Me shkop gome mbi dorën e thyer

0
196
blank

“Polici nisi ta gjuante shokun tim mbi dorën e thyer, i binte me shkopin e zi, sa fuqi kishte. Çfarë më shokonte nuk ishte tek ideja se, ai po qëllonte mbi dorën e thyer, por, atij, policit i dilnin jargë nga goja, si një qen i tërbuar”. Lekë Mirakaj tregon si torturoheshin të dënuarit në kamp-burgun e Qafë-Barit me urdhrat dhe ndonjëherë dhe duart e Edmond Cajës dhe Ludovik Calit

 

Lekë Mirakaj është një nga fëmijët e ish-ministrit të Brendshëm në kohën e pushtimit italian, Kolë Bibë Mirakajt, i cili pasi kishte mbajtur një qëndrim të vendosur kundër komunistëve, gjatë luftës, u detyrua të largohej nga Shqipëria në nëntor 1944, për të mos u takuar më kurrë me familjen e tij e cila përjetoi një kalvar të gjatë vuajtjesh në diktaturë. Leka ishte vetëm 2 vjeç në 1944-ën kur për të nisi dënimi i internimit që do të përfundonte në gusht të 1991-shit. Nga këto 47 vjet, 7 i ka kaluar në burg. U dënua me 10 vjet heqje lirie, por kohëzgjatja e dënimit iu ul dy herë për shkak të amnistive. E arrestuan në janar të vitit 1980, gjashtë muaj pasi i kishin hedhur prangat të vëllait, Mojsit. E dënuan për agjitacion e propagandë me akuza e dëshmi të rreme dhe e çuan fillimisht në Spaç e pas dy vitesh, në Qafë-Bari, ku iu desh për vite me radhë të përballonte punën e papërballueshme të nëntokës.

blank
Leke Mirakaj

Aq e rëndë ishte puna, sa, siç tregon Leka në librin e ISKK, “Zërat e kujtesës VIII”, disa të dënuar vetaksidentoheshin vetëm e vetëm që mos të shkonin në galeri. Mirëpo kjo vetëm sa nxiste egërsinë e policëve. Ata akuzonin edhe të dënuarit që aksidentoheshin me të vërtetë, se ishin dëmtuar me qëllim dhe nga ana tjetër, ata që plagoseshin vetë, i shpëtonin minierës, por duhet të duronin dhunën e policëve. Dhuna në të vërtetë nuk mungonte kurrë ndaj të dënuarve politikë në burgjet e komunizmit. Shkaqet ishin të shumta, të paparashikueshme dhe më shumë sesa me rregulloret e kampit, lidheshin me sadizmin e njerëzve që kishin në duar shkopinjtë e gomës.

Disa raste të tilla Lekë Mirakaj i ka përmendur në intervistën e tij për “Zërat e kujtesës”:

“Puna aty (në Qafë-Bari) ishte jashtëzakonisht e rëndë. Duhet të mbushje 5 vagona me 2 tonë secili. Nuk ishte e lehtë të bëje 10 tonë në ditë sepse shpeshherë nuk kishte material dhe norma duhej bërë. Kishte raste që të dënuarit aksidentonin veten, thyenin ndonjë krah... Sokol Ngjela theu dorën duke mësuar marifete nga ordinerët…Edhe unë, një ditë, e kisha mbledhur mendjen që do ta thyeja krahun, sepse, aq e keqe ishte situata. Kisha biseduar për këtë. Por ndodhi që shoku im i punës kur kthehet me vagonin, e kishte thyer dorën. Në mëngjes, lajmërova brigadierin për këtë. Ai m’u përgjigj se e ka thyer vetë. E kundërshtova, i thashë se nuk dija gjë, se po kthehesha me vagonin bosh, kur i kishte rënë guri dhe kishte shkaktuar thyerjen e dorës…Unë e dija, madje, se kush ia kishte thyer dorën, më tregoi vetë. Mbas turnit të tretë, në mëngjes, pasi lahemi, më thërresin në dhomën ku ishin dy policë dhe djali me dorë të thyer. Ata më pyetën për të ditur versionin tim. Sigurisht, unë iu tregova se ndodhi kur po punonim. Aty kam parë sesi mund të transformohet njeriu. Polici nisi ta gjuante shokun tim mbi dorën e thyer, i binte me shkopin e zi, sa fuqi kishte. Çfarë më shokonte nuk ishte tek ideja se, ai po qëllonte mbi dorën e thyer, por, atij, policit i dilnin jargë nga goja, si një qen i tërbuar.

Ndërsa shokut tim i binte të fikët nga dhimbjet. Në këtë rast, në darkë, erdhi shefi Edmond Caja dhe më thirrën mua. Ishte edhe doktori i burgut me mbiemër Zhulali. Ishte burrë i mirë. Më pyesin përsëri se si kishte ndodhur. Përsëri, unë, iu them se i ra guri sipër. Ata e dinin shumë mirë që ishte thyer vetë sepse, dhe mua, ma thanë që po t’i binte guri dora bëhej copa. Ai, më thanë, nuk ka as plagë, asgjë. Nuk e di, iu thashë, se nuk kam qenë aty. Më çuan në birucë edhe mua bashkë me shokun. Kemi ngrënë 10 ditë rresht dajak”, ka treguar Lekë Mirakaj.

 

Ai përmend edhe një nga torturat që policët e Qafë-Barit i kanë bërë në atë kohë, kur ishte në izolim.

“Në orën 3 të mëngjesit, një nga torturat ishte që të qëllonin shputat e këmbëve. Na i vinin këmbët në stol dhe na gjuanin. Ajo ishte tortura më e madhe dhe më e tmerrshme”. I gjuanin me shkopinj gome, të cilët brenda kishin hekur. Leka thotë se në trup dhimbja e goditjeve edhe durohej, por në shputa ishte torturë e pastër dhe këtë sigurisht që mjeshtrat e Qafë-Barit e dinin.

“Në Qafë-Bari u bë një situatë e padurueshme. Kishin rrahur Ahmet Tufën dhe Fatmir Laknasin. I katandisën që mos të ngriheshin, as për nevojat e tyre personale”. Sipas Mirakajt, arsyeja ishte thjesht sepse policët kishin pasur qejf t’i rrihnin. “Ahmetin dhe Fatmirin i futën tek zyra teknike dhe i nxorën pothuajse sakatë. Edmond Caja nuk kishte nevojë të vinte e të më rrihte mua sepse kishte dy policët e tjerë, Beqir Vrenozi dhe Shefki Tërnova, por ata, urdhrat nga ai i merrnin. Pa urdhrin e Edmondit nuk prekeshe dot. Kishte raste që, ti, nuk mund ta realizoje normën për dy arsye: ishe i sëmurë ose nuk kishte material. Kur ti ishe duke ngrënë bukë, në kamp, ata vinin e të jepnin një polic me vete dhe të detyronin të shkoje sërish në vendin e punës dhe të mbaroje atë vagon që kishe lënë mangut. Ky ishte shkaku që plasi edhe revolta.

blank

Kur nuk bëje normën, ata të zbrisnin poshtë dhe të fusnin te kaldaja, e cila prodhonte nxehtësi dhe gazin që furnizonte galeritë. Te kaldaja rrinin 5-6 policë sepse kishte raste bashkoheshin 2 turnet. Kur të thonin “futu te kaldaja”, ti e dije që druri ishte me 5-6 policë. Ishte torturë çnjerëzore. Edmond Caja ishte një djalë i ri, gjimnazist nga Tirana, që i binte violinës dhe mësonte gjermanisht në atë kohë. Ishte garip, një djalë simpatik që dhe kapelen e mbante si “Esesët”. Ai ka rrahur edhe vetë, por mua jo. Për mua ka dhënë urdhër. Kam qenë njëherë në rresht, gati për të shkuar në punë. Kisha diçka me vete dhe, ai, erdhi e më pyeti me tërbim se çfarë kisha. Unë nuk fola, sepse aq mjaftonte për atë, një fjalë t’i ktheje. Më pas, Edmondi u bë shef i madh. Në vend të tij emëruan Ludovik Calin. Ai ishte një djalë vagabond nga Lezha, i cili përdorte vetë dajakun. Kur kam parë tani në dosje, arsyen pse më kishin futur në birucë, ishte absurde, sepse nuk e kisha realizuar normën!! Pra, edhe brenda përbrenda ata nuk linin gjurmë”, ka treguar Lekë Mirakaj.

Shënim: Citimet janë marrë nga libri “Zërat e kujtesës” VIII, Tiranë 2022, botim i ISKK, me intervistuese Luljeta Lleshanaku dhe Juliana Uznova Kurti. Këtij botimi i përket edhe fotografia e Lekë Mirakajt.

Skicat janë pjesë e ekspozitës “Jeta në Spaç”, realizuar nga artistja Ina Elezi për Hartën e Kujtesës, me mbështetjen e KAS Albania. Skicat janë krijuar në bazë të dëshmive të ish-të dënuarve politikë, sipas të cilëve edhe në Spaç, të burgosurit detyroheshin me mënyra të dhunshme të plotësonin normën dhe torturoheshin në biruca.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here