Shpella e të diturit

0
771
blank

Dom Nikollë Gazulli, kleriku, gjuhëtari, albanologu, etnografi, leksikografi e mbylli jetën në një shpellë i ndjekur dhe i vrarë nga forcat e regjimit në mars të 1946-ës, ndërsa emri i tij, pavarësisht kontributit të vyer, nuk u përmend në studimet albanologjike gjatë diktaturës  

 

Gushtin e vitit 2019, mediat publikuan një lajm të rrallë e emocionepërzierë siç mund të jetë gjetja e një shpelle ku një njeri i përshpirtshëm dhe studiues i rrallë u detyrua të qëndronte, i ndjekur dhe i kërcënuar nga regjimi që kishte marrë pushtetin në vendin e tij. Ishte shpella ku Dom Nikollë Gazulli kaloi vitin e fundit të jetës derisa më 23 mars u vra, o nga forcat e ndjekjes me urdhrin për ta eliminuar, ose nga strehuesi i tij, Nikollë Prekushi.

blank

Gjuhëtari i  rrallë, i diplomuar në Austri, "mâ i dijtshmi që ka pasë ndonjiherë Biblioteka Françeskane”, siç e quan Zef Pllumi, autori i fjalorit të parë onomastik të shqipes, themeluesi i toponomastikës shqiptare sipas Aleksandër Xhuvanit, studiuesi i vyer i etnografisë dhe leksikografisë, u mbyll në atë shpellë të fshehtë në afërsi të fshatit Vrith me dijen e tij të pamatë, ndërkohë që marrëzia e forcave të ndjekjes e kërkonte si agjent të Shërbimit të Fshehtë Ushtarak Italian.

Është e vështirë të mos përfytyrosh libra pranë një studiuesi të tillë, por sendet me të cilat u rrethua në fund të jetës ishin vetëm një shtrat, një shkallë, një kovë uji, ndonjë enë…U zbuluan gushtin e 2019-ës, brenda shpellës që ka marrë si padashur emrin e Dom Nikollë Gazullit, atë emër që e meritojnë shkolla, biblioteka e institucione kulturore me rëndësi…

Nikollë Gazulli, i lindur në vitin 1894, sipas disa burimeve 1895, mësimet e para i mori në shkollën e fshatit të lindjes, në Dajç të Zadrimës. Atë shkollë e kishte hapur Ndre Mjeda çfarë mund të quhej si një bekim. Të mesmen e vazhdoi në Shkodër në Seminarin Papnor e të lartën për Gjuhësi në Insbruk të Austrisë. Ai zotëronte një kulturë të gjerë dhe disa gjuhë të huaja, gjermanisht, italisht, latinisht, sllavisht dhe kishte njohuri në frëngjisht dhe turqisht. U kthye në Shqipëri, ku iu kushtua shërbimit fetar pa hequr dorë asnjëherë nga studimet e tij në fushën e etnografisë dhe leksikografisë. Ndërkohë që kryente shërbimin e tij si famullitar në disa fshatra të Veriut, mblidhte dhe analizonte fjalë të rralla, shprehje frazeologjike, materiale onomastike si: emra vendesh, lumenjsh, fisesh etj., gojëdhëna, fakte historike, mitologjike etj., të cilat i përmblodhi në dy veprat e tij madhore "Fjalorth i ri" (fjalë të rralla të përdoruna në Veri të Shqipnisë), Tiranë, 1941, përfshirë në vargun "Visaret e kombit", XI, dhe "Fjalori Onomastik", botuar pjesë-pjesë në revistën "Hylli i Dritës" nga nr. 2, i vitit 1939 e deri në nr. 9-12, i vitit 1943.

Por veç një mendjeje të përndezur nga dija dhe një zemre të përulur ndaj autoritetit hyjnor e të mbushur me dashurinë për njerëzit që dashuria e Zotit të mëson, Nikollë Gazulli kishte edhe një shpirt luftarak ndaj padrejtësive shoqëore. Pas kryengritjes së Dukagjinit, ai u dënua me burg dhe nga viti 1924 në 1930 qëndroi në burgun e Gjirokastrës, nga u lirua vetëm me ndërhyrjen e Fishtës, Joklit dhe Asdrenit që vlerësonin njeriun, klerikun dhe intelektualin Dom Nikollë Gazulli. Me albanologun e shquar Norbert Jokli, Dom Nikolla pati një letërkëmbim të vazhdueshëm për çështje të shqipes dhe fjalorëve, ku shprehet vlerësimi që profesori i njohur kishte për ish-studentin e tij. Por ndërsa Jokli do të humbiste jetën në rrethana ende të paqarta, por në çdo variant shumë të dhimbshme, si një i arrestuar i Gestapos, në vitin 1942, forcat e ndjekjes së një tjetër regjimi diktatorial do të ndiqnin deri sa do i merrnin jetën Dom Nikollë Gazullit, në vitin 1946.

I ditur, i arsimuar në Perëndim, aq më tepër pjesë e klerit, Dom Nikollë Gazulli u vu në krye të listës së armiqve të regjimit komunist, ku pozita e tij bëhej edhe më e vështirë për shkak të karakterit të papërkulur.  Edhe pse i dënuar një herë me burg, Dom Nikolla nuk heshti para padrejtësive dhe pushteteve duke ngritur zërin kundër tyre në predikime, si në vitin 1939, kur Shqipëria po pushtohej nga Italia dhe në vitin 1945, kur komunistët dukej se po ia dorëzonin Shqipërinë, jugosllavëve.  Dhe pushtetarët e rinj nuk e toleruan këtë qëndrim. Ata u vunë në ndjekje të Dom Nikollës derisa e vranë në mars të 1946-ës. Pa keqardhje për njeriun e perëndishëm, pa keqardhje për studiuesin e rrallë.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here