Arsimtar. Lindi në Prizren, më 16 nëntor të vitit 1892. Studimet pedagogjike i kreu në Austri. Në vitin 1913 filloi punë në Shkollën Popullore si mësues i matematikës, pastaj si mësues i gjermanishtes në disa shkolla të vendit, si në Shkollën Qytetëse, në Shkollën Normale, Gjimnazin Françeskan, Normalen Femërore “Donika Kastrioti” dhe në Gjimnazin Shtetëror. Në themelimin e Shoqërisë kulturore-sportive “Vllaznia” më 1919, u zgjodh në kryesinë e saj. Më 1923 u emërua drejtor i arsimit në Prefekturën e Beratit, kurse mes viteve 1936-1939 shërbeu në të njëjtin post në Prefekturën e Shkodrës. Dha një kontribut të rëndësishëm për përpilimin dhe përshtatjen e disa teksteve shkollore, si: Aritmetika për kl. IV, Aritmetika për kl. V, Matematika për kl. I të gjimnazit, Algjebra për kursin e ulët të gjimnazit etj. Për meritat e tij profesionale, përfaqësoi Shkodrën në tre kongrese arsimore kombëtare (1920, 1922, 1924). Më 1941 hapi në Prizren gjimnazin e parë në gjuhën shqipe. Dy vjet më vonë, më 1943, u zgjodh anëtar e, më vonë, nënkryetar i komitetit drejtues të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Në janar të vitit 1945 u arrestua në Shkodër dhe iu dorëzua serbëve, të cilët e dënuan fillimisht me vdekje e, pastaj, me burgim. Vdiq pas pesë vitesh në burgun famëkeq të Sremska-Mitrovicës, në Serbi. Më 1992, Presidenti i Republikës e dekoroi me medalje “Martir i Demokracisë”. Dy vjet më vonë, më 1994, iu dha titulli “Mësues i Popullit”. Më 27 nëntor 2002, Këshilli i Bashkisë së Shkodrës i vuri Shkollës së Mesme Pyjore emrin e tij, kurse më 7 mars 2009 e shpalli Qytetar Nderi (pas vdekjes).

Burimi: Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist V (Tiranë: ISKK, 2016), 210
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.