Internimi i Uran Kalakullës dhe interesimi për të nga SHBA

0
584
blank

Uran Kalakulla (1929-2001), djali i ish-prefektit dhe anëtarit të Këshillit të Shtetit të kohës së Mbretit Zog dhe kunati i Arshi dhe Myzafer Pipës, vuajti një dënim prej 20 vjet, 8 muaj e 3 ditë të pandërprera në vitet 1961-1982. Madje dënimi fillimisht iu dha me vdekje, sikur të kishte bërë ndonjë krim të madh. Gjithçka ishte në pak takime të disa shokëve për idetë social-demokrate, diçka që ngeli vetëm në aspektin teorik.

Kalakulla në vitet 1949-1950 punoi arsimtar në Berat dhe në vitet 1950-1961 arsimtar në Rrethin e Tiranës. Pas daljes nga burgu, në vitet 1982-1983 ishte punëtor komunaleje në Shkodër. Duke mos u mjaftuar me kaq, regjimi i dha edhe masë internimi sepse e dyshonte si “agjent amerikan”, pavarësisht se kishte një jetë në izolim dhe pa asnjë lloj kontakti me dyshimin komunist. Edhe ajo pak liri që i dhanë nuk zgjati shumë. Emri i tij u përgatit në listat e personave që do internoheshin.

Sipas vendimit nr.15, datë 22.11.1983 të Komisionit të Internimit dhe Dëbimit, me nënshkrimet e kryetarit e zëvendëskryeministrit Manush Myftiu, zëvendëskryetarit e ministrit të Punëve të Brendshme Hekuran Isai, prokurorit të Përgjithshëm Rrapi Mino, u internua familjarisht për 5 vjet. Në vendimmarrje mungonte kryetari i Gjykatës së Lartë Aranit Çela. Merrnin masë internimi përveç Uranit, edhe bashkëshortja Nedreti, djali Plator dhe bashkëshortja e tij.

blank

Në arsyetimin e vendimit thuhej: “Të internohen në fshatin Spille të Rrethit të Durrësit, për arsye se qëndrimi politik i familjes në të kaluarën nuk ka qenë i mirë. Babai i tij, Rasimi, ka qenë prefekt në Vlorë, Gjirokastër, Berat dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (në fakt Këshillit të Shtetit sepse nuk ka pasur këshill të tillë-shënim). Vetë Urani në vitin 1962 është dënuar me vdekje (pushkatim) për tradhti të lartë ndaj atdheut dhe agjitacion e propagandë dhe veprimtari armiqësore, por Presidiumi i Kuvendit Popullori i ka falur jetën duke e dënuar me 25 vjet heqje lirie dhe në vitin 1982 ka dalë nga burgu. E shoqja e tij ka vëlla Arshi Pipën, i cili është arratisur në SHBA dhe vepron aktivisht kundër vendit tonë. Gjatë kohës në burg ka qenë në ndjekje aktive dhe ka patur të dhëna për organizim e agjitacion e propagandë”.

Gjatë kohës së qëndrimit në internim punoi në kooperativë. Familja Kalakulla e vuajti të plotë masën e internimit.

Për familjen e tij dhe lirimin nga internimi u interesua një komitet ndërkombëtar i të drejtave të njeriut në SHBA, ndonëse kjo familje nuk ishte më me masë internimi. Me shkresën nr.399, datë 12.1.1989 Dega e 8-të e Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, i kërkonte informacion Degës së Punëve të Brendshme Durrës, mbi Uran Kalakullën. Komiteti në fjalë ishte në dijeni të faktit se Urani banonte në kooperativën bujqësore të Kryevidhit. Durrësit i kërkohej të verifikonte korrespondencën e Uranit, lidhjet e tij në internim dhe për çdo gjë të informohej ministri i Punëve të Brendshme. Informacioni ishte edhe për vetë regjimin i paplotë. DPB Durrës, me shkresën nr.119/1, datë 30.1.1989 përgjigjej se Urani ishte liruar nga internimi dhe se banonte në Shkodër. Nga kontrolli që i ishte bërë korrespondencës, nuk dilte ndonjë informacion në lidhje me komitetin në SHBA. Fati e desh të vinte viti 1990 se nuk i dihej nëse do ta linin të qetë familjen Kalakulla.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here