90-vjeçari që kreu 6 vjet burg për agjitacion dhe propagandë

0
234
blank

Me një këmishë të bardhë, një kapuç e një shkop, i shoqëruar nga tre punonjës të Degës së Brendshme, një nga burrat më në zë të Kryeziut, tashmë në pleqëri të thellë, duhet të përshkonte 2 kilometër rrugë në këmbë e më pas të hynte në birucat e burgut të Pukës. Kaloi atje thuajse gjithë dimrin, mes të ftohtit ekstrem derisa u dënua me 6 vjet burg e 5 të tjera me kusht pas tyre, për agjitacion e propagandë. Historia e Mark Alisë, treguar nga i nipi

 

Marka Dodë Alia ishte një nga burrat më në zë të Kryeziut. Ai kishte marrëdhënie me shumë familje të rëndësishme të krahinës dhe me personalitete të kohës si Gjon Marka Gjoni deri me Mbretin Zog. Në bashkëpunim me autoritetet, në vitin 1934, kishte arritur të hapte në Kryezi, shkollën e parë shqipe dhe madje, për t’u bërë shembull, kishte dërguar në shkollë edhe të bijën, Lenën, nxënësja e parë femër në gjithë krahinën. Kulla e tyre, ku Marka bashkë me të vëllanë ishin dy titullarët, ishte një nga më të dëgjuarat jo vetëm në Kryezi, por në mbarë Pukën, Mirditën deri në Dibër e Kosovë. Bashkë me familje të tjera në zë të Kryeziut, ata ishin pjesë e diksutimeve në sofra e në log ku merreshin vendimet e rëndësishme për mbarëvajtjen e fshatit.

I ftuar në emisionin “Histori me zhurmues” të Pandi Laços në TvKlan, nipi i Markës, Gjovalin Alia, ka treguar se gjatë luftës, shtëpia e tyre u bë mbështetje për forcat e ushtrisë nacionalçlirimtare duke u siguruar strehim, ushqim e veshmbathje. “Gjyshi kishte pikëpmaje nacionaliste, por për çlirimin e vendit ishin të interesuar të gjithë forcat politike”, ka thënë ai.

blank

Megjithatë reformat që nisi të zbatojë shteti komunist pas vitit 1945, e zhgënjyen Markun. Ai u bë pjesëtar i forcave antikomuniste të rezistencës në vitet ‘46-‘47, që vepronin si Komiteti i Maleve. Madje, sipas Gjovalin Alias, Marku së bashkë me një kushëri të vetin, ishin njerëzit e besuar që garantonin sigurinë e takimeve të anëtarëve të Komitetit të Maleve, të cilat zhvilloheshin në një zabel, natyralisht të maskuar me pemë e shkurre, pranë kullës së Aliajve.

Veprimtaria e Komitetit të Maleve nuk pati jetëgjatësi duke qenë që shumë nga pjesëmarrësit e saj u dënuan, u ekzekutuan, ose u detyruan të arratisen. Sipas rrëfimit të Gjovalinit, Marku dhe familja e tij në këtë fazë nuk pësuan ndonjë përndjekje. Ndoshta roli i tij nuk ishte pikasur, aq më tepër që ai mbështillej nga reputacioni i njeriut që vetëm pak vite më parë kishte ndihmuar partizanët. Rastet të shumta kanë treguar se komunistët nuk i kursyen as mbështetësit e tyre dhe kështu do të ndodhë edhe me Markun dhe Aliajt e Kryeziut, por koha e tyre nuk kishte ardhur ende.

Kulla e Aliajve vazhdoi të rritej e të fuqizohej. Në fshatin Kryezi u vendosën sharrat dhe të rinjtë e familjes u pozicionuan në sharrimin e lëndës drusore, veprimtari që rriti të ardhurat e tyre ekonomike, ndërkohë që numri i anëtarëve arriti në 70 vetë. Megjithatë, falë një organizimi të përsosur dhe ndarjes së detyrave brenda familjes, i cili funksiononte si një shtet i vogël, ata ruajtën harmoninë, mirëqenien dhe reputacionin në gjithë krahinën, me një rreth të gjerë miqsh, përfshirë dhe shumë familje që tashmë ishin shpallur kulak, ose që kishin njerëz të arratisur. Gjovalini kujton se në kullën e tyre çdo mbrëmje kishte 5-10 miq.

Në vitin 1960, kjo familje arrin të ndërtojë një hidrocentral të vogël në përroin e Lajthizës me kapacitet 30 llamba që e ndriçoi kullën e tyre disa vite më parë se të realizohej elektrifikimi i Shqipërisë. Kjo ngjarje e pazakontë u kthye në një artikull që u publikua në vitin 1965, shkruar nga Dritëro Agolli.

Por pikërisht në këtë vit, kur fuqizimi i familjes së Aliajve duhet të kishte tërhequr vëmendjen, nisi dhe goditja e tyre.

“Të gjithë e dimë se ai sistem mendonte që njerëzit të ishin të gjithë të barabartë, por kjo binte ndesh me familjen tonë, sepse u fuqizua dhe diktatura mendoi për ta ulur, për ta goditur. Hapi i parë ishte shpërbërja e kësaj familjeje. Komiteti i Partisë e thirri dhe i tha gjyshit që duhet ta shpërbënte shtëpinë, ta ndante. Në fund të ‘65-ës, dolën ekonomi më vete 5 familje. Hapi i dytë u mor në 1967. Në fshat, te kisha, bëhet një mbledhje e Frontit Demokratik, ku ishin të ftuar shumë njerëz. Mes të tjerave mbledhja u orientua që Marka Dodë Alija është një person i padëshirueshëm për kohën, për marrëdhëniet që kishte me familje të caktuara. Aty u vendos për t’iu hequr triska e frontit dhe ky njeri quhej armik. Ideja ishte izolimi i këtij njeriu, nuk kishte të drejtë të dilte nga shtëpia për të shkuar te familjet e tjera, as të tjerët të vinin te ne. …Gjyshi nuk ka shkuar te familjet e tjera. Ka komunikuar me njerëzit… dikush i vinte, por ka qenë një stres që e ka përjetuar për 10 vjet, izolimin në shtëpi”, ka thënë nipi i tij Gjovalin Alia.

Ai kujton mes lotësh që demaskimi i të gjyshit po përgatitej që më parë, pasi të nipërve iu hoq e drejta e arsimimit. “Më keq më vjen për vëllezërit dhe motrën. Mbetën pa shkollë. Deri në klasë të tetë. Unë e mbarova shkollën 7-vjeçare në fshat dhe në vitin 1963, me shumë vështirësi më çuan në Pukë në gjimnaz. Në ’66-ën, mbaruam, edhe gjithë shokët e mi shkuan në shkollat e larta ndërsa mua nuk më doli e drejta e studimit. Kishte qenë i përgatitur demaskimi i gjyshit… Më dërguan ushtar në Gjirokastër dhe Sarandë në repart pune, ndërmarrje bujqësore”, kujton ai. Më pas, në vitet ’70 kur pati një zbutje të luftës së klasave, Gjovalinit i propozuan të shkonte mësues në Mërtur të Tropojës, punë të cilën e pranoi menjëherë duke u nisur për në zonën e thellë. Atje, shefi i arsimit, Rrok Ndoja e nxiti të bënte një kërkesë për të vazhduar studimet në Inistitutin e Lartë të Shkodrës, nga erdhi përgjigje pozitive. Gjovalini nisi studimet për Histori-Gjeografi, por kur erdhi koha për të dhënë provimet e fundit të diplomës, i kërkuan karakteristikë nga organizata e partisë në fshat. Ai mendoi se nuk do të haste asnjë problem, por u befasua kur në sekretarinë e universitetit e njoftuan që nuk do të hynte në provime për të marrë diplomën. “Kjo rastisi me arrestimin e gjyshit”, thotë ai.

Diktatura kishte përgatitur goditjen e tretë dhe më të rëndën, arrestimin e Markut. “Goditja e tretë ishte arrestimi i tij në korrik 1977, 10 vjet pas demaskimit. Gjyshi në këtë periudhë ishte 90 vjeç (sipas të dhënave të ISKK Mark Alia ishte 82 vjeç ditën e arrestimit). Të gjithë thoshin: Si ka mundësi u arrestua Marka Dod Alija në moshën 90-vjeçare?

Ka qenë një ditë vere, nga orët e mesditës. Kanë ardhur tre punonjës të Degës së Brendshme të Pukës. Kanë gjetur nanën teme. I kanë thënë: Bëje gati Markën se do ta marrim me vete.  I ka thënë: Ky është i sëmurë, ku doni me e çu? -Do i bëjmë ca pyetje dhe do vijë prapë në darkë. Nana i ka bërë gati rrobat: këmishën e bardhë, kapuçin, shkopin. Edhe është nisë ai… Ata kanë bërë dhe një kontroll në shtëpi, kanë marrë disa fotografi, disa dokumente për t’i pasur si material prove….Rrugës për të shkuar te rruga e makinës, janë nja 2 km. Dhe gjyshi në shkop…mezi ecte. Kur ka shkuar në një përrua aty, ka thënë: “Po ndalem të pi një cigare duhan dhe pak ujë se nuk dihet a mbërrin puna me pi ma ujë se është burim i mirë ky” edhe ka pushu pak aty. Ka vazhdu deri te rruga e makinës, ku e priste makina. Një makinë tip ambulance që kishte dhe mjetet e shpëtimit që po ndodhte ndonjë gjë mos me u dek, me e çu gjallë atje. I kanë thënë ta hedhë shkopin në lumë. I ka thënë: “Jo nuk jam duke e hedhë në lumë, po e vë te kjo pemë (është një arrë aty) se kur të vijnë djemtë, fëmija në darkë, e marrin shkopin dhe e çojnë te shtëpia”. Edhe kështu u ba. Edhe ky përfundoi në qelitë e burgut të Pukës. Aty është bërë hetuesia. Ne në hetuesi nuk kemi qenë.  I janë shtru shumë problematika, për  të cilat ky nuk ka deklaruar asgjë. Janë bërë dy gjyqe, një paraprak dhe një përfundimtar dhe në 17 janar 1978 asht bërë gjyqi në Pukë , gjyq I montuar: është dënuar 6 vjet burg dhe 5 vjet të tjera me kusht pas burgut.

...Në moshën 90 vjeç të futet një plak në burg, në qelitë e Pukës! Kur dihet që rrethi i Pukës i ka temperaturat shumë të ulëta deri në -26. Dhe ky të rrijë në burg, në qeli, në hetuesi, në këto temperatura se në janar doli në gjyq, dhe i ka rezistu, tregon për forcën, guximin, karakterin, i ka pasur gjithë cilësitë dhe i ka mbijetu asaj torture. E kanë dënuar dhe e  kanë çuar në Ballsh”, ka treguar Gjovalinin ngjarjen e rrallë që bëri bujë në gjithë Kryeziun. Marka i moshuar nuk u dorëzua për asnjë moment. Madje kur iu desh të fliste para trupit gjykyes ka thënë se edhe pse ishte 90 vjeç do e bënte burgun. “…Mos t’ju mbetet merak…do ta bëj edhe burgun, nuk do t’ju mbetetm borxh”. Sipas të nipit, ai kishte besim absolut që do të dilte gjallë nga burgu dhe ashtu ndodhi. “Ka jetuar edhe pas burgut deri në 1987-ën gati 100 vjeç”.

Pas dënimit të tij vazhduan persekutimet për familjen, në forma të ndryshme, por dënimi më i rëndë ishte për dhëndrin e Mark Alias, bashkëshortit të Lenës, vajzës së parë që shkoi në shkollë në krahinën e saj, i cili 2-3 vjet pas të vjehrrit  u dënua me 8 vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë.

Ndërkohë pas arrestimit të gjyshit, Gjovalinin e kishin hequr nga puna si mësues. Ai punoi në kooperativë bujqësore për 4 vjet dhe më pas edhe në parkun automobilistik të Fushë-Arrëzit si baterist. Vetëm pasi i gjyshi doli nga burgu, Gjovalini guxoi të shkonte në Komunitetin Ekzekutiv për të diskutuar mundësinë e përfundimit të studimeve të larta. Për fatin e tij të mirë, në komitet atë ditë rastisi nënkryetari, Nikolë Pali, që kishte qenë shok klase me Gjovalinin e që pasi dëgjoi problemin e tij, i premtoi se do ta kryente ai atë punë. I shkroi një letër kryetarit të këshillit e më pas Instituti i Lartë i Shkodrës, pranoi që Gjovalini të jepte provimet dhe të diplomohej. Megjithatë ai vazhdoi të punonte në sektorin e baterisë së parkut automobilistik deri në rënien e komunizmit sepse si nipi i armikut nuk e lejonin të jepte mësim.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here