I dënuar tri herë me burgim. Vuajti 26 vjet, 8 muaj, 24 ditë burg komunist. Para dhe mes burgimeve ka qenë i internuar. I ati, të vëllezërit, madje dhe nëna me motrat kanë provuar arrestimet dhe burgjet komuniste.

Herën e parë u arrestua më 10.12.1960, ndërsa i kishin internuar familjarisht në Savër të Lushnjës, për arratisjen e së motrës. U akuzua në bazë të nenit 64 në kombinim me nenin 10 të Kodit Penal, se do të arratisej në “Greqinë monarko-fashiste”. Gjykata Ushtarake Gjirokastër, me veprim në Lushnje, me vendimin nr.18, datë 24.3.1961, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 18 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për 3 vjet.

Tenton të arratiset nga kampi i punës së Fushë-Krujës bashkë me Maksut Xhumakan. Edhe pse kalojnë rrethimin me një makinë që ia kishin rrëmbyer shoferit, kapen në kodrat rreth kampit nga fshatarët. Torturohen nga policët. Pas një muaji e gjysmë në qeli, ridënohen. Gjykata e Rrethit Krujë, me vendimin nr.10, datë 31.1.1967, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 3 vjet heqje lirie. Në bashkim të dënimeve, gjykata vendosi 12 vjet heqje lirie.

Kohën e këtyre dënimeve e vuajti në Repartin nr.319 Vlorë (burg); Reparti nr.303 Tiranë për ndërtimin e Kombinatit të Mishit; Repartin nr.303 Tiranë për ndërtimin e Bllokut “Puna”; Repartin nr.303 Tiranë për ndërtimin e Uzinës “Traktori”; Reparti nr.303 Vlorë për ndërtimin e Uzinës së Sodës Kaustike; Reparti nr.307 Rubik për ndërtimin e Uzinës së Bakrit; Repartin nr.303 Elbasan për ndërtimin e Fabrikës së Çimentos; Repartin nr.323 Fushë Krujës për ndërtimi i Fabrikës së Çimentos; Repartin 321 Burrel (burg); Repartin nr.309 Skrofotinë, Vlorë; Repartin nr.303 Spaç; Repartin nr.321 Burrel (burg); Reparti nr.309 Ballsh. Gjatë kësaj kohë, ai u mbajt për gati 2 vjet në spitalin e burgut në Tiranë, për shkak të keqësimeve ekstreme të shëndetit nga diabeti. U lirua nga burgimi më 27.1.1979 nga Reparti nr.309 Ballsh.

Qëndroi në Tiranë vetëm 2 muaj sepse e internuan 5 vjet në Baldushk.

Për herë të tretë u arrestua më 8.10.1980. U akuzua në bazë të nenit 55/1 të Kodit Penal se kishte bërë agjitacion e propagandë kundër pushtetit. Gjykata e Rrethit Tiranë, e shqyrtoi çështjen me dyer të mbyllura, me vendimin nr.92, datë 9.3.1981, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie dhe me 5 vjet internim pas mbarimit të burgimit. Këtë dënim e vuajti në Repartin nr.309 Ballsh; ndërtimin e shtëpisë së pushimit në Durrës; Reparti nr.305 Përparim dhe në Repartin nr.325/1, për ndërtimin e Kompleksit “Dinamo” në Tiranë, ku u lirua më 15.5.1989.

Emigroi në Gjermani me eksodin e 2 korrikut 1990 dhe vdiq në Nussloch të Gjermanisë më 25.3.2021.

Burimi: Zerat e kujteses, Vellimi VII, ISKK
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.