Dëshmia/ Eduart Mjeshova: Xhaxhanë e vrarë e ekspozuan tri ditë në Gjirokastër

0
2401

Vrasja në kufi e të riut nga Berati dhe trajtimi makabër i trupit të tij që u shëtit dhe u ekspozua për tri ditë në Gjirokastër. Nipi, Eduart Mjeshova, tregon historinë që ka mësuar për ekzekutimin e xhaxhait dhe si arritën t’ia gjenin eshtrat pas 12 vitesh

Pas vrasjes së Pelivan Mjeshovës, në tentativë për t’u arratisur, e vetmja gjë që mësoi familja ishte që ai kishte vdekur pasi kishte tradhtuar atdheun. Dosja që siguroi më vonë nipi, Eduart Mjeshova, tregon sesi Pelivani ishte vrarë në përpjekje me forcat e kufirit, e cila pas parrullës “Ndal” kishte qëlluar mbi të riun derisa ai ishte rrëzuar dhe më pas, nga plagët e marra, kishte dhënë shpirt. Ajo që nuk thuhet në dosje, por që, sipas Eduartit, e di gjithë Gjirokastra, është që për tri ditë, trupin e pajetë të Pelivanit e kanë shëtitur dhe e kanë ekspozuar për të ngjallur terror në popullsinë e qytetit dhe të rrethinave. Familjes iu deshën 12 vjet për të gjetur eshtrat, 6 deri sa u shemb komunizmi dhe 6 të tjerë kërkimesh të dështuara, pasi njerëzit druheshin për të treguar të vërtetën ose nuk ishin të interesuar për ta bërë këtë, por më në fund eshtrat u kthyen në shtëpi dhe sot prehen në Berat, në qytetin e tij të lindjes.

Dëshmia e plotë për kujto.al

Unë jam nipi i Pelivan Rexhep Mjeshovës, djali i Xhevahirit, i një prej pesë vëllezërve të Pelivanit. Quhem Eduart Mjeshova.

Në ç’vit tentoi xhaxhai të arratisej?

Ngjarja ka ndodhur më 3 prill 1984.

Me se merrej Pelivani në atë periudhë?

Kur ka ndodhur ngjarja, kam qenë 10 vjeç. Xhaxhai im, edhe ushtrinë që ka bërë, e ndërpreu përgjysmë sepse u dënua një herë për arsye se…kishin një darkë shoqërie, goditi një punonjës policie dhe e dënuan 1 vit me burg dhe burgun e bëri në Borsh. Një herë ishte në një burg tjetër, në burgun e Lezhës, në Torovicë. Nga Torovica e sollën në Borsh se ishte i sëmurë nga stomaku, vuante pak dhe atje bëri dënimin. Pastaj, u dënua me tre vjet internim në Tërpan, Vokopolë. Pas asaj, e thërritën ushtar prapë. Ishte në moshën 25 vjeç.

Si vendosi të arratisej?

I shkreti, si e si donte…nuk e duronte dot këtë regjim. Ishte shumë i zhvilluar. Edhe nga televizionet. Ne televizorin e mbanim te italiani, te jugosllavi. Shikonte që bëhej jetë më e mirë, edhe vendosi bashkë me dy shokë të tij, me Adnand Kukën, me Luan Berberin, për t’u arratisur.

Nga cila pikë do arratiseshin?

Si fillim, ishte gati dy javë që kanë bërë muhabet me Kujtim Malon që ka qenë krahu i djathtë i tij. Kanë qenë te Klement Veshoja në Pogradec, ndenji dy javë, por nuk arriti dot. E pati të pamundur që të arratisej që andej. Pastaj, kishte bërë muhabet me një Ladi, ne e kemi njeriun tonë, me një nipin e burrit të tezez. Ai kishte bërë ushtrinë në Librazhd, por ai i kishte thënë: “Vani, këtu nga Librazhdi, është frikë se këta të kthejnë. Është shumë zonë e thepisur edhe të kthejnë”. Edhe nuk arriti as që andej të ikte, pastaj vendosi…Ka takuar Adnand Kukën, ka bërë muhabet edhe me Lul Berberin, me Luanin. Vendosi për t’u arratisur në drejtim të Gjirokastrës, të pikës kufitare Peshkëpi.

Çfarë dini për vazhdimin e historisë?

Unë di, sipas të dhënave, se unë pata fatin edhe të mirë, edhe të keq, se unë xhaxhanë tim e mbaja mend djalë king, por kur më thotë xhaxhai tjetër, Flamuri, që është para Vanit: -“Edi, na duhet një dokument që jemi të persekutuar”. Nuk e di çfarë ndihme do merrte. “Duke qenë se ti punon jashtë shtetit, punon këtej nga Gjirokastra, na duhet të marrësh një dokument”. Edhe mbylla makinën, punoja me maune. Marr një taksi, 10 mijë lekë për në Gjirokastër dhe vete te Gjykata e Gjirokastrës. Aty vajta shpejt në fakt, s’ishte hapur akoma. Ishte polici, roja i objektit. Edhe llafe, muhabet. –Për çfarë je i interesuar?-Unë dua të marr një dokument,-thashë, -këtu, këtu. –Po, më tha, për çfarë bëhet fjalë? Unë nuk po i jepja të dhëna. Pastaj, i thashë: Këtu, këtu…-Për ushtarin e ’84-ës?-tha.-Po, e dimë të gjithë.

Çfarë mësuat nga dosja për vrasjen e xhaxhait?

Edhe kur kam parë, kur kam marrë dosjen …Unë xhaxhanë tim e mbaja mend, kam qenë dhjetë vjeç, e mbaja mend king, por kur e pashë në atë gjendje që kishte një plumb në kokë se katër plumba në trup, kam ca foto se mora dhe dosjen, më ka filluar një urrejtje e madhe për ish-komunistët si shumë e shumë familje të tjera, si shumë e shumë njerëz si puna ime kanë vuajtur nga ai regjim…

Harrova të përmendja edhe diçka tjetër se kur janë nisur nga reparti me Lulin edhe me Adnandin, këta kanë ikur…e dinin se kufiri ishte 6 orë se kaq ka thënë Adnandi: “për 6 orë jemi në kufi”, këta janë gdhirë në fushat e Jorgucatit. Edhe më vjen keq, ai ishkreti kishte, kur e kanë kontrolluar nëpër xhepa, i kanë gjetur sodë buke edhe një recetë. Ka menduar, që “do kaloj andej, edhe marr ilaçet e stomakut” sepse vuante pak nga stomaku, edhe pinte sodë. Edhe i ka thënë Luanit: “Luli, unë nuk bëj mbrapa, e di që mua edhe po të më kapin, do më pushkatojnë”. Se ishte edhe më i madhi në moshë, edhe kështu që ai nuk bëri mbrapa.

Çfarë dinte polici i gjykatës për ngjarjen e ’84-ës?

Ai më tregoi që…E kam parë me sytë e mi,- tha. E di shumë mirë ngjarjen, -tha. E kam parë, se trupi i tij, nga ora 8.00 e mëngjesit, deri në 12.00, ka ndenjur në Jorgucat me një Gaz 51-sh, me sponde të hapura dhe spondet kullonin gjak. Trupi i tij është gjezdisur nga Jorgucati në Gjirokastër, në rrugën nacionale, pastaj, trupi i vdekur është lënë te Dega e Punëve të Brendshme, te qymyri, ka qenë një…E di gjithë Gjirokastra këtë, po të pyesësh Gjirokastrën për ngjarjen e ’84-ës. Edhe është organizuar nga qyteti aty, organizuar në ndërmarrje pune që ndërmarrjet siç ishte ndërmarrja e këpucëve, e duhanit të Gjirokastrës, linin punën që të shikonin armikun e popullit. Të trembnin popullin edhe duke parë trupin e tij të vdekur.

Sa kohë zgjati ky demonstrim?

Kjo ka zgjatur tri ditë. Ka qenë tri ditë…

Familja si e mori vesh për vrasjen e Pelivanit?

Po. Në datën 4, na ka ardhur…Unë kam qenë fëmijë. Rrinim te pallati në Çelepias, te pallati i harkut. Na ka ardhur kryetari i Këshillit, nuk e di, kryetar Këshilli a çfarë ka qenë, Kastriot Bejko. Ka trokitur në derë edhe e ka hapur gjyshja, u bë për rrahmet e shkreta, që ka nja pesë vjet që ka ndërruar jetë, e ëma e Pelivanit. Ka hapur derën. –Urdhëro Kastriot, brenda,-tha. –Jo nuk do hyj brenda,-tha,-por ndonjë nga çunat, është aty? Në atë kohë del Luti, Mevluti, xhaxhai tjetër që është pas babait tim se të tjerët ishin në punë. –Urdhëro Kastriot, hajde. –Jo, jo, hajde një çikë përjashta, i tha. Edhe kanë dalë te hyrja. I ka thënë: Vëllai yt ka vdekur.-Nga se ka vdekur? Se unë vëllanë e kam ushtar. E ka zënë ndonjë tunel?-se punonte në xhenio.-Jo, jo, tha.-Ka tradhtuar atdheun. Xhija, gjyshja ime e shkreta, si gjithmonë e trembur, ka dëgjuar pas… këto llafe. Ka hequr shaminë e kokës dhe është futur në shtëpi, e ka lidhur në brez dhe kaq vite, lahej, shpëlahej me atë, nuk e hiqte, i thahej në trup, I njomej, I thahej.

Për mundësinë e marrjes së trupit, ju thanë gjë në atë kohë?

Jo. Ne nuk dinim gjë fare. Edhe ne jemi trembur. U bënë vëllezërit të gjithë bashkë, se ne…gjyshja ishte një, nuk e di, si ajo nënë, si ajo gjyshe nuk lind më një herë, ishte shumë e zgjuar, e pashkolluar ishte, por ishte shumë e zgjuar. Se një djalë i iku, e kupton, edhe ne kishim frikën e internimit.

Ç’ndodhi me ju? Patët pasoja?

Pasojat, të parat ishin: xhaxhai im, i madhi punonte agronom, u bë për rrahmet se ka dhe ai 2 vjet që ka ndërruar jetë, e hoqën nga puna…Bashkimin. Xhaxhai tjetër, Besniku, ishte shef kuzhine në Turizëm dhe në pikën turistike të Beratit, një nga kuzhinierët më të mirë…tre vjet pa punë, e hoqën nga puna. Xhaxhai tjetër që ishte para Vanit, ia hoqën makinën. Ata nuk lëvizën nga puna babanë tim, që punonte në park me hekurat dhe xhaxhanë tjetër, që ishte para Vanit, e çuan dhe atë në park, e çuan fshinte parkun, pastrues, pastaj e çuan gomist. Edhe Mevlutin nuk e lëvizën se ishte një punëtor i thjeshtë, i ndërmarrjes së ujërave, punëtor lopate.

Nuk ju internuan?

Nuk na internuan. Këtë desha të theksoja. Na u bë mbledhje në këndin e kuq dhe ne na ka ndihmuar shumë lagjja, ia di për faleminiderit dhe dua të theksoj këtu një emër. Ka qenë kryetar I Frontit Demokratik të lagjes, Fatmir Vrapi, që ka folur, ka thënë që, ka hedhur një llaf. Unë kam pasur fatin ta kem edhe mësues kujdestar atë, në Tekstile, shkollë mekanike dhe ka thënë një llaf: Ç’keni me çunat e tjerë? Këta janë mirë, e kupton, nuk kanë sjellje të keqe. T’ia heqim triskat e frontit vetëm Naxhies. Edhe kështu u bë se i dëgjohej llafi.

Pas shembjes së komunizmit ju nisët të kërkonit eshtrat. Si arritët t’i gjenit?

Në atë kohë, xhaxhai që ishte shofer, ble një makinë që u privatizuan edhe këto makinat dhe filloi, ishte në kërkim të eshtrave të vëllait të tij dhe një më dy, shkonte në Gjirokastër, në Kakavijë. Mundoheshim, pyesnim, po si duket ishin po ata njerëz, edhe nuk i tregonin gjë njeriu. Ndoshta nga frika, ndoshta nga…E nuk dinim gjë fare. Kjo vazhdoi për pesë vjet rresht. Kur një ditë prej ditësh, na ka ndihmuar një shoku…ai ishte polic, por kishte bërë burg në Qafë-Bari… një shok i Dane Çifligut. Është interesuar dhe gjeti skemën dhe gjeti dhe emrin që e kishte varrosur xhaxhanë tim, Pelivanin. Ai punonte gardian burgu në Berat, por kishte bërë ushtrinë atje dhe ishte si shkollë sigurimsash. Di që i ka vajtur xhaxhai i ka thënë: Po ti e di që ke varrosur vëllanë tim? Ne kemi pesë vjet që e kërkojmë dhe ti s’na tregoje?-Jo, kush të tha? Ai si duket u tremb…-Po unë e kam varrosur,-tha pastaj. Në këtë kohë kemi vajtur, e kemi marrë me vete, ditën e parë në Gjirokastër.

Gërmuam ditën e parë, nuk gjetëm gjë. Pastaj, kemi vajtur ditën e tretë. Edhe sipas të dhënave, që ishte një shkëmb, tha.–Po, tha, mbaj mend që e kam vënë dhe shtrembër se nuk e merrte as gropa. Në këtë kohë duke gërmuar. Na kishte thënë që mbante mend që dhjetë metra, dhjetë hapa nga shkëmbi dhe pamë një vend që kishte bërë vend, që dukej që ishte gropë. Filluam gërmimet. Unë e kam edhe të filmuar. Filluan kërkimet, kur dolën pullat e kapotës, doli kapota e tij pa tretur, mbathjet pa tretur, bluza pa tretur, unaza e tij, çorapet pa tretur. Kam qenë vetë prezent.

Në cilin vit i gjetët eshtrat?

Kjo ndodhi…kur i gjetëm eshtrat, ishte në ’96-ën….. Pastaj i kemi marrë eshtrat, i futëm në një qese, në dy qese të zeza në mos gabohem, kemi ardhur për Berat.

Çfarë do të thoshte për ju gjetja e eshtrave?

Ai ishte një gëzim i madh për ne se shumë familje të tjera nuk i kanë gjetur eshtrat, edhe ai prehet në…prehet sot në varrezat e Beratit, në Burdullias, por nuk më harrohet vetëm diçka. Dy gjëra kam nga historia e xhaxhait tim. Ai kishte shumë nipër dhe ka shumë nipër e mbesa. E para ishte, kur na ndodhi kjo dhe kishte sjellë një sobë, e kishte blerë në Pogradec, se kishte një shok në Pogradec, Klementin… Muça që i thoshin. Edhe i thotë e ëma: “Pelivan, shiko mos na merr ndonjë sobë”. Edhe e sjell. Edhe gjyshja e shkretë qante duke pastruar atë sobën se i gëzonte vetëm asaj sobës që kishte prej atij, as trupin...

Edhe herën e fundit, kur kanë ardhur eshtrat në shtëpi, doli…E rregulluam në një arkivol të vogël. –Të keqen nëna,-tha,-e dija që do i vije nënës në shtëpi, pas 12 vjetësh. Edhe po puthte…hapi arkivolin, puthte ato eshtrat…

Keni një mesazh për familjet që ende i kërkojnë eshtrat e të afërmve dhe për institucionet?

Unë uroj që gjithë ato familje që nuk kanë gjetur viktimat e komunizmit dhe të vuajturit, duhet më shumë mbështetje të kenë nga institucionet, për t’ia lehtësuar dhimbjen, se nuk kanë pasur, edhe për të persekutuarit, duhet të ketë më shumë vëmendje shteti shqiptar, se janë njerëz të vuajtur edhe njerëzit më të nderuar./kujto.al

blank

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here