Heronjtë e Spaçit/ Hajri Pashaj, Feçor Shehut: Ti e ke vendin në burg, në vendin tim

0
232
blank

Hajri Zenel Pashaj u lind më 8.12.1944 në Hekal të Fierit. U dënua gjithsej tri herë nga regjimi komunist. Herën e parë kur u dënua ishte vetëm 16 vjeç. U ekzekutua kur ishte 29 vjeç.

 

Dënimi i parë

U arrestua në korrik 1960. U akuzua për tradhti ndaj atdheut. Gjykata Ushtarake Tiranë, me vendimin nr.140, datë 28.9.1961 e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 7 vjet heqje lirie. Vuajti 16 muaj. U dënua për tentativë arratisjeje në vitin 1961, por lirohet pas një viti me hyrjen e amnistisë së vitit 1962.

 

Dënimi i dytë

Më 25.12.1963 ishte mobilizuar ushtar në Repartin 4300 Poliçan, Berat. U arrestua më 17.4.1965 kur kryente shërbimin ushtarak. U akuzua në bazë të nenit 64 në kombinim me nenin 10 të Kodit Penal. Kishte biseduar me një shok për arratisje, por nuk mundi ta realizojë.

Midis të tjerash në vendim thuhej: “Ka pasur urrejtje karshi pushtetit popullor, për shkak se babai i tij ka vdekur në burg dhe vetë ka qenë i dënuar për krime kundër shtetit. Si i tillë ai që nga muaji shkurt-mars 1963, ka menduar dhe vendosur të arratiset në një shtet të huaj”.

Vepra cilësohej “shoqërisht shumë e rrezikshme”. Mbrojtja e të pandehurit pretendoi se duhej të akuzohej në bazë të nenit 73/1 dhe jo të nenit 64, sepse nuk ishte konsumuar krimi.

Gjykata e Rrethit Tiranë, e drejtuar nga kolonel Mit’hat Goskova, me pjesëmarrjen e prokurorit ushtarak të reparteve autonome nënkolonel Mina Niço, me vendimin nr.76, datë 15.7.1965, e deklaruar fajtor dhe e dënoi me 15 vjet heqje lirie, konfiskim të pasurisë, heqjen e së drejtës zgjedhore për 3 vjet, pagimin e shpenzimeve të gjyqit (1300 lekë) dhe avokatit mbrojtës.

 

Dënimi i tretë

Ishte ndër njerëzit kryesore të revoltës për shkak të debatit që zhvilloi me përfaqësuesin më të lartë të MPB-së. Vendimi për izolimin e të dënuarit Hajri Pashaj në dhomat e paraburgimit Rrëshen, u mor më 22.5.1973 nga hetuesi Rustem Çipi, me miratimin e prokurorit të rrethit, Zef Deda. Midis të tjerash thuhej: “Ka marrë pjesë në një organizatë kundër pushtetit popullor, e cila ka patur për qëllim kryerjen e krimeve të sabotimit të ekonomisë socialiste dhe të agjitacionit e propagandës armiqësore që ka synuar në minimin dhe dobësimin e pushtetit popullor, vepra të parashikuara si krime nga nenet 76 në kombinim me nenet 72 dhe 73/2 të Kodit Penal”. Vendimi i është njoftuar më 23.5.1973.

Më 23.5.1973, në Rrëshen, po ky hetues, mori vendimin për marrjen të pandehur të Hajro Pashajt. Kontrolli u tij u bë nga nënoficer Maksut Mançellari, por nuk u gjet gjë. Midis të tjerash, deklaroi për ngjarjen: “Nuk pranoj të kem marrë pjesë në ndonjë organizatë kundër pushtetit popullor që të ketë pasur për synim të sabotojë ekonominë socialiste dhe të zhvillojë agjitacion kundër pushtetit popullor. Pranoj vetëm që kam zhvilluar agjitacion e propagandë kundër pushtetit si individ, duke i folur zëvendësministrit të Punëve të Brendshme (Feçor Shehu) kundër pushtetit popullor. Këto shprehje zëvendësministrit ia kam thënë më datës 22.5.1973 kur ky ka ardhur në kampin e të dënuarve në Spaç dhe na ka bërë thirrje për të pushuar revoltën që kishin bërë të dënuarit...Kur erdhi zëvendësministri dhe tha duke iu drejtuar të dënuarve të nxirrnin njerëzit e të bisedonin, të dënuarve që ishin aty u thashë se po dilja unë të bisedoja e kam bashkëfshatar dhe në këtë mënyrë iu drejtova zëvendësministrit. I thashë se a më pranonte si bashkëfshatar. Ai më pyeti kush isha. Pasi i thashë emrin më tha të rrija aty. Thirri Paulin Vatën. Shkuan pastaj Nuri Stepa e Bedri Çoku. Nuk e di kush i caktoi këta, madje mbajta dorën që të mos dilnin të dënuarit”.

Në lidhje me debatin e zhvilluar me Feçor Shehun: “Zëvendësministri më tha se më njihte mua dhe tim atë. Atëherë i kam shfryrë dhe kam folur kundër pushtetit. Iu drejtova me këto fjalë: Unë e di që e ke njohur tim atë dhe e di mirë kush ka qenë ai. Në atë kohë ju i hiqnit kapelën para tij. Por keni 30 vjet që keni pushtetin e keni frikë. Keni 12 vjet që nuk bëni asnjë falje se kur ishit lidhur me Bashkimin Sovjetik bënit falje çdo dy vjet se ua impononte Bashkimi Sovjetik. Më vonë u prishët me këta e u lidhët me Kinën dhe nuk keni bërë asnjë falje. Tani u prishët me Kinën e se me kë dreqin jeni lidhur nuk e dimë. Ju ka ardhur laku deri në fyt. Ti e ke vendin këtu në burg, në vendin tim. Ai më shau dhe unë fillova të largohem. Menjëherë filluan britmat: ‘Ja vdekje-ja liri’ thërrisnin të gjithë”.

Pas këtij çasti janë shtuar thirrjet e të burgosurve.

Për ngjarjen ai shpjegon se kishte parë nisjen e protestës së Pal Zefit të datës 21.5.1973. Më pas ai ka shkuar në punë dhe është kthyer ora 15.00. Gjithë këtë kohë kish qëndruar me Sami Dangëllinë. Ora 19.00 kur kish marrë çajin dëgjoi zhurmë dhe më pas thirrje në masë që ishin shoqëruar me breshëri kallashnikovi. Në tarracë ishin mbledhur të dënuar, të cilët shoqëronin ata që kishin dalë nga biruca. Në mëngjes të datës 22.5.1973 filluan të hidheshin thirrje.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.