Heronjtë e Spaçit/ Pal Zefi, ai që nisi revoltën

0
355
blank

Pal Gjergj Zefi u lind më 10.7.1940 në Rrushkull të Durrësit. Më parë kish qenë infermier, por kur u arrestua për herë të parë ishte punëtor në fermën “8 nëntori” Sukth. Ai ishte familjarisht antikomunist. U arrestua kur ishte 31 vjeç dhe u ekzekutua në moshën 33 vjeçare, pas revoltës së Spaçit.

Dënimi i parë

U arrestua më 18.8.1971. U përfshi në një proces së bashku me vëllanë Gjon Zefin. U akuzuan në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal me synimin “minimin dhe dobësimin e pushtetit popullor”. Thuhej se ata ishin të prekur nga vrasja e motrës së tyre Marie, e cila ishte martuar me të arratisurin Riza Keçi. Aty ku jetonin pasi vunë një fletë, kundër tyre u vunë 32 fletërrufe. Nga zhvillimi i gjyqit dilte se kishte thënë që partia më tepër kujdesej për stallat e lopëve sesa për njerëzit. Kundër të pandehurve ishin vënë 32 fletërrufe para se të dënoheshin.

Gjykata vlerësonte se atyre u “ishin errur sytë”. Nuk shihnin që ato toka kishin qenë më parë të Miti Shallvarit. Midis të tjerash në vendim thuhej: “Partia e Punës e Shqipërisë, e themeluar 30 vjet më parë nga udhëheqësi i madh i popullit tonë shoku Enver Hoxha, udhëhoqi popullin në ditët më të vështira të okupacionit nazifashist dhe i dha lirinë atij. Gjatë 27 vjetëve të çlirimit, Shqipëria dikur vendi më e prapambetur i Europës është kthyer në një vend industrial të përparuar me bujqësi të zhvilluar dhe të kolektivizuar, bile këtë vit, edhe me kooperativa të tipit të lartë. Me përparime të pakrahueshme në të gjithë sektorët si në arsim, kulturë, shëndetësi, etj”. Sigurisht jashtë çdo objekti me çështjen.

Gjykata e Rrethit Durrësi, e drejtuar nga Arzen Leskoviku, me pjesëmarrjen e prokurorit Josif Taja, me vendimin nr.133, datë 28.10.1971, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie. Gjoni u dënua me 6 vjet.

 

Dënimi në revoltë

Revolta e Spaçit nisi si mbrojtje për Pal Zefin, i cili mbahej i izoluar në birucë. Pasi u prangos, vendimi për arrestimin e të dënuarit Pal Zefit në Spaç, u mor më 21.5.1973 nga hetuesi Shaban Dani, me miratimin e prokurorit të rrethit, Zef Deda. Në këtë vendim thuhej:

“Duke qenë në Repartin e riedukimit nr.303 Spaç, në bashkëpunim me persona të tjerë, kanë krijuar një organizatë për minimin e dobësimin e pushtetit popullor, duke bërë thirrje të hapur për kundër pushtetit popullor në masë, se ka refuzuar në mënyrë demonstrative për të dalë në punë dhe se ka goditur personelin e shërbimit, oficerin operativ Fejzi Liço dhe të tjerë.

Këto vepra parashikoheshin nga nenet 72, 73/2, 76 dhe 239/2 të Kodit Penal”.

Të nesërmen, më 22.5.1973, në Rrëshen, po ky hetues, mori vendimin për marrjen të pandehur të Pal Zefit. Në të cilin thuhej: “I dënuari Pal Gjergj Zefi, në bashkëpunim me persona të tjerë të dënuar, duke qenë në Kampin e riedukimit nr.303 Spaç, ka kryer krimin e sabotimit, të agjitacionit e të propagandës, në mënyrë të cilësuar për minimin e dobësimin e pushtetit popullor, duke marrë pjesë në një organizatë kundër pushtetit popullor dhe se ka goditur përfaqësuesit e pushtetit, personelin e shërbimit të kampit, oficerë e nënoficerë”.

Një ditë më vonë, më 23.5.1973, hetuesi e liroi nga neni 239/2 i Kodit Penal.

Pyetet në Rrëshen më 22.5.1973. Për ngjarjen ai thotë:

“Akuzat që më bëhen i kuptova, por nga këto pranoj vetëm akuzën e goditjes së personave përfaqësues të pushtetit se kam goditur dy nënoficerë dhe oficerin operativ të Repartit nr.303 Spaç, të cilëve emrat nuk ua di. Gjithashtu pranoj se kam agjituar e propaganduar për kundër pushtetit popullor vazhdimisht në kamp në masë të të dënuarve. Kështu pra unë kam folur vazhdimisht në kampin e Spaçit me të madhe si në kapanon e jashtë në prani të dhjetëra të dënuarve për kundër pushtetit, për arsye se këtë pushtet unë nuk e dua. Këtë pushtet nuk e dua për se më ka dënuar në mënyrë të padrejtë e më mban në burg, më ka dënuar me privim lirie dhe nuk më ka futur në regjim burgu, por më ka çuar në kamp duke bërë punë të detyruar. Për këtë unë kam refuzuar vazhdimisht të dal në punë për të punuar në minierë. Në muajin janar kam ardhur në Spaç dhe këtu gjeta edhe vëllanë tim Gjon Zefi...Si erdha këtu, më futën në punë në minierë minator dhe në muajin shkurt unë bashkë me vëllanë vendosëm të punojmë dhe kërkuam për të na dërguar në Burgun e Burrelit. Mirëpo komanda na dërgoi në Burrel dhe kemi qëndruar 3 muaj pa punë. Më 20 mars (1973), vëllanë tim e hoqën nga Spaçi dhe e dërguan në Repartin nr.309 Ballsh, duke na ndarë nga njëri-tjetri, gjë e cila ishte një provokim i rëndë që bënte komanda. Më 20 prill (1973) komanda duke përdorur forcën më ka futur në birucë e më ka izoluar për një muaj. Gjatë kësaj kohe më kanë torturuar duke më dhënë ushqimin me mungesë dhe të helmuar me dozë të vogël me qëllim për të më dobësuar organizmin. Një gjë e tillë më revoltonte më shumë ndaj pushtetit. Si mbarova dënimin disiplinor, më 20 maj (1973) i kërkova rojës së brendshme të më nxirrte nga biruca. Mirëpo ai më tha se nuk do më nxirrnin, këtu do vdisja. Të nesërmen, roja e brendshme kur erdhi në mëngjes e më hoqi batanijen si zakonisht, harroi derën e birucës pa mbyllur me kyç, duke e lënë vetëm me shulin e jashtëm dhe iku. Unë nëpërmjet hekurave futa dorën, e hapa e dola nga biruca aty nga ora 5.30 e datës 21.5.1973 dhe dola jashtë. Kam gjetur një shufër hekuri e kam marrë me vete dhe kam hipur sipër në tarracën e banjave. Roja e brendshme më pa dhe kërkoi të kthehesha brenda. I thashë që gjallë në birucë nuk hyja. Pas pak kohe ka në kamp ka hyrë oficerit operativ (Fejzi Liço), bashkë me 5-6 policë dhe më bëri thirrje për të hyrë në birucë. I thashë se dënimin e kam kryer dhe nuk hyj, duke i thënë të mos afroheshin se do i godisja. Në këtë moment më është futur i dënuar Mehdi Noku për të më kapur, e kam goditur në krah me hekur një herë. Më është afruar një polic, por edhe këtë e kam goditur me shufrën e hekurit menjëherë në krah. Pastaj më kanë kapur të tjerët dhe më kanë shtrirë përtokë. Në momentin që më kanë shtrirë përtokë policët, disa të dënuar të tjerë që janë ndodhur rreth 10 metra larg në tarracë, që ishin duke u përgatitur për të dalë në punë turni i parë, kanë sulmuar policët duke më dalë në mbrojtje mua, më kanë hequr nga duart e policëve. Jam çuar në këmbë dhe kam goditur operativin e kampit me shpullë në fytyrë dhe pastaj jemi shpërndarë. Unë shkova në kapanon e nuk hyra në birucë. Vendi ku unë u përlesha me policët dhe oficerin ka qenë aty para pallatit, kurse të dënuarit e tjerë që më dolën në mbrojtje ishin në tarracë të banjave dhe pastaj ata kanë zbritur poshtë”.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here