Si përgjoheshin mësuesit/ Një e katërta ishin “kontigjent armik”

0
194
blank

Sigurimi, në mes të viteve ’60, kishte kategorizuar si kontigjente armike gati 25 për qind të mësuesve në rrethin e Përmetit, madje në disa lokalitete apo shkolla, kjo përqindje ishte më e lartë. Për këtë arsye kërkonte përforcime me agjentë duke u ankuar se ata që kishte në dispozicion ishin të paktë në numër dhe jo të aftë mjaftueshëm. Edhe pse nuk kishte prova për t’i arrestuar, Sigurimi gjente mënyrat për ta zgjatur përpunimin e tyre duke i mbajtur në survejim të rreptë për një kohë të gjatë

 

Nga Xhafer Sadiku

 

Më 1959, sigurimi e ashpërsoi kontrollin mbi inteligjencën. Në detyrat që i vunë agjenturës, theksohej: “Të ndiqet me kujdes aktiviteti i arsimtarëve që zhvillojnë aktivitet, dëgjojnë stacionet e radiove të huaja dhe i përhapin ndër të tjerët. Të ushtrohet kontroll i plotë në drejtim të përpunimit të Vani Fikut, Koço Stefanit, Spiro Dodes, Nuko Gores dhe Hysen Skënderit që paraqesin interes operativ për organet tona”.
Në planin e masave, “seksioni i sigurimit e shtoi veprimtarinë agjenturiale-operative në drejtim të arsimtarëve, duke drejtuar edhe agjenturën e sektorëve të tjerë, pasiqë ajo i kishte mundësitë të lidhej e të kontrollonte elementin armik në radhët e tyre. Për këtë qëllim aktivizoi bashkëpunëtorët “Guximtari”, “Xhuleta”, “Çatia e kinemas”, “Punëtori”, “Sopoti”, “Petriti”, “Vëzhguesi”, të cilët ishin të sektorëve të tjerë, porse si arsimtarë kishin mundësi të kontrollonin këtë kontigjent.

Punëtorëve operativë iu la detyrë të nxirrnin lidhjet e bashkëpunëtorëve të sektorëve të tjerë që kishin me arsimtarët, të studioheshin këto lidhje dhe të drejtoheshin këta bashkëpunëtorë në drejtim të tyre. Gjithashtu të rekrutonin “…6 bashkëpunëtorë të tjerë, në shkollat 7-vjeçare Bënjë, Sukë, Kajcë, Ballaban, gjimnazin e qytetit dhe në shtëpinë e kulturës”.

Më 1964, rrjeti i shkollave në rrethin e Përmetit përbëhej nga 102 shkolla fillore e 7-vjeçare dhe dy 11-vjeçare, ku shërbenin 218 arsimtarë, prej tyre 159 shërbenin në fshat dhe 59 në qytetet Përmet e Këlcyrë.

Nga këta, 107 ishin të shtresës së varfër, 103 të shtresës së mesme dhe vetëm të 8 të shtresës së pasur.

Nga numri i përgjithshëm, 29 arsimtarë ishin komunistë, ndërsa 54 sigurimi i kishte përfshirë në kontigjentet armike, ku në lokalitetin e Çarshovës, ishte përfshirë në kontigjente një e treta e arsimtarëve. Shtrirja e arsimtarëve në rreth, sipas sigurimit, nuk bëhej e studiuar mirë në të gjitha drejtimet, sidomos përsa i përkiste përbërjes politike dhe garancive. Kështu, p.sh., në shkollën 7-vjeçare Zhepovë (zona e Dëshnicës, që, sipas sigurimit, ka qenë më tepër e infektuar me Ballin), nga 8 arsimtarë, 4 ishin me përbërje të keqe, ku dy prej tyre i kishin pasur baballarët të lidhur ngushtë me organizatën e Ballit Kombëtar, kurse një tjetriiI është pushkatuar i ati “për veprimtari armike”.

Deri në vitin 1964, në shkollën 7-vjeçare të Zhepovës, Kajcës, Pëllumbarit etj., nuk kishte asnjë mësues bashkëpunëtor të sigurimit.

Për të kontrolluar arsimtarët “reaksionarë” sigurimi theksonte: “me anë të agjenturës do të shikojmë si zhvillohen programet e mësimeve nga ky kontigjent mësuesish, mbasi ndodh që disa nga këta nuk e zhvillojnë drejt programin dhe i japin atij karakter dhe frymë reaksionari”.

Me gjithë kontrollin agjenturor, sigurimi i raportonte drejtorisë përkatëse se: “të dhënat tona agjenturiale për veprimtari armiqësore në drejtim të arsimtarëve me përbërje të keqe kanë qenë të pakta, këto për faktin se agjentura që disponojmë është e pakët në numër dhe jo e kualifikuar në atë shkallë, për të qenë në gjendje që të zbulojë plotësisht veprimtarinë armiqësore”. Na del detyrë, theksohej në raportin në fjalë, “për të marrë masa për rekrutime të reja dhe forcimin në tërësi të punës agjenturalo-operative në drejtim të arsimtarëve”.

Rritja e numrit të bashkëpunëtorëve të sigurimit në shkolla, shtoi kontrollin agjenturial-operativ mbi mësuesit jokonformistë. Kështu, njëri prej mësuesve më të aftë, që kishte studiuar në Bashkimin Sovjetik, Luan Dino, u vu nën kontrollin e Sigurimit. Në planin e punës për vitin 1966, për sektorin e sigurimit, u ngarkua punëtori operativ i qytetit të ndiqte për vërtetim “dyshimet për aktivitet armiqësor që dalin në drejtim të arsimtarit Luan Dino”.

Antonin Topallai nga Shkodra, ishte mësues i matematikë-fizikës në shkollën e mesme Përmet. Ai ishte marrë nën kontroll nga sigurimi që kur ishte mësues në Skrapar, por në përfundim të vitit mësimor ai u largua nga Përmeti. Në përpunim ishte edhe mësuesi Niko Gore, por për moshën e madhe nuk u arrestua.

Një tjetër arsimtar i shkollës së mesme i vënë në përpunim ishte Josif Ndreko Pollo, i matematikë-fizikës, i transferuar nga Tirana. Edhe ai për agjitacion propagandë.

Një nga intelektualët e vënë në përpunim agjenturial-operativ ishte mësuesi i ri dhe poeti i talentuar Vetëtim Bejko. I lindur në katundin Sevran (në lagjen Bejkollarë), që asokohe ishte nën juridiksionin e rrethit Përmet, gjatë karrierës së tij si mësues shërbeu në shumë shkolla të Përmetit dhe Skraparit, madje vitet e fundit të karrierës edhe në Durrës. Ai, që në vitet e para u vu nën përpunim agjenturial-operativ të sigurimit.

Raporti i parë i seksionit të sigurimit të Përmetit për Vetëtimin daton në vitin 1964, kur sapo ishte emëruar mësues në shkollën 7-vjeçare të Sukës, pas një përvoje trevjeçare në shkollat e Skraparit. Në të shkruhet se arsimtari Vetëtim Bejko, “nuk i heq nga programi i gjuhë-letërsisë pjesët e ndaluara nga Ministria e Arsimit, por i shpjegon ato para nxënësve duke vepruar me kokën e tij”.

Përpunimi agjenturial-operativ i Vetëtim Bejkos vazhdoi edhe gjatë viteve që do të vinin. Atë e transferonin në shkollat e ndryshme të rrethit të Përmetit, i kontrolluar kudo nga sigurimi dhe organizata e masave. Në planin e punës së seksionit të sigurimit për inteligjencën dhe rininë, për vitin 1966, lexohet: “Të organizohet përpunimi i Vetëtim Bejkos dhe lidhjeve të tij në Frashër. Të punohet për të zbuluar karakterin e lidhjeve që ekzistojnë ndërmjet Vetëtim Bejkos dhe lidhjeve të tij në Frashër. Të punohet për të zbuluar karakterin e lidhjeve që ekzistojnë ndërmjet Vetëtim Bejkos dhe Hysen Skënderit”.

Sigurimi, edhe kur përpunonte të tjerë, kërkonte të sqaronte marrëdhëniet që ata kishin me Vetëtimin. Kështu, kur përpunohej Gani Dade, sigurimi ngarkoi punëtorin operativ të punonte, “për t’u vërtetuar nëse ekzistojnë lidhje me karakter armiqësor ndërmjet tij dhe Vetëtim Bejkos me shokë”.

Në raportin e vitit pasardhës, lexohet “Vetëtimi në veprimtarinë e tij ngrihet kundër masave të marra nga Partia, duke thënë se arti dhe kultura po goditen. Ngre lart figurën e Shollohovit. Flet duke thënë se do të vijë koha që të realizohen idetë e hedhura nga Sejfulla Malëshova”.

Edhe për Vetëtim Bejkon do të zbatohej demaskimi, sipas skenarit të sigurimit. Me kërkesën e grupit artistik të fshatit, ai shkroi një parodi ku kritikonte dukuritë negative të kohës. Një nga poezitë e tij satiro-humoristike botuar në Estrada, ku kritikohej burokracia në kooperativë e morën si fakt dhe si hedhje baltë mbi sistemin kooperativist dhe politikën e Partisë në fshat. U inskenua një mbledhje fshati ku nxënësit e shkollës u sollën me zor. Qëllimi ishte për ta poshtëruar dhe dënuar. Dolën dëshmitarë edhe disa mësues. Në një gjyq farsë, ku ishte i pranishëm edhe punëtori operativ i sigurimit, e dënuan me gjobë…për një poezi!

Në fakt, ishte procedura e përpunimit aktiv 2-A, që sigurimi zbatonte kur kishin kaluar afatet “ligjore” të përpunimit, për ta vënë në përpunim përsëri nga e para.

Sigurimi dështoi përballë kredos së Vetëtim Bejkos, i cili theksonte: “Kam rënë rob i dinjitetit dhe lirisë dhe nën pushtetin e tyre kam dashur të qëndroj”.

Marrë nga libri “Skenarë të Përgjakur (Përmeti, 1943-1990)” i Xhafer Sadikut, botim i ISKK, Tiranë 2016

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here