Dokumenti 1967/ Dogji veten me vajguri pasi vuajti 13 vjet, 11 muaj e 27 ditë burgim

0
1726
blank

Historia tragjike e Adriatik Tahir Kadilli Adriatiku i cili vuajti burgimin në kampet dhe burgjet e diktaturës dhe i dha fund jetës pas lirimit nga burgu

Adriatik Tahir Kadilli, lindur në Korçë më 29.5.1930, kishte mbaruar arsimin e mesëm pedagogjik kur u arrestua më 11.8.1951 në moshën 21 vjeçare. U përfshi në një grup të pandehurish së bashku me shtetasit: Abdulla Zoto (1918), Tahir Kalo (1917), Hajdar Xhafa (1930), Selfo Asllani (1930), Hekuran Kuqi (1921), Xhaferr Bejko (1905).

Të gjithë u akuzuan se bënin pjesë në një “grup kriminal dhe në banda të armatosura të formuara jashtë shtetit nga imperialistët amerikano-anglez me satelitëve të Athinës, me qëllim që të minojnë pushtetin popullor, d.m.th. kanë kryer krimin e tradhtisë ndaj atdheut, spiunazhit, agjitacionit dhe propagandës kundër Republikës Popullore të Shqipërisë”, sipas parashikimeve të neneve 64, 65, 69, 72 të Kodit Penal. Procesi nuk ka prova të qarta e të besueshme, ndërsa përmenden edhe emrat e anëtarëve të emigracionit politik shqiptar si: Abaz Ermenji, Muharrem Bajraktari, Fiqri Dine, Haki Rushiti, organizatat e Ballit Kombëtar, Legalitetit, Agrarëve, etj.

Pretendohej se Adriatiku, pasi kishte “dhënë” informata që nuk i posedonte, me karakter politik, ushtarak dhe ekonomik, i kishte kërkuar Asfalisë greke radiomarrëse, materiale propagandistike, por nuk kish arritur falë “vigjilencës revolucionare të organeve të Sigurimit”.

Për të gjykuar çështjen vetëm në një shkallë e për dy ditë, Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë i përbërë nga majorët: Mustafa Qilimi (kryetar), Llazi Polena e Loni Dimoshi (anëtarë), me pjesëmarrjen e prokurorit major Feridon Minarolli u vendos në Ersekë. Me vendimin nr.93, datë 26.3.1953, pasi i deklaroi fajtorë të pandehurit, dënoi me vdekje e konfiskim të pasurisë shtetasit: Abdulla Zoto dhe Tahir Kalo. Adriatiku u dënua me 25 vjet heqje lirie e konfiskim të pasurisë. Të tjerët morën burgime të rënda. Më 23.4.1954 Presidiumi i Kuvendit Popullor la në fuqi dënimet me vdekje për dy të dënuarit.

Lirimi

Adriatiku vuajti burgimin në kampet dhe burgjet e diktaturës. Ai u lirua më 7.8.1966 nga Reparti nr.323 Fushë Krujë, ku punonte për ndërtimin e fabrikës së çimentos. Komandanti i repartit Qemal Malaj dhe komisari Besnik Çomo, në fletën e lirimit shkruanin:

“Gjatë kohës që ka vuajtur dënimin në këtë repart, nuk ka mbajtur qëndrim të mirë, nuk ka treguar asnjë farë shenje pendimi për fajin e kryer. Ka pasur raste të thyerjes së disiplinës dhe të shkeljeve të rregullave të brendshme në repart. Kohët e fundit ka filluar të propagandojë në të dënuarit e tjerë duke u thënë që mos të punojnë. Normën e ka realizuar 135% me qëllim që të fitojë nga puna e të lirohej sa më parë nga burgu”.

Vdekja

Adriatiku nuk mundi të jetojë i lirë më shumë se gati një vit. I përfshirë nga streset e vazhdueshme të jetës së re të pasburgut, i “punësuar” në një fermë bujqësore, u detyruar t’i japë fund jetës në një mënyrë të jashtëzakonshme e tejet të guximshme, vetëdjegies.

Në komunikatën nr.178, datë 2.7.1967, të MPB-së thuhet: “Më datën 1.8.1967 në një parcelë me misër në fermën “Irakli Terova” u gjet i djegur Adriatik Kadilli, vjeç 36 nga dhe banues në Korçë, i dënuar me 20 vjet për veprimtari armiqësore kundër pushtetit dhe liruar nga burgu para 6 muajve, shtresë e pasur. Nga hetimet e bëra prej grupit operativ, doli se është vetëdjegur me dashje, duke lyer me vajguri të gjitha teshat e trupit. Disa metra larg u gjet një shishe që kish pasur vajguri dhe një letër e shkruar prej tij ku thotë: “Po i jap fund jetës deri këtu”. Të përmendurit, pas daljes nga burgu i është dhënë disa herë punë si punëtor, por ai nuk ka pranuar të shkonte. Tregohej njeri kokëfortë dhe i mërzitur, prandaj arrihet në përfundim që për këtë arsye, kreu aktin e sipërm”.

 

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here