I varur në shtyllë natën e Vitit të Ri

0
263
blank

Varja pas një shtylle dhe lënia aty në vapë ose në të ftohtë ishte një nga format e ndëshkimit në burgjet e komunizmit. Shkëlqim Abazi kujton natën e ndërrimit të viteve 1969-1970, në Reps, ku shqiptari i Kosovës, Azir Krasniqi u var në shtyllë, ndërsa miqtë e tij të burgosur nuk mund të bënin asgjë për ta ndihmuar

 

Nga Shkëlqim Abazi

 

31 dhjetor 1969.

Atë ditë u përballëm me të papriturën e hidhur, gjetëm të kryqëzuar përfund shtyllës Azir Krasniqin.

Se për ç’faj konkret, s’e mora vesh asnjëherë.

Po që të përfundoje si Krishti, s’ishte e domosdoshme të kryeje ndonjë veprim të ndëshkueshëm. Mjaft t’i tekej policit të bënte ndonjë qokë për të shtytur natën e ndërrimit të viteve dhe sebepi gjendej lehtë, sidomos kosovarët që i kishin dënuar si “spiunë” të Titos dhe i konsideronin armiq të popullit, madje i etiketonin dhe trajtonin si “të huajt më të rrezikshëm nga gjithë të huajt!” që, sipas tyre, meritonin të kryqëzoheshin pas shtyllave të torturës!

Rasti i Azirit ishte një praktikë e përsëritur, me zanafillë qysh se bashkëpunonin me sivllezërit jugosllavë (bëj fjalë për kohën kur ishin ende “vëllezër armësh”), e nisëm me ekzekutimin e Adem Boletinit, djalit “tradhtar” të Isa Boletinit, me dorëzimin e “kriminelit” Bedri Pejani te “vëllezërit” jugosllavë dhe e vijuan me dënimet pa motiv të pinjollëve të luftëtarëve të mëdhenj, Boletinëve, Vokshëve, Krasniqëve, etj..

Pasidten e ndërrimit të viteve u gjenda para faktit kokëfortë.

Shaka komuniste

Pas ca orësh tërë bota do kthente fletën e fundit të kalendarit, natyrisht nga ky rregull s’bënte dallim as Shqipëria socialiste, pavarësisht varfërisë ekstreme.

Me këtë rast, në Reps shquheshin do shenja festive.

Mikroqyteza me rreth njëqind-njëqind e pesëdhjetë banorë, pa shtënë në hesap ushtarët dhe të dënuarit me rreth njëzet godina rrjepacuke mballosur me parete dërrasash të pazdruguara dhe çati eternity, në ndryshim nga ditët e tjera, fekstenga dritat njëgjyrëshe dhe tek-tuk ndonjë cergë pambuku ngjitur me zamkë në xhamat e dritareve, si imitim banal i flokëve të borës, kompletonin dekorin e dy-tri godinave, ambulancës, zyrës së Këshillit Popullor dhe Frontit Demokratik, përfshirë edhe komandën e burgut.

Kur shkelëm në kamp, na kaploi nata.

Por u gjendëm papritmas ballë mizorisë së paimagjinueshme, në shtyllën para zyrës së oficerit roje kishin kryqëzuar një rob!

Zot, o Zot ç’turp!

M’u morën këmbët kur pashë Azir Krasniqin të mavijosur, teksa polici i hakërrehej nga pas grilave:

“Nji’ shut ka m’u dal shpirti tanë titistëve!” dhe gajaste ha-ha-ha.

Ndëshkimi ala-mongol ishte shakaja më mizore natën e ndërrimit të viteve!

Zura një skutë dhe nisa t’i japë kurajë pa i konsideruar pasojat. Isha i ri në moshë e në burg.

Në çast, kur Sami Dangëllia po zbriste me tasin në dorë, ndali sa më pa dhe më bëri shenjë t’i avitesha.

-Ç’kërkon në atë cep? - m’u hakërrye i pizgosur.

-Po e inkurajoj!- i tregova të kryqëzuarin dhe mendoja të kthehesha sërishmi.

-Paske qenë trim i çartur, zotërote! – vijoi ai ironic.

-Gjynah, më vjen keq sa…!

-Neve na ardhka mirë, ëh!?

-S’di si ndihem kur e shoh në atë derexhe.

-Neve u ndjekemi mirë, ëh-h? – e theksoi “h-në” sa rrallë e kam dëgjuar së dyti.

-Kësisoja do ta lëmë! – u trimërova unë.

-Provoje, po pret shtylla tjetër! – dhe tregoi shtyllën si nja dhjetë metër larg asaj ku dergjej i kllaposuri dhe shtoi çehre vrejtur. – Mezi ç’presin t’i bëjnë çcift, madje jo dy, po dhjetë, njëzet, të gjithë!

Çudi! Kaq të ish ligështuar Samiu? E mbanin për burrë me karakter të paepur, veti për të cilat kish në burg që nga funddyzet e katra dhe e ridënonin pa fund.

“Ç’të ketë ndodhur vallë? Unë prisja inkurajim, ndërkohë…!”, natyrisht arsyetoja sipas kutit tim të asohershëm.

-Shpejt, brenda! – më ulëriu dhe humbi nën derë.

Në vend të kthehej në të djathtë mori majtas dhe zuri fund shtratit tim, sistemoi tasin me presh të kallkanosur, vari këmbët në corridor dhe përshëndeti dom Ernest Troshanin:

-Si të kam, o prift?

-Mirë ka dash Zoti, Sami xhani! – ia ktheu prifti duke rrufitur supën. -Ç’kena, Sami? – shtoi duke fshirë nja dy pikëza lëngu që iu varën në qimet e parruara.

-Shtyhem një farë soj, po këtë djalin s’para e kmi mirë! – toni u bë qesëndisës.

Ngriva sepse Samiun e vlerësoja mbi gjithkënd. “Ku ta kem shkelur? Ku të kem gabuar?”

Por s’I gjeta vetes ndonjë faj, edhe të doja s’më linin të gaboja, isha nën vëzhgim të rreptë, më udhëzonin, më këshillonin dhe unë iu përmbahesha pikë për pikë.

-Ç’ka bërë vaki, o burrë? – prifti iu drejtua Samiut me sytë të ngulur mbi mua.

-E pe, besoj, Azir Krasniqin të lidhur pas shtylle – nisi shpjegimin Samiu.

-Sigurisht jam ndi fort ligsht dhe i jam lut Krishtit! – shprehu keqardhjen prifti.

-Ashtu ndihemi të gjithë, o prift! – e përforcoi Samiu. – Po ti ç’kërkove atje?- m’u hakërrye.

-Gabim!- qortoi dom Ernesti kthyer nga Samiu. – Djali asht i rid he s’e din që k’ta janë gati me na lidh t’tanëve, madje me na shqye e me na gllabrues si kanibajtë!

- i provoj prej njëzet e pesë vjetësh mbi shpinë, o dom xhani! – hoqi Samiu. – Po hajt mbushu radaken cave, or mik…! – dhe më hodhi një vështrim qortues.

- Samiu ka të drejtë, o bir! – e mbështeti prifti. – Për at Krisht k’ta janë pjella të dreçit, kush e kush ma zi se shoqi! – vazhdoi retorikën.

- Pa dyshim të tillë janë! – e mbështeti Samiu dhe shtoi: - Po janë edhe në garë mes tyre kush t’i vejë emër epokës. E kupton, o çun? – m’u ktye autoritar. – Mbase Gjeto Gjini sfidon Çelo Arzën që ta vulosë kohën me emrin e tij, siç stampuan kohët e mëparshme xhelatët paraardhës. Ndaj kanë zgjedhur këtë natë si kufirin që ndan dy vitet…

- …për reprezalje kanë zgjedh apostafat kët natë, sot kur tanë bota festoon ndërrimin e viteve dhe t’krishtenët i falin m’katet njani-tjetrit tuj lut t’Madhit Zot për me i salvue, tuj i urue sho-shoqin një vit ma t’mbarë e ma t’begatë, k’ta na kryqëzojnë si Krishtin pas shtyllave, mbysin rob’ e sfidojnë Zotin! – e kompletoi prifti frazën gjysmake të mikut. – Mbroje, o Shën M’i! – pëshpëriti dhe bëri shenjën e kryqit.

Për një çast, u ndjeva në faj:

-Sot kalendari Gregorian shfleton një faqe të re, nesër… - fola nëpër tym.

- Po flet përçart o bir, kjo s’ndryshon gjë në mentalitetin e tyre criminal! – më ndërpreu Samiu.

- Natyrisht s’do të thotë kurrgjë për kriminelët, sepse fundja iu gëzohen krimeve dhe s’na llogarisin me të gjallët, por besoj do vijë shpejt dita kur do shpaguajnë çdo mynxyrë.

- Janë të pandjeshëm o bir, s’dinë me e ndal dorën as para robit, as para Zotit! – ndërhyri prifti.

- Zullumet po rriten, gjaku po rrjedh, koha dhe datat ndërrohen…,- vazhdova hardallosjen.

- Për ç’kohë dhe ç’datë flet, or mik? Apo për ato ciçivetë e ndryshkura që kërcëllijnë si skelete të zhvoshkur nga mishi? Kalendari ka humbur kuptimin, s’ka as ditë, as data, as vite, veç “koha” lakuriqe që zvarritet si gjarpër i nginjur.

- “Koha” – the?!

- Po, pra, “koha”! – ofshau Samiu. – “Epoka e gjakur apo koha e Enverit”! quaje si të duash, apo më saktë të themi: “koha e gjarprit!”- mori tasin ku rrotat e preshit qenë njësuar me copat e kallkanit dhe u largua për te jataku i vet.

O Zot, sa ligsht!

Neva na ra për pjesë të jetonin kohën zezonë, “Epokën e gjakut apo kohën e Enverit” apo, siç e quajti Samiu, “koha e gjarprit!”.

 

Shënim: Marrë nga libri “Spaçi” i autorit Shkëlqim Abazi, botim i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, ISKK.

Imazhi: Skicë nga ekspozita “Jeta në Spaç”, me autore Ina Elezi, publikuar në Harta e Kujtesës. Dënimi i lidhjes në shtyllë praktikohej në disa kampe dhe burgje.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here