Dr. Beniamin Çeta, mjeku i zemrave në burgjet e komunizmit

0
423
blank

Pasi kishte shërbyer për 20 vjet me përkushtim si kardiologu i parë në Durrës, duke u fituar zemrat të gjithë pacientëve, qytetarëve durrsakë dhe kolegëve, me profesionalizmin, humanizmin dhe sjelljen e tij miqësore, Dr. Beniamin Çeta arrestohet nga diktatura komuniste në vitin 1981 dhe në mars të 1982-shit, dënohet me 10 vjet burg për agjitacion e propagandë. Sipas një shkrimi të vëllezërve Domgjon e kreu dënimin “në Spaç, Qafë-Bar dhe Shënkoll” dhe u lirua para kohe në vitin 1986. Pasi doli nga burgu, e lanë 9 muaj pa punë dhe më pas e dërguan në fshatin Lekaj të Kavajës, ku punoi deri në vitin 1990. Punoi si mjek edhe pasi doli në pension, duke mbetur në kujtesën e të gjithëve si një kardiolog i zoti dhe njeri me zemër të mirë.

Në kujtimet e të dënuarve të Qafë-Barit të periudhës së gjysmës së parë të viteve ’80, është e pamundur të mos ketë zënë vend edhe figura e Dr. Benit, i cili, me personalitetin e tij të veccantë, arriti që në atë skëterrë të ngrohte zemrat e të dënuarve.

Maksim Rakipaj shkruan në librin e tij me kujtime “I mbijetuar” se në vitin 1982, kur shkoi nga Spaçi në Qafë-Bari gjeti aty edhe mjekët e kampit: Drago Vujosheviç, me origjinë malazeze dhe Beniamin Çetën, të cilin e veçon duke e quajtur njeriu-mjek. “Përherë i qeshur, i dashur Beni. Unë e njoh që jashtë burgut, sepse ka kuruar tim atë kur pati një goditje në zemër, në ’73-shin. M’u bë qejfi që më mbante mend. Këtu bën më ftohtë se në Spaç, port e kthina e mjekut ka sobë. Një sobë që i ngroh të burgosurit, si edhe zemra e madhe e Benit. Që u jep të gjithëve kafe, cigare dhe mirësi, dashuri. Komandës kjo nuk i pëlqen. E pashë një ditë Benin duke pastruar kanalet brenda kampit…-“punë vullnetare Beno?”

-Më kanë dënuar një javë të pastroj kanalet. Mos fut njeri te soba,-më tha komandanti…,-unë nuk i përzë, jam mjek, këtu është ftohtë si në Siberi, më hiqni po deshët. Dhe ja ku jam”.

Edhe poeti Hysen Haxhia, i dënuar politik, e ka përshkruar dr.Benin, me të njëjtat fjalë vlerësimi të lartë, që i gjen në përshkrimet e kolegëve, miqve dhe çdo qytetari durrsak që e ka njohur. “E kam njohur në vitin 1973 dr. Benin. Prindërit e mi ishin të sëmurë dhe Beni vinte në shtëpi për t’i vizituar. U miqësuam shumë pasi ishte i qetë dhe dëgjonte me shumë vëmendje ankesat e prindërve për sëmundjen. Ishte i papërtueshëm dhe shumë i saktë në përcaktimin e diagnozës. Ka shpëtuar sa e sa jetë. Durrësi e adhuronte pa masë doktorin. Në vitin 1976 unë u arrestova nën akuzën e agjitacionit dhe propagandës kundër regjimit dhe një vit më pas më dërguan në Spaç. Për të dytën herë, arrestohem në vitin 1981 dhe pasi dënohem me të njëjtën akuzë nga Ballshi në Qafë-Bari ndodh edhe dhuna që nuk do e harroj kurrë. Atje mësova që ishte arrestuar edhe Ben Çetta. U çudita dhe u mërzita shumë pasi qyteti kishte humbur një mjek të pazëvendësueshëm. Sa vëmë këmbën në tokën e kampit, lexohet një listë me 17 emra, mes tyre edhe unë. Na fusin një nga një në një dhomë ku shtatë policë na torturonin me bishta kazme e lopate, me kamxhik dhe rripa të trashë. Pasi më kishin toruruar për disa minuta dhe prisja të hyja për të dytën herë në dorën e xhelatëve, një polic më afrohet dhe pasi bindet se unë isha Hysen Haxhia më merr me vete duke më nxjerrë nga dhoma e torturave. Nga aty në ambulancën e kampit. Me të hyrë brenda shoh doktor Benin. Me t’u takuar shpërthyem të dy në lot. Më kishte parë në rresht dhe i qe lutur policit të më veçonte. Më shpëtoi nga torturat mbinjerëzore. Beni ishte kardiologu i parë në Durrës dhe i gjithë qyteti tek ai i kishte sytë. Nuk lodhej kurrë së shërbyeri. Durrësi rrallë ka pasur mjek të përmasave të tilla humane dhe specialist të zotë si doktor Ben Çettën”.

Më poshtë, po sjellim një biografi të Dr.Beniamin Çetës, ndarë nga jeta më 7 korrik 2009. Autori i saj, Xhevahir Gradica vë përballë vlerat e larta profesionale dhe njerëzore të Beniamin Çetës, me trajtimin e padrejtë që i bëri diktatura duke e dënuar me heqje lirie dhe më pas, me internim. E megjithatë, sipas gjithë dëshmitarëve, Dr. Beni nuk u mposht nga e keqja, as kur ajo e godiste padrejtësisht, përkundrazi zbatoi gjithë jetën porosinë biblike për t’iu përgjigjur së keqes me të mirë.

Sa më shumë ecin vitet, aq më të vlefshme bëhen figurat dhe emrat e disa personazheve të cilët i janë përkushtuar profesionit dhe shoqërisë gjatë gjithë jetës. I tillë është Beniamin Çetta, emri të cilit ngjall respekt dhe mirënjohje në të gjithë Durrësin. Kardiologu Çetta hyri në çdo shtëpi, diku si mjek dhe diku si personazh me vlera të rralla shoqërore e humanitare. Ai jetoi në periudhën e vështirë të depersonalizimit të vlerave. Provoi ndëshkimin, burgosjen, terrorin, presionin, burgun, dëbimin dhe sërish është ngritur në këmbë me po atë pushtet moral dhe shoqëror. Asnjëherë nuk ka dëshiruar të bëhet protagonist, gjithnjë ka shërbyer me urtësi dhe profsionalizëm. Në jetën e dr. Ben Çettës pati vite të vështira e dramatike për shkak të ndëshkimit të padenjë edhe pse ishte besimtar i devotshëm dhe intelektual i lirë në mendime. Edukata familjare la gjurmë të forta në formimin e karakterit dhe të personalitetit. Beni ishte djali i intelektualit Lazër Çetta, funksionar me pushtet të padiskutueshëm shoqëror dhe vëlla i Anton Çettës, kryetar i shoqatës kombëtare për pajtimin e gjaqeve në Kosovë e Mirditë. Ai pati fatin të ishte i pari kardiolog i arsimuar dhe i kualifikuar në Durrës dhe kjo i dha zë të madh, ndërsa humori dhe marrëdhëniet shumë të çiltra me kolegët e bënë emrin e tij të spikatur ndër bluzat e bardha. Beniamin Çetta veç kulturës arsimore mori edhe kulturë të veçantë fetare. Ndonëse predikimi fetar ishte i ndaluar dhe i dënuar në kohën e regjimit komunist, dr. Çetta do të merrte rregullisht leksione fetare si dhe do të frekuentonte festat si i krishterë i devotshëm. Qyteti antik i Durrësit në mesin e ndodhive dhe historive ruan edhe kujtimet interesante e të rralla për dr. Beniamin Çettën.

Jeta

Beniamin Çetta u lind në Tiranë në marsin e vitit 1937 (familja ishte me origjinë nga Mirdita). I ati, Lazër Çetta (i dekoruar nga presidenti francez me medaljen “Officier d’Académie” në vitin 1928 dhe për herë të dytë nga shteti francez në vitin 1934 me medaljen “Kalorës i Legjionit të Nderit (Chevalier de la Légion d’Honneur)”). pati mundësi të merrte kulturë dhe arsim perëndimor dhe u bë profesor i gjuhës frënge në një gjimnaz në Tiranë si dhe drejtor i drejtorisë së të drejtave të studimit në Ministrinë e Arsimit. Djali i madh i familjes, Antoni përfundoi Liceun e Korçës, ndërsa Beniamini do të studiojë për Mjekësi.

blank
Babai i Beniamin Cetes, me bashkeshorten dhe djalin, Anton

Në moshë shumë të vogël mbetet jetim, pa baba, i cili ndërroi jetë pas një sëmundje të rëndë prej së cilës nuk shpëtoi edhe pse u dërgua jashtë vendi për kurim. Në të tilla kushte Beniamini dhe e ëma transferohen nga Tirana në Durrës, tek shtëpia e dajës, familje e vjetër qytetëse, kurse Antoni me të motrën Manushe (vëlla e motër me nënë tjetër) shkuan për të jetuar tek xhaxhai. Pasi kryen studimet e detyruara dhe të mesme në Durrës, vijon shkollimin në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë.  Në moshën 23-vjeçare diplomohet dhe emërohet mjek në Rrogozhinë, qytet që përfshihej nën kujdesin mjekësor të Durrësit në atë periudhë. Atje do të veshë për të parën herë bluzën e bardhë të mjekut.  Vetëm një vit do të qëndrojë në Rrogozhinë pasi kryerja e kualifikimit për kardiolog vendos para mjekut të specializuar të tjera kërkesa. Dr. Çetta transferohet dhe sistemohet në Durrës ku do të shërbejë si kardiolog nga viti 1961 deri më 1981. Atij në këtë periudhë të gjatë dhe sidomos në vitet e para të punës do i duhet të përballojë volum shumë të madh pune. Deri asokohe pacientët dhe qytetarët kryenin vizita e analiza në Tiranë përsa i përket shqetësimeve në zemër, ndërsa me ardhjen e Ben Çettës gjërat marrin tjetër rrjedhë. Ai është i pari kardiolog i shkolluar dhe përkushtimi së bashku me seriozitetin në përcaktimin e diagnozës do të bëjnë që qytetarët të kthejnë sytë nga dr. Çetta. Lidhjet e tij me Durrësin do të jenë të pazgjidshhme gjithë jetën. Vizita në poliklinikë, ambulancë, spital dhe shtëpi më shtëpi. Ntën e ditën, pa më të voglin shpërblim. Derë më derë në të gjithë Durrësin në shërbim të qytetarëve. Për shkak të ndëshkimit politik do të qëndrojë larg profesionit disa vite për t’u rikthyer te bluzat e bardha në vitin 1986, por këtë herë larg qytetit në të cilin u arsimua dhe i shërbeu 20 vite plot përkushtim e profesionalizëm.

Ndalesa pas ndëshkimit të rëndë do të jetë në fshatin Lekaj të Kavajës, aty ku do të presë edhe ditët e para të ardhjes së demokracisë në Shqipëri. Kavaja qe një ndër vatrat e shpërthimit të revoltave në kërkim të demokracisë dhe dr. Çetta i ndiqte me vëmendje të madhe ato zhvillime të ditëve të para të pluripartitizmit. Me afrimin e moshës së pensionit, më 1990 kardiologu transferohet për t’u vendosur në poliklinikën e Durrësit, ku edhe do e mbyllë karrierën e mbushur me shumë histori, kujtime, emocione dhembje e plagë shpirtërore. Vitet e pensionit do të jenë jo më pak të ngarkuara me punë edhe pse tashmë çdo gjë do e programonte vet dhe do e zbatonte po vet. Për 15 vite të kësaj periudhe do të qëndrojë si dhe në vitet e karrierës pranë pacientëve dhe qytetarëve. Nuk do të heqë kurrë dorë nga profesioni kardiologut dhe do të nxisë mjekët e rinj të jenë sa më të përkushtuar. Këta të fundit pavarësisht kualifikimeve dhe konsultës me literaturën bashkëkohore, nuk hoqën dorë asnjëherë nga takimet me doktorin Çetta prej të cilit mësuan shumë e shumë gjëra teorike e praktike.

Kultura

Beniamin Çetta është emër me pushtet të veçantë intelektual, profesional dhe human në qytetin e Durrësit. Për shkak të kulturës fetare mësoi në moshë shumë të re gjuhën italishte dhe më pas i futet me zell frengjishtes. Bashkëmoshatarët kanë thënë se Çetta shquhej për vullnetin e madh që kishte ndaj leximit. Shfletonte kryesisht literaturë mjekësore në shqip dhe në gjuhë të huaj si dhe letërsi duke kaluar mbi libra orë të tëra pa pushim, ndërsa shtypi i ditës, sidomos pas viteve 1990 do të ishin detyrë e pashmangshme. Në fëmijëri dhe rini pëlqeu shumë Letërsinë e Historinë. Kishte dëshirë, siç e ka shprehur vet, të studionte në njërën prej tyre, por i bindet vullnetit të të ëmës e cila e orienton për të studiuar në Mjekësi.

Biblioteka e tij personale qe ndër më të pasurat në qytetin e Durrësit. Në të qenë sistemuar literaturë mjekësore, dokumente historike, tekste të historisë kombëtare, albume, fjalorë, libra në gjuhë të huaj, poezi, romane…Dr. Çetta shpenzonte shumë për të blerë libra. Pak kohë para se të ndërronte jetë bibliotekën e tij e la si dhuratë në bibliotekën publike të qytetit, një pasuri e veçantë dhe me peshë të konsideruar intelektuale.

Për shkak të kulturës dhe ndjesisë humane bëhet pjesë e ekipit të shoqatës humanitare italiane Caritas si dhe bashkëpunoi shumë me bluzat e bardha për komunitetin e personave me probleme të drogës. Diapazoni shkencor si dhe kultura e pasur e tij tërhoqën vëmendjen e shoqatës humanitare e cila e bëri pjesë të ekipit për të ndihmuar dhe për t’u kujdesur për shëndetin e njerëzve në nevojë. Për sakrificat e jashtëzakonshme në shërbim të pacientëve dhe qytetarëve dr. Beniamin Çertta është shpallur “Qytetar nderi” i Durrësit në vitin 2008, ndërsa një vit më pas ndërron jetë në moshën 72-vjeçare.

Persekutimi

Beniamin Çetta do të vendoset në Durrës në moshën 3-vjeçare, në kohën që Shqipëria ende nuk ishte çliruar. Humbja e të atit dhe ndarja me të vëllanë, Anton Çeta, do të lenë gjurmë të forta në formimin e tij. U rrit me peshën e mallit të ndarjes e cila fatkeqësisht u shoqëruar edhe me vitet e survejimit deri në ardhjen e vitit të prangosjes politike. Dr. Çeta u arrestua në vitin 1981 dhe dënohet me 10 vite burg për rrezikshëmri të theksuar shoqërore. Kishte shërbyr 20 vite si kardiolog duke shpëtuar nga vdekja dhjetra e qindra të sëmurë, ndërsa akti tij human shpërfillet nga regjimi komunist i cili pasi i vuri prangat në duar e degdisi në burgun e Bulqizës, Qafë-Barit dhe Zejmenit. I vëllai tij, Anton Çetta ishte nismëtar i pajtimit të gjaqeve në Kosovë dhe kjo nuk mund t’i shpëtonte lehtë UDB së ish Jugosllavisë e cila veç dhunës policore përpiqej të mbillte me çdo kush vëllavrasjen në Kosovë.

blank

Nga ana tjetër vet dr. Ben Çetta si katolik i devotshëm predikonte besimin fetar edhe pse një gjë e tillë ishte jo vetëm e ndaluar, por edhe shumë e ndëshkueshme. Shërbimet e fshehta sakrifikuan të dy vëllezërit duke i shtyrë drejt një jete plot mund e sakrifica të mëdha. Për herë të parë vëllezërit Anton dhe Beniamin Çetta takohen në janarin e vitit 1968. Anton Çetta kishte ardhur së bashku me Idriz Ajetin, Syrja Popovcin, Femi Aganin dhe Mark Krasniqin të merrnin pjesë në fesitmet e 500-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti, Skënderbeu. Në kohën që i vjen telegrami, ku shkruhej se i vëllai tij ishte tek hotel “Dajti” në Tiranë, Ben Çetta jepte mësim tek infermieria. Kardiologun e thërret kryetari i degës së brendshme i cili e njihte Anton Çettën ngase kishin qenë së bashku në Liceun e Korçës. Ky qe takimi i parë pas 20 vitesh mes vëllezërve të cilët digjeshin nga malli i ndarjes. Hera e dytë e takimit mes tyre do të ndodhë në vitin 1990 në kohën që dr. Ben Çetta merr vizë për të shkuar në Kosovë, vizë që e përfiton pas sorollatjeve të gjatë në derën e ambasadës ish-Jugosjalle në Tiranë. Ndryshimi i klimës politike në Shqipëri i dha mundësi vëllezërve të takohen më pas, por vetëm për pak kohë pasi në vitin 1994 Anton Çetta sëmuret rëndë në mushkëri duke mos i dhënë fare shpresa për jetë. Dr. Beniamin Çetta do e vuajë shumë ndarjen me të vëllanë dhe për të ngushëllimi i vetëm në atë periudhë do të ishte përkushtimi ndaj pacientëve dhe librat. Mjekët edhe sot kujtojnë thënien e dr. Çettës “Mjekësia do mend, zemër dhe këmbë”, sintezë e profesionalizimit dhe përkushtimit të tij gjatë gjithë jetës.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here