Vrasja pa gjyq e veterinerit të diplomuar në Firence, Isuf Allamani

1
1875
blank

Historia e vrasjes së Isuf Allamanit më 1944 dhe përndjekja e një fisi të tërë që përjetoi pushkatime, djegie kullash, plaçkitje dhe rreth 60 vite burg, në dy breza

Isuf Allamani u lind në vitin 1907 në fshatin Kurdari të Matit. Fisi i tij i Allamanëve ishte ndër më të njohurit e krahinës. Familja zotëronte toka dhe bagëti të shumta dhe Isufi, i cili spikati për dashurinë për dijen, shkoi të studionte në Firence, ku u diplomua për veterinari.  Me t’u kthyer në atdhe iu kushtua fushës së tij të studimeve. U bë një nga drejtuesit e fermës Xhafzotaj, një nga ekonomitë më moderne të kohës dhe gjatë kohës së pushtimit gjerman, u emërua drejtor i saj.

Ndërkohë shkruante artikuj të ndryshëm në revistat tematike të kohës. Në numrin e nëntorit të vitit 1940 të revistës “Ekonomia Kombëtare”, ai shpreh pikëpamjen se mjeshtëria e bujkut dhe blegtorit është më e vështira, por njëkohësisht edhe më e ndershmja dhe më e dobishmja për njerëzit, atdheun dhe kombin si në kohë paqeje dhe lufte.  Xhevahir Gradica që i ka kushtuar një shkrim përndjekjes së fisit Allamani, të botuar vite më parë në gazetën Metropol, shkruan se Isuf Allamani la edhe mjaft dorëshkrime të vlefshme në fushën e zooveterinarisë.

Isufi ishte njohur në Itali me Lonelën, vajzën që u bë bashkëshortja e tij dhe me të cilën patën një djalë, Allamanin. Ai do të mbetej fëmija i vetëm i çiftit, pasi në vitin 1944, në moshën 37-vjeçare Isuf Allamani u pushkatua pa gjyq nga forcat komuniste dhe një vit më pas, Lonela me të birin u larguan për në Itali.

Rrethanat e sakta të vrasjes së Isuf Allamanit nga komunistët nuk janë unifikuar në një variant të vetëm, por është e sigurt se ai u vra në nëntor 1944, në periferi të Tiranës, bashkë me burra të fisit patriot dhe antikomunist Deliallisi, me të cilët, si shkruan Gradica, ishte miqësuar gjatë viteve të punës në Xhafzotaj.

Pushkatimi pa gjyq i Isuf Allamanit dhe Deliallisëve

Sipas Xhevahir Gradicës, mbrëmjen e pushkatimit, “në shtëpinë e Isuf Allamanit në Xhafzotaj shkojnë për darkë miqtë e fisit të tij, Jakup e Kapllan Deliallisi. Disa orë pasi burrat kishin nisur bisedën, shtëpia e Allamanit rrethohet nga forcat e ndjekjes së sigurimit të shtetit dhe rrëmbejnë forcërisht dy burrat e Delillisëve. Por Isuf Allmani nuk mundi ta përballonte tundimin e marrjes me forcë të miqve të shtëpisë nga konaku. Kështu ai vendos të shkojë me Deliallisët të futur në mes të disa personave të armatosur. Sali Verdha, njëri nga anëtarët e skuadrës së pushkatimit, u ka treguar Allamanëve pas rënies së komunizmit se Isuf Allmani dhe Jakup e Kapllan Deliallisi janë vrarë tek Ura e Beshirit dhe janë futur në një gropë të tre për t’u rivarrosur 48 vite më vonë, në vitin 1992. 37-vjeçari i shkolluar në Itali u ka dalë përpara pushkatarëve për të mbrojtur miqtë që ia rrëmbyen në shtëpi dhe është qëlluar i pari nga skuadra e pushkatimit”.

Uran Butka i përshkruan kështu rrethanat e vrasjes: “Më 3 nëntor 1944 forcat komuniste pushkatuan pa gjyq në Sharrë të Tiranës tre Deliallisët e shquar të Shijakut: Kapllan Deliallisi, deputet i Shijakut në Parlamentin shqiptar dhe i vëllai, Jakup Deliallisi, ish-kryetar i komunës së Shënavlashit dhe të Luzit. Bashkë me ta u pushkatua edhe Shefqet Deliallisi, i biri i atdhetarit të njohur Ymer Deliallisit - sekretar personal i Ismail Qemalit, një oficer i ri, i diplomuar në Akademinë Ushtarake në Romë, por që e priti me indinjatë pushtimin fashist dhe u vetëlargua nga detyra, sepse ishte kundër pushtuesve, ashtu siç kanë qenë brez pas brezi deliallisët e Shijakut. Bashkë me këta martirë, u pushkatua edhe Isuf Allamani, nga familja në zë e Allamanëve të Matit”.

Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” sjell edhe disa versione të tjera. Një prej tyre është që Isufit i ishte kërkuar nga komunistët që të sillte për një takim në Pezë miqtë e tij, Delialllisët. “Është fakt që ai i kishte miq ata, ashtu siç është një fakt tjetër se drejtori i fermës gjatë kohës së italianëve ka qenë Medar Shtylla. Ai do të bëhej një nga drejtuesit e lartë komunsitë dhe nuk është habi që duke qenë se e njihte shumë mirë Isufin, t’ia këtë kërkuar atij atë “nder”. Pasi shkojnë në Pezë atij i thonë se Deliallisët do të pushkatohen. – Kjo punë nuk ka si bëhet – thotë Isufi – pa më pushkatuar edhe mua. Nuk i pres në besë miqtë. Por komunistët se njihnin besën. Bashkë me miqtë e tij të parin pushkatojnë vetë Isufin”, shkruan në këtë blog Avni Dani. Ndërkohë që një variant i fundit është se të pushkatuarit e asaj nate ishin arrestuar në vende të ndryshme dhe pastaj ishin çuar në Pezë dhe më pas në Sharrë, ku edhe i pushkatuan.

Vrasje, 60 vite burg dhe shkatërrim pasurie në fisin Allamani

Por sido që të jetë, Isuf Allamani nuk u vra thjesht prej rrethanave nga forcat komuniste. Fisi i tij ishte i njohur nga komunistët pasi i vëllai, Dylejman Allamani, gjatë luftës, kishte përkrahur forcat nacionaliste të Abaz Kupit dhe kishte mbajtur për disa ditë në kullën e tij misionin anglez. Ai u vra vetëm disa muaj më vonë, në pranverën e vitit 1945 dhe për fisin Allajmani nisi një përndjekje e gjatë që vazhdoi në dy breza, me djegie kullash, sekuestrim pasurish dhe burgimin e burrave.

“Allamanët të nisur nga shprehja matjane Matin e çlirojnë vet matjanët pa nevojën e të huajve nuk përkrahën as Haxhi Lleshin e as Shefqet Peçin, të cilët nuk mundën të shtronin vëllezërit e Kurdarit në Burrel. Dy herë u provokua djegia e kullave për t’u shkrumbuar vetëm në vitin 1945 pas një marshimi të një batalioni të tërë të kryesuar nga Mehmet Shehu, i cili vrau 18 burra të fshatit dhe dogji të gjitha kullat e Allamanëve në shenjë hakmarrjeje, duke lënë gratë, fëmijët dhe pleqtë e fisit në të ftohtë, në ngricë e në dëborë pa asnjë mbështetje. Dyl Allamani duke parë egërsinë e Mehmet Shehut vendosi të dorëzohet për të shpëtuar nga plumbi burrat e nipërit e fisit të tij. 50-vjeçari Dyl Allamani është ekzekutuar natën në Breg Lumë të Tiranës, por pa mundur të mbyllë hasmërinë me regjimin komunist. Miqësia e vëllazërimi me Myslim Pezën nuk e shpëton burrin e Allamanëve për të përfunduar në plumb edhe pse komandanti i çetës së Pezës mundi të bindte Enver Hoxhën për t’i falur jetën Dyl Allamanit. Mëritë e vjetra të Haxhi Lleshit me Allamanët ishin më të forta sesa lutjet e Myslim Pezës. “Nëse nuk do të pushkatosh Dyl Allamanin më vra mua”, mësohet t’i këtë thënë Haxhi Lleshi diktatorit Enver Hoxha, ndikimi i të cilit ka qenë vendimtar për fatin e jetës së 50-vjeçarit”, shkruan Gradica.

Në kohën që pushkatohet Dyli, përfundon në burg Selmani, vëllai tjetër duke vuajtur në qeli tortura që u pasuan nga vite burgu. Varg do të dënoheshin djali i Dylit, Petrit Allamani, nipërit e tij, Sherif dhe Asllan Allamani dhe kushëriri i tyre Man Allamani, dikur i plagosur në betejë kundër gjermanëve, të cilët u akuzuan për agjitacion e propagandë dhe tentativë arratisjeje. U dënua me 10 vite burg si nacionalist edhe Shefki Allamani, kushëri i afërt i Isuf dhe Dyl Allamanit.

Armiqësia e komunistëve me fisin Allamani që nuk iu bashkua atyre në luftën kundër pushtuesve, bëri që regjimi të linte në hije atdhetarin Sulejman Allamani, babain e Dyl, Isuf, Selman dhe Shahin Allamanit, i cili është vrarë në Shkodër teksa luftonte kundër dyndjeve serbe. Vetëm pas rënies së diktaturës, Sulejman Allmani u dekorua me titullin Dëshmor i Kombit.

Regjimi komunist, siç shkruan Gradica, e ndryshoi deri edhe emrin e malit Allamani, duke e quajtur mali i Kurdarisë deri në vitin 1992, kur iu kthye emërtimi i dikurshëm. Më pas, edhe figura e martirëve nisi të vlerësohej. Në dhjetor të vitit 2009, Presidenti i Republikës dekoroi me Urdhrin "Nderi i Kombit", 36 intelektualë të vrarë në periudhën 28 tetor-16 nëntor 1944, ku bën pjesë dhe Isuf Allamani.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

1 Koment

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here