm për të mbetet në fuqi dënimi, ndërsa të tjerëve u falet jeta. Fjalët e fundit ishin "Rroftë Shqipnija!". Nga libri "Edip Tërshana", me autor Gafur Zoto.
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.

Lajme

"Po i bën varrin Shqipërisë", letra e Edip Tërshanës për Enver Hoxhën para pushkatimit

Tërshana: Enver, këtë varr po ja bani atdheut edhe me politikën tuaj të jashtme Ndërsa Lexo më shumë

Dokumenti 1946: Gjyqtarët rebelë në Peshkopi, që nuk pranojnë urdhrat e  Partisë

Se ç’frymë iu dha regjimi komunistj, gjykatave në Shqipëri, duke shkelur shpesh ligjet me të Lexo më shumë