Irfan Pustina, mjeku që i shpëtoi pushkatimit

0
244
blank

Drejtësia e diktaturës e dënoi mjekun radiolog Irfan Pustina me pushkatim duke e akuzuar për bashkëpunim me deputetët e dënuar tashmë. Më pas iu fal jeta dhe vuajti për disa vite në burgje dhe kampe pune, derisa fitoi lirinë më 1954 dhe 5 vite më vonë, me vendim gjykate, pafajësinë. Jeta, përndjekja dhe më pas, shërbimi për 30 vjet si mjek në Vlorë, ku sot është qytetar nderi.

 

Para 10 vitesh, doktor Irfan Pustinës iu dha titulli Qytetar Nderi i Vlorës për kontributin e tij 30-vjeçar në shëndetësinë e qytetit. Zakonisht, personalitetet që marrin këtë vlerësim nga një qytet ose janë lindur aty dhe janë kthyer në krenarinë e qytetit me veprimtarinë e tyre që mund ta kenë ushtruar kudo, ose, edhe pse janë lindur dhe rritur gjetkë, i kanë dhënë aq shumë atij qyteti sa me të drejtë ai nderohet me ta. Në këtë grup të dytë bën pjesë edhe Irfan Pustina. Irfan Pustina u lind në Dibër në vitin 1911 dhe u vendos në Vlorë pasi u lirua nga burgu në vitin 1954. Në Vlorë, u bë themelues i radiologjisë si edhe një nga mjekët që modernizoi shëndetësinë e qytetit duke mbetur në kujtesën e disa breza vlonjatësh, çfarë motivoi edhe titullin Qytetar Nderi (pas vdekjes), që i është akorduar në vitin 2014. Por doktor Pustina, ka mbetur edhe në kujtesën e disa pacientëve të tjerë, të cilët kanë qenë njëkohësisht bashkëvuajtës të tij: ish-të dënuar që e kanë njohur në burgjet dhe kampet shfarosëse të viteve të para të regjimit komunist, ku nevoja për mjekë ishte e madhe dhe mundësitë e këtyre jashtëzakonisht të vogla.

I dënuar me grupin e deputetëve pa deputetë

Irfan Pustina u arrestua më 15 maj të vitit 1947. Ishte diplomuar për mjekësi në Itali dhe ushtronte profesionin e tij si mjek radiolog në Tiranë. Si një intelektual i ri, i diplomuar në Perëndim, kuptohet që edhe rrethin miqësor e kishte të tillë, por me vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri, ky rreth u bë epiqendra e goditjeve. Në vitet 1946-1947, u bënë arrestime të shumta mes intelektualëve. Disa deputetë të parlamentit të dalë nga zgjedhjet e para të pasluftës, të cilët mendonin ndryshe nga vija e përgjithshme e partisë, u arrestuan dhe bashkë me ta edhe miqtë e tyre intelektualë, me të cilët ata kishin biseduar idetë ndryshe. Aq shumë u zgjerua rrethi i arrestimeve sa në të ashtuquajturin grupi i tretë i deputetëve, që u gjykua në mars 1948, nuk kishte asnjë deputet, por vetëm miq të tyre. Ndër ta edhe doktori 36-vjeçar, Irfan Pustina. Sipas disa të dhënave arkivore të bëra publike nga Kastriot Dervishi, në vitin 2018, në gazetën "55", Dr.Pustina akuzohej për lidhje me Shefqet Bejën, Enver Sazanin dhe Sheh Karbunarën. Pyetej nga hetuesi Beqir Ndou. Kishte njohje me Shefqet Bejën sepse në luftë e kishte shpëtuar nga burgu me ndërmjetësinë e Ibrahim Biçakçiut, por veprime të tjera nuk kishte bërë.

Sipas Dervishit, gjatë gjithë kohës së hetuesisë ndaj të pandehurve janë përdorur torturat më të tmerrshme. Një pjesë e të pandehurve, nga ky presion kanë pranuar akuzat e sajuara nga hetuesia, por në gjyq, thuajse të gjithë i mohuan. Procesi filloi më 22 mars 1948 në Tiranë. "Prokurori i akuzonte se qysh pas lufte ishin lidhur me Shefqet Bejën, duke bërë pjesë në një “grup terrorist” në të ashtuquajturin “qarkor të Tiranës” (gjoja me përgjegjës Ali Shtëpanin). Ata akuzoheshin se ishin të lidhur me anglo-amerikanët dhe synonin përmbysjen e pushtetit në lidhje me organizatën e deputetëve", shkruan Dervishi. Si edhe anëtarët e tjerë të këtij “grupi”, Irfan Pustina, hodhi poshtë akuzat. Megjithatë vendimet që Gjykata Ushtarake e Tiranës mori më 30.3.1948 ishin shumë të rënda. Ajo e dënoi Irfan Pustinën, së bashku me Haki Karapicin, Ali Bakiun dhe Ymer Keçin me vdekje, pushkatim. Të dënuarit pritën për 22 ditë vendimin e Gjykatës së Lartë Ushtarake, e cila, në rastin e tyre, solli shpëtimin e jetës pasi e shndëroi dënimin në burgim të përjetshëm.

Mes të dënuarve dhe të sëmurëve

Nga këtu do të niste dënimi nëpër burgje e kampe pune. Atje, doktor Pustina do të gjente edhe kolegë të tij, gjithashtu të dënuar politikë, të cilët herë pas here përmenden nga të dënuarit që gjenin shërim nga duart e tyre. Ish-i dënuari politik, Ylber Merdani e përmend doktor Pustinën, si bashkëvuajtës në kampin e Maliqit. Një dëshmi tjetër tregon se më pas, ai ndodhej në Beden të Kavajës. “Me sa më ka treguar babai, në kampin e Bedenit, ka qenë i dënuar edhe doktor Pustina…”, ka thënë në një intervistë për “Zërat e kujtesës” VIII, të ISKK, Dragush Kurti.

Pas 7 vitesh nëpër burgje e kampe pune, Irfan Pustina në vitin 1954, fitoi lirinë. Pikërisht në këtë periudhë, emri i tij përmendet në një tjetër dëshmi atë të Robert Martikos, djalit të ish-të dënuarit politik Dino Martikos, botuar në gazetën “Dielli” në nëntor 2019. Ai thotë se i ati u dënua me 7 vjet heqje lirie më 20 nëntor të 1954-ës, nga Gjykata Ushtarake Territoriale e Vlorës dhe në atë kohë, mjek i Degës së Punëve të Brendshme kishte qenë “doktor Irfan Pustina, një njeri i ndershëm”.  Ai kishte kërkuar që mos ta transferonin në ndonjë burg të largët, por ta mbanin në burgun e Vlorës Dino Martikon, pasi kishte konstatuar që qëndrimi në qelinë me lagështi gjatë muajve të hetuesisë i kishte shkaktuar pneumoni dhe rrezikohej të kalonte në tuberkuloz. Dr.Pustina kishte guxuar ta kërkonte këtë edhe pse e dinte mirë se kishte të bënte me një të dënuar që kishte bërë rezistencë të vendosur gjatë hetuesisë dhe gjyqit, duke u kthyer në armik me A të madhe për Partinë.

Doktor Pustina nuk u kthye më në Tiranë. Ai punoi gjatë gjithë kohës në qytetin e Vlorës, ku ushtruan profesionin e tyre edhe mjekë të tjerë të dala nga burgjet politike, siç ishte i nderuari dhe i respektuari nga të gjithë, Isuf Hysenbegasi. Një fakt interesant në jetën e tij është që në vitin 1959, 5 vjet pas daljes nga burgu, ai mori pafajësinë nga Plenuimi i Gjykatës së Lartë, së bashku me doktor Kadri Kërçikun dhe avokat Vasil Xhajin, të dënuar në të njëjtin proces. Veçse, ndryshe nga ata, ai proces për pak sa nuk e pushkatoi Irfan Pustinën.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here