Vullnetarë me dhunë në aksion, revolta e të rinjve lezhjanë në ’46

0
178

Letërkëmbimi ku zbardhet revolta e të rinjve nga fshatrat e Lezhës, për mobilizimin me dhunë si vullnetarë në ndërtimin e rrugës Kukës-Peshkopi…

Pas urdhrit të Koçi Xoxës, në 20 maj 1946, për të mobilizuar në masë të rinjtë e fshtrave dhe qyteteve si vullnetarë në ndërtimin e rrugës  Kukës–Peshkopi, disa zyra partiake në rrethe e kishin marrë mesazhin e dhunës, pra të mobilizimit me dhunë. Rasti flagrant kishte ndodhur në disa fshtara të Lezhës, ku një drejtues policie kishte mobilizuar me dhunë 50 të rinj nga këto fshatra, të cilët po çoheshin në këtë aksion si vullnetar, por me forcë. Të rinjtë e këtyre fshatrave e kishin gjetur forcën për ta kundërshtuar këtë akt, duke u justifikuar se s’mund të shkonin në aksion si vullnetar me përdhunë, pasi kishin shumë punë në fshat për të bërë si korrje, prashitje, të mbjella etj.

Revolta e tyre kishte shkuar deri në zyrat e larta të Partisë në Tiranë dhe në Ministrinë e Brendshme dhe ishte kthyer në problem. Letërkëmbimi mes krerëve partiakë lokalë dhe në kryeqytet zbulon se kjo fushatë mobilizimi me dhunë ishte ndërprerë dhe se të rinjtë që kundërshtuan, nuk i kishin mobilizuar si vullnetarë.

Letërkëmbimi dëshmon se aksionet që quheshin vullnetare, në vitet e para të regjimit komunist, më shumë i ngjanin mobilizimit me detyrim.

Kujto.al e sjell të plotë letërkëmbimin, ku zbardhet revolta e të rinjve nga fshatrat e Lezhës për mobilizimin me dhunë si vullnetarë në ndërtimin e rrugës Kukës-Peshkopi.

Dokumenti i parë:

Vdekje fashizmit

Liri Popullit

Ministrisë P.Brendshme

Tiranë

Na të nënshkruemit Rinija e katundeve Shinkoll, Gajush, Gryk e Lumit dhe Tale të N/prefekturës Lezhës kemi nderin t’ju paraqesim lutjen sa ma poshtë vijon:

Me datën 7/VI/1946, ditën e premte, jemi lajmërue se me datën 8/VI1946 ditën e Shtund n’ora 5 mbasdite të prezantohemi për në Shtëpinë e Rinisë së N/Prefekturës Lezhës, komunikim ky, që na asht bamë sikur të jemi të mobilizuare për punë vullnetare Kukës-Peshkopi.

Me qenë se neve jemi në kohën e bujqësisë dhe në të cilën kohë korrim gjithë frytin e punës së dimnit, të cilat gja memsi ja kemi arrijtur, sot kërkohemi me insistim që të shkojmë vullnetarisht për në rrugën Kukës-Peshkopi, fakti asht se neve dëshirojmë për të shkuar me punuar vullnetarisht por arsyeja asht se tash jemi në prakun e korrjes së grunave dhe të prashitjes së misrave, kështu që nuk mundemi për me shkue vullnetarë me punuarë, siç na thotë Drejtori i Policisë së Lezhës.

Me qenë se, nga personat të cilët ishin të ngeshëm për punë vullnetare këta u shënuen në kryesinë e frontit të katundit dhe janë gati të nisen kurdo që të kërkohen.

Pra me qenë se neve jemi të angazhuar  shumë me punë në bujqësi gja që asht edhe në dobi të shtetit, të cilës i ka dhanë rëndësinë më të madhe në lamën ekonomike për këto arsyena dhe për tjera  në rast se do na jepet leja për me i thanë të përjashtohemi nga puna vullnetare; por gjithmonë në raste se asht me pa dashje, urdhnave të shtetit  duhet t’i bindemi, por fakti asht se  vetëm ndër katundet tona ka ndodhun nji gja e tillë veç vendeve të tjera, mbasi andej kanë marrë vetëm ata që kanë dëshiruar të shkojnë vullnetarë, kurse në vendet tona duan të na marrin me insistim dhe në mënyrë të detyrueshme. Prandaj lutemi asaj Ministrije që të ketë mirësinë dhe të urdhnojnë ku duhet dhe sidomos të ndërhyjnë pranë Drejtorisë Policisë së Lezhës që të mos na marrin përdhunisht, mbasi po të na mobilizojnë do të na shkaktojnë humbjen e të gjithë punës që kemi se në korrjen e të lashtave, në prashitjen e misrit si dhe kositjen e barit, mbasi nuk ka se kush t’I kryejë këto punë.

Gjithashtu tashti siç dihet prej të gjithëve  se pjesa më e madhe e tokave  asht pa punaur për misër gja e cila duhet t’I vihet parmenda ose plugu s ama parë.

Me shpresë se lutja e jonë ka me u marrë parasysh.

Me nderime

Rinija e katundeve:

Shinkollë, gajush, Gryk e Lumit dhe Tale.

Nënshkrue prej përgjegjsave të Rinisë bregut mates:

Maliq Sokol Djala

Mark Nikoll Sakoli

Kol Ndue Ujka

Tiranë, me 8/VI/1946

Dokumenti i dytë:

Radiogram Nr.859/33

Datë 14 qershor 946

Spiro Panos

Shkodër

Rinija e Katundeve Shinkoll, Gajush, Gryk e Lumit dhe Tale të n/prefekturës  Lezhës, me nëj lutje të firmueme nga Maliq Sakol Djala, Mark Nikoll Sakoli, Kolë Ndue Ujka, i drejtohen Ministrisë Mbrendshme, se rinija e atjeshme po merret përdhunisht  për në rrugën PESHKOPI – KUKES, stop. Ata shtojnë se asht nevoja e korrjes dhe e mbjelljes dhe nga ana tjetër theksojmë ndërhyrjen që ka bamë policija e Lezhës në mobilizimin e tyne stop. Hetoni shpejt dhe mirë se si qëndron çështja dhe përgjigjuni urgjentisht. Stop.

Gogo Nushi.

Dokumenti i tretë:

 Radjogram

Nr.379/

Nr. Prot.859/37

Mbërriti 16/6/946

15 qershor 1946

Koçi Xoxes

Gjegje e telit t’uaj Nr.859/33 datë 14 Qershor 1946. Çështja është e vërtetë por e kemi marrë vesh që kur ndodhi kjo dhe ndërhym menjëherë, kështuqë veprimi u anullua. Nga të afro 50 të rinj të shkruar, mbas ndërhyrjes sonë vetëm 10 shkuan vullnetarisht kurse të tjerët u kthyen se kishin të korrura. E kanë bërë këtë punë dy shokë të rinj. Ne ia theksuam Leces gabimin, i treguam rrjedhimet e imponimit dhe e ndaluam kryekëput ndërhyrjen e policisë në çështje që nuk i përkasin.

Spiro Pano

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here