“Shqipëria, një trup pa shpirt”

0
304
blank

Asgjësimi i elitës, vrasja e gazetarëve në vitet e para të diktaturës komuniste. Pushkatimi i Nebil Çikës dhe Selahudin Totos

Në vijim të artikujve për propagandën komuniste, nisim sot me historinë tragjike të gazetarëve që u pushkatuan në vitet e para të diktaturës komuniste. Kemi zgjedhur dy prej tyre që kishin qenë bashkëkohës e kontribues të rëndësishëm në shtypin e viteve ’30. Është Nebil Çika dhe Selahudin Toto.

Toto ishte një ndër publicistët e rëndësishëm që gjatë Luftës së dytë Botërore, u bë pjesë e lëvizjes komuniste. Ai besoi në idealin e të rinjve dhe të rejave për çlirimin e Shqipërisë, por shpejt do të rezultonte se për drejtuesit e komunistëve nuk ishte ideal atdhetar, por vetëm propagandë që do të pasohej me terrorin e diktaturës.

Në vitin 1944, Selahudin Toto shkruante te revista “Bota e re”. Do të shkëpusim një artikull të tij në këtë reviste  në gusht 1945, të titulluar “Fuqitë krijonjëse dhe Lëvizja Nacional-Çlirimtare”.

Artikulli nis me prezantimin e një personazhi, partizan që kishte pasion vizatimin. Ai përshkruan takimin e paradokohshëm të tij me partizanin artist. “Kam bërë shumë skica në mal”, më tha me një zë të ngadalshëm, “Kur të thyej qafën gjermani, do ta punoj këtë lëndë dhe do bëj një ekspozitë me piktura”, i ishte përgjigjur partizani, Selahudinit. Pasi e përshkruan me detaje bisedën me partizanin piktor, Selahudini nis e shtjellon tezën e tij:

“Djem e vajza me talent dhe të etur për art do ketë dhe të tjerë në Lëvizjen Nacional-Çlirimtare, që sa po kanë nisur të shkruajnë vjersha dhe përshkrime të frymëzuara nga eksperienca e tyre e re, ose që duan të kompozojnë këngë heroike partizane, djem dhe vajza të thjeshtë e të panjohur, që sakrifikuan çdo gjë për lirin e vëndit tonë. S’ka dyshim se nga zjarri i Luftës Nacional-Çlirimtare, që e çliroi popullin jo vetëm nga okupatori, po dhe nga format e ndryshkura të jetës që i mohonin çdo dinjitet njerëzor, do të lindën fuqira të ra krijonjëse. Në këtë çpërthim të madh të energjive popullore, letërsisë sonë do t’i çelen horizonte të ri. Po jo vetëm letërsisë sonë. Në Shqipërinë e re po krijohen kushtet e domosdoshme për një zhvillim më të gjërë dhe të pikturës, të theatrit, të muzikës dhe të skulpturës”.

Në vazhdim të artikullit, Toto argumenton se nga radhët e partizanëve do të shpërthejë letërsia e re, arti i ri dhe se po ndërtohej kështu Shqipëria e re demokratike. Në përpjekjen për t’i lartësuar shkrimtarët dhe artistët që pritej të prodhonte LANÇ, autori merr me mend edhe reagimet kundërshtare:

“Letrarët tonë do të pyesën: “Po ç’ka të bëjë letërsia ose zhvillimi artistik me Lëvizjen Nacional-Çlirimtare?” Që të marën një qëndrim të tillë, këta duhen të nisen me dashje ose pa dashje, nga kjo premisë: arti ose idea e së bukurës është universale, absolute dhe e kapërcen kohën ose vëndin. Arti nuk preket nga çqetësimet shoqërore në të cilat ndodhet artisti. Me pak fjalë, letërsia ose çdo formë tjetër në të cilën shprehet imagjinata njerëzore është një botë më vete, që s’ka aspak të bëjë me përpjekjen dhe konfliktet shoqërore. Në periudhën romantike kësaj i thanë “art për hir të artit”, “art per se”.

Për veten time, unë kam qënë kundra kësaj shkolle këtu e dhjet vjet më parë dhe arsyeja nuk është se doja të shisja mënd në çështje të estetikës. Po se në këtë kohë Lasgush Poradeci kish arritur të formonte një pleiadë me pasonjës të njomë, romantikë të sëmurë, që kishin filluar ta shikonin botën nëpër mjegullën e syve të përlotur, dhe numri i tyre kish arritur të bëhej allarmonjës. Haxhiademi, si përfundim i një vullneti të jashtëzakonshëm, sa po që kish mbaruar ciklin me drama e tragjedira të një natyre klasike dhe donte të na sillte kështu edhe një herë kohën e Sofokliut e të Euripidit. Sterjo Spasse hidhej fare në nihilizmë me romanin e tij “Pse? Bota e hiçit, prej Hiçit”.

Kjo qe gjëndja jonë letrare në vitërat e fundit të regjimit të Zogut. Udha që kishin zënë letrarët tonë ish e shtrëmbër dhe shpinte jashtë realitetit shoqëror në të cilin jetonim të gjithë. Ndonjë mund ta shpjegonte këtë shtrembërim duke prurë si arësye mungesën e lirisë së shtypit ose të mendimit. S’ka dyshim se censura dhe Porto Palermua kanë qënë pengime të mëdha për një zhvillim të lirë letrar. Për të kuptuar se sa liri shtypi kish në këtë kohë, mjafton të përmendim faktin se vepra me famë botërore si “Nëna” e Gorkit ose “Armiku i-popullit” e Ibsenit merreshin si “subversive”…”

Në vazhdim të argumentimit, Toto arrin të mohojë kontributin e shkrimtarëve të brezit para LANÇ, duke arritur në përfundime që para vitit 1944 as që i mendonte:

“Me këtë nuk dua të them se shkrimtarët tanë në indiferencën e tyre kundrejt realitetit shqiptar nuk prodhuan asgjë të bukur. Nuk mund të them, fjala vjen, se disa vjersha nga të Lasgushit nuk janë të bukura. Në fund të fundit, një vepër arti, gjer sa shpreh ndjenja dhe pasione njerëzore, gjer sa është shprehja e një procesi subjektiv, ka pa dyshim vlerë për çdo vënd dhe për çdo kohë, ndonëse kjo vlerë ndryshon sipas zhvillimit të ndërgjegjes njerëzore. Po ajo që është për të vënë re te Lasgushi është frymëzimi i tij mistik, përpjekja të çkëputet nga realiteti në të cilin jeton dhe mbyllet në vetvete. Lasgushi është tipik i shkollës “art per se”. Nga kjo rrjedh dhe qëndrimi i tij kontemplonjës dhe melankonik kundrejt botës. Lasgushi nuk e ka kuptuar artin si një funksion shoqëror, si një marrëdhënie dynamike me të gjitha forcat shoqërore. Për të bota e artit është universale dhe absolute dhe mania e mbylljes në vetvete si në një kullë të fildishtë i ka sjellë ndofta dhe shterimin e pandalur në të cilin ndodhet sot. Gjenitë e mbëdhenj që kanë arritur në universalitet kanë patur si burim të pashterur të frymëzimeve të tyre kohën dhe vëndin, çastin historik në të cilin kanë jetuar. Është për të vënë re se dhe vjershat e Lasgushit, ato më të mirat, si “Kënga pleqërishte” ose “Poradeci”, janë pikërisht frymëzime nga vëndi dhe nga jeta e jonë….”

Dhe më në fund vjen dhe argumenti pse Selahudin Toto shpresonte dhe besonte kaq shumë tek arti dhe letërsia që do të prodhonte LANÇ-i.

“Tashti le të vimë te pyetja që shtruam në fillim dhe të vështrojmë këtë ndryshim të madh e rrënjësor që solli me vete Lëvizja Nacional-Çlirimtare. Energjitë e popullit tonë të ndrydhura e të shtypura nga regjimet e kaluar çpërthyen si një inondatë dhe klasa e “vrasësve” është duke hequr konsenkuencat e veprës së saj. Në këtë klimë të re heroizmi popullor, kemi të bëjmë, pra, me një realitet të ri. Sot as që mund të mendohet se mund të lindën përsëri shkrimtarë që rrinë në bishtin e përpjekjes shoqërore, që kontemplojnë botën me sy të përlotur dhe duan t’i mbajnë “duart e lara”. Shkrimtarët dhe artistët tanë të rij do të jenë ata që kanë përvetsuar këtë eksperiencë të thellë të Lëvizjes Nacional-Çlirimtare, që gëzojnë këtë klimë të re e të shëndetshme, që i kanë njohur në zjarrin e luftës të mirat, të këqiat dhe fuqinë e popullit tonë. Ata do të marën pjesë vetvetiu në këtë përpjekje heroike që bën populli ynë për një jetë më të lumtur. Për ta arti do të ketë një funksion thjesht shoqëror….”

Artikulli është shkruar pak muaj pas çlirimit të Shqipërisë dhe autori e vendos veten në rolin e mohuesit për gjithçka kishte kontribuar para vitit 1944, duke u përpjekur t’i thurë lavde komunistëve që po merrnin pushtetin.

Siç shihet në këtë artikull, ashtu si edhe në të tjerë të kohës, autori pozicionohet, ndoshta pa e ditur, në mbrojtje të regjimit komunist. Ai e kishte njohur Enver Hoxhën prej të vëllait, Ismet Toto, i cili nuk kishte ndier tjetër gjë veç përbuzjes në takimet që kishte pasur me të. Selahudini ishte në dijeni të përballjes së Ismetit me Enver Hoxhën që prej vitit 1935.

“Pas rënies së regjimit komunist zoti Mentor Çoku, pinjoll i familjes të njohur të Iliaz pashë Dibrës, dha një dëshmi që davariti çdo lloj hamendësimi të bërë në mjedisin tonë familjar në dekada. Ngjarja e treguar prej tij kishte ndodhur në mesin e viteve ’30, ndoshta më 1935. Asokohe zoti Mentor, mik shumë i afërt me Ismetin, gjatë një takimi të zhvilluar në një prej lokaleve më në zë të Tiranës, ku merrnin pjesë të rinj intelektualë, përfshihet në një debat të ashpër me Enver Hoxhën. Ky i fundit, duke folur me përçmim për shqiptarët e mbetur jashtë kufijve politikë të shtetit shqiptar, shkakton reagimin e ashpër të zotit Çoku, i cili përpiqet edhe ta godasë. “Pikërisht në atë çast,-kujton zoti Çoku,-miku im i mirë Ismeti ndërhyn dhe më qetëson duke më thënë: Mentor, nuk ia vlen ta qëllosh. Ai është aq maskara, sa edhe nëse ti e pështyn në fytyrë, ngre sytë lart dhe thotë se po bie shi.”

Nuk është e vështirë të merret me mend reagimi i të pranishmëve. Enver Hoxha nuk e harroi kurrë fyerjen dhe u hakmor ndaj gruas e fëmijëve të Ismetit si edhe vajzës së vetme të Mentor Çokut, zonjës së nderuar Valbona Çoku-Miraka.”

Ato kohë kur Selahudin Toto vazhdonte të besonte tek atdhetarizmi i djalërisë së viteve ‘40, shumë bashkëkohës të tij e të vëllait, Ismet Toto, po ndëshkoheshin ashpër, shumë më ashpër se sa kishte ndodhur gjatë regjimit të Zogut, apo edhe më herët gjatë pushtimit turk. Në këto vite të para të “lirisë”, ishin arratisur të detyruar nga Shqipëria shumë shkrimtarë, gazetarë e intelektualë të elitës së asaj kohe. Të tjerë të mbetur në Shqipëri, po përballeshin me gjyqe të padrejta e kishte edhe prej tyre, që u pushkatuan pa gjyq.

Njëri prej tyre, mik i kohëve të hershme të Selahudinit, ishte edhe gazetari Nebil Çika, një prej personazheve të famshme të shtypit të viteve ‘30 e në vazhdim. Ai kishte qenë bashkëkohës me dy vëllezërit Toto, por dhe me shumë publicistë të tjerë, që kishin shkruar për dhjetëra gazeta e që do të përmendeshin në historinë e medias shqiptare për vlera të veçanta.

Sidoqoftë, më 14 nëntor 1944, Nebil Çika u pushkatua pa gjyq nga regjimi komunist. Pa bërë asnjë krim, pa u përballur me asnjë akuzë, Nebil Çika, bashkë me të kunatin Aleks Mavraqi, gjithashtu gazetar e botues i viteve ‘30, u ekzekutuan mes një grupi prej 15 vetësh të shpallur “armiq të popullit”.

Me sa duket, rrugët e Selahudinit dhe të Nebilit ishin ndarë, sepse Selahudini kishte qenë partizan, ndërsa Nebili kishte vazhduar në udhën e tij si publicist e gazetar, madje deri në ditën e pushkatimit, Nebil Çika punonte si korrespondent i agjencisë “Reuters” dhe gazetës së njohur amerikane “New York Times”. Ata kishin qëndruar në dy anë të ndryshme të historisë edhe pse pa asnjë dyshim, qoftë Selahudini, qoftë Nebili, gjithë jetën e tyre ia kishin kushtuar gazetarisë. U rreshtuan shpesh përballë regjimeve apo pushtuesve e u ndëshkuan, kush më shumë e kush më pak, në çdo etapë të historisë.

Ndonëse Nebil Çika shfaqet si konformist me regjimin e mbretit Zog, shpesh herë gjithashtu e ka kundërshtuar hapur dhe është përballur me forcën e regjimit kur ia mbyllën gazetën “Arbënija”, sepse shihej si kundërshtar i politikave të monarkisë.

Më vonë u shenjëstrua edhe nga fashistët, si: “gazetar që ushtron influencë të dëmshme, sidomos mbi rininë studentore, prandaj është e dobishme të ndalohet botimi i një reviste të tillë dhe i botimeve të tilla në përgjithësi”. Për këtë arsye, më 25 nëntor 1940, Nebil Çikën e internuan në Itali. U rikthye në atdhe pas pak kohësh për t’u përfshirë sërish në punën e tij si bashkëpunëtor në revistën “Bleta”, e më pas si korrespondent i “Reuters” dhe “New York Times”.

Për shkak të specifikës dhe aftësisë parashikuese kam zgjedhur që pjesë të këtij artikulli t'i përfshij në studim. “Mentarët dhe rrethi shoqëror”, titullohej artikulli, ku Nebil Çika analizonte rolin që kanë në fatet e kombit intelektualët e tij.

“…Në njëmendësi (realitet) drejtonjësit e vërtetë të një Kombi janë jo administratorët dhe burokratët anonimë, por mendimet dhe besimet (croyances = credenze) që ka ai komb, domethënë janë mentarët që prodhojnë: poetët, oratorët, shkrimtarët, etj. Këta kanë jo autoritetin e xhandarit, jo fuqinë brutale, por ndikimin (influencën) e vazhdueshëm pjellor mbi shpirtërat. Mentarët tanë po i shmangen këtij misioni të lartë të drejtimit. Pse vallë?

  1. Para se t’i përgjigjemi pyetjes, duhet të caktojmë se kujt i themi mentar. Ky është një njeri që punon me idetë dhe mbi idetë (shkencore, letrare, filozofike, etj.), të cilat i grumbullon në arsyetime duke i lidhur me njëra-tjetrën dhe nxjerr prej tyre ide të reja, dhe prozonon, më së fundi, në fushat e veprimtarisë së tij, shikime të përgjithshme dhe hipoteza. Nebil Çika i referohej Henri de Saint-Simon, i cili ka shkruar për elitën franceze: “Po të qe se Franca humbiste papritmas të pesëdhjetë dijetarët e parë të saj, të pesëdhjetë artistët e parë të saj, të pesëdhjetë industrialistët e parë të saj, të pesëdhjetë lëvruesit e parë të tokës së saj, kombi do të bëhej një trup pa shpirt, do t’i ishte prerë koka. Po të qe, për kundra, se humbiste të gjithë personelin zyrtar të saj, nga kjo gjë nuk do të dilte për vendin veçse një dëm i vogël”.

Për fat të keq do të ndodhte pikërisht ky skenar. Shqipëria do të mbetej një trup pa shpirt, sepse shumë shpejt diktatori Enver Hoxha, që shfaqej si drejtues i luftës për çlirim, do të tregonte fytyrën e vërtetë të një ekzekutori të pamëshirshëm. E para lëvizje që ai do të bënte, ishte prerja e kokave të elitës, e mentarëve, siç i quante Nebil Çika. Ndër këta mentarë, ishin thuajse të gjithë gazetarët e publicistët, që me punën e tyre për pothuajse 50 vjet, me sakrifica dhe këmbëngulje, kishin qenë pjesë e ndërtimit të shtetit shqiptar të sapolindur. Shumë ish-ministra, pjesëtarë të kabineteve qeveritare, veprimtarë të shquar të lëvizjes kombëtare dhe nënshkrues të Aktit të Pavarësisë që mbetën në Shqipëri, u dënuan pa gjyq, me masa ekstreme si varja në litar, apo pushkatimi.

Shënim: Artikulli mbështetet në materialet të marra nga libri “MEDIA SHQIPTARE, rrugëtimi i vështirë drejt lirisë, me autorë Luljeta Progni, mbështetur nga Konrad Adenauer”

blank

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here