"Ti këlysh reaksionari e ke vendin në çimento, krevati është i yni"

0
475
blank

Ylli Tabaku u dënua tri herë me burgim. Vuajti 26 vjet, 8 muaj, 24 ditë burg komunist. Para dhe mes burgimeve ka qenë i internuar. I ati, të vëllezërit, madje dhe nëna me motrat kanë provuar arrestimet dhe burgjet komuniste. Historia vjen e treguar në kujtimet që la para se të ndahej nga jeta në mars 2021

Nga Ylli Tabaku

***
Në vitin 1947, babanë tim e arrestuan dhe e dënuan me grupin e deputetëve. Ky “grup”, të cilin e krijoi Sigurimi i Shtetit si të tillë, përbëhej nga 24 persona. Në të bënin pjesë edhe 6 deputetë, që “kryesohej” nga Shefqet Beja, i cili ishte edhe djali i dajës së babait tim. Ai ishte një burrë shumë inteligjent, kishte mbaruar studimet e larta në Francë. Edhe të tjerët ishin intelektualë, vetëm babai im ishte me shkollë të mesme.
Gjyqi i tyre u zhvillua në një nga kinematë e qytetit me altoparlant, që ta dëgjonin të gjithë. Kur iu dha fjala dhe u ngrit për të folur, Shefqeti nuk e hapi gojën fare, por vetëm tregoi plagët që i ishin krijuar nga torturat e tmerrshme dhe çnjerëzore që kishin përdorur mbi të sigurimsat famëkeq.
U dënuan 16 veta me vdekje. Shefqet Beja, Riza Alizoti dhe Sulo Klosit u dënuan me varje në litar. Babai u dënua me burgim të përjetshëm dhe me konfiskim të pasurisë.
Një ditë, në mëngjes herët, unë sapo i kisha mbushur 5 vjeç, e shikoj veten në dysheme dhe i rrethuar nga disa çizme, - thashë se, mos jam duke parë ëndërr, - por, një zë që m’u duk sikur doli nga një grykë ferri, me solli në vete.
Ai tha: - Aty e ke vendin ti këlysh reaksionari, në çimento, krevati është i yni, – vijoi. Ata filluan të merrnin çfarë u zinte dora; pjata, lugë, gota e thika, dyshekë, çarçafë e jorganë, krevate, rafte e komo, pra një bastisje deri edhe ndërresat. Ata hapen edhe një sapet të madh, - se kështu i thonim ne, - nga i cili nxorën lloj-lloj ndërresash, burrash dhe grash, dhe llogaritën të na linin vetëm nga një palë ndërresa. Sikurse e përmenda, në këtë kohë unë isha i vogël . Së bashku me vëllanë, që ishte dy vjet më i madh se unë, dolëm në ballkon dhe shikonim vargun e kamionëve që ngarkoheshin tek magazinat tona. Kjo zgjati gjithë ditën, derisa i boshatisën fare magazinat. Tek dera kryesore e shtëpisë mbërthyen një pllakë llamarine, ku shkruhej: “Pasuri Shtetërore”. Me një fjalë na morën gjithçka kishim.
Në vitin 1949, do të ndërtohej porti i Durrësit, aktualisht, është diga e madhe që rrethon gjithë portin, të cilën e quanim “tek gurët”.
Ata morën gjithë fëmijët e reaksionarëve - se kështu na quanin ne në atë kohë, - nga mosha 14 vjeç e lart dhe, na dërguan atje, si të dënuar me punë të detyrueshme. Me këtë punë rraskapitëse u dënuan edhe dy nga motrat e mia, Dhurata 14 vjeç dhe Nevrezja 17 vjeç, ndërsa motra e madhe kishte mbaruar ekonomikun dhe punonte në administratë, kështu që i pati shpëtuar kësaj torture. Drita, më e vogla nga motrat, ishte vetëm 10 vjeç në atë kohë, ndërsa ne të tre djemtë ishim të vegjël fare.
Vuajtja e dënimit të parë në vitet 1960-1979: 18 vjet, 1 muaj, 17 ditë
1-Në Repartin nr.319, Vlorë, vitet 1961-1962
Fillimisht, nga birucat e Lushnjës më dërguan në Burgun e Vlorës, i cili quhet Reparti nr.319. Gjëja që më bëri përshtypje sapo hyra në ato ambiente, ishte një dhomë shumë e madhe, e shtruar me katër rreshta dyshekësh në çimento. Dhe gjëja më e çuditshme në shikimin tim të parë, ishte veshja e tyre, rrecka-rrecka dhe gjithë arna saqë nuk e merrje vesh se kush kishte qenë stofi i parë. Në ato momente thashë me vete: - Pse i paskan futur gjithë lypsarët në burg?
Më vonë e mora vesh se nën ato rrecka fshiheshin trupat e ish oficerëve, zëvendësministrave, inxhinierëve, ekonomistëve dhe shumë intelektualë të klasave të përmbysura. Kur i thërrisnin për takim, ata visheshin me rroba të mira, normal dhe dukeshin të tjerë njerëz.
2-Në Repartin nr.303, Tiranë, vitet 1962-1963
Mbas disa muajsh më dërguan në kamp pune, fillimisht në Tiranë ku po ndërtohej një kombinat mishi, aty vuante dënimin vëllai i madh Hyseni. Disa shokë të mi, të cilët i kisha njohur në Burgun e Vlorës, e gjetën Cenin, dhe i thanë, - shko more se, të ka ardhur vëllai, - jo, u përgjigj ai, - kërkova me sy, por nuk ishte. Ne, të porsaardhurit, rrinim me vete dhe nuk na lejonin të bashkoheshim me të tjerët. Atëherë shokët e mi i treguan vëllait tim,- ja ku e ke, ai i gjati. Vëllait tim, nuk ia kishte marrë mendja që, për 4 vjet, kisha ndryshuar aq shumë, ndërsa për mua ai nuk kishte ndryshuar. U takuam, përqafuam dhe u çmallëm. Unë e pyeta për momën, motrat se ai i kishte takuar çdo 15 ditë. Në këtë kamp jetesa nuk ishte shumë e vështirë, se komandant ishte Hysen Kapllani, nuk kishte as fyerje, as dru, ai ishte njeri i ligjit, për të cilin do të flas më vonë.
Në vitin 1962, na dërguan për të ndërtuar bllokun “50 vjetori”, te stadiumi “Dinamo”. Dhe, prej aty, na dërguan te uzina traktori, ku nuk ndenjëm shumë gjatë.
3-Në Repartin nr.303, Vlorë, vitet 1963-1964
Në vitin 1963 na transferuan në Vlorë, ku ndërtuam uzinën e sodës kaustike.
4-Në Repartin nr.307, Rubik, vitet 1964-1965
Në këtë vend, unë, nuk ndenja shumë se me transferuan në Rubik, ku u ndërtua uzina e bakrit.
Unë, Hakim Bulku dhe Halit Zajimi. Dalë në Rubik. Një fotograf ia kishte prish mendjen komandantit të kampit, një injorant që për fituar ca para, e futi në kamp, dhe u bënë këto foto.
5-Në Repartin nr.303, Elbasan, vitet 1965-1966
Në vitin 1965, me transferojnë në Elbasan, ku punuam në ndërtimin e fabrikës së çimentos.
***
Në Repartin nr.323, Fushë Krujë, viti 1966, ridënimi
Mbas disa muajsh, na dërguan në Fushë Krujë, ku u ndërtua e njëjta fabrikë çimentoje si në Elbasan. Atë e ndërtonin të burgosur ordinerë, por ato i bashkuan dy kampe bashkë, armiq dhe ordiner, se donin që me rastin e festave të nëntorit të inauguronin një fabrikë. Këtu jo vetëm se, puna ishte shumë e rëndë por, edhe punonim, me orar të zgjatur. Policët silleshin si bisha, për gjënë më të vogël haje hekura dhe dru.
Në këtë kohë, isha 23 vjeç, dhe mendoja për vitet e gjata që unë isha i detyruar t’i kaloja në këtë lloj regjimi dhe mendoja e imagjinoja veten të plakur e të rrënuar dhe i thosha vetes, - more si do të vuash kaq shumë vite burg, pse nuk tenton njëherë të arratisesh? Qysh nga ky çast mendoja se, si mund të arratisesha, ku nuk me shkonte mendja. Mendova të ndjek shembullin e dy djemve tek stadiumi Dinamo që u arratisën duke kapërcyer telat. Ja si vepruan ata: - Çdo darkë në mes të oborrit dilte kazani i çajit dhe njerëzit vraponin kush e kush të shkojë më parë, mbrapa kazanit ndodhej një gardh me tela me gjemba dhe aty pranë një trup roje i armatosur. Roja ishte mësuar duke parë njerëzit që vraponin për çaj dhe nuk i shkoi mendja se dy djem të rinj, nuk do të ndalonin tek kazani i çajit por me një batanije ata do ti ngjiteshin gardhit të telit dhe të dilnin jashtë, kështu që ata nuk reaguan fare. Mbas disa ditësh, vërtetë ata u kapën , por arratisja qe e suksesshme. E mendova këtë variant, por u kujtova që kampi ku unë po vuaja dënimin ishte në mes të fushës, ndërsa ai në mes të pallateve, kështu që edhe kur u kujtua roja se çfarë ndodhi nuk qëllonte dot se ishte në mes të lagjes. Mbasi e vrava mendjen shumë gjatë, mendova se mënyra e arratisjes, që këtu, mund të jetë e suksesshme vetëm me makinë.
Para disa muajsh, pata njohur një të burgosur të ri, ishte me origjine çame, por lindur e rritur në Tiranë. Ai kishte punuar si xhenerik tek parku i kamionëve dhe dinte të ngiste makinën, se ato kur i riparonin makinat i provonin për punën që kishin bërë, ai ishte arratisur në Greqi. Mbas një kohe jo shumë të gjatë atë e kontaktojnë dy agjentë sigurimi shqiptarë, dhe i thonë: - Ktheu në Shqipëri se do të vrasin mamanë. Ky vetëm nënën kishte sepse babai i kishte vdekur herët dhe, ajo, e kishte rritur jetim me sakrifica e mundime. Ky u tremb shumë. Ato i kishin thënë se, “po u ktheve vetë nuk do të bëjnë asnjë gjë, do të japin punë, dhe ti do të jetosh i qetë”. Atëherë Babushi, se kështu e thërrisnim, emrin e kishte Maksut Xhumaka, nga Margëlliçi i Çamërisë, u kthye në Shqipëri. Me të ardhur në Shqipëri e dënuan me 20 vjet burg. Unë kisha shumë muhabet me të. Ai m’i kishte treguar të gjitha, si kishte shërbyer 3 vjet në kufi, si ishte arratisur, e të tjera. Thashë me vete, ky është personi të duhur, për këtë punë.
Një ditë tek po shëtisnim në oborrin e kampit i thashë:
- Ore Babush, sa u dënove ti?
– 20 vjet, - më tha , - po mirë, a ke ndërmend të qëndrosh kaq gjatë në burg, se unë e kam gjetur një mënyrë arratisje.
- Po si? - pyeti ai.
- Të gjejmë rastin dhe të marrim një makinë dhe t’i biem postobllokut, - i them planin, unë, duke vazhduar: - Mbasi të jemi larguar disa kilometra e lëmë makinën, dhe kthehemi në drejtim të kampit.
- Çfarë do të thotë kjo, në drejtim të kampit, - më pyeti ai.
-Sepse, ata, do të përpiqen të na ndjekin pas duke iu larguar kampit,- i them unë, - dhe atyre nuk do t’ju shkoj në mendje se, ne, jemi afruar përsëri në drejtim të kampit, ndërkohë errësohet, dhe ne dimë vende boll për t’u stërholluar në Tiranë.
Duke filluar nga ai moment, ne, filluam të vëzhgojmë makinat e shumta që hynin e dilnin në kamp. Ndërkohë filluam të përgatiteshim fizikisht, vraponim tek salla e mullinjve të klikerit, duke ndjekur njeri-tjetrin, me vrap më të fuqishëm. Morëm dy bishta kazme dhe e godisnim njeri- tjetrin, me sa fuqi që kishim, nëpër krahë, në kurriz e në këmbë, me një fjalë bënim përgatitje fizike ekstreme, se e dinim, se po të na kapnin do të na torturonin mizorisht.
Ai nuk ishte shumë i gjatë, por shumë i fuqishëm. Ndërsa, unë, isha më i gjatë, muskulor dhe shumë i fuqishëm, 23 vjeç. Mbasi kaluan disa ditë, duke bërë këtë stërvitje të jashtëzakonshme, u dha rasti i shumë pritur. Në ambientet e burgut erdhi një kamion i markës “Saurel”, pothuajse i ri.
Kamioni si duket e kishin sjellë me qëllim për të marrë një rimorkio, se në atë vend, ku ndaloi ai ishin nja 4 a 5 rimorkio, fare të reja, dhe patjetër duhet të merrte njërën prej tyre. Shoferi afroi makinën pranë njërës prej tyre dhe zbriti për ta lidhur rimorkion, duke e lënë makinën ndezur. Në këtë kohë, ne, u afruam për të hipur. Por, ai, u kthye mbrapsht dhe mori një çekiç nga makina dhe u largua përsëri për të lidhur rimorkion, në këtë kohë ne hipëm menjëherë në makinë.
Babushi, shoku im që tashmë ishte në vendin e shoferit megjithëse, i dha shumë gaz makinës, nuk mundi të ecte shumë pasi shoferi i kamionit arriti të hapë derën dhe ta godasë me çekiçin që kishte në dorë tek gjunjët. Unë, në këtë kohë u zgjata mbrapa Babushit dhe i dhashë një të shtyrë shoferit, tërhoqa derën, ndërkohë ishim drejtuar drejt postobllokut. Postoblloku ishte një tub i trashë nja 20 centimetra dhe dera e thurur me tela. Polici i derës rrinte i qetë dhe priste makinën që t’i bënte kontrollin e radhës, pastaj ta linte të kalonte. Babushi më pyeti mua: - O Yll, po këtij çfarë t’i bëj unë? - Mos nguro, - i thashë unë, - se, ai, e shikon makinën dhe do të largohet vetë, ti vetëm ec përpara.
Dhe ashtu ndodhi. Polici u hodh në anë dhe, ne, kaluam postobllokun, megjithëse ishte goxha tub hekuri shumë i trashë, ai fluturoi si një kunj shkrepëse. Sigurisht, kështu do të ndodhte, sepse makina me gjithë rimorkio kishin një tonazh shumë të lartë, kështu që tubi u thye menjëherë. Truproja që ishte nga krahu i shoferit, ishte shumë afër derës së rrethimit, nuk pati mundësi që të hapte zjarr. Ndërsa, ai, që ishte nga ana ime qëlloi menjëherë me breshëri dhe tre plumba depërtuan në derë dhe ranë tek këmbët e mia. Kaluam derën dhe u futëm në rrugën që vazhdonte paralel me rrethimin e kampit. Gjatë këtij rrethimi ishin 6 roje të armatosura, me mitralozin tip “DP”, me dy këmbë.
Përpara nesh u shfaq një rul, nga ato që shtrojnë rrugët, ky rul kishte zënë gjysmën e rrugës, por Babushi e shmangu këtë pengesë dhe e kaloi makinën në anën tjetër, por rimorkio rrëshqiti në kanal dhe gradualisht e tërhoqi edhe makinën nga pas, kështu që makina u përmbys. Xhamat e parë u thyen dhe, ne, nuk di si kemi dalë prej aty, si me katapult.
Babushi ja futi vrapit në drejtim të një toke të punuar, ndërsa unë vendosa që mos të ndiqja të njëjtën rrugë, se kishte rënë pak shi dhe mendova se mund të mbetem në baltë, dhe vazhdova të vrapoj nëpër asfalt, paralel me rojet.
Menjëherë, të gjashtë mitralozat hapën zjarr në drejtimin tim, gjatë vrapimit peliçja ime ishte e hapur dhe, unë, ndjeja erën e pambukut të xhupit që digjej nga plumbat. Po vrapoja shumë shpejt dhe breshëria e plumbave vinte në krahun tim të djathtë. Qëllimi im ishte të arrija të kapja kthesën, - se përpara meje vinte një kthesë, pasi po të mbërrija aty, ata, nuk mund të më shikonin më, por në moment pashë tre plumba, që kaluan ndërmjet këmbëve të mia, që brimuan asfaltin. Në këtë moment ndjeva rrezik dhe thashë me vete: - Tani mbaroi çdo gjë, do të më vrasin. Ky ishte një moment i vështirë dhe në të qindtat e sekondave, si në një film, përpara meje m’u shfaq në asfalt fytyra e momës time dhe, më pas, bashkë me mbesën Raunelën, të kapura për dore. Thashë me vete: - Kanë ardhur të ndahen me mua.
Sigurisht vdekja ishte e sigurt, por ndërkohë dëgjoj një zë që thirri: - Zjarr, ndalo! Ngrita shikimin lart, dhe pashë që nga kthesa doli një makinë. Kështu që, kuptova se ata nuk mund të qëllonin më, dhe unë vazhdova të vrapoj. Kur iu afrova makinës fillova të eci me hap, për të mos rënë në sy. Kur makina u afrua, tek ata, që më ndiqnin mua dhe i kaloi, ato filluan përsëri të qëllonin por kjo nuk zgjati shumë, pasi u dëgjua po i njëjti zë: - Zjarr, ndalo! Një oficer po vinte përpara meje. Unë ia ngula sytë dhe e sulmova. Ai kërceu kanalin dhe ja futi vrapit. Për të një i burgosur i arratisur, ka pamje shumë të frikshme.
Ndërkohë makina e komandës, me disa oficerë e policë, më doli përpara. Një oficer, më vuri automatikun në gjoks, dhe me tha: -Ndalo se të vrava! Unë e shava, se dëshiroja vërtetë që të më vriste, se si i ri që isha më vinte turp, të kthehesha përsëri në kamp.
Na çuan përpara makinës dhe duke na e treguar na thanë: - Shikoni si e keni bërë makinën. Më pas, na futën në kamp, na rrahën dhe torturuan shumë. Na lidhën tek gardhi i telit në formë kryqi, dhe filluan të na godasin me tulla dhe dru. Ndërsa po ushtrohej dhunë kundrejt nesh, përtej gardhit në rrugë po kalonin disa vajza të reja, laborante të fabrikës, të indinjuara ju drejtuan atyre duke thënë: “Çfarë bëni more kriminelë? Po i vrisni fare”. Atëherë komisari dha urdhër të na futnin në birucë. Na lidhën, shumë fort, me hekura dhe na futën në birucë. Aty sollën doktorin dhe oficeri shoqërues e urdhëroi: - Kontrolloje se, mos ka marrë ndonjë plumb, se ai nuk ndien gjë.
Mbasi doktori më kontrolloi, konstatoi se mbrapa kokës, kisha një të çarë dhe i tha oficerit: - Ka vetëm një të çarë mbrapa kokës, si duket e ka marrë një plumb shkarazi dhe ka rrjedhje gjaku, ta mjekojmë.
- Lëre more qenin të ngordhë, dil jashtë, - urdhëroi oficeri.

*Marre nga libri "Arratisja", me autor Ylli Tabakun, botim i ISKK/ publikuar ne faqen e ISKK ne facebook

Lexoni edhe;  https://kujto.al/ylli-tabaku-i-denuar-tri-here-vuajti-26-vjet-8-muaj-24-dite-burg-komunist/

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here