Dëshmia/ Muharrem Xhydollari: “Shpirtrat e vdekur” të Spaçit

0
2147
blank

Muharrem Xhydollari (Hudenishti) i persekutuar, i përndjekur dhe i burgosur prej komunistëve me 9 vite në burgun e Spaçit, me 5 familjarë të pushkatuar dhe i dënuar me 5 vite internim pas lirimit nga burgu, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, persekutimin personal dhe familjar, histori rrëqethëse të burgut të Spaçit, njohja me klerikët dhe elitën intelektuale të kombit si Imzot Zef Simoni, Imzot Ernest Troshani, Dom Mark Hasi, At Zef Pllumi, Visar Zhiti, Eugjen Merlika, Dine Dine, Lek Mirakaj e të tjerë. Me Muharrem Xhydollarin (Hudenishti) bashkëbisedoi gazetari i Diellit, Sokol Paja.

Si u persekutua prej komunistëve Muharrem Xhydollari

Ndaluan pranë meje. Ju jeni Muharrem Xhydollari? Po, -u përgjigja. Do të vish me neve, -foli njëri prej tyre, jemi dega e brendshme. Nuk fola, u ula në sediljen prapa të xhipit, në mesin e dy civilëve dhe pa folur fare ndaloi në hyrje të fshatit tim. Ai që rrinte në vendin e parë të makinës, hapi xhamin dhe pyeti një person që u ngjante shoqëruesëve të mi. He, filluan, -tha ai. Mori përgjigjen po. (bëheshe fjalë për kontrollin e banesës time). Atëhërë dy anësorët e mi, nxorrën prangat dhe më thanë me zë shumë të butë: -Je i arrestuar, dhe mi lidhën duart para. Më zgjidhën kur më futën në dhomën e izolimit. Më morën pas dy javesh në pyetje. Kjo vonesë shpjegohej se mbas arrestimit mblidhnin denoncimet. Hetusi më dha të lexoj urdhërin e arrestit. E lexova, ishte urdhëri i prokurorit të përgjithshëm. -Kaq për sot, -tha hetuesi. Ai bëri prezencën e tij: -Jam Ferit Sula, tha, dhe më dorëzoi tek përgjegjësi i burgut.

Hetuesia në dy faza

Hetuesinë do ta ndaja në dy faza. Emri i xhelatit tim që e lart shkrova, vetëm njeri nuk mund të ishte. Por për fatin tim ai nuk qëndroi shumë në Pogradec, dhe shkoi me ngritje në Tiranë (thonë se sot është rezident në Gjermani). Atë e zëvendësoi Hektor Shehu (tepelenas), mësues kishte qenë profesioni i tij. Ai me pak specializime kishte përfituar profesionin më të ndyrë në botë, atë të xhelatit. Por ai nuk u tregua i tillë, nuk preferoi keqtrajtim përveç prangave dhe birucës. –“Ti nuk mund të dalësh i pafajshëm, më tha, sepse rrethanat tuaja familjare nuk të favorizojnë aspak. Je ky që je prandaj je i fajshëm”. “Ti, -vazhdoi ai, -të kap ligji i parandalimeve të krimeve në fuqi, që shpjegohet me nenin e agjetacionit e propagandës”. Ai fare shkurt mbylli dosjen dhe e çoi për gjykim.

Izolimi në birucat e hetuesisë

Në dhomën e izolimit, u riktheva mendimit për të parë historinë time dhe arsyeve pse unë isha paracaktuar për tu dënuar. Unë u linda dhe u rrita në një familje që kanë nxjerrë njerëz me ndikim politik, në interes të fateve të Atdheut që nga Rilindja, Pavarësia, Lufta e Parë Botërore, Formimi i Shtetit Shqiptar dhe Lufta Nazifashiste. Urrejtja anti- sllavo-komuniste që familja ime kishte, bëri që të pësojë shkallën më të lartë të persekutimit. Si i tillë, isha paracaktuar për t'u dënuar. Ishte një periudhë që individë të cilët ishin në shënjestër të organeve të sigurimit, i thërrisnin në tubime masive në kooperativë bujqësore, ndërmarje shtetërore, ferma, fshatra etj. Dhe ju bëheshin kritika politike diskriminuese. Kjo për terror në popull. Por dhe gjyqet eksperimentale këtë qëllim kishin. Unë do gjykohesha në fshatin tim. Salla e gjykimit mbeti me shumë pak fshatarë. Morën maturantët e gjimnazit dhe i futën në sallë. Ata sapo më panë mua të prangosur dhe të shoqëruar me policë, ikën dhe nuk qëndruan në gjykimin tim. Vetëm dy tre persona të autorizuar u ngritën dhe folën kundër meje vetëm se unë isha biri i një familjeje që nuk ishte pajtuar me politikën komuniste dhe si i tillë duhet të dënohesha. Disa kuadro të fshatit folën mbase dhe për të mbrojtur veten se nuk dinin gjë që unë kisha bërë agjitacion e propagandë. Se unë kisha folur pro B. Ballukut, dhe P. Dumes, me të cilët neve i kishim ndarë punët që nga 1944. Pse unë kisha folur se fusha e Kosovës ishte e madhe dhe shumë pjellore! -Ky qen bir qeni, tha dëshmtari, pse nuk thoshtë për fushën e Myzeqesë dhe atë të Korçës që janë hambarët e Shqipërisë, por fliste për Fushën e Kosovës që janë revizionista. Ja kjo ishte llogjika që më quajtën mua fajtor dhe më dënuan me 10 vjet heqje lirie. Dhe fragmentet e tjera që plotesonin dënimin maksimal për agjitacion dhe propagandë. Por ka dhe diçka që të çudit, sa mbaroi gjykimi, hetuesi erdhi në dhomën e izolimit dhe më tha: -E more vesh sa u dënove? -Po, i thashë, 10 vjet. -Më pak do të dënoheshe, tha ai, por fshati të rëndoi më shumë. -Po fshatarët nuk folën keq për mua, i thashë. -Po pikërisht se nuk folën keq, pa more maksimumin, se po të flisnin keq ata do të kishte dënim më të ulët. Kjo do të thoshte se sa më shumë të të donte populli aq më shumë të dënonte partia-shtet.

Me Don Mark Hasin dhe djalin e Petro Markos

Ditën që shkova në Kaush-Burg, në Tiranë po atë ditë erdhi dhe Jamarbër Marko (Mado), djali i shkrimtarit Petro Marko, i dënuar. Me atë kaluam së bashku një kohë jo shumë të gjatë e formuam shoqëri. Kaushi ishte plot me të burgosur. Kishte dhe të ardhur nga Kamp-Burgu i Ballshit. Dom Mark Hasi, orator i madh i kishave katolike në Shqipëri dhe i tillë ishte. Zëri i tij kumbues tingëllonte, si kambanat e hershme të kishave, ai të tërhiqte dhe të bënte për vete. Na jepte këshilla dhe leksione të shkurtra plot moral. Për shkak të moshës së tij, unë dhe Madua, futeshim në garë se kush mund t’i shërbente më shumë atij. Ai shkoi të vazhdonte vuajtjen e dënimet në Ballsh. I dhashë një palë çorape leshi t’ja jepte babait tim atje që vazhdonte të vuante 23 vit pa ndërprerje.

Burgu i Spaçit një fantazmë e llahtarshme

Tashmë vendi ku do të vazhdojë dënimi, aplikohej dhe puna e detyruar. Ishte miniera e Kamp-Burgut të Spaçit, Mirditë. Porsa zbrita nga autoburgu, pashë një vend fantazmë, që as fantazitë hollivudiane nuk mund të improvizonin një skenë të ngjashme llahtare për filmat e tyre. Vend monstër, ku parashikohej dhe mos dalja gjallë prej aty! Kjo sepse, emrat e të sapoarrestuarve politikë vijëzoheshin me vijë të kuqe në rregjistrat e gjendjes civile. Demogagjia komuniste e quante Spaçin kamp-rehabilitimi. Mjetet e rehabilitimit ishin: uria, puna rraskapitëse, biruca dhe izolimi, përmes të cilave të dënuarit duhej të arrinin e ta çmonin diktaturën. Vetëkuptohet: jo vetëm të të rrah, por dhe s’të lë të qash. Kampi gjendej i futur mes grykës së Spaçit në faqen lindore të një shpati të ngushtë në fundin e të cilit gjarpëronte një përrua acid me ngjyrë okër në të jeshiltë, që do t’i përshtatej ferrit. Në ato godina, nuk të besohej se banonin 1200 vetë. Në çdo 8 orë që quheshin turne, vargu i të dënuarve ishte i pambarimtë. Ku vinin gjithë ata njerëz të shpërfytyruar? Dilnin nga ky kafaz telash hermetik, e merrnin rrugën në një malore shumë të thyer për tu futur në galeritë e zeza të piritit dhe bakrit. Përshkrime për këtë vend vuajtje kanë bërë dhe shumë pena të tjera, dhe nuk dua të zgjatëm.

Komunistët bënin terrorizëm, kush vriste shpërblehej me leje

Mbamendja ime, nuk shkëputet nga tre-katër episode fare të veçanta për mua, mbasi kam asistuar vetë. Mbeten të paharruara. Ekzekutimi me armë zjarri i Miho Shëngjergjit, nga rrënjët e rrethimit, ishte i pabesueshëm. Miho ishte i moshuar dhe nuk mund të kalonte telat me shumë rrethime. Ata e vranë në kamp brenda rrethimit. Por një shqetësim të tillë të dënuarit e Spaçit e hoqën pak javë përpara. Kur rojet e rrethimit, kishin qëlluar të dënuarin Alem Luzi nga Kanina e Vlorës. Alemin, hetuesia e kishte çuar në atë fazë sa ai nuk mund t’i rezistonte qëndrimit në këtë kafaz. Rexhep Goci nga Tropoja duhet të kryente dhe 11 ditë burg, për këtë nuk e kishte kapur amnistia e viti 1982. Ai u caktua të punonte në zonën e dytë. Rojet e rrethimit, e qëlluan me breshëri automatiku, jo në zonën e ndaluar. Roja që qëlloi u shpërblye nga komanda me leje për të shkuar pranë familjes, por mësuam me vonë nga librazhdasit se mbas vitit 1990, ai drejtoi një seksion të partisë demokratike. Në javën e parë të qershorit na ranë të punonim turnin e tretë, grupi i Frederik Tarrellit me Luc Vukën e Arben Dilën, punonin në një front që rrezikohej jeta e tyre nga koha në kohë. Dhe ashtu ndodhi. Mali u shemb, Frederiku shpëtoi me pak lëndime, Arben Dila përfundoi në spital nga ku doli i shëruar. Ndërsa Luca, i dashuri dhe i dhimbsuri ynë, mbeti aty nën mal, ku eshtrat e tij do të vijë një ditë, të dalin si filiz i një përmendoreje e cila do tu bashkohet përmendoreve të shokëve tanë që ju mor jeta nga diktatura komuniste. Në kamp burgun shfarosës Spaç, Mirditë, Luc Vuka, ky djalosh i Malësisë së Madhe, luftoi deri ditën e fundit. Me armën e tij që ja kishte falur zoti (sarkazmën) me anën e të cilës për çdo ditë vrau, theri, rropi e poshtëroi diktatorët e sistemit më të urryer në botë, ato komunist e enverist. Për këtë Luca rrjeshtohet i njëllojtë me atë që prodhuan letërsinë, brenda këtij ferri dhe jashtë tij.

Riarrestimet e ridënimet e të burgosurve

Të paharruara mbeten dhe riarrestimet e ridënimet që individë fatzinj nuk do t’i jepnin atë që quhej liri. Se sipas jeshilëve (ngjyra rrobave të sigurimit të shtetit), përbënin rrezikshmëri shoqërore. Duke mos përshkruar hollësi në kujtimet e mia, i rikthehem porsaardhjes në këtë kamp shfarosës. Porsa zbrita nga autoburgu veç çfarë përshkrova më lart, pashë një dendësi të madhe të asaj popullsie që i ishte hequr liria. Njerëz të shpërfytyruar, fytyrat e tyre jo vitaminoze të jepnin përshtypjen se ishin jashtokësorë, si tablo të shpirtra të vdekur të Nikolla Gogolit. Ditët kalonin në ankth për tu ambjentuar në atë vend dhe me ata njerëz që unë kisha bashkuar fatet, jetën. Njerëz me mosha të ndryshme, me kultura të ndryshme por edhe të shtresave të ndryshme, që më vonë pashë dhe mësova që një pjesë e tyre, jetonin me shpresë dhe pjesa tjetër me besim. Në këtë kamp, ditët kalonin dhe jeta harxhohej, kujtesa e kësaj jete që harxhohej do të luftonte kundër harresës që i duhej sistemit dhe pushtetit katil. Që përjetësohej kjo kujtesë, duheshin luftëtarë inteligjentë, trima e të besuar ndaj njëri-tjetrit, gjë që në këtë dendësi popullate nuk mungonin. Ndjeshmëria e atyre mendjendriturve, çdo eveniment që ndodhte me fshehtësi të madhe e hidhnin në letra duke shkruar në gjini të ndryshme, në poezi, prozë e të tjera.

Personalitete të botës shqiptare në burgun e Spaçit

E për të mos mbetur pa autorsi, ata gjenin (lulja-lulen), konsultoheshin dhe shkëmbenin shkrimet e njëri tjetrit, pra kështu formoheshin rrethe letrare që do të përjetonin ditët e vitet e zeza në këtë vend të zi. Kështu në një grupim djemtë pasionantë ishin Zyhdi Morava, Ylber Merdani, Ferit Tahe, Shefqet Dobra, Ali Laze, Maks Rakipi, Hasan Bajo, Eqerem Muja, Gëzim Medolli, Pëllumb Lame, Xhemal Mustafaraj, Vilson Zeka, Fatmir Lame. Por dhe në nivelin e profesionit, jo të pasionit ishin Visar Zhiti, At Zef Pllumi, Eugjen Merlika, Dine Dine, Lek Miraka, të cilët jo vetëm që nuk harruan ato që shkruan në Spaç-Burg, por shkrimet e tyre projekti i të cilave ishin që nga ajo kohë e izolimit, qëndruan në një shkallë të lartë të disidences kombëtare shqiptare. Shkrimet e autorëve të lartshkruar në Kamp-Burgun e Spaçit janë një ndërthurje e letërsisë, dhe ngjarjeve reale. Kjo letërsi e shkruar në kafazin hermetik me gjemba do të duhej që të kthehet në vizionin pamor nëpërmjet shiritave filmike, ku rolet kryesore t’i realizojnë artistë, karakteret e të cilëve u shkojnë shkrimeve të autorëve që në librat e tyre kanë hedhur të vërtetat e asaj jete të hidhur që ende nuk ka kaluar. Për mua veç dënimit me 10 vjet heqje lirie, vështirësi të veçantë më shkaktonin dhe vuajtjet e nënës, vëllezërve dhe motrës, të cilëve ju shumëfishua një luftë klase e tmerrshme, ballas jo vetëm nga organet e Sigurimit të Shtetit, por dhe me popullatën e fshatit, rrethit e me gjërë. Atyre ju ngarkuan një internim të gjatë me vite, dhe i lëvizën disa herë nga vendi i internimit derisa i degdisën në një mal mes Beratit, Përmetit dhe Tepelenës. Ky ishte një fshat që si i thonë fjalës hante pula gurë. Jetonin mes masash të rrepta sigurie. Asnjëherë nuk i lejuan që të më vinin në burg për takim.

Nga At Zef Pllumi, te Don Sef Simoni dhe Kardinal Troshani

Pikësynimi kryesor i diktaturës ishte të luftonin klerikët katolikë dhe institucionet ku ata shërbenin deri në zhdukje të plotë. Vitet 1975-1985, ishin pak të vona, por në burgun e Spaçit vuanin dënimin disa nga këto personalitete. Ata edhe pse i përkisnin moshës së tretë, vazhdonin të qëndronin brenda shpirtit njerëzor. Të përndershmit: Ernest Troshani, Kolec Andoni, Zef Kol Hardhia (Simoni), Zef Ashta, Pader Zef Pllumi, Dom Ndoc Sahatçija. Ata qëndronin shumë afër me bashkëvuajtësit e tyre, ishin të moralshëm dhe jepnin moral. Nuk përziheshin me biseda që komentohej politika. Përveç Zef Pllumit, që ishte dhe më i freskët  në mendje se kolegët e tij. Ai kontaktonte me bashkëvuajtësit, i studionte ata dhe regjistronte në memorien e tij, atë material që do t’i duheshin për shkrimet brilante që më vonë do t’i realizonte. Padër Zef Pllumi edhe kur u lirua nga burgu nuk i humbi kontaktet me bashkëvuajtësit. Ai për humanzimin që kishte u lidh me disa shoqata humanitare që vepronin rreth Vatikanit dhe ju garantoi shokëve të burgut një shumë financiare modeste. Kjo ndihmë vazhdoi për disa muaj rrjesht dhe ishte në kohën më të përshtatshme, për të sapoliruarit nga burgjet komuniste. E shkuara mbetet një kujtesë krimesh që janë zhdukur vlera kombëtare. I ka kushtuar shumë zhvillimit të vendit tonë. Mund të them për sketerrën që e kaluam, nuk shqitet nga mendja dhe ëndrrat na shfaqen po për atë kohë. Por sot është për tu theksuar vetëm “e drejta” që mbajti të njëjtën linjë edhe në post-diktaturë. Duhet që komunizmi të lexojë vetveten, sepse njeriu shqiptar dhe mbas komunizmit trashëgoi një moral të deformuar, atë të mercenarit të cilën vazhdon ta ketë dhe mbas ndryshimeve politike për këto 30 vjet. Por ne, nuk i takojmë atyre që shpresojnë, por atyre që besojnë. Prandaj dhe shoqëria civile mbetet e paralizuar. Për më të mirën, besojmë, besojmë, besojmë.

Familja patriotike Hudenishti

Gjyshi im Muharrem Hudenishti, ishte oficer i Mbretërisë Shqiptare, luftëtar i lirisë, i lidhur me rilindasit që nga viti 1905. Ai është ekzekutuar me 23 nëntor 1939 nga fashizmi italian. Babai im Besim Hudenishti, ekonomist i lartë mbaruar në Austri në 1934. I burgusor politik nga sllavo-komunistët. Kreu 29 vjet e gjysëm heqje lirie, mbas tre muajsh që u lirua vdiq në internim në vitin 1982. Babai im Besimi u dënua nga fashistët në 1941 me 16 vjet burg, një pjesë të dënimit e vuajti në Cambo Baso në Itali. Xhaxhai im, Nuri Hudenishti, kishte mbaruar akademinë ushtarake në Itali në vitin 1937. U internua në Ulqin nga fashizmi, një prej 37 vetëve të internuar për dy vjet e gjysëm. Formoi grupimin politik të legalitetit. Si drejtues i këtij grupimi për juglindjen e Shqipërisë, bashkëpunoi me Abaz Kupin dhe shumë veriorë zogistë. Aktivitetin e Nuriut kundër nazi-fashizmit, e vërtetojnë këshilltarët anglezë, që kanë vepruar në Shqipëri, Bill Maklean e David Smajli, në librat e tyre. U pushkatua nga komunistët në 10 korrik të vitit 1946./kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here