Dëshmia/ Ylber Merdani: Si e sfiduan trimat e Spaçit, shtetin komunist

0
180

Pasi kishte parë babanë të hynte e të dilte nga burgu dhe kishte përjetuar dënimin e disa anëtarëve të familjes Merdani, edhe Ylberi u arrestua dhe u dënua me 8 vjet heqje lirie.

8 vjet të mundimshëm gjatë të cilave ai thotë se hëngri vetëm një kokërr vezë, edhe atë të dhuruar nga një shok i burgosur, sepse familja e tij e internuar, nuk kishte asnjë mundësi ta ndihmonte.

8 vjet gjatë të cilave u bë dëshmitar i shumë padrejtësive, mizorive, por edhe i një ngjarjeje të madhe siç ishte revolta e Spaçit, që e tregon me detaje.

Dëshmia e plotë për kujto.al, pjesë e arkivës së familjes Doko: 

Kam lindur në Korçë më 28 maj 1948, në ato vite të tymosura, kur zhvillohej lufta vëllavrasëse, kur po përgatitej pushtimi i Shqipërisë nga komunizmi. I përkas një familjeje autoktone qytetare korçare, familje vërtet fisnike. Dhe krenaria e brezit tonë, është që të gjithë, që nga gjyshërit tanë janë dënuar për politikë. Nuk ka mbetur njeri pa provuar burgun ose internimin, ose të dyja bashkë, deri edhe nënat tona: xhaxhaica ime ka qenë në burg. Babai im ka qenë në burg, po ashtu. Na konfiskuan pasurinë në '46-ën. Unë kam qenë i vogël atëherë, por e mbaj mend. Fillimisht na nxorën nga shtëpitë. Në vitet '49-'50 filluan marrëdhëniet me rusët dhe më ka mbetur i pashlyer nga mendja një çast, kur i kishim plaçkat të bllokuara, më vonë na i konfiskuan dhe vinin ca gra ruse me ato xhipsat i quanim ne atëherë edhe ndërmjet plaçkave ishin bllokuar jo vetëm paja e gjërat me vlerë, por edhe nja dy lodra të miat dhe një biçikletë e vogël që kishte ardhur nga Italia. Dhe kur pashë që ia dhanë një djali rus të moshës sime atë biçikletën time, nuk u përmbajta dhe u sula ia rrëmbeva. Pastaj dihet, më futën nja dy shpulla ata policët. Domethënë u rrita me persekucione. Pashë burgosjen e babait, pashë lirimin e tij...

Kur e burgosën babanë?

Babanë e burgosën në vitin 1950.

Me çfarë motivi?

E morën, e shtruan në dru, që t'i merrnin florinjtë. Në atë kohë, e kishin burgosur vëllanë e babait, babain e Sherifit, këngëtarit. E dënuan 15 vjet atë, për fshehje floriri e këto gjëra, mbasi na kishin konfiskuar pasurinë, e dyqanet e të gjitha. E kishin burgosur një herë Rexhep Merdanin, kreun e Merdanëve dhe menduan tani, edhe ky duhet të ketë diçka. Iu sulën edhe këtij. Nga tre veta që i morën atë ditë, qenë dhe këta të Kajnos, Ndreko Kajno, Xhufi Kajno. Babai doli gjysmësakat nga duart, Ndrekoja diçka më mirë, kurse Xhufi nga torturat i kishin djegur këmbët në mangall dhe mbeti, vdiq në hetuesi... Që nga '57-a deri në '67-ën pati një farë letargjie lufta e klasave, u zbut një çikë. Ne ishim mësues në Librazhd, motra, unë sepse kishin nevojë. Më pas, u plotësuan me kuadro dhe në '67-ën filluan kinezërirat.

Unë fillimisht u internova me gjithë familjen, pasi u pushova nga arsimi. U internova në 1 gusht 1967, në Pulahë të Oparit, në një kooperativë bujqësore malore. Aty e pashë për herë të parë, ballë për ballë, mjerimin. Aty shpërtheu poezia, frymëzimi u bashkua me talentin dhe unë krijova poezitë e mia më të ndjera.

Ju, me çfarë motivi ju internuan?

Motivi ishte politik, por "masë administrative" quhej. Në dokumentet që gjeta të Komitetit të Partisë, ku pushohej motra ime nga puna, thuhej që "pushohet nga puna sepse familja e saj internohet pasi kryen veprimtari armiqësore". Në ato fletë-rrufetë që bëheshin, babanë tim e demaskuan sepse ishte "ithtar i mbretit".

Kur na internuan unë isha 27 vjeç, në kulmin e fuqisë. Edhe të shohësh policët si i vërsulen nënës dhe babait sepse protestojnë...u detyrova u hodha që nga makina ku kisha hipur, por ata policët më kapën, më lidhën dhe më hipën prapë në makinë.

Pas dy vitesh më arrestojnë. Jam arrestuar për agjitacion dhe propagandë vetëm për poezitë e mia.

Si ishte momenti i arrestimit?

Më lidhën duart. Prapa lashë nënën. Mendova se mbaroi jeta ime dhe ëndrrat e mia. Ëndërroja të martohesha me vajzën që doja, Shpresën. Ajo ishte e internuar, mua po më burgosnin. Megjithatë, Zoti është i mrekullirave. Atë destinacion që ma dha Zoti i madh, nuk pati forcë në jetë që të ma heqë dhe të ma ndajë...

Unë kisha marrë atë çantën me bukë me vete. Më thirri që poshtë ai korrieri i fshatit: Kthehu, se do vesh në front tjetër pune. U ktheva. Makina priste...Më vonë mësova kush më kishte denoncuar. Ishin të internuar aty, e kishin pasur të atin e burgosur: Petrika Baco, Mihal Baco dhe i shoqi i tij, Liljana Baco. Më morën në hetuesi. Prokurore ishte Hava Bekteshi. Hetues ishte Safet Bala. Një njeri i paaftë. Mua më hoqën syzet, këpucët, më plasën në birucë. Atje vinte nga një erë të llahtarisur. Atje bëra një retrospektivë të ngjarjeve. Nga ato që më kishin thënë, kuptova kush më kishte denoncuar sepse ia kisha thënë vetëm atij. Zoti ma ndriçoi mendjen dhe me të vërtetë, i rashë pikës. Në hetuesi, na nxirrnin një herë në drekë dhe një herë në darkë. Ndërsa në mëngjes dilnim sa për të larë një çikë sytë. Ka qenë qershor, korrik, gusht, periudha e vapës. Nuk na linin të bënim banjë dhe për të mos zënë parazitë na nxirrnin ekzaklorant. Nga djersa, ai bëhej si llaç. Unë mezi merrja frymë. Më vonë e kuptova arsyen, ndodhte ngaqë poret e lëkurës ishin bllokuar. Kur kam vajtur në burgun e Tiranës, disi më lirshëm aty, më morën shokët dhe me një copë qymyrguri më kanë rrjepur si atë peshkun që i heqin luspat. Dhe sikur u çlirova, mora frymë lirisht.

Në hetuesi ishin të zakonshme hekurat që na lidhnin, ndalimi i cigares, nënshkallët dhe përfundimisht, ai kërkonte me kë kam biseduar që të krijonte ndonjë grup. Në kontrollin që kishin bërë, m'i morën të gjitha dorëshkrimet, korrespondencën, fotografitë. Kishin thirrur dhe shumë shokë të mitë nga fotografitë, por Zoti ua erri sytë sepse po të kishin kontrolluar më me detaje, do të gjenin materiale për të ndjerin Genci Leka, që e pushkatuan në '77-ën, poetin. E kisha shokun më të ngushtë kur isha mësues në Librazhd. Do kishin gjetur kushëririn tim, Kujtim Merdanin, ndjeje o Zot, se ka vdekur dhe ai dhe do na kishin bërë grup.

Si u zhvillua gjyqi?

Në gjyq prokuror erdhi Llazar Kamberi. Kërkoi 10 vjet burg dhe 2 vjet humbje të të drejtave civile. Gjykata ma la 8 vjet burg dhe 4 vjet humbje të të drejtave civile.

Cila ishte akuza?

Agjitacion dhe propagandë. Me prova vetëm dorëshkrimet e poezive. Pesë a gjashë muaj më parë ishte bërë gjyqi i këtyre "polakëve", Vaskë Orgockës, Lefter Tikon..."Gjyqi që u zhvillua para 5 muajsh dhe gjyqi që po zhvillohet sot,-thoshte prokurori, Llazar Kamberi,-tregojnë se këta minj të lagur, se këta armiq, nuk flenë, por janë zgjuar dhe duan të përmbysin...". Unë guxova dhe thashë: Unë jam njeri, sipas doktrinës suaj, jam kapitali më i çmuar. Ai, atëherë shpërtheu më tepër, më ofendonte...Çfarë të bëja? Përfundimisht, pas katër muajsh, mora dënimin, nuk kërkova as apelim vendimi asgjë. Pastaj, më thërret hetuesi. Më pas i kishte parë ato shkresat, kishte gjetur letrat e Genci Lekës, poezi të Gencit që m'i kishte dërguar e më thërret mua. Vete unë. Isha në dhomën 17, bashkuar me 7 a 8 të tjerë, por ishin ordinerë të tjerët. Nja dy nga ata i njihja, i kisha në lagje. Më thotë mua: Na tregoje gjurmët, ndërsa ujku është këtej matanë. "Si është problemi?", i thashë unë. Tha: Ja kështu-kështu. -E çfarë ka këtu?, i thashë unë. Por e thirrën në telefon edhe thirri policin ky, i tha: hajde merr një pako. Na quanin "pako" ne. Hitleri i quante të burgosurit me numër, këta na quanin "pako". Të pasnesërmen më thirri prapë për këtë punë. -"E di si është problemi?, i thashë unë. Mua mos më thirr më. Ose më izolo prapë, nëse ke për të më bërë hetuesi prapë dhe më sill sanksionimin nga prokuroria, që duhet të hetohem prapë. Ne mbaruam punë bashkë, prandaj mos më thirrë prapë se këto të ndarat nga shokët nuk tingëllojnë mirë. Përse më thërret ti mua?" Që atëherë nuk më thirri më. Bëri efekt kjo. I lutesha Zotit: Le të më dënonin dhe me vdekje, vetëm ta ruaja ndërgjegjen e pastër. Dhe është rast i rrallë që të dalësh në një dënim politik, në gjyq, tek pullë dhe unë kam dalë tek pullë. Nejse... aty, munda ta përballoj.

Çfarë ndodhi me familjen?

Familjen time, pasi e liruan nga internimi i parë, e internojnë prapë në '75-ën dhe e çojnë në Shtyllë të Vithkuqit që unë e quaj "Siberia shqiptare", sepse dimri, dëbora fillonte në tetor edhe në maj kishte dëborë akoma.

Po ju ku e bëtë burgun?

Unë burgun të gjithë e bëra në Spaç. Aty u njoha me vërtetësinë historike të vendit tim. Aty rashë në kontakt me ata njerëz, prapa peliçeve të grisura të të cilëve, fshiheshin diplomat e Kembrixhit, të Oksfordit, të Sorbonës, ishin me tituj profesorë, ajka e inteligjencës shqiptare.

A kujtoni ndonjë nga ata?

Kujtoj boll, që nga Hodo Sokoli, i vëllai i Ramadan Sokolit, kujtoj Sami Dangëllinë, i burgosuri që bëri 43 vjet burg, Osman Kazazin, Zef Ashtën, oficerin, akademistin e shkëlqyer nga Shkodra...e shumë e shumë të tjerë. Aty pata shumë të njohur, pata nga Korça, pata të afërt.

Në burg ishte Qani Çollaku, ai vëllezërit i kishte heronj, Reshitin dhe Muharremin. Unë isha duke biseduar një ditë me të dhe e thërret operativi: Turp që shkele mbi gjakun e vëllezërve të tu! Edhe pa ia bërë syri "tërr", i tha operativit: "Ata vëllezërit e mi, dhanë gjakun për Shqipërinë, sepse po të ishte për ju dhe për komunizmin, nuk jepnin as urinën".

Çfarë pune bëtë në Spaç?

Për një farë periudhe të shkurtër, punova në galeri, sepse për efekt të syve nuk më futën më dhe erdhi një kolonel, kryetar i komisionit mediko-legal që vinte për kontroll një herë në vit dhe më nxorën të paaftë. Ai ishte një miku im, ishim rritur bashkë dhe më përkrahu. Një ish-nxënësim im erdhi oficer aty. Një shoku im, u bë shef policie i Rrëshenit. Pavarësisht nga çdo gjë, ata e dinin kush isha unë e linin ndonjë porosi të veçantë të më kishin kujdes, megjithatë nuk u shpëtova birucave sepse si të rinj, revoltoheshim dhe e humbnim kontrollin ndonjëherë. Përfundimisht në vitin 1973 u bë revolta e Spaçit.

Çfarë ju ka mbetur në mendje nga revolta e Spaçit?

Revolta fillimisht nuk qe e organizuar. Kishte një vit e gjysmë që qe një liri e paparë ndonjëherë. Arritëm deri aty sa i thoshim policit: "Eh, ç'na shikon ashtu?" Trajtimi ishte deri diku mirë, por aty punohej me tre turne. Vinin policët, do shkonte turni i parë për në punë, por po flinte turni i dytë dhe ata hynin në kapanone me ato bilbilat, prrrr, dhe u prishej gjumi i të gjithëve. Ushqimi ishte i keq, hidhnin nga ajo margarina që po verboshehin njerëzit, uji qe me acid dhe kërkuan ca gjëra elementare në fillim dhe mori përmasa më të mëdha dhe filluan të organizoheshin pasi filloi revolta në orën 6.00 të mëngjesit. Ishte Pal Zefi që nuk donte të punonte. Ishte hera e dytë që kishte dalë nga biruca dhe nuk donte të dorëzohej. Për të fjetur, flinte sa te njëri, te tjetri nëpër kapanone, pa e marrë vesh. Edhe ndonjë spiun që mund të fuste komanda, nuk e merrte vesh. E më në fund e vendosi, doli me një shufër hekuri, se ku e kishte gjetur dhe i vuri shpatullat ish-zyrës teknike. Atë mëngjes, hynë më shumë sesa duhej policë dhe oficerë. E kuptuan të burgosurit. Turni i parë ishte rreshtuar në soletë. Edhe kishim një qen ne të burgosurit, që na i kishte dhënë Çelo Arëza, komandanti atëherë, që e rritëm ne. Ai i shoqëronte turnet gjithmonë. Qe bërë si i shtëpisë, nxirrnim mallin e familjes, të fëmijëve, me atë qen. Edhe ai në krye të brigadës. Operativi i thotë Pal Zefit: "Dorëzohu. Luftë me qeverinë do bësh ti?". -"Afrohu po ta mbajti"! Medi Noku, kryetar i zyrës teknike, i thotë: "Hë, dorëzohu ti!". I thotë: "Medi mos u afro se sot kam punë me qeverinë. Ti je më i poshtër se këta, por përderisa hamë bukë në një kazan, je vëllai im, prandaj mos u afro". U sul ai Mediu, ky i ra në kurriz, u përmbys andej Mediu. U sul operativi. Operativin e zuri në kapelë dhe sup. Atëherë u sulën policët të tërë. Ndërkohë reagon qeni, sulet i pari qeni. Dhe beso këto që po të them unë janë të dhëna të një okulari, të një pjesëmarrësi të asaj revolte. Ndërkohë, Theofillo Gjika, ishte një plak këtej nga minoriteti, dhe me shkop ishte. "Ore, tha, po na e marrin djalin në sytë tanë". Edhe u sul. U sul ky, filloi përleshja. Kishim djem atje ne që e hanin hekurin me dhëmbë, ishin marrë me boks e me mundje e me të tëra. Policët ia mbathën. I thirrën këta djemtë tanë, Dervish Bejko, që e pushkatuan: "Ku vini o trima të Enverit? E latë simbolin komunist. Merrini këto kapelat". Aty filloi e madhja. Më në fund vjen Sulejman Manoku, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve dhe Kampeve. Vjen për ta qetësuar problemin. E thotë kështu-kështu...Kryesisht ishte Njazi Bylykbashi, Syrja Lamja, Pavllo Popa, që u ngritën dhe thanë duam këtë-këtë, për ushqimin, për trajtimin, që mos të bëhet zhurmë. U premtua që çdo gjë do rregullohej dhe u vendos që të pushonte kjo punë dhe doli turni i parë. Atëherë u kuptua që këta po merrnin nga tanët. I pari u dorëzua Pal Zefi se mendoi me vete "sa të bëhet problem i madh, më mirë të më marrin mua". Edhe ca të tjerë. I morën, i futën në biruca. Ishin ato të izoluarat. E kuptuam ne që po na i merrnin shokët. Do merrnin këtë Pavllon. U zu Dervishi me nja dy të tjerë, ua rrëmbeu Pavllon nga duart. Pastaj, filloi e madhja: tri ditë e tri net, kampi i pavarur. Na e ndaluan ujin e pijshëm dhe furnizimet e tjera, por kishim. Ujin e merrnim nga skaldabanja, i thamë atij: "mos e nxeh", që ta merrnim për të pirë. Vendosën shokët, rregullat, gjërat. Është interesante, ishin dy grupe: qe grupi nacionalist, që ishte properëndimor, pro Amerikës dhe grupi i dytë, ishte i quajturi revizionist, që ishte pro rusit, por të gjithë kërkonin një komision ndërkombëtar që të shikonte dokumentet tona, se ishim të pafajshëm. Thirrjet qenë: "Liri-drejtësi!", "Poshtë komunizmi!" e shumë nga këto...Atë natë vjen Feçor Shehu dhe kërkon një përfaqësi nga ne, të merrej vesh. Shokët i thonë: "Të vish ti, këtu brenda, jo të vimë ne aty, se ju jeni të pabesë, kurse ne përfaqësojmë fisnikërinë, ne jemi të ndershëm dhe nuk të gjen gjë". Nuk ia mbajti të vinte. Ngritën flamurin aty...Unë thirra ata. Kishim një si punë orkestre. Ali Hoxha i binte trombës. I them: Hajde, ekzekutojmë himnin e flamurit. -"Ylber, unë edhe 10 muaj burg kam. Ne do dënohemi të tërë, po morëm pjesë". Kishte të drejtë. Flamurin e ka ngritur lart...tani ta filloj që nga e para: bezja e jorganit ishte e Naim Pashajt, për të pikturuar e pikturoi shqiponjën Mersin Vlashi, për të ngritur aty lart, e ngriti Ndrec Çoku dhe më vonë e mori nofkën "Ndrec Flamuri", i thoshin të tërë. E godisnin atë shtizën... e ngritën në kat të tretë të atij pallatit që ndërtuan dhe Ndreca ishte një i shkurtër, 1.55 ishte, një i imët qe, por zjarr ishte, zjarr ishte, zhivë ishte! E qëllonin snajperat, meazallah. Ku fjetëm ne? Të tërë aty. Filluan qëllonin ushtarët...Skënder Daja, i thoshim cubi ne, sa kishte mbaruar ushtrinë, edhe e futën brenda. U thirri ushtarëve: "Mos na qëlloni ne, ne jemi vëllezërit tuaj, prindërit tuaj. Qëlloni oficerët se ata ju gënjejnë!". Përfundimisht, ata kishin vendosur që të na hidhnin atë korpusin, Burrelin, me tre rrethime, e shikonim natën ne, makinat kur merrnin kthesën për në kamp, nga Repsi, shikonim ne dritat natën, ku di unë nja 50-60 makina që erdhën, me hekura, me bishta lopatash dhe u detyruam të dorëzoheshim. Mirëpo na lidhnin dy nga dy dhe çelësat i hidhnin në një arkë, një pjesë, se një pjesë ishin të vidosur. Nja 15-16 veta rezistuan deri në fund. Pasi u lidhëm të tërë, u futën sampistët. Ata 16 vetë që rezistuan në soletë, i nxorën me barrela. Filluan thirrën emrat, filani, filani... dhe Hajri Pashai, që ma përmende i thotë Feçor Shehut, se e njohu ai, Feçori. -Ti je, -thotë, ai i biri i atij që vrau këshilltarët e Hekalit?-"Po, thotë, i atij jam dhe jam krenar, por ata këshilltarët nuk i vrau ai. Ai bëri gabim që nuk të vrau ty. Po ty s'të gjeti dot se ti ishe mi ferrash e lepur ferrash e kushedi nga fshiheshe, thotë. Kujton se do trembem unë? E di unë, do më pushkatoni,-thotë, por nuk vritet e tërë Shqipëria! Nuk vritet tërë kombi"! Pastaj nuk gjendeshin çelësat, që të na lironin, se ishin bërë rrëmujë, tërë dita kaloi kështu sa na çliruan. U ngritën 7 qendra hetuesie aty në kamp. Gjashtë muaj kampi ishte në gjendje hetuesie, asnjë kontakt me familjen, as telegrame, as letra, asgjë. Mbas 6 muajsh na i dhanë, kishim nga 5 telegramë, 20 letra. Morën fillimisht 12 kryesorët, nga këta 12 kryesorët, katër i morën që i dënuan me pushkatim. Gjashtë donin të dënonin me pushkatim. Ishte i piketuar edhe Luan Burimi, nga Erseka. I ati ishte pushkatuar, kishte qenë oficer në kohën e Zogut. Mirëpo katër ishte urdhër të pushkatoheshin. Dhe donin të falnin Skënder Dajën dhe të fusnin Luanin në pushkatim. Në rast se do kërkonte falje dhe ta dënonte veprën Skënder Daja, do t'ia falnin jetën. Mirëpo, ai tha: 10 vjet jetë të kem, të dhjeta, kundër jush do i përdor. Edhe e morën, e pushkatuan. Ata të 12 e dinë çfarë kanë hequr aty. Dëgjoheshin rrënkimet deri këtej, i futën në një magazinë jashtë rrethimit edhe i kanë rrahur jo me shkopinj gome, por me dru, me bishta kazmash e lopatash. Ishin Hodo Sokoli, Sami Dangëllia, etj. etj. ishin 60 e ca vjeç. Rrihen ata? U arrestuan nja 100 veta, derisa tha "mjaft" Feçor Shehu...

Kur u liruat?

U lirova në mars të '77-ës. Fitova nja dy muaj.

Ju ka ardhur familja?

Në asnjë mënyrë. Vetëm një herë më kanë ardhur prindërit. Kur u liruan nga internimi i parë, në '72-shin, erdhën një herë. Më kujtohet si tani, më sollën një pako me kaushë 5-lekësh, një kile sheqer, nja dy-tri pako nga ato biskotat 10-lekëshe, çfarë të bënin. Vetëm një herë i pashë prindërit. Një herë më erdhi motra, me të shoqin, pasi u martua. Në 8 vjet, vetëm dy takime pata. Ata nuk kishin për të ngrënë për vete, jo të më sillnin mua. Dhe të ma besosh: në 8 vjet kam ngrënë vetëm një vezë, ma dha një Remzi Fisniku. Ka qenë aktor ai dhe i burgosur 3-4 vjet aty, me dënim minimal. Pas revoltës, në nëntor '73, më ka ardhur Sherifi, kushëriri, në burg. Ndenjëm nja një vit e gjysmë bashkë, pastaj e ridënuan atë. Po prapë për agjitacion dhe propagandë, i dhanë dhe një dhjetëshe tjetër.

Ku shkuat pasi u liruat nga burgu?

Më kishin dënuar për të më internuar në Mavrovë të Vlorës. Zoti i shtiu në mendje dikujt, që më çuan te familja në Shtyllë. Në Shtyllë, ishte dhe familja ime dhe familja e Shpresës. Aty ishin të shtatë familjet Merdani, ishin dhe nja dy familje të tjera, qe familja e profesorit, Jani Gjinos, i vëllai Vasil Gjinos, atij gjeneralit. Njerëz të lidhur me Lëvizjen shumë ata. Jani Gjino i dhënë pas shumë arsimit, krijoi dhe shkolla në Kosovë e gjetkë, e kishte të shoqen serbe, ishte aty. Një plaka e dajës sim të arratisur, e kishin sjellë aty. Edhe nja dy familje të tjera.

Ju gjetët Shpresën aty, që u bë bashkëshortja juaj...

Gjeta Shpresën, që më priste. U martuam. Në mars u lirova, në korrik u martuam. Shkuam në Korçë, na dhanë lejë të bënim celebrimin, edhe gjendjen civile na e kishin hequr që këtu, na kishin çuar në Vithkuq. E hoqën dhe pasaportizimin nga Korça, të gjitha, nuk figuronim më këtu ne.

Si ishte dasma juaj?

Ishte një dasmë interesante, sepse të gjithë dasmorët e të dy palëve, ishin o ish-të burgosur, o të internuar. Të gjithë, që nga daja im, xhaxhai, e të tërë. Edhe njerëzit e gruas, të gjithë. Një dasmë e veçantë, kjo. Zoti na bekoi me dy fëmijë, por vajza, ngaqë Shpresën kur ishte shtatzënë, 6-7 muajsh, e ngarkonin me gurë, lindi pak si e deformuar. Gjithsesi, Zoti është i madh!

Në '90-ën, pasi po bënte alibinë komunizmi, unë me një radio nga ato Iliria, e merrja me vete, plus merrja informacione nga miqtë e mi, sepse kishte njerëz të mirë edhe në Parti dhe më sinjalizonin që po binin kambanat nga ana ime. Edhe, me shpresa të mëdha, i mbaja dhe këta me shpresë. Isha promotori i dhënies shpresë të të gjithë të internuarve aty dhe u rikthyem.

Dy vargjet e para kur kam riardhur në Korçë, kur ra edhe statuja:

Dhe qetësisht i lumtur vdekjen pres,

se vdekja vdiq më parë se unë të vdes.

Edhe të vdisja atëherë, edhe tani, unë që isha i drithëruar të shihja një vargun tim me kostumin e botimit, unë jam autor i dy-tri botimeve, jam i njohur si publicist dhe u ingranova që në minutën e parë, në mënyrë tejet aktive, në proceset demokratike.

Korça më nderoi, më respektoi dhe më bëri Qytetar Nderi. Unë që nga internimi, në burg, nga burgu, në internim, kisha si amanet që të prehesha në Korçë, por Zoti kishte shkruajtur tjetër destinacion për mua. Jo vetëm që erdha i gjallë, por dhe i nderuar. Unë sapo erdha, jam anëtar i krejt shoqatës kombëtare të të përndjekurve dhe krijova degën e Korçës, degën e Devollit, degën e Ersekës. Isha kryetar i shoqatës deri në vitin 1995. Krijuam klubin e shkrimtarëve, si kundërvënie e centralizimit.

Me prindërit tuaj çfarë ndodhi?

Babain e ndjeu Zoti në '80-ën. Nuk iu gëzua ngordhjes së diktaturës. Ishim në internim, vuante prej kohësh, kishte dhimbje dhe nuk na jepnin lejë që të vinte. Edhe për të vdekur duhet t'u merrje lejë atyre qenve. Mua s'më lanë të vija, por me mamanë e përcolla deri në Vithkuq. Pjesën më të madhe e kam mbajtur në kurriz, sepse dhe makinat, ishin të porositura, të mos na merrnin. E ndjeu Zoti, në spital. Kurse nëna...Unë isha grindur një ditë më përpara, me brigadierin dhe më tha Shpresa: mos shko në punë sot, rri qetësohu. Dhe ndenja. Kur hyn mamaja, unë isha zhytur në ato meditimet e mia. Mamaja po dëgjonte radion dhe e dëgjon që kishte ngordhur qeni. "Hajde, shpejt, të keqen nëna", më thotë mua dhe po kërcente. "Ngordhi qeni. Arrita që e pashë". "Dale", i thashë dhe e mbylla dritaren. Të shikosh gruan 75 vjeçe që kërcen si nuse, nga gëzimi! Mbeti aty! Edhe xhaxhai aty mbeti. Edhe vjehrri, vjehrra, gjyshja e Shpresës, aty! Edhe gjyshja ime në Kazmë vdiq, në internim.

Më lejo të trego dhe diçka. Kur vajta në burg të Tiranës, takoj të ndjerin Baki Hametllari, i burgosur i vjetër, nacionalist që i njihte shumë mirë familjet e mia, të gjithë të mitë. Unë i mërzitur, psherëtija...Më kujtohet si tani, dhoma 7 ishte ajo. Ishte në kat të parë, por gjysmë i paralizuar i shkreti, i kishin ardhur njerëz në takim atë ditë. "Ore, ç'është ai që rrënkon ashtu?" Gjoja, s'më dinte. Unë zbrita, por ardhur nga hetuesia, edhe kur më thoshin hajde luajmë ndonjë shah, mua më dukeshin si hetues dhe gjykatësa. -Djalë, mirë je? Mirë. Po pse psherëtin. Po ja jam dënuar gjatë. Sa je dënuar? 8 vjet, i thashë unë. Si e ke emrin ti? Filani. Çfarë e ke filanin? Pyet për dajën. Dajo, i them unë. I burgosur daja im. Po filanin? Dajo. Po Xhevitin? Po Abaz Fajon? Po Rexhep Merdanin? Të gjithë nëpër burgje këta. E të pushkatuar, e të dënuar me 10, 15 burg. -"Turp të kesh!, më tha mua.-Soji ta heq heq me nga 25 vjet burg dhe pushkatim, ti je dënuar sa një këndez e ankohesh. Y, bëj ndonjë gjë, të dënojnë 25".

Zoti e deshi të vinte këtë ditë dhe mundëm të edukojmë dy fëmijë nacionalistë. Ne që nuk shpresonim të martonim djalin, jemi bërë gjyshër dhe merremi me ata. Jemi 1 milion herë më mirë, por jo ashtu siç duhej. Është në mes prona, pa le këto plagët tona, që s'po gjejnë dot shërim. Ende në poletikë janë ata persekutorët tanë. Ende nuk është bërë Nurembergu 2. Ende nuk po dimë kush është derri dhe daiu. Ta marrin vesh këta njerëz. Jo të dënohen si ne, por të paktën të mos i shikojmë nëpër zyra...Gjithsesi, po e përfundoj: Mallkuar qoftë komunizmi në jetë të jetëve! Komunzimi i mirë është vetëm komunizmi i vdekur.

U bëj thirrje të gjithëve, të kemi një parti. Të kemi Shqipërinë parti! Dhe ideal të kemi flamurin e rilindasve dhe t'i qëndrojmë kësaj!

/kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here