Dokumenti 1946: Gjyqtarët rebelë në Peshkopi, që nuk pranojnë urdhrat e  Partisë

0
898
blank

Se ç’frymë iu dha regjimi komunistj, gjykatave në Shqipëri, duke shkelur shpesh ligjet me të dy këmbët sa herë nxirreshin urdhëresa e qarkore partie, kjo dëshmohet me një varg dokumentesh që në vitet e para të këtij regjimi. Një shkresë e Komitetit të Partisë Komunistë të Peshkopisë e datës 29 prill 1946 ngre shqetësimin se disa gjyqtarë  atje nuk mbanin qëndrim të mirë, dhe se kishin dalë hapur kundra ndërhyrjeve të pushtetit në fushën e drejtësisë. Shkresa është firmosur nga Gaqi Nesho, më vonë me funksione të larta partiake përgjatë gjithë viteve të regjimit. Ajo që bie në sy është fakti se në këtë dokument janë përmendur dy gjykatës, të cilët vetëm një vit e gjysëm më vonë do të  gjykoheshin e dënoheshin njëri me vdekje (Jani Konomi) dhe tjetri me burgim të përjetshëm (Alqi Nushi).

Më poshtë sjellim të plotë dokumentin e datës 29 prill 1946, e bashkë me të edhe pjesë të zbardhura nga procesverbalet gjyqësore ku u përfshinë edhe dy të sipërpërmendurit.

 

Dokumenti i 29 prillit 1046

 

KOMITETI QARKOR I P.K.SH.

P E S H K O P I

Nr. 30/I Res.

Peshkopi, më 29-4-946

 

KOMITETIT QËNDROR TË P.K.SH.

T I R A N Ë

Herë mbas here u kemi vënë në dijeni mbi qëndrimin jo të drejtë të gjykatësve në Qarkun t’onë. Më 20-4-946 kryetari i gjykatës popullore Peshkopisë Kozma Gjergo, në lidhje me një Qarkore që lëshon Ministrija e Drejtësisë gjykatave, me anën e të cilës kritikon qëndrimin e gjykatave dhe kërkon që të punohet me frymën e re. Qarkorja bënte fjalë në lidhje me qëndrimin e gjykatësve karshi spekullatorëve etj. Ay e nënvleftëson Qarkoren duke u thënë Sekretarëve se ne nuk do të dënojmë rreptësisht dhe nuk do t’i vështrojmë këto mbasi ne kemi ligjet përpara, le t’i prishin këto që të veprojmë ndryshe, se me Qarkore dhe me shkresa ne nuk mund të veprojmë dhe nuk kanë vleftë për ne.

Ministrija u jepte disa shëmbëlla për qëndrime jo të drejta karshi vendimeve për spekullantët që u kishin bërë disa punëtorëve. Kozma Gjergo tha se janë të pregatitura nga Ministrija dhe se punëtorët janë ngritur shumë dhe nuk e dinë veten e tyre.

Me letra dhe me Qarkore nuk shkohet me frymën e re. Njëkohësisht për disa dosje apeli që i prishte Ministrija nuk e shikonin me vënd duke u shprehur se këto janë për të munduar popullin. Kjo frymë është e të gjithë gjyqtarëve sidomos e Jani Konomit dhe Alqi Nushit.

Gjyqtari i Burrelit Mark Dindi është përpjekur të paraqesë Pushtetin t’onë si Pushtet terrori dhe jo të drejtë. Ka dekllaruar hapur karshi personelit gjykues se ashtë kundra Pushtetit t’onë. Për këtë gjyqtarët dhe personeli që ishte prezent janë gadi të lëshojnë dhe dekllarata. Kur populli përshëndet vdekje fashizmit i pret me ironi dhe vetë populli e njeh se ky është kundër Pushtetit t’onë.

Këto ua bëjmë për dijeni në lidhje me kuadrin e ri të gjykatave. Ne jemi përpjekur t’i këshillojmë por ata janë konshient. Mendojmë se këta nuk meritojnë të jenë në kuadrin e ri dhe në asnjë punë tjetër.

PËR KOMITETIN QARKOR TË P.K.SH.

(Gaqi Nesho)

(vula, firma)

 

Pjesë nga procesverbalet gjyqesore, ku u dënua me vdekje Jani Konomi

blank  blank

Vendimi i Gjykatës

Ushtarake të Elbasanit

Akt-gjykimi Gjykatës Ushtarake të Elbasanit me funksione në Peshkopi, mbi dhënien e dënimeve me vdekje të Edip Tërshanës, Jani Konomit, Hysni Alimerkos dhe të dënuarëve me privim lirie të akuzuarëve të tjerë të Grupit të Peshkopisë.

Peshkopi 21.11.1947

N’emën të popullit

Gjykata Ushtarake Elbasan me funksjone në Peshkopi, u formue prej:

Kapiten i I-rë Myftar Grabocka Kryetar

Toger R…. H…. Antar

N/Toger Sh…. I…. Antar

Tue qenë gati dhe prokurori, Kapiten i II-të, K….. M…. dhe me asistimin e Sekretarit kapterr, A…. H…

Sot me datë 21.11.1947 u mbëloth për të gjykuar të pandehurit; Edip Tërshana nga Dibra e Madhe dhe banues në Peshkopi, i rreshtuar më datë 17 maj 1947, 2) Jani Konomi nga katundi Nartë e Vlorës dhe banues në Vlorë, i rreshtuar më datë 25.8.1947, 3) Hysni Alimerko nga katundi Tragjas i Vlorës dhe banues në Vlorë, 4) Rexhep Mborja nga Mborja e Korçës dhe banues në Korçë, 5) Alqi Nushi lindur dhe banues në Berat i rreshtuar më datë 3.11.1947, 7) Abaz  Shehu lindur dhe banues në katundin Brezhdan të Peshkopisë, i rreshtuar më datë 23 qershor 1947, 8) Refat Dibra nga Shkodra dhe banues në Peshkopi provizorisht, i rreshtuar më datë 19 qershor 1947, 9) Medi Ndreu, lindur dhe banues në katundin Sllovë të Peshkopisë i rreshtuar më datë 17; 9.1947, 10) Adem  Shehu lindur dhe banues në katundin Brezhdan të Peshkopisë i rreshtuar më datë 17.9.1947, 11) M…. Sh…. (nuk lexohet emri), lindur në Tiranë dhe banues në Peshkopi i rreshtuar më datë 17 maj 1947 dhe 12) F… P… (nuk lexohet emri), lindur dhe banues në Zerqan i rreshtuar më datë 17.9.1947, të akuzuar se:

Gjithë të pandehurit e sipërpërmëndur, dyke qenë të organizuar me njëri tjetrin në grupe të ndryshme terroriste, kanë kryer faje kundra popullit dhe Shtetit, duke patur si qëllim kryesor rrëzimin e Pushtetit Popullor me violencë.

Pasi bisedoj çështjen në fakt-

 

 

K o n s t a t o n

Se të gjithë të pandehurit në bashkëpunim njeri me tjetrin dhe në mënyrë të organizuar kanë formuar grupe të ndryshme terroriste si në qytet (Peshkopi), ashtu dhe në rrethe, me në krye të pandehurit; Edip Tërshana, Jani Konomi, Hysni Alimerko, Rexhep Mborja, Alqi Nushi dhe në bashkëpunim edhe me të pandehurit, Selim Gracani, Adem  Shehu e të tjerë si Refat Dibra (…….. pesë personave nuk iu lexohet dot emri) ku një pjesë e të pandehurve duke qenë të lidhur prej kohe dhe anëtarë të organizatës terroriste të ashtuquajtura Parti Demokratike, Socialiste, Ball, Legalitet e të tjera, organizata këto terroriste që janë zbuluar me komitetet e tyre Qëndror në Tiranë duke patur në krye armiq të popullit dhe të shtetit si Gjergj Kokoshi, Suat Asllani, dhe më në fund Grupin e Deputetëve tradhëtarë e të tjerë si këta, të cilët organizata, të pandehurit kanë pasë lidhje të ngushta duke qenë antarë të tyre dhe si të tillë kanë marrë angazhime për zgjerimin e këtyre organizatave duke punuar në këtë Qark dhe në rrethe të tjera.

Për të gjitha këto, gjykata bije bindje të plota se gjithë të pandehurit kanë qenë koshienta për veprimtarinë e kryer dhe armiq të betuar të Pushtetit Popullor, duke qenë konsekuent në këtë drejtim, pse kanë ditur mirë konsekuencat e veprimtarisë, mbasi të gjithë të pandehurit, me përjashtim të tre katër rasteve, janë elementa intelektualë me arsim të lartër dhe nënpunës të Pushtetit që kanë ditur të peshojnë çdo gjë, dhe si të tillë, janë përgjegjës si për sabotimin e punës në çdo sektor që u kishte besuar Pushteti, ashtu dhe për ekzistencën e të arratisurve kriminelë dhe armiq të popullit në këtë Qark.

Veprimtarija e të gjithë të pandehurve provohet me deponimet e tyre direkte dhe pjesërisht indirekte para gjyqit, ashtu dhe me process-verbalet e zhvilluara nga seksjoni i Sigurimit të Shtetit, si dhe nga rrelacjonet Shkoqitëse të Prokurorisë Publike të këtij Qyteti.

Fajësia e të gjithë të pandehurve parashiokohet prej Nenit 3 të numrave 1,3 e 8 të ligjeve Nr. 372 datë 12 Dhjetor 1946, mbi fajet penale kundra popullit dhe Shtetit, botue në Fletoren Zyrtare Nr.118 datë 28.12.1946 dhe i ndëshkuem prej nenit 4 paragrafi i I-rë po të ligjës së sipërme.

Prandaj

Trupi gjykues bashkarisht dhe konform kërkimit të prokurorit

V e n d o s i

Dënimin e të pandehurve Edip Tërshana nga Dibra e Madhe, Jani Konomi nga Narta e Vlorës dhe Hysni Alimerko nga Tragjasi i Vlorës me VDEKJE, humbje e përherëshme e të drejtave Politike civile. Dënimin e të pandehurve; Rexhep Mborja dhe Alqi Nushi me privim lirie për jetë, me punë të detyrueshme si dhe me humbje të së drejtave Politike dhe civile për aq kohë.

Dënimin e të pandehurve; Selim Gracani, Adem Shehu me nga 15 vjet privim lirije, punë të detyrueshme si dhe humbjen e të drejtave Politike dhe civile për 5 vjet kohë. Dënimin e të pandehurit Rifat Dibrës me 10 vjet privim lirije, punë të detyrueshme dhe humbjen e të drejtave Politike dhe civile për 5 vjet kohë. Dhe dënimin e të pandehurve: (pesë personave nuk u lexohen dot emrat), me nga 3 vjet privim lirije, punë të detyrueshme dhe humbje e të drejtave Politike dhe civile për 5 vjet kohë. Tue fillue denimi simbas datës së rreshtimit (arrestimit) të tyre.

Të gjithë të pandehunve u caktohet për me paguen dhe shpenzimet gjykore lek 54 solidarisht.

Përsa i përket dënimeve me Vdekje, aktet i dërgohen Gjykatës Lartë Ushtarake për Shqyrtim dhe Aprovim. Për të gjithë të pandehurit e tjerë ky vendim mund të kundërshtohet m brenda 8 ditëve nga data e dekllarimit.

Peshkopi, më 21.11.1947

S e k r e t a r i Kryetar’I gjykatës Ushtarake

(Beluli Sulo) Kapiten I-rë, Myftar Grabocka

 

 

 

 

 

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here