Grupi i Lushnjës, një i varur dhe tetë të pushkatuar që të edukohej fshatarësia

0
6356
blank

Në mbledhjen e kryesisë së Këshillit të Ministrave, më 26 maj 1951, diktatori urdhëroi dërgimin në gjyq të kulakëve të Lushnjës dhe përforcimin e luftës kundër tyre. Menjëherë pas mbledhjes, Sigurimi përgatiti skenarin dhe arrestoi 17 veta, të cilët, pas një procesi gjyqësor me dëshmitarë të rremë dhe pa prova shkencore, morën dënimet e tyre: 1 me varje në litar, 8 me pushkatim dhe 8 të tjerë me kohë të ndryshme burgimi, nga të përjetshëm në një vit heqje lirie. Xhafer Sadiku, në librin e tij “Shqipëria nën sundimin komunist 1944-1990”, financuar nga KAS, sjell detajet e atij procesi me përmbajtje qesharake dhe vendim tragjik

Xhafer Sadiku

Më 26 maj 1951, Enver Hoxha thirri një mbledhje të Kryesisë së Këshillit të Ministrave, ku u diskutua për rrethin e Lushnjes. Kreu i regjimit deklaroi: “…Atje ka mbretëruar kulaku. Juve s’e keni ndjekur këtë çështje... të hidhen në gjyq kulakët. Gjyqi të bëhet shembull dhe të vlejë për të ashpërsuar luftën kundër kulakut, por kjo të bëhet me bindje”.

Në zbatim të urdhrit të kreut të regjimit, Sigurimi i shtetit përgatiti skenarin dhe arrestoi 17 persona, shumica e tyre të cilësuar kulakë. Me gjithë se kishin diferenca moshe, nga 20 në 75 vjeç dhe nivel të ndryshëm arsimi, ku krahas mësuesit kishte edhe analfabetë, Sigurimi i përfshiu në një “grup”. Sipas skenarit, Sigurimi vuri në krye të “grupit” mësuesin veteran Fuat Abaz Kurti, nga një familje shumë e njohur dhe patriote e zonës së Myzeqesë. Të arrestuarit e tjerë ishin: Rap Qereti, Hysen Baho, Veiz Kurti, Hamdi Sefa, Demir Guberja, Mitro Vula, Naun Daja dhe i biri Jorgji Daja, Isuf  Çela, Zenel Çela, Skënder  Çela, Abdyl Shkurti, Nazmi  Shehu, Mustafa  Tafa, Ismail Muja dhe File Gubera. Më i riu prej tyre ishte Jorgji Daja, 20 vjeç dhe më të moshuarit, Naun Daja 75 vjeç dhe Veiz Kurti e Rap Qereti nga 70 vjeç.

Arrestimi dhe dënimi i tyre kishte qëllim të pastër politik, për të “vërtetuar” tezën e regjimit mbi zhvillimin e luftës së klasave. Duke iu drejtuar gjykatës, prokurori vuri qëllimin e vërtetë të dënimit të tyre: “Ky proces gjyqësor merr një rëndësi të posaçme edhe për vet faktin se do të lozë një rol të madh edukativ në fshatarësinë t’onë, në zhvillimin e ashpërsimin e mëtejshëm të luftës.”

Dëshmitarë të rremë. Në të gjitha gjyqet e regjimit komunist përdoreshin dëshmitarë të rremë për të “vërtetuar” akuzat ndaj të arrestuarëve. Në gjyqin e “grupit të Lushnjes”, midis dëshmitarëve ishte një 12 vjeçar, ND, i cili tha se natën e vrasjes së Xh. Kurtit kishte parë katër persona, midis të cilëve ishte Mitro Vula.

Dëshmitari Sh. S. tha: “Abdyl Shkurti, kur i shkoi plani për të mbjellë pambuk ky e kundërshtoi këtë urdhëresë të pushtetit dhe në vend të pambukut mbolli misër. Për këtë u mblodh organizata bazë dhe muarëm vendim që t’ia prishnim misrin, duke lëshuar gjënë e gjallë në të. Mua në atë kohë më kishte ardhur vëllai im që ishte oficer, me leje, dhe në këtë rast atë ditë unë i vodha revolen se mos na ngjajë ndonjë send me këta. Kështu që kur morëm neve bagëtinë dhe e futëm në misrin e tij, ky bashkë me vëllezërit e tij muarën cfurqet, spatat dhe thikët dhe na u vërsulën. Por, po të mos kisha qenë unë që kisha revolen, të cilën ua drejtova dhe i paralajmërova se do tu vras po u afruat, do të na kishin çarë me ta... Unë them se këta kanë vendosur të vrisnin anëtarët e Partisë në fshat, për shkak se ata ishin vigjilentë karshi urdhëresave të Qeverisë dhe i demaskonin në masë për punën e tyre prej kulaku. Për këtë, unë kërkoj që për të gjithë të jepet dënimi me litar”.

Dëshmitari Ll. P., arsimtar: “... Më ka rënë rasti të bisedoj me Fuat Kurtin, mbasi unë kam qenë arsimtar... Unë e kam pyetur dhe më ka pyetur mbi nxënësit se si shkojnë me mësime. Unë i tregova se tek unë shkojnë shumë mirë pionierët se u është dhënë çdo ndihmë. Kurse ky tha: tek unë shkojnë shumë keq, për shkak se janë ç’veshur, zbathur, pa ngrënë dhe pa pirë, kështu që s’kanë vullnet për mësime...Ky tha se dhe ne, që marrim 400 gram vaj e pak ushqime, nuk shkojmë mirë dhe vuajmë, porse unë e godita dhe i fola mbi konditat e vendit t’onë...”

Dëshmitari Xh. N., 19 vjeç: “...Neve kemi tre kulakë që ndodhen në fshat të cilët janë: Veiz Kurti, Iljaz Kurti dhe Vesel Kurti, ndërsa kulakët e tjerë Bahri Kurti, Hamdi Kurti, Rauf Kurti, Mehmet Kurti ndodhen në burgje dhe familjet e tyre ndodhen në fshat me përjashtim të familjes së Bahri Kurtit që qëndron këtu në Lushnje... Unë kam dyshim edhe tek Fuat Kurti që të ketë dijeni për vrasjen mbasi edhe ky është kulak, mban qëndrime armiqësore, ka hedh parrulla kundër pushtetit tonë kundra paqes, kundra Bashkimit Sovjetik...”

Dënime pa prova. Nga aktet në dosjen hetimore rezulton se nuk ka pasur asnjë grup të organizuar dhe nuk është paraqitur asnjë provë shkencore. Në vendimin nr. 407, datë 20.8.1951, të Kolegjit Ushtarak pranë Gjykatës së Lartë, midis të tjerave, lexojmë: “Në planin e gjërë të punës armike kanë shtruar si detyrë kryesore në dobi të klasës tyre si kulakë dhe të padronëve të tyre imperialistëve Amerikano-Englezë, këto pika: 1- Agjitacion dhe propagandë në elementë të pakënaqur e të prekur nga reformat, për të ngjallur psikozën e një lufte të re si dhe nevojën e ndërhyrjeve të imperialistëve Amerikano-Englezë, për të okupuar vendin tonë, dhe për të rrëzuar me dhunë Pushtetin Popullor. 2- Nxjerrja nga radhët e tyre dhe hedhja në arrati e elementëve dhe pastaj në bashkëpunim me të, të kryenin kërcënime dhe vrasje kundra përfaqësuesve të Pushtetit Popullor, e në radhë të parë kundra anëtarëve të Partisë së Punës së Shqipërisë, me qëllim që të dobësojnë luftën ekonomike-politike të klasës dhe të frikësonin fshatarësinë e varfër e të mesme. 3- Përpjekje për të shkëputur ose penguar në çdo mënyrë fshatarësinë tonë nga rruga për kolektivizimin e bujqësisë”.

Pa asnjë provë shkencore, por vetëm me dëshmitarë të rremë, më 20 gusht 1951, gjykata dënoi: Fuat Abaz Kurti, me vdekje dhe ekzekutimin e tij në litar. Demir Gubera, Rap Qereti, Hysen Baho, Veiz Kurti, Hamdi Sefa, Naun Daja, Jorgji Daja, Mitro Vula, me vdekje pushkatim dhe me humbjen e përhershme të të gjitha të drejtave civile. Isuf  Çela, me burgim të përjetshëm; ndërsa Nazmi  Shehu, Skënder  Çela dhe Zenel  Çela me nga 20 vjet dhe humbjen e të drejtave elektorale për 5 vjet kohë. Të tjerët, me afate burgimi që zgjasnin nga 1 vit në 7 vjet. Fuat Kurtit, Veiz Kurtit, Rap Qeretit, Naun Dajës, Hamdi Sefës, Nazmi Shehut, e të tjerë, iu konfiskuan pasuritë e luajtshme e të paluajtshme. Ekzekutimi i të dënuarve me vdekje u bë sipas pretencës së prokurorit: Fuat Kurti u ekzekutua me varje në litar në qytetin e Lushnjes; Hysen Baho, Veiz Kurti dhe Demir Gubera me pushkatim në Ngurëz; Rap Qereti, Naun Daja, Mitro Vula, Jorgji Daja me pushkatim në katundin Stan Karbunarë dhe Hamdi Sefën me pushkatim. Sipas prokurorit, organizatori i këtij grupi Fuat Kurti, kishte vendosur lidhje edhe me elementë “armiq” që punonin në Lushnje, me të njëjtat qëllime, si Rrahman Uruçin, Myftar Xhindolen të arrestuar “për veprimtari kundër revolucionare”. Në të vërtetë, Fuat Abaz Kurti (1902-1951), kishte dhënë kontribut në fushën e arsimit, për vite me radhë.

Shkëputur nga libri "Shqipëria nën sundimin komunist 1944-1990" (Genocidi mbi kulakët), i autorit Xhafer Sadiku, financim i Fondacionit Konrad Adenauer Shqipëri. Autori ka përdorur si burime AQSH, AMPB etj. 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here