Lindi më 28 janar 1936, në Vlorë, në një familje tregtare. Më 1942 familja vendoset në Tiranë. Me vendosjen e pushtetit komunist, më 10 tetor 1946, dëbohen familjarisht nga Tirana në Vlorë, ku trajtohen si armiq të partisë dhe pushtetit. Në moshën 15-vjeçare, në vitin e parë gjimnaz, bashkë me dy shokë klase, formuan një organizatë antikomuniste që shpërndante trakte në qytet. Arrestohet më 24 maj 1951 dhe me Vendimin Nr. 111, datë 11.dhjetor 1951, të gjykatës ushtarake të Durrësit, dënohet me 5 vjet burg dhe punë të detyruar. Fillon kështu kalvari nëpër kampet e punës së detyruar si Ura Vajgurore, Vlashuku, Shtyllasi dhe Bulqiza. U lirua më 11 dhjetor 1955. Kreu shërbimin ushtarak në repart pune ku mësoi mjeshtërinë e muratorit që e ushtroi gjatë gjithë kohës së diktaturës. Përfundoi gjimnazin e mbrëmjes me rezultate të shkëlqyera por iu refuzua e drejta e studimit për më lart. Pas ndryshimeve demokratike u aktivizua me Partinë Demokratike dhe Shoqatën e të Përndjekurve Politikë. Në vitet 1992-1996 ka qenë anëtar i Kryesisë së PD për Vlorën, ndërsa në periudhën 2001-2002, Drejtor i Departamentit të të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë. Në shoqatë, në vitet 1991-1993 ka qenë Sekretar i Degës së Vlorës. Në vitet 1993-1995 dhe 1997-2000 Nënkryetar i Shoqatës Kombëtare. Më vonë Kryetar i Degës së Tiranës. Më datën 21.12.2013 është dekoruar nga Presidenti i Republikës me titullin “Naim Frashëri”. Qysh kur ishte i ri kishte dëshirë të shkruante, por dyert e botimit për të ishin të mbyllura. Pas ndryshimeve demokratike iu hap drita jeshile e botimeve. Ka botuar mbi 250 artikuj në organet e ndryshme të shtypit. Ka mbajtur mbi 50 kumtesa nëpër konferencat e ndryshme shkencore dhe përkujtimore. Ka botuar romanet “Shkallët e Ferrit”, “Sekreti i Varrit te Vetmuar”, “Ëndrrat e Thyera”, “Në Kërkim të Lirisë”, përmbledhjen e tregimeve “Një Tregim për Mikun Tim”, një libër me kujtime “Rini e Copëtuar” dhe një përmbledhje me poezi “Dhimbje".

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.