Historitë e kafshëve në burgjet e diktaturës, miqtë besnikë të të dënuarve

0
2079
blank

Ideja për të ndërtuar një histori për miqësinë e ngushtë të kafshëve me të dënuarit e burgjeve të diktaturës, na ka kaluar shpesh në mendje. Në Spaç, ishte Tarti, heroi që luftoi me policët krahas të dënuarve dhe u vra nga komanda pas revoltës. Në kampe të tjera, ishin mace që oficerët u vinin syrin dhe i merrnin me vete në qytete të tjera, por ato ktheheshin sërish. I ndesh aq shpesh në rrëfimet e të dënuarve, si bashkëprotagonistë historish të ndjera, sa i dhënë apo jo pas kafshëve, nuk mund të mbetesh indiferent ndaj miqësisë së veçantë që këto kafshë lidhnin me të burgosurit e që kontraston aq shumë me shtazërinë e policëve jo vetëm ndaj të dënuarve, por edhe ndaj miqve të tyre me katër këmbë.  Mirëpo, para nesh, një histori përmbledhëse dhe pse, me siguri, jo shteruese, e kishte ndërtuar ish-i dënuari politik, Maksim Rakipaj, si një intermexo të gjatë në librin e tij me kujtime “I mbijetuar”. Nga ribotimi i këtij libri, nga shtëpia botuese “2 Lindje & 2 Perëndime”, po sjellim disa fragmente që flasin për kafshët në burgjet shqiptare

Keti

Në ditët e para të arrestimit, në birucë, zura miqësi me një merimangë. Meri e quajta…, kaluam rreth një muaj bashkë, pastaj e vranë kur lyen birucën nr.26, të shqetësuar pse unë i hidhja miza për ta ushqyer…

...Në kampin e përqendrimit në Ballsh, kishte shumë maçokë: Çarli, Qemali, Niku, Benzi dhe më i njohuri nga të gjithë Kuqo. Ndërsa nga macet ishte Nusja (motra e Kuqos), Zenepja dhe ajo që dua t’ju tregoj sot, Keti.

Keti, nuk ishte më në kamp, kur Maksi shkoi atje, por një mik ia tregoi historinë. Një i dënuar nga Korça, arriti që ta shpëtonte Ketin e sapolindur nga duart e pamëshirshme të Gaqos. E ushqente me gisht e me një biberon të sajuar me një tretësirë të përgatitur me qumështin pluhur që i sillte familja. E rriti si fëmijë. Ajo fshihej te krevati i korçarit, kur ai shkonte në punë dhe kur kthehej nga puna, sa e thërriste “Keti”, ajo dilte me vrap dhe i hidhej në gjoks. Kur i dënuari mbaroi dënimin, donte ta merrte me vete.  “Po këtë mace ku e shpie?” i ishte hakërryer një nga policët më të ligj të kampit, Aliu. Korçari ishte munduar ta bindte që ta lejonte Ketin të dilte me të, sa kohë ajo nuk ishte e dënuar, mirëpo Aliu kishte udhëruar të thërrisnin Gaqon që t’i gjente vendin maces. Ajo e kishte nuhatur rrezikun dhe ishte zhdukur. Por jo për gjithmonë.

“Doli S., nga kampi, i përlotur…Kur doli jashtë rrethimit, gjithë të burgosurit, që e kishin marrë vesh se ç’po ndodhte, dëgjuan thirrjen e thekshme të korçarit S.:

-Keeetiiiii!

…Të gjithë, të përlotur, panë Ketin, që se nga doli dhe u turr jashtë telave me gjemba drejt e në krahët e mikut të saj…

Kuqoja i madh dhe mace të tjera në Ballsh

Kuqon, nuk e gjej aty kur hyj në kampin e Ballshit në tetor ’77, por ka plot mace dhe maçokë që hyjnë e dalin nga kampi. Hyjnë për të vjedhur, si p.sh. Niku me Qemalin…Është edhe Benci, një maçok i zi. Benci hyn në kamp vetëm për takuar mikun e tij, Thanas Kokoneshin, një I burgosur nga Elbasani. Thanasi e ka rritur vetë Bencin, qysh kur ishte i vogël. E shpëtoi kur donin ta mbytnin, e mori dhe e rriti si fëmijë. "E quajta Benc, Makso, se asht i zi, si bencat e byrosë politike”, qesh Thanasi. Dhe Benci nuk i afrohet askujt, përveç mikut të tij. Kurse beniamini i të gjithëve është Kuqo. Është një maçok i kuqërremtë, i madh, më trupmadhi nga të gjithë maçokët e tjerë. E ka rritur Rexhep Gripshi nga Peqini, që është berberi i kampit. I mungon shumë Kuqo. “Ma kanë marrë tre herë;-thotë Xhepi,-meqë asht dac i bukur, e pëlqejnë oficerët që vijnë nga Ministria e Brendshme. I thojnë ndonjenit: ma kap atë dacin e kuq. Por unë e marr vesh ku ka shku Kuqo…Një herë, oficeri që e mori, e kishte shpinë në Lushnje…;nji ku asht Lushnja…, mrena mujit erdh Kuqo ke shpija vet përsëri…Herën  e dytë, ma çun deri në Vlonë…Ka ba dy muj çuni babës me u kthy…; ksaj here ma kan çu në Tiranë…, s’kam për ta pa ma çunin”,-dhe gati përlotet Xhepi.

Rexhep Gripshin, kur trupat gjermane u tërhoqën nga Shqipëria, dikush prej ushtarëve gjermanë që e gjeti vetëm (11 vjeç ishte atëherë Xhepi), i erdhi keq dhe e mori me vete. Autokolona gjermane u sulmua në kufi me Austrinë dhe u shpërnda. Më pas, Xhepin e vogël e gjeti një ish-i dënuar belg i kampeve të përqendrimit dhe e mori me vete në Belgjikë. Kur u rrit, Xhepi vendosi të vinte për vizitë në vendin e lindjes. E pagoi vizitën me 15 vjet burgim. Akuza: agjitacion e propagandë dhe tentativë arratisjeje!

...Në mbrëmje, u ndie një lëvizje e pazakontë në kamp. Njerëz që vraponin, britma: “Erdhi, erdhi!”…U afrova me vrap ku ishte mbledhur turma që e ngurosur shikonte pranë telave një mace të dobët, lëkurë rrjepur vende-vende, që pranë telave me gjemba shikonte e mpirë njerëzit dhe nuk kish as fuqi të mjaullinte…U afrua menjëherë edhe Nusja, macja-zonjë, më e bukura nga macet e kampit… “Erdhi motra e vet”-foli Thanas Kokoneshi dhe lotët i rridhnin faqeve.-Erdh me taku Kuqon, vllain e vet”…Të dyja macet fërkuan hundët me dashuri, duke lëshuar ca si rënkime të çuditshme, që i kisha dëgjuar vetëm nga nëna ime kur më takoi herën e parë në burg…Në mes të një heshtjeje të thellë, dy macet hynë në kamp krah njëra-tjetrës, duke kaluar në korridorin e krijuar nga 1000 të burgosur të mallëngjyer, të heshtur, kur u dëgjua zëri i Xhepit:-“Hajde, hajde ke baba, hajde se ma kpute shpirtin”. Kuqo fluturoi në gjoksin e Xhepit…

…(Zenepja) kur ishte e mitur, hëngri një shkelm nga polic Aliu dhe iu dëmtua rëndë shtylla kurrizore. Por të burgosurit nuk e linin të vuante nga uria. “Është dëmtuar rëndë në shtyllën kurrizore, nuk jeton dot më shumë se dy vjet”, -tha mjeku i kampit, Muhamed Kosovrasti.

Gjatë kohës që Kuqoja mungonte (Maksimit i thanë më vonë në Qafë-Bari se Kuqoja ishte kthyer në Ballsh ku edhe kishte mbyllur sytë nga pleqëria), Nusja lindi një kotele, që nga ngjashmëria me Kuqon e madh, të dënuarit ia vunë emrin Kuqo i Vogël dhe më vonë e thërrisnin thjesht Kuqo. Por atë e vrau një ditë, i dënuari Gaqo K, me urdhër të komandës, sepse hante pëllumbat. 

Kuqon e dënuan me varje. Xhelati ishte si përherë i burgosuri G.K., një spiun i komandës. E vari Kuqon e Vogël dhe e tërhiqte fort nga bishti...Kuqo bërtiste "Maa...maa". U dëgjuan brenda kampit të qarat e Kuqos, për nja dy minuta, pastaj heshtje. Mbas gjysmë ore, hyri në kamp Nusja. Ndër dhëmbë mbante Kuqon pa jetë. Përshkoi gjithë oborrin e kampit, solemne, hijerëndë, me hap të ngadalshëm nën shikimin e të gjithëve. E varrosi mes dy rrethimeve, ne atë vend, ku gjashtë muaj më parë, pat takuar vëllanë e saj, Kuqon e Madh.

Edhe qentë të burgosur

...Nuk e gjeta Çapin kur mbërrita në kampin e përqendrimit në Ballsh, por gjeta shumë kujtime për të. Të burgosurit flisnin për Çapin, njëlloj si të flisnin për një mik të tyre, por gjithmonë me dhimbje, a me një buzagaz të trishtë: “Ehhh, e pushkatuan Çapin e shkretë, e pushkatuan”!

Nuk dihet si përfundoi ai qen i vogël bojë kafe (si uniforma e të burgosurve) brenda kampit…Sido që të qe, Çapi u bë mik me të gjithë. Thonin, madje, që i njihte të burgosurit me emër. Por njëherë e pa polici më i keq i kampit, Aliu. E pa Çapin me një letër në gojë, e ndoqi, e kapi, por Çapi si të qe njeri, e gëlltiti letrën…Nga inati, polic Aliu i ra me shkelm brinjëve. Që atë ditë, polic Aliu nuk guxonte të hynte më në kamp, sepse Çapi i vërsulej si i tërbuar, por që miqtë e Çapit arrinin gjithmonë të shmangnin përleshjet Çap-Ali. Por, mjerisht ndodhi ajo që pritej. Një mbrëmje, u dëgjuan dy krisma pistolete nga krahu i zyrave të komandës. E ndjenë që të gjithë të keqen: -Mos! Na vranë Çapin e shkretë!...Dhe kampin e mbuloi zia.

Kurse në Spaç dhe në të gjithë burgjet komuniste, ishte gjallë legjenda e qenit hero, Tartit, që edhe ai njëlloj si katër heronjtë e Revoltës së Spaçit, që nuk pranuan të shtrihen përtokë dhe të lidheshin si të gjithë të burgosurit, nuk u dorëzua, por luftoi deri në fund krah 4 Heronjve, kundër kanibalëve të shtetit komunist. Në kujtimet e tij, një pjesëmarrës i revoltës ka shkruar edhe një elegji për Tartin hero. E lexova atë elegji, jo pa u përlotur, në një koment që bënte në facebook Neritani, djali i shokut tim, Ahmet Kolgjini.

Pse të jetë kjo lidhje kaq e fuqishme e kafshëve me të burgosurit?

Kjo lidhje vjen, ndoshta, sepse kafshët e ndjejnë se një i burgosur ka shumë dashuri për të dhënë. Njeriu kur nuk merr dashuri, për çudi, është në gjendje të japë shumë herë më tepër sesa kur e merr atë. Kafsha e ndjen këtë, sepse ne, me sa duket rrezatojmë fuqishëm nevojën për dashuri kur ajo na mohohet, na hiqet, na dhunohet. Në burg na japin të hamë urrejtje me shumicë, ne e hamë pa u ndjerë dhe e kthejmë të gjithë në dashuri…

...Një mëngjes, i burgosuri Riza Bregu, duke shkuar në mensë, sheh tek shkallët një këlysh të vogël që I doli para duke luajtur bishtin…Hapi sytë se nuk kuptoi sesi mund të kishte mbërritur ai këlysh deri aty…. “Si e quajnë kte bolin e vogël, o Xake?” “E ke gjet, e qujn Bol”,-u përgjigj Rizai duke qeshur. Spaçianët e birësuan menjëherë Bolin, që dukej të ishte një shartim i një qeni stani me ndonjë bastard, qimeshkurtër, bardhosh me njolla kafe…Hante çdo gjë Boli, çfarë t’i jepje…Kur u bë rreth një vjeç, Boli filloi të shkonte në minierë me të burgosurit. I shpëtonte me shkathtësi syrit të policëve që kontrollonin hyrje-daljet për në minierë. Komandës së kampit nuk i pëlqeu kjo gjë dhe mendoi ta zhdukte Bolin. Një ditë e gjetëm Bolin të shtrirë në sheshin para mensës, me sytë e shuar dhe lëshonte një si shkumë të bardhë nga goja. E kishin helmuar! Në ambulancë nuk kishte antidot. Dikush prej të burgosurve, solli një litër vaj ulliri nga ushqimet që i pat sjellë familja dhe ia hodhi të gjithë në fyt, që mezi regëtinte. Ishte qen i fuqishëm Boli dhe ia hodhi atë radhë…Komanda nuk e la me kaq; një pasdreke Boli hyri i gjakosur në kamp. E kishin qëlluar me çifte. Mjekimet atë radhë erdhën nga ambulance e kampit, të burgosurit ia nxorën të gjitha saçmet që i kishin depërtuar në trup, ndërkohë që ai rrinte palëvizur gjatë operacionit. Për disa javë, Boli ishte si i verbuar. Të gjithë ishin të meraksour për shëndetin e tij, por u shërua edhe atë herë. Kur u lirua, Xake Bregu kërkoi leje ta merrte me vete, por nuk ia dhanë…Në Qafë-Bar, ku më transferuan, dikush më solli lajmin se Bolin e kishin pushkatuar. Një prej policëve, i kishte shkrehur një karikator kallashnikovi të shkretit.

Lejlekët

Në vitim 1968, Drejtoria e Kampe-Burgjeve bëri disa transferime kampesh. Kampi i Repsit u zhvendos në Spaç, kurse kampi i Kripores së Vlorës, në Ballsh, në një faqe kodre përballë Azotikut…Në ‘78-ën, në kampin 309 në Ballsh, kishte ende mjaft të burgosur që patën provuar jo vetëm lemeritë e Kripores së Vlorës, por edhe të Porto-Palermos, aeroportit të Rinasit, madje edhe nga ata që kishin njohur tmerret e kënetës së Maliqit. Njerëz që prej vitesh kanë bashkëjetuar me vdekjen pa e humbur dashurinë për jetën. Njerëz.

Kam dëgjuar nga shumë të burgosur në Ballsh për Sakipin, lejlekun që i shoqëronte të burgosurit nga kampi për në kriporen e Vlorës, por jo vetëm atje. Legjenda për Sakipin tregohej edhe në Spaç, edhe në Qafë-Bar, edhe nga të burgosurit që vinin nga burgu i Burrelit.

Më rrëfeu për Sakipin me mallëngjim e dashuri edhe Idriz Kaiku, në maj 2013, ndërsa pinim bashkë një raki në Durrës.

…Sipas të burgosurve të vjetër, Sakipi jetonte me familjen e tij së bashku me  një koloni lejlekësh në lagunën e Vlorës, jo shumë larg prej kripores. Një lejlek si gjithë lejlekët e tjerë deri atë natë vere të vitit 1965. Atë natë, një i burgosur, që ishte ngritur për të shkuar në WC-në e kampit, dëgjoi një zhurmë të çuditshme, një si fëshfëritje të shoqëruar nga një zhurmë…U afrua ngadalë për te vendi nga vinte zhurma dhe gjeti një lejlek që përpiqej të ngrihej.

Maksim Rakipaj vazhdon të tregojë sesi i dënuari, thirri një shokun e vet, i cili dinte si trajtoheshin plagët e plumbave. Ai i nxori saçmat nga krahu dhe i mjekoi plagën lejlekut. Në mëngjes, kërkuan ndihmën e infermierit të kampit, i cili pranoi ta mjekonte lejlekun fshehurazi komandës. Për ushqim, i sillnin zhaba që gjendeshin me shumicë në kanale, të cilat kur lejleku e mori veten dhe mund të ushqehej vetë, ia linin te një nga kovat prej llamarine që përdorej për pastrimin e fjetores.

I vunë edhe një emër lejlekut. E quajtën Sakip… Dy javë më pas, Sakipi qe shëruar thuajse plotësisht…

Sakipi vinte në kamp çdo mëngjes, ulej mbi çatitë e fjetoreve dhe kur vargani i të burgosurve nisej për në kripore, Sakipi i shoqëronte nga lart duke fluturuar. Kur shkonte koha për të lënë punën, Sakipi më i saktë se çdo orë, çohej në fluturim dhe të gjithë kuptonin që ishte koha për t’u kthyer në fjetore. Kur polici i turnit njëherë bërtiti: -Vazhdoni, do edhe dy minuta të bjerë çanga për të lënë punën!-dikush nga të burgosurit i tha: -Jepi ujë asaj orës tënde. U ngrit Sakipi, vajti ora për të ikur.

Miqësia e të burgosurve me Sakipin, vazhdoi deri në ditën kur kampi nr.309, u transferua në Mallakastër, në Ballsh, në kodrën përballë Azotikut.

Por Sakipi ka pasur edhe një paraardhës, mik të burgosurish politikë, Saitin. Për të ka shkruar Reshat Kripa. Ishte vjeshta e vitit 1953, kur mbi kampin e Vlashukut, ku të dënuarit hapnin një kanal për bonifikimin e kënetës së Tërbufit, fluturoi një tufë lejlekësh. Një lejlek, i ri, i pafuqishëm sa duhet për të përballuar fluturimin, u rrëzua. Atë e mori dhe e mjekoi, doktor Isuf Hysenbegasi, i cili më pas e ushqente me racionin e tij dhe i vuri emrin Sait. Kur të burgosurit iknin për në punë, lejleku Sait shkonte në fluturim me ta. Qëndronte gjithë kohën aty dhe kthehej bashkë me të burgosurit në fund të ditës. Në shkurtin e vitit 1954, i transferuan në kampin e Shtyllasit, një fshat afër Levanit të Fierit. U nisën makinat dhe mbi to fluturonte edhe Saiti. Kur makinat me të dënuarit politikë hynë në kampin e porsangritur të Shtyllasit, lejleku Sait kishte mbërritur atje pak minuta më parë dhe bënte rrotullime mbi sheshin e kapanonet. Të burgosurit po uleshin nga karroceritë kur u dëgjua një krismë pushke, pastaj edhe një tjetër. Doktor Isufi klithi i pari. Lejleku Sait, po binte drejt tokës. E kishte qëlluar njëri nga rojet e portës kryesore të kampit.

Shënim: Shkrimi, përveç tekstit në italik, është marrë nga libri "I mbijetuar (Gjallë pas mbytjes së anijes)" i Maksim Rakipajt, botim i "2 Lindje & 2 Perëndime". Fotoja është ilustruese, e qenit të njohur Hachiko, historia e të cilit është ekranizuar në film.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here