Vrasja nga komunistët e luftëtarëve të çetës Plakë të Vlorës

0
224
blank

“Të pushkatohen përnjëherësh pa asnjë gjyq”! Urdhri i Enver Hoxhës për vrasjen e dy partizanëve dhe ekzekutimet që komunistët bënë në radhët e çetës Plakë të Vlorës, për të shtypur mendimin ndryshe

 

 

Në disa raste, pasi kishin urdhëruar dhe ekzekutuar vrasjet, komunistët i shpallnin dëshmorë viktimat. Në raste të tjera, duke qenë që luftëtarët vinin nga familje me “qëndrim jo të mirë politik”, ata vriteshin duke u konsideruar tradhtarë. Siç ndodhi me luftëtarët e çetës Plakë të Vlorës Neki Ymeri, Xhafer Dalani, Xhemil Çakërri, Selim Laçej, Refit Saçaj, Duro Elmazi, Shask Rustemi, Faslli Kapaj, Isuf Rexho, Bexhet Pashaj, Arshi Muka, Jaho Tushi, Qazim Bilbili, Nurçe Bajrami, Hasan Meçorrapaj. Këtë listë të gjatë dëshmorësh të pashpallur e ka sjellë në vëmendje Enver Memishaj në një shkrim publikuar në Gazetën Dielli.

Sipas tij, këta partizanë trima u pushkatuan nga Partia Komuniste dhe konkretisht nga Dushan Mugosha dhe Liri Gega pasi në vitin 1943, u krijua fraksioni i Vlorës i udhëhequr nga Sadik Premtja të cilët kërkuan mbajtjen e një konference për të analizuar aktivitetin e Partisë duke menduar që mangësitë në Komitetin Qarkor të Vlorës të zgjidheshin me mjete demokratike, pa dhunë e terror. Këtij grupimi iu bashkuan shumë partizanë, çfarë solli shqetësim te krerët e Partisë Komuniste e cila nisi të merrte masa për t’i eliminuar njerëzit që mendonin ndryshe me vrasje në prita, pushkatime pa gjyq dhe arrestime.

Enver Hoxha, në maj 1943, urdhëron me anë të një letre vrasjen pa gjyq të Sadik Premtes dhe Pali Terovës, të cilët i quan “tradhtarë”, siç u quajtën të gjithë “fraksionistët”, edhe pse për këtë nuk kishte asnjë provë.  Madje ekzistojnë dhjetëra dokumenta të policisë fashiste që provojnë se Sadik Premtja ishte në ndjekje për t’u arrestuar si armik i rrezikshëm i fashizmit. Enver Memishaj ka publikuar përmbajtjen e letrës drejtuar Qarkorit të Vlorës dhe për dijeni gjithë Komiteteve Qarkore të Shqipërisë.

“Xhepi dhe Pali duhet të pushkatohen përnjëherësh pa asnjë gjyq si tradhtarë… armiq të betuar të partisë dhe të popullit”.  Dhe më poshtë: “Të arrestohet Vangjoja e Difi dhe të gjithë ata elementë që kanë marrë pjesë në këtë punë dhe, pa humbur kohë, të bëhet gjyqi i tyre… Në rast se ata janë kurdoherë solidarë me Xhepin edhe ata të pushkatohen… Të forcohet disiplina. Të shkojnë dy vetë të flasin me H.L. dhe t’i japin arsyet, e ta bindin për masat që janë marrë kundër këtyre tradhëtarëve”. (AQSH, F.18/AP, V. 1943, D. 1, f. 4; Xhepi – Sadik Premtja, Pali – Pali Terova, Vangjua – Neki Ymeri, Difi – Qazim Çakërri, H.L. – Hysni Lepenica)

Në zbatim të këtij urdhri, shkruan Memishaj, Dushan Mugosha dhe Liri Gega ngritën një njësit terrorist në shpellën e Shiroke në Tërbaç dhe vranë me atentat dhe me metoda të tjera mafjoze shumë partizanë të çetës Plakë të Vlorës. Këto krime u pasuan me përndjekjen e familjeve të tyre pas çlirimit, kur komunistët morën zyrtarisht pushtetin në dorë.

Vetëm pas rënies së komunizmit, figura e këtyre luftëtarëve antifashistë u vlerësua nën dritën e së vërtetës. Memishaj ka listuar titujt dhe dekoratat që u janë akorduar këtyre dëshmorëve të pashpallur:

Komandanti i çetës Neki Ymeri “Vangjo” (1918 – 1943) i vrarë në pritë më 27 gusht 1943 është dekoruar:

1 – “Për veprimtari patriotike”, me motivacionin: “Luftëtar trim që dha jetën për një Shqipëri të lirë”.

2 – “Martir i Demokracisë” me motivacion: “Antifashist i orëve të para, organizator dhe luftëtar në luftë për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj. Iu kundërvu që në fillim vijës antikombëtare të diktatorit Hoxha, duke sakrifikuar edhe jetën”.

3 – “Medaljen e Artë të Shqiponjës” me këtë motivacion: “Vrarë në LANÇl, 1943, Komandant i çetës Plakë, Vlorë. Student, drejtues në Lëvizjen Kombëtare e Antifashiste. Franksionist në Partinë Komuniste Shqiptare”

Xhemil Çakërri – “Milo” (1920 – 1943), pushkatuar në të njëjtën ditë dhe orë me Hydajet Micollin është Shpallur “Martir i Demokracisë”.

Xhafer Dalan Xhaferaj – “Shpuza” (1913 – 1943), pushkatuar. Dekoruar, pas vdekjes:

1 – “Për veprimtari patriotike”, me motivacionin “Luftëtar trim që dha jetën për një Shqipëri të lirë”.

2 -“Medalja e Artë e Shqiponjës” me motivacionin: “Vrarë nga partizanët si franksionist. Antifashist i orëve të para, franksionist në PKSH”.

Duro Tahir Elmazi (1918 – 1943), pushkatuar. Shpallur “Martir i Demokracisë”.

“Martir i Demokracisë” është shpallur edhe Haki Hazbi Xhelo (1923 – 1943), i cili siç e kemi përmendur një një shkrim të mëparshëm, pasi u pushkatua, u shpall dëshmor, ndryshe nga të mësipërmit që mbetën “tradhtarë”, gjatë gjithë diktaturës.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here