Dëshmia/Syrja Herri: Sa stabilizohesha në një vend, më dëbonin

0
129

Pesë burra nga familja: babai, dy xhaxhallarë dhe dy kushërinj, u vranë nga komunistët në vitin 1944 sepse ishin nacionalistë. Përndjekja do të vazhdonte edhe me fëmijët e tyre. Syrja Herri ka përjetuar legjendën e Rozafës të përsëritej në jetën e tij, kur sapo ndërtonte një shtëpi në një vend, me një mijë e një mundime, e dëbonin dhe e çonin në një kasolle, ku duhet të niste përpjekjet nga e para. Një varg mundimesh për të dhe të vëllezërit që do të merrte fund vetëm me shembjen e regjimit komunist

Dëshmia e plotë nga arkiva e familjes Doko

Unë jam datëlindja e ’28-ës, 1928, më 1 janar të 1928-ës. Rrjedh nga një familje fshatare, e pasur, e cila si familje dhe fis, kanë qenë nacionalistë të vërtetë, por ndryshimet që erdhën pastaj më vonë, që u formuan grupet komuniste, partitë e tjera, të Legalitetit, të Ballit Kombëtar. Familja ime ka mbajtur anën e legalitetit. Dhe si e tillë vjen viti 1944 kur ne na ndodhi gjëma. U vranë 3 vëllezër, babai me dy vëllezërit e vet edhe dy kushërinj. U vranë nga komunistët për një çast, sepse ishin nacionalistë. Që nga ajo kohë, familja jonë ka parë vetëm të zeza, vetëm të zeza. U konfiskua e gjithë pasuria. U dogjën me shtëpi, me të gjitha, u shkatëruan, u dogjën. Për një kohë, që nga korriku i ’44-ës, për dy muaj, kemi ikur nga fshati, nuk rezistonim dot. Ikëm në një fshat tjetër mos gjenim të paktën ngushëllim, të shprehnim… nuk dinim ç’të bënim. Por edhe atje nuk iu shmangëm dot. Erdhi një ditë: forcat e Ballit, Legalitetit u shpartalluan. Krerët që ishin të gjithë, kush mundi të ikte, të arratisej, kush nuk mundi mbeti këtu, u burgos edhe me rrallë… Kështu që kjo punë u mbyll deri këtu. Tani fillon kalvari ynë, kalvari i vuajtje të mëdha.

Ju personalisht me se merreshit në këtë periudhë?

Unë si person, nga nëntori që gjoja u çlirua Shqipëria, kam ndenjur vetëm një muaj në vendin tim. Unë isha në moshë të vogël në fakt, 15-16 vjeç isha, por isha pak... aktivizohesha me këto forcat, aktivizohesha. Si i tillë, mua m’u vunë mbrapa edhe më kanë arrestuar dy herë. Brenda dy muajve më arrestuan dy herë. Më kanë rrahur sipas qejfit të tyre, tortura nga më të ndryshme. Nuk na mbajtën në burg shumë, vetëm dy muaj, por vetëm unë e di çfarë hoqa!

Në janar të ’45-ës unë kam ikur nga fshati se e pashë situatën që ishte tepër e vështirë. Kam ikur në Tiranë. Kisha motrën atje e u strehova atje, gjeta edhe një farë pune edhe po e shtyja aty. Deri në ’50-ën. Në ’47-ën më morën ushtar. Deri në’50-ën bëra ushtrinë. Pastaj m’u desh të merrja një masë për vëllazërinë tjetër se ishin ushtarë e po hanin dynjanë atje. U them vëllezërve: “Hajdeni dhe ju në Tiranë t’ju rregullojmë andej, bëjmë si bëjmë” se në fshat nuk ishte e mundur, na luftonin tmerrsisht. Erdhën tre vëllezërit. Njërin e lamë në fshat, kishte shumë fëmijë e nuk lëvizte dot. Iu nënshtrua fatit ai, ne në Tiranë. Erdhën ata, por ishim në gjendje të mjerueshme për shtëpi.

Në ç’fshat keni lindur?

Në Baban të Devollit.

Qëndruat gjatë në Tiranë?

Vazhduam aty 2-3 vjet deri në qeshor të ’53-shit.

Çfarë ndodhi më pas?

Më vjen mandati pastaj nga Dega e Brendshme që “duhet të largohesh nga qyteti i Tiranës, je i pa dëshirueshëm”. Më dhanë 3 ditë afat. Mbas 3 ditësh më thanë: “Mos të të gjejmë më këtu. Merr masa, ik ku të duash me përjashtim... disa qytete: Durrës, Vlorë që të mos vesh, pastaj shko ku të duash.”  Na u desh të mendonim se ku do të shkojmë  po ku do të shkonim? Në fshat ishte e pamundur, e pamundur. Në qytet tjetër njeri nuk kishim fare ku do të bazoheshim. Megjithatë një gjë do ta bënim: nga Tirana duhet të iknim detyrimisht. Mendova me gruan, kishte një teze në Elbasan, edhe thamë: “Do të shkojmë një herë atje në Elbasan pastaj të shohim se si do të shkojë puna.” Mirëpo shtëpi hiç.

Ku jetuat në Elbasan?

Kemi ndenjur një vit, për një vit nën shkallë, në një verandë ashtu. Nën shkallë kemi ndenjur atje me gruan edhe nënën. Iu nënshtruam këtij fati tani, pa shtëpi e pa gjë. Mirëpo ekonomia ishte e dobët shumë, shumë e dobët. Me sakrifica të mëdha, puno aty, puno aty për të sigururar bukën e gojës se më tepër s’kishim ç’të bënim.

Sa kohë jetuat në këto kushte?

Ndenjëm atje deri në vitin 1960, me këto banesa të këtilla me këto. Atëherë m’u dha rasti, më ndihmuan edhe disa... shoqëria, ndërmarrja atje. Bëra një lutje dhe më dhanë një copë truall për të bërë shtëpi. Ju futa shtëpisë: ’60-’62, mbarova. Po nuk ndejta më shumë se 6 vjet atje në shtëpi. Kur më vjen lajmërimi nga komiteti i qytetit: “Të paraqitesh!”. Vajta u paraqita. Më thonë që: “Ti duhesh të largohesh nga qyteti, je i pa dëshirueshëm edhe këtu, edhe do të shkosh në Kosovën e Madhe të Belshit”. Më dukej si e pabesueshme! Sapo ndërtova shtëpinë, fillova pak nga jeta, fillova të stabilizohem... Megjithatë ai ishte urdhër partie, në atë kohë urdhri i partisë do të zbatohej.

Në çfarë kushtesh jetuat në Kosovë të Belshit?

Në Kosovën e Madhe të Belshit... po çfarë të tregosh atje më përpara! Atje nuk vajtëm në shtëpi se shtëpi nuk kishte, ajo ishte një kasolle me kashtë që kishin banuar barinjtë më përpara. Kur vajtëm ne atje, e nxorën bagëtinë ata dhe na thanë: “Tani këtu do të banoni”. Ku të banoje? Merre me mend ti se çfarë ishte kjo. Ndenjëm një vit aty me atë, kur u çel një fond pastaj, që u bënë disa banesa të tjera pastaj.  Edhe ne si të gjithë iu përshtatëm asaj. Me punë u stabilizuam, punonim punëtorë aty në fushë edhe kaq.

Sa kohë qëndruat?

Kemi ndejtur atje 23 vjet në Kosovën e Belshit. Do të vinte dhjetori i ’90-ës që filloi lëvizja demokratike dhe ne kemi ikur prej andej. Erdhëm këtu në Elbasan gjetëm një shtëpi. Më përpara dua të them këtë që kur ikëm nga Elbasani shtëpinë na e zaptoi një... Ishte një personalitet i lartë i shtetit në atë kohë këtu në Elbasan. Vajti e na e mori shtëpinë pa pyetur, pa llogari, pa shitje, pa dokumente, pa gjë e mori shtëpinë edhe kaq iku.  Më dha disa lekë aq sa i deshi qejfi atij.

Të njëjtin fat me ju, ka pasur edhe vëllai, Kadriu.

Edhe im vëlla, që të dy shkuam në Kosovën e Madhe të Belshit. Edhe atje morëm nga një kasolle. Kjo ishte./kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here