Liza Pali: Të jetosh 50 vjet si e poshtnueme, e mohueme!

0
1316
blank

Burgosja në moshën 18-vjeçare dhë një histori dhimbje. Më pyeti hetuesi: Pse qan?!... Nëpërmjet lotëve iu përgjigja: -Më kanë ndarë nga motra... Ishte një domosdoshmëri, se të dyja bashkë e përballonim vuajtjen më mirë, se motra e madhe ishte e fotë, trime, ndërsa unë vetëm qaja. Vitet e burgut kaluan dhe unë u rrita!

Liza Pali, është një tjetër bijë e familjes shkodrane Pali. Liza lindi në Shkodër në vitin 1928. Diktatura kishte menduar një qoshe në burg edhe për Lizën, pas arrestimit të motrës së madhe, Terezina Pali. “Më futën në burg në 01 tetor 1947, ndërsa motrën e madhe Terezinën e kishin burgosur në tetor 1946, kur ishte në gjimnazin e Tiranës dhe e akuzonin se kishte dijeni për Lëvizjen e Postribës.  Në shtëpinë tonë jetonte S.R. (komunist dhe funksionar i lartë i shtetit). Atëherë strehimin në Shkodër e drejtonin komunistët, vendosnin nëpër shtëpitë e qytetarëve funksionarët e kuq, ndërsa familjarët, pronarët e shtëpisë i detyronin të banonin në një dhomë në katet poshtë, më së shumti nëpër bodrume ose në shumë raste i nxirrnin përgjithmonë nga shtëpia.

Më futën në punë si karteliste (provizore) në NIL prodhime. Më pau S.R. Të nesërmen më larguan nga puna. Më dhanë një letër për t’ia dërguar F.K., që punonte në Sigurimin e Shtetit, ishte kriminel.

blank

Pse më dërguan tek ai? – I bën pyetjen vetes zonja Liza.

  • Mora një shoqe që më shoqëroi dhe ja dorëzova letrën, derisa ai më tha: Duhet ta marrësh letrën në komitet për të hyrë në punë. Motrën e ke në burg. A e din pse ka hyrë motra yte në burg?
  • Ajo s’ka ba gja, - iu përgjigja. Vazhdoi sigurimsi: - Po deshe me punue me ne, motrën do ta nxjerrim nga burgu. Se ju keni miqësi me vajzat e familjeve Pipa, Kapidani, etj. ...dhe na tregon se ç’flasin ato.

Kjo bisedë u bë më 01 shtator 1947, më 01 tetor 1947 më futën në burg. Gjatë bisedës, zonjës 78-vjeçare iu mbushën sytë me lot, u drejtua nga unë dhe më tha: - Ta kisha dit se ç’do të vuaja (hiqia) në burg, unë do ta kisha ba bashkëpunimin, sepse burgu komunist ishte shumë i zorshëm, sidomos për një vajzë që po i afrohej moshës 18-vjeçare.

Akuza për mua, vazhdon zonja Lizë, ishte: Keni luftue pushtetin popullor dhe i ke futun letra të burgosurve (si i futeshin letrat në atë burg, plot e plot me roje??!!) Ishin të gjitha shpifje.

Unë vetëm qaja, nuk isha e fortë si motra jeme Terezina. Më kanë ba të gjitha llojet e torturave. Natën e parë, deri në orën 1 pas mesnate, më kanë rrahun me shqelma dhe ato këpucët e tynë ushtarake të godisnin me aq forcë... Oh! – Nuk dij ta përshkruaj dhimbjen e pafund.

Të hanën në darkë erdh policia (kryesisht në hetuesi na merrnin në orët e vona të mbrëmjes) dhe më çoi tek Zoi Themeli, që ishte shef i Sigurimit. Në atë kohë më kishin lanë pa ndërresa dhe pa ujë dhe kur më futën në dhomën e hetuesit, isha e mbuluar me gjak (imagjinoni ç’mund të provojë vajza e re, kur është në këtë periudhë të muajit të menstruacioneve), që duhet një higjienë e mirëfilltë personale dhe përkujdesje për organizmin.

I urdhëroi hetuesi dhe rojet, më dërguan tek çezma, u lava me ujë të ftohtë. Mandej në hetuesi ai më tha: - Akuza yte është e rëndë, se të ka ardhur shifrari (kodi) dhe ia ke dërguar dajës tënd në mal (kjo ishte një akuzë absurde). – Ti do të dënohesh me vdekje, ndërsa motra yte 25 vjet. Unë (thotë Liza) iu përgjigja: - S’kam ba gja! (dhe qaja, vetëm qaja). Por ai i ra tavolinës me gjithë forcën dhe filloi të bërtiste. Fytyra e tij u bë si një përbindësh dhe thonte – se prej teje po shkojnë policët në burg, sepse i ke dhënë letra të koduara.

blank

  • Çfarë absurditeti! – thotë Liza. – Më zbritën në bodrum, më kanë lidhur me konop (litar) në shtyllë, një pëllëmbë pa takue këmbët në tokë dhe më lanë nga dita e mërkurë deri të hanën, pa ujë, m'u trash gjuha, u thava për një pikë ujë. Më lanë në tokën e bodrumit pas asnjë lloj mbulese, e trupi e ndjente lagështinë e tokës, të ftohtin e vjeshtës dhe dridhjet e zemrës e frika që më pushtonte në atë errësirë të përjetshme.

Mandej më kanë çue tek birucat, ishte koha kur po u bënte gjyqi i z. Fahri Rusi (atdhetar dhe anëtar i Ballit Kombëtar Shkodër) të cilin e pushkatuan. Ndigjoja sesi i torturonin burrat dhe britmat e tyre më trondisnin shpirtin, më çahej zemra nga dhimbjet që ata të shkretë po provonin.

Frika të hynte deri në palcë...

Më lidhën duart e më lanë në korridor. Ma ndigjoi zanin daja i jem, Pal Thani, që e kishin torturuar në mënyrën më çnjerëzore dhe i foli rojes: -Kam 14 (katërmbëdhjetë) ditë pa ujë, më sillni pak rrush sa të lag gojën, kërkojani mbesave të mia Terezinës dhe Lizës. I shkreti dajë, nëpërmjet atyne fjalëve na dërgoi mesazhin e tij që e dinte se mbesat i kishte në burg dhe nën torturë dhe më la me kuptue që në minutat e fundit të jetës së tij po mendonte për mbesat e dashura, të cilat po provonin edhe ato torturat.

Atë natë daja i jem, Pal Thani, kapiteni i Ushtrisë Shqiptare që ishte diplomuar në universitetin e Palmës-Itali, vdiq nën torturë dhe i etur për një pikë ujë... U tha për ujë...

Më çuan në birucën nr. 14, aty ku më kishte vdekur daja, ndërsa dajën tjetër Mark Thani, edhe ai akademist mbaruar në Padova të Italisë, e kishin pushkatue pa gjyq në vitin 1944, ndërsa dajën Ded Thani, që kish qenë N/Prefekt në Tuz, ia dorëzuan shtetit jugosllav, ata e dënuan 13 vjet burg, i vetmi që u kthye, mbasi mbaroi dënimin dhe punoi punëtor krahu, i cili vdiq nga kanceri.

Në trupin tem, thotë znj. Liza, kam provuar lloj-lloj torturash, si: lidhje duarsh e këmbësh, më kanë lënë pa ushqim. Më dënonin kur nuk iu përgjigjesha pyetjeve në hetuesi, më hiqnin rrobat, më linin pa mbulesa, pa ushqim, pa ujë, më kanë vue korrentin në veshë. Ky korrent më hidhte nga karrigia në anën tjetër të dhomës, s’kanë lënë torturë pa më ba. Këto lloj torturash ua kanë ba dhe vajzave e grave të tjera të burgosuna politike, pa le burrave.

Nga torturat, vazhdon tregimin zonja e nderuar, një i burgosur politik, Syrri Anamali, të cilit i banë shumë tortura, ai s’ka dijtë se çfarë ka thanë, pranoi gjana që s’i kishte ba, u doli dëshmitar të tjerëve, d.m.th. sigurimsat me tortura i shpërfytyronin njerëzit, i banin “spiuna” me anë të torturës. Për këtë nuk mund t’i akuzosh këta bashkëvuajtës, por duhet të akuzohet Sigurimi i shtetit që realizonte dëshmitarë të rremë (të gënjeshtërt), të pavërtetë.

Ajo që më ka ba të qaj më shumë dhe të vuaj shpirtërisht, është një ngjarje në burg, në lidhje me motrën teme, Terezinën.

blank

Më thirrën në hetuesi F.K. Dhe Zoi Themeli, më detyruan me i shkrue një letër Terezinës, që ishte te burgu i kishës, motra nuk e dinte që edhe unë isha e arrestuar. Do të shkruaja nën diktimin e tyre, ç’të thonin ata, isha e detyruar ta shkruaja.

Letra thoshte:

  • Ne kemi një oficer Sigurimi që rri në shtëpinë tonë me qera dhe më ka thënë me i çue letër Terezinës që ta pyesim se çfarë ka pranue e çfarë s’ka tregue? E shkrova letrën, që më detyruan, nën diktatin e tyre dhe shkrova emrin “Liza”.

Kam qarë gjithë natën në birucë, se si unë, motra, mund të bëja një gja të tillë, më dhimbte zemra, shpirti, truri, e gjithë qenia ime dëneste.

Por Terezina iu përgjigj letrës, ja dha rojës dhe në të shkruante: Nuk më intereson ai oficeri që keni aty. Unë s’kam ba gja, pres të lirohem. Jam në merak për ju, a keni dru për dimër dhe a jeni mirë me shndet? Terezina.

Ndërsa një ngjarje tjetër, po përsëri në lidhje me motrën – Terezinën. Na lejonin me kërkue libra, në veçanti romane, për të lexuar. Terezina kërkoi librin “Lufta dhe Paqja” të Tolstoit, në italisht, sepse atëherë nuk kishte variant në gjuhën shqipe. Librin e sollën familjarët, por ç’ndodhi?? Polici u egërsua, e quante libër armiqsh, tradhtarësh... dhe Terezinën e futën në birucë, por ma e keqja, tregon Liza tue iu dridhë zani dhe duart, mua më detyruan policët t’ia hidhja kovat me ujë në atë birucë, ku motra torturohej dhe uji i ftohtë i hidhej me kovë nga duart e mia, mbi motrën teme të dashur. Kjo ndodhi natën e festës së Pashkës, festës së rilindjes...

Këtë metodë policët e përdornin edhe me të tjerët, kur detyronin djemtë e rinj, t’ua hidhnin ujin në birucë më të moshuarve, siç ishte rasti i Pjetër Z. Saraçit, i izoluem nga policët dhe detyruan djemtë t’ia hidhnin kovat me ujë, ndërsa atë e kishin lanë vetëm në mbathje...

Erdhi në burg prokurori i përgjithshëm B.K., hapi katrorin e vogël të derës së birucës dhe më pyeti: -Si e ke emrin? –Liza Pali. –Pse ke hyrë në burg? Liza i përgjigjet: -Kam ba disa gabime. Ai me një zë të lartë, tha: - Ti ke bërë faje, se je me kriminelët numër një këtu.

Më mbajtën 5 (pesë) muaj nën torturë, deri në shkurt 1948, ndërsa motrën Terezinë 17 (shtatëmbëdhjetë) muaj (tetor 1946 – janar 1948). Në burgun e Gestapos më mbajtën tre javë, te burgu i Kishës derisa dola në gjyq.

Në shkurt 1948 na morën në gjyq të gjithë grupin.

Motivacioni: Agjitacion e propogandë për përmbysjen e pushtetit popullor. (Se çfarë Pushteti Popullor ishte ky do e vërtetonte koha) Më dënuan 3 (tre) vjet heqje lirie.

Lilo Zeneli (shef i Sigurimit), u tregua më i arsyeshëm se të tjerët në momentin kur motrën teme, Terezinën, do e largonin nga Shkodra, në drejtim të një burgu tjetër, se gjoja nuk bënte të ishin dy motra bashkë.

Më pyeti: -Pse qan? Nëpërmjet lotëve iu përgjigja: -Më kanë ndarë nga motra. Ai më bashkoi me motrën. Ishte një domosdoshmëri, se të dyja bashkë e përballonim vuajtjen më mirë, se motra e madhe ishte e fotë, trime, ndërsa unë vetëm qaja. Vitet e burgut kaluan dhe unë u rrita.

U bë amnistia e vitit 1949, përfitova dhe u lirova me 1 muaj, ndërsa dënimin e plotësoja në tetor, me një fjalë përfitova 5 (pesë) muaj. U ktheva në shtëpi, motra e madhe vazhdonte të ishte në burg, atë s’e kapi asnjë amnisti.

blank

Nuk gjeja punë, por mësova rrobaqepësi dhe punova me gruan e dajës, sa me fitue bukën e gojës. U martova më 1959 me Z. B. Dajçi, në 1964 linda djalin e më vonë edhe vajzën. Dhimbjen më të fortë, vazhdon zonja Liza, e provova në vitin 1990, kur djali jem u largua nga Shqipëria, nëpërmjet liqenit me not (me shokë). Gjithë atë periudhë kam qëndrue me zemër të dridhur, se e vrisnin rojet (sepse kishte raste vrasjesh në kufi).

Duke përfunduar bisedën e lodhshme me këtë grua të nderuar shkodrane, e pyeta: - Ç’dini më thanë tjetër për atë kohë? Përgjigjia ishte lakonike, por shumë kuptimplotë: - Të jetosh si e poshtënueme, e mohueme.

Dhe jeta e jonë, e gjithë shtresës së të përndjekurve politikë, e tillë ishte, vazhdonte të zbatohej me rreptësi lufta e tmerrshme e klasave, d.m.th. një pjesë e popullatës quhej e mirë, e mrekullueshme, se ishte me partinë-shtet, ndërsa ne që u cilësuam armiq ose fëmijë armiqsh ishim të këqij, të deklasuar, nuk ishim të barabartë me të tjerët.

Por në familjen Pali nuk do të mbaronin vuajtjet, se në tetor 1949 i arrestuan djalin e vetëm, Tonin Palin, që ishte arsimtar në Dukagjin. Iku nga Shqipëria djali i shtëpisë ku banonte mësuesi, kështu që e arrestuan se gjoja ishte në dijeni të ikjes dhe s’ka bërë denoncim.

E burgosën djalin e kësaj familjeje me 7 (shtatë) vjet heqje lirie, i bëri në burgun e Shkodrës. Prindërit e motrat provuan vuajtje të pafund, një familje plot dhimbje shpirtërore, e diskriminuar dhe që u rrënua ekonomikisht. Nuk përfitonin triskat e bukës, nuk kishin triskat e Frontit Demokratik, d.m.th. nuk kishin të drejtën e votës.

Shënim: Emrat e hetuesve dhe të torturuesve të zonjës Liza Pali – Dajçi, nuk i vendosa të plotë, por vetëm inicialet, për arsye se nuk duam që fëmijët e tyre ta ndjejnë veten të persekutuar dhe një pjesë e mirë e këtyre pasardhësve janë në poste drejtuese në qeveritë – postkomuniste.

blank

Shënim: Marrë nga libri i Fatbardha Saraçi Mulleti, “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit”. botuar nga ISKK

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here