Tepelenë-Kukës, udhëtimi i katër fëmijëve të vetmuar

0
2952
blank

Të mundimshme dhe të ankthshme ishin rrugët për në kampet e internimit. Të patregueshme vuajtjet që familjet kalonin atje. Por shumë prej fëmijëve të internuar iu është dashur të përjetojnë edhe dramën e shkëputjes nga familja dhe kthimit në shtëpi, të vetëm, pa asnjë mbështetje. Siç i ka ndodhur Shpresa Kolgjinit dhe motrave e vëllait të saj.

 

“Vuajtjet e mia kanë filluar që në barkun e nënës”, thotë Shpresa Kolgjini Kupi që në fillim të intervistës për vëllimin e tetë të botimit të ISKK, “Zërat e kujtesës”. Ajo është fëmija i tetë i Tahir Kolgjinit, mësuesit dhe funksionarit të lartë që u arratis nga Shqipëria para se ajo të lindte në maj të 1944-ës. Gjatë fillimit të regjimit komunist në Shqipëri, familja e madhe e Tahir Kolgjinit, me babanë e tij të moshuar në krye, u vendos në Prizren ku kaloi disa vite të qeta, por në vitin 1948 u kthyen, pas një urdhri që duhet të pajiseshin me pasaportë serbe, të cilin, gjyshi nacionalist i Shpresës, nuk mund ta pranonte. Kur erdhën në Shqipëri, gjithçka që kishin lënë, nuk ishte më e tyrja. Shtëpinë dykatëshe në qytetin e Kukësit, e kishin bërë postë për qytetin, tokat ua kishin sekuestruar… Për plot pesë vjet ata do të jetonin sa te një kushëri te tjetri. Në vitin 1953, disa të afërm i propozojnë nënës së Shpresës për t’u arratisur bashkë me fëmijët, por ajo nuk pranon ta lërë vjehrrin 103-vjeçar të vetëm. Ai ndërroi jetë në mars 1953 dhe vetëm dy javë më vonë, Dega e Brendshme e Kukësit internoi gjithë familjen pasi ishte informuar se po përgatiteshin për t’u arratisur.

Shpresa tregon se në fillim, i mbajtën për 3 muaj në burgun e Kukësit që ishte duke u rregulluar dhe ku një nga motrat, Fatimja, rrezikoi jetën prej telave të zhveshur të korentit, që vareshin nëpër muret e godinës. Që aty i nisën për në kampin e Tepelenës, ku familja e saj përjetoi një situatë sa absurde dhe ironike: nuk i lejonin të hynin në kamp. Duke qenë se ata ishin internuar me urdhër të autoriteteve lokale dhe jo të Ministrisë, kampi i Tepelenës nuk hapte derën për t’i pranuar. Kështu që për të hyrë në atë kamp shfarosës duhet të qëndronin në pritje për disa javë. Nëna iu shtronte rrobat mbi bar në fushën para kampit. Shpresa kujton se ishte korrik, kishte mushkonja, pisllëk dhe derrat që mbante Dega e Brendshme i tërhiqnin nga këmbët. Kur hynë në kamp duhet të përballeshin me vështirësi të tjera: morrat e kuq që i torturonin gjithë natën, mungesën e një vendi për t’u larë dhe shumë mjerime të tjera që u ngulitën përgjithmonë në kujtesën e Shpresës 9-vjeçare. Qëndrimi i saj në kampin e Tepelenës ishte i shkurtër gjithsesi, megjithëse aty çdo minutë ishte e mbushur me tmerr. Një mëngjes, gjatë apelit të përditshëm, ata dëgjuan: “Sanije Kolgjini, Ahmet Kolgjini, Fatime Kolgjini, Shpresa Kolgjini, dilni veç dhe jeni të lirë!”. Hutimin që përfshiu familjen e davariti disi kapteri duke i thënë nënës dhe njërës prej motrave, Ferides: “Ju të dyja do të ngordhni këtu”!

U ndanë vetëm me një përqafim ndërsa nëna mundi t’u jepte ca rroba dhe ca lekë me vete. U gjendën në rrugë. Ndodheshin në Tepelenë dhe vendlindja e tyre ishte në skajin tjetër të Shqipërisë, në Kukës. Nuk i priste asgjë dhe askush. Më e madhja e atyre të katërve ishte 15 vjeçe. Nuk ishin personazhe të Zhyl Vernit. Ishin katër fëmijë, të vetëm, në një situatë mëse të vërtetë.

Shpresa kujton se ecën derisa arritën nga kampi në Tepelenë, por kur mbërritën atje e panë autobusin e Tiranës duke ikur. Tjetri nisej të pasnesërmen. “Kemi qëndruar dy ditë e dy net në rrugë të madhe. Motra, Sanija, që ishte më e madhja, na kishte lidhur për beli, me breza, gjatë natës, nga frika mos iknim”. Në Tiranë fjetën një natë në shtëpinë e një bashkëfshatari të tyre, i cili të nesërmen iu gjeti një makinë që nisej për në Dibër.  “Makina ishte ngarkuar sipër, me burra e gra plot. Kemi kaluar nga rruga e Krujës. Në rrugën pranë Burrelit, ka qenë një kumbull dhe njerëzit që ishin në makinë kapnin kumbullat dhe i merrnin. Kur mbërritëm në Dibër, filluam të ecnim në këmbë. Kaluam 2-3 katunde. Atje kishim një mik, quhej Zyber Lita, të persekutuar edhe ata. U gëzuan kur na panë, por ishin të këputur për nga gjendja; një saç, një fshesë tek dera dhe asgjë tjetër s’kishin. Të nesërmen na gjetën një kalë; u bëmë gati dhe na dërguan në katundin tonë. Atje u strehuam tek shtëpia e një kushëriri, i cili nuk kishte fëmijë. Kishte vetëm gruan, të sëmurë me reumatizëm. Ata na mbajtën, ne katër fëmijë të huaj dhe na bënë të ndiheshim mirë”.

Por qetësia e arritur në ato rrethana aq të tensionuara, nuk zgjati shumë. Pas një viti e gjysmë, vëllanë e Shpresës, Ahmet Kolgjinin erdhën për ta arrestuar. Ishte vetëm 14-15 vjeç. E çuan në Kukës, e mbajtën pak kohë në hetuesi, por pastaj e liruan për shkak të moshës dhe e çuan në Lushnjë, ku ishte e ëma dhe e motra, të cilat gjithashtu i kishin liruar nga Tepelena dhe i kishin çuar në Plug. Edhe të zotin e shtëpisë ku jetonin fëmijët, pas kësaj, e internuan. Motra e madhe u martua dhe mbeti vetëm zonja e sëmurë e shtëpisë dhe Shpresa me Fatimen. Aty Shpresa kreu edhe vitet e para të shkollës, nga kujton vështirësitë që vinin nga varfëria në të cilën jetonte, por edhe dashamirësinë e njerëzve me zemër, siç ishte mësuesi Sali Domi. “Mësuesi na tha një ditë para se do sillnim nga 10 lekë, që të na blinte një laps dhe fletore. Kur shkova në shtëpi nuk kisha kujt t’ia kërkoja lekët, sepse nuk kisha as nënë, as babë, as vëlla. Nusja e kushëririt, ku edhe rrija, nuk kishte e shkreta. Mësuesi më vinte në rreshtin e parë se isha e shkëlqyer, më quante bilbil klase. Qava gjithë mbasditen dhe kur shkova në mëngjes në klasë mësuesi, filloi të ndante ato që kishte blerë, për ata që kishin paguar vetë. Kaloi te banka ime dhe la fletoren me lapsin. Unë e pashë në sy, më pa edhe ai. Ai më shikoi sikur të më thoshte “mos bëj zë”, sepse nuk donte të më prekte në sedër. M’i kishte blerë nga ana e vet”.

Kur kishin kaluar më shumë se tre vjet, në Lusën, te ta, ndaloi një kushëri i afërt i të atit, shofer. Shpresa iu lut ta merrte me vete pasi ai kishte rrugë për në Vlorë dhe ashtu u bë. Shoferi e la Shpresën tek rruga e Plugut sepse nuk hynte dot në kamp dhe i tha të ecte vetëm drejt dhe të pyeste për Feride Kolgjinin.

Do të ishin metrat e fundit të një rruge qindrakilometrike që ajo vogëlusheje kishte përshkuar e vetme derisa do bashkohej me nënën e saj, për të nisur një kapitull të ri vuajtjesh, atë të jetës në internim.

Shënim: Historia është mbështetur në intervistën e Shpresa Kolgjini Kupit për librin Zërat e kujtesës VIII, Tiranë 2022, botim i ISKK, ku intervistat janë realizuar nga Luljeta Lleshanaku dhe Juliana Uznova Kurti. Fotoja është marrë nga libri. 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here