Gjergj Kokoshi, një jetë me kuptim

0
122
blank

Personaliteti dhe veprimtaria e Gjergj Kokoshit, ministrit të Arsimit që dha dorëheqjen pas 80 ditësh, sepse nuk mund të pajtohej me qeverinë që po shkelte lirinë e njerëzve. Intelektualit që nuk u tërhoq nga rruga e tij derisa përfundoi në burg, ku ndërroi jetë në moshën 57-vjeçare. Me shumë gjasë, i padorëzuar.

 

 

Ka gjithmonë një mënyrë për ta justifikuar të keqen. Gjendet gjithmonë një aryse për të heshtur para saj. Edhe më shumë se një, për ata që janë në pushtet. Por ka edhe njerëz që nuk bëjnë kurrë kompromis. Që ndjekin rrugën e drejtë, pavarësisht pasojave personale. Gjergj Kokoshi ishte një prej tyre. “Çfarë fitoi?”- do pyeste zëri disfatist. I shkolluar në Itali e Francë dhe me një karrierë premtuese në Shqipëri, ai u arrestua sapo kishte mbushur 42 vjeç dhe nuk doli më nga burgu, pasi u shua në moshën 57-vjeçare, kur i duheshin edhe 15 vite të tjerë për të përfunduar dënimin e dhënë nga Gjykata e Lartë Ushtarake. “Çfarë fitoi?”… Sot, në ditëlindjen e tij të 120-të, figura e tij kujtohet me nderim. Dhe nëse humbi shumë, kjo është prej krimeve të një regjimi që nuk mori kurrë përgjegjësi për to.

Një intelektual premtues

Gjergji u lind më 23 janar të vitit 1904 në Shkodër nga Jaçim dhe Viktore Kokoshi. Studimet e larta i kreu për Filozofi në Itali dhe Francë dhe më 1931 u doktorua për Letërsi në Paris. Kthehet në Shqipëri ku dy vitet e para punon si profesor në gjimnazin shtetëror të Shkodrës dhe më pas, caktohet drejtor i shkollave të mesme në Ministrinë e Arsimit deri më 1935. Njihej si antizogist e më pas si antifashist. Sipas studiuesve, kjo është arsyeja që më 1940, nën pretekstin e gjendjes shëndetësore, refuzoi të merrte pjesë në konferencën e parë të studimeve shqiptare, që shënoi themelimin e Institutit Mbretënuer të Studimeve.

Sipas një studimi nga historiania Dr. Enriketa Pandelejmoni, të mbështetur në burime arkivore, në kuadër të projektit mbi Sigurimin dhe shkencën, të AIDSSH me Ambasadën Zvicerane, “në thelb antifashist, Gjergj Kokoshi gjatë Luftës së Dytë Botërore dëshmoi afiliacion me lëvizjen nacionalçlirimtare të drejtuar nga PKSH”. Në vitin 1943, ai u bë pjesë e Frontit Nacionalçlirimtar dhe jo vetëm u mor me propagandimin e ideve antifashiste në rininë e shkollave, por u bë pjesë e rezistencës së armatosur kundër pushtuesve, në zonën e Dibrës, angazhim i cili më pas, i dha gradën kolonel. Në Kongresin e Përmetit, në maj 1944, u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar, struktura legjislative e qeverisjes së shtetit shqiptar në atë kohë dhe sipas studiueses Pandelejmoni, ai, këtu, duhet të jetë propozuar si i ngarkuar me punë për arsimin. Ndërkohë Enver Hoxha, që të ndërmend atë që thuhet për saktësinë e orës së prishur, e kish prezantuar si “njeri që nuk ka bërë kompromise dhe kompetent me eksperiencë në fushën e arsimit”.

Nga ministër në opozitar

Nga studimi i veprimtarisë së tij në këtë kohë, del se organizoi Kongresin e Arsimtarëve Antifashistë dhe përpiloi platformën për arsimin. Ai ishte për një zhvillim cilësor të arsimit, çfarë solli përplasje me pikëpamjen e Sejfulla Malëshovës për masivizimin, përplasje që do të shtriheshin edhe mbi kompetencat e Ministrisë së Kulturës Popullore dhe peshën e vogël që i ishte lënë arsimit në buxhetin e vitit 1945. Filloi kështu distancimi i tij brenda lëvizjes nacionalçlirimtare, ku pushtetin e morën ekstremistët e majtë, ndaj të cilëve ai kish pasur pakënaqësi që gjatë luftës. Duke u bindur se nuk mund t’i zbatonte pikëpamjet e tij në atë mjedis, më 13 janar 1945, pas vetëm 80 ditësh në detyrë, Gjergj Kokoshi dha dorëheqjen nga posti i ministrit të Arsimit duke u zëvendësuar nga Kostaq Cipo e më pas nga Sejfulla Malëshova.

Zgjati vetëm një vit jeta e tij e lirë si kundërshtar i njerëzve që rrokën pushtetin. Ai mbeti edhe për ca kohë pjesë e Këshillit Nacionalçlirimtar në mbledhjet e të cilit dilte vazhdimisht kundër qëndrimit të imponuar nga lart. Në fillim, kishte kundërshtuar miratimin e ligjit elektoral që nuk lejonte krijimin e grupeve të vogla politike duke e quajtur të papërshtatshëm me parimet demokratike. Më pas, kishte kundërshtuar sekuestrimet e pasurive ndaj familjeve të të ashtuquajturve armiq, tatimin e jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës që po rrënonte tregtarët etj.etj..

Ai po e shihte veten kundër rrymës së Frontit Demokratik, siç quhej që nga gushti Këshilli Nacionalçlirimtar dhe nisi të takohej me intelektualë opozitarë brenda dhe jashtë Frontit.

Ndërsa zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 po afroheshin, Gjergj Kokoshi u largua nga Fronti. Ai kish propozuar, që në krye të herës, themelimin e një opozite dhe daljen si parti më vete në këto zgjedhje, por nuk kishte gjetur përkrahje, për shkak të rrethanave aspak të favorshme, të cilave iu desh t’i nënshtrohej. Siç tregon një intervistë sekrete dhënë misionit britanik në Tiranë më 16 nëntor 1945, publikuar nga Erald Kapri në gazetën Panorama në vitin 2014, pyetjes se a kishin ndërmend të formonin një parti politike, Kokoshi i përgjigjet se “Nuk ka kohë të mjaftueshme për t’u organizuar”, ndërsa për sa i përket dallimit me Frontin, shprehej: “Ne jemi antisllavë dhe po shohim se si qeveria po na dërgon drejt Federatës Jugosllave”.

Po ato ditë, intelektualët opozitarë, Partia Socialdemokrate e Musine Kokalarit, grupi i rezistencës së Sami Qeribashit dhe ai monarkist i Qenan Dibrës, formuan grupimin “Bashkimi Demokrat” dhe bihet dakord që kryesia e opozitës t’i lihej Gjergj Kokoshit. Ata hartuan një program dhe një lutje, të cilat, përsëri Gjergj Kokoshi propozoi që t’ia dorëzonin qeverisë, siç duhej të ndodhte në një kohë normale. Vështirë të përcaktosh qartë në qëndrimet e tij raportin e një mungese ndërgjegjësimi për njerëzit e pushtetit, me guximin e njeriut që është i bindur se po vepron drejt. Sido që të ketë qenë, pas dy muajsh, nuk do të mbetej asgjë nga e para.

Anëtarët e “Bashkimit Demokrat” hartuan një notë ku kërkonin shtyrjen e zgjedhjeve dhe një memorandum ku shprehnin qartë se Fronti nuk lejonte formimin e një partie tjetër, se zgjedhjet që do të zhvilloheshin nuk mund të ishin të lira dhe se liritë ishin shkelur me këmbë, të cilat ua dorëzuan dy ushtarakëve anglezë, Palmer dhe Arnott, për t’ia përcjellë gjeneralit Hodgson me shpresë te ndërhyrja vendimtare e misioneve ndërkombëtare, por nuk arritën asgjë, veç zhgënjimit. Misionet nuk ndërhynë. Ndërkohë, e gjithë veprimtaria e tyre, ishte survejuar me kujdes nga Seksioni i Mbrojtjes Popullore, Sigurimi i ardhshëm, i cili kishte infiltruar katër bashkëpunëtorë brenda opozitës dhe pasi zgjedhjet e 2 dhjetorit, me vetëm një forcë në garë, përfunduan dhe komunistët legjitimuan pushtetin, filloi hakmarrja ndaj atyre që kishin guxuar t’u dilnin kundër.

Arrestimi dhe dënimi…i përjetshëm

Në janar 1946, filluan arrestimet e anëtarëve të Bashkimit Demokrat. Viti i vetëm i veprimtarisë së lirë të Kokoshit si kundërshtar i komunistëve ekstremë, mori fund. Në disa burime përmendet se ai u arrestua më 23 janar 1946. Ditën kur ka mbushur 42 vjeç. Gjyqi ndaj tyre që u zhvillua në kinema “Nacional” dhe u transmetua në radio, filloi më 17 qershor dhe zgjati 15 ditë. I akuzuan se ishin mbledhur për të rrëzuar me dhunë pushtetin popullor, për të shkaktuar një ndërhyrje të imperialiste të jashtëm, që të kishte vetëvrasje dhe të bënin atentate kundra udhëheqësve. Gjergj Kokoshi u akuzua se kishte bashkëpunuar me Suat Asllanin, Qenan Dibrën, Sami Qeribashin dhe elementë të tjerë të Ballit e Legalitetit, që kishte organizuar punën me grupe brenda e jashtë vendit kundër pushtetit popullor dhe se kish përdorur pushtetin e Frontit. Studiuesit kanë vënë në pah se në aktet gjyqësore mungon fjala e tij e mbrojtjes, por deri sot, ka mbijetuar deklarata e tij se qeveria komuniste nuk përfaqësonte vullnetin e popullit.

Studiuesi Kastriot Dervishi ka publikuar një pjesë të procesit të datës 21 qershor, ku të akuzuarit përballen me prokurorin Nevzat Haznedari:

Prokurori: Gjergji na foli për një opozitë legale konstruktive, po kjo na del destruktive tani.

Qenan Dibra: U bisedua çështja e Kosovës. Gjergj Kokoshi tha që programi nuk duhej të ndryshonte nga ai i Frontit. Ne i thamë që ta ndryshonim dhe se ishte e pamundur të paraqisnim një notë qeverisë drejtpërsëdrejti për shtyrjen e zgjedhjeve.

Prokurori: A do të shënohej në notë se opozitën do ta formonin kriminelët e luftës?

Gjergj Kokoshi: Samiu (Çeribashi) më tha se familjet e të arratisurve të internuar në Berat vuajnë. Unë s’kam thënë kurrë të ndihmohen të arratisurit, por të ndihmohen familjet e tyre.

Prokurori: Gjergj Kokoshi duhej t’u thoshte të ngordhin e jo të ndihmohen.

Gjergj Kokoshi: S’mund të them të ngordhnin.

Më 2 korrik 1946 u dhanë dënimet për 37 persona, 8 me pushkatim dhe të tjerët me 2 deri 30 vjet heqje lirie.

Nga fatlumët, Gjergj Kokoshi ishte ndër më fatkeqët. U dënua me 30 vjet burg dhe sekuestrim të pasurisë. Pas 6 muajsh në Tiranë, u dërgua në Burgun e Burrelit, ku mbaheshin armiqtë më të vendosur të Partisë, ku të dënuarit nuk punonin, por vuanin një regjim shumë më të izoluar.

Gjergj Kokoshi ishte 42 vjeç kur u gjend pas dyerve të hekurta dhe rrethimeve të larta të burgut. Nuk ishte i martuar dhe nuk kishte fëmijë. Ishte dënuar të qëndronte në burg 30 vjet. Veprimtaria e tij, pas viteve të studimeve në Perëndim dhe atyre mjaft aktive në vendin e tij, tashmë do të kufizohej në mënyrë dramatike në rutinën e kontrolluar të një vendi të izoluar. Mund të bëhen disa hamendësime për mënyrën si e përjetoi Gjergj Kokoshi këtë situatë, por të vërtetën, të paktën për një periudhë të caktuar, e tregon dëshmia e një bashkëvuajtësi. “Një herë Gjergj Kokoshi, ish-ministër i Arsimit… më tha: “Mos u mërzit miku im! Të armatosur apo udhëtarë të thjeshtë, le të na rrëmbejë vdekja, por le të qëndrojmë deri në fund me kurajë e shpresë”. Dhe aty për aty më citoi vargjet e Alfred de Vigny nga kryevepra e tij “Vdekja e ujkut” ku thotë “Të rënkosh, të qahesh, të lutesh është një lloj poshtërsie. Bëje energjikisht detyrën tënde të rëndë e të gjatë. Në atë rrugë deshi fati e të thirri, pastaj më së fundi vuaj dhe vdis pa zë, në heshtje”. Ishte një karakter i veçantë e shumë interesant, Gjergj Kokoshi. Kam qëndruar me të 18 muaj i izoluar në qelinë numër tre”, ka thënë Petrit Velaj, në një intervistë për Afrim Imaj, vite më parë.

Qëndrimi i Kokoshit të kujton të burgosurit-heronj për të cilët flet neuropsikiatri Viktor Frankl, i mbijetuar i Auschwitz-it dhe Dachau-t, në librin “Në kërkim të kuptimit”. Ai shkruan se mënyra si një njeri pranon vuajtjet dhe përballet me sprovat, “i jep mundësi të mjaftueshme-edhe në rrethanat më të vështira-për t’i shtuar një kuptim më të thellë jetës”. Frankl dëshmon sesi disa të burgosur në kampe ruajtën lirinë e tyre të brendshme duke zgjedhur t’i përballonin vuajtjet me dinjitet dhe duke përmbushur, kësisoj, vlera të larta morale, që i ngritën këta të burgosur mbi rrethanat.

Në librin e AIDSSH “Kur sigurimi merrej me shkencë”, pjesë nga i cili janë publikuar në media online, thuhet se Gjergj Kokoshi vuante nga tuberkulozi dhe kushtet e këqija të burgut duhet ta kenë përshpejtuar ikjen. Ndërkohë në një letër drejtuar Komitetit Qendror nga burgu i Burrelit, më 20 shkurt 1963, të publikuar në media nga studiuesi Kastriot Dervishi, ish-i dënuari Muharrem Xhakoni akuzon ndihmësmjekun Kamber si shkaktar të disa humbjesh jete në burg, përfshirë dhe atë të Gjergj Kokoshit. “Ju zu uji i vogël (urina). Kërkesave verbale dhe me shkrim që ta dërgonin në Tiranë, Kamberi iu përgjigj negativisht. Me ndërhyrjen nga lart, u rregullua një automobil, por kur mbërriti në sallën e operacionit të spitalit kombëtar në Tiranë, sëmundja e kishte bërë punën e saj dhe i sëmuri nuk u përgjigj më. Pra zotërinj, një operacion i vogël kirurgjikal i hapte kanalin e urinës së bllokuar, i shkarkonte ujin e mbledhur, siç ndodh çdo ditë në spitalet tona shtetërore dhe i sëmuri Gjergj Kokoshi do ishte gjallë. Ai vdiq pse uji i mbledhur në bark dhe vonesa e operacionit kaloi 20 ditë.”-shkruante Xhakoni për Gjergj Kokoshin.

Gjergj Kokoshi ndërroi jetë më 20 gusht 1961. Nuk la pas fëmijë. Nëse do të kishte lënë dhe nëse do t’i ngjanin atij, do të kishin vuajtur për 50 vjet…pa e humbur dinjitetin.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here