Si përcillej në shtypin e ditës ekzekutimi i grupit të Maliqit

0
302
blank

Në një kuadrat të vogël, në cepin e poshtëm djathtas të një prej faqeve të gazetës Bashkimi të datës 23 nëntor 1946, lexohet titulli “Dje u ekzektuan sabotatorët e Maliqit”. Më poshtë, në pak rreshta përshkruhet entuziazmi dhe urrejtja e spektatorëve që kishte shoqëruar ekzekutimin e inxhinierëve që të kujton skenën biblike, ku turmat thërrisnin “kryqëzoje, kryqëzoje”.

 

Më 22 nëntor 1946 u ekzekutuan në Maliq të dënuarit e së ashtuquajturës “organizatë tekniko-sabotatore” të Maliqit. Procesi, i cili transmetohej me altoparlant, u zhvillua për 10 ditë në kinema “Nacional” duke nisur nga 8 nëntori 1946.

blank

Gjykata i shpalli fajtorë gjithë të pandehurit duke i cilësuar si sabotatorë dhe armiq të popullit. Dy drejtuesit e punimeve për tharjen e kënetës së Maliqit, Abdyl Sharra, 35 vjeç kryeinxhinier në ndërmarrjen për tharjen e kënetës së Maliqit, i akuzuar si “iniciatori kryesor i sabotimeve në stil të gjerë për ndërmarrjet e mëdha që bënte pushteti popullor” dhe Kujtim Beqiri, 30 vjeç, bir i një familjeje patriotike, medalje e artë në inxhinieri civile në Universitetin e Vjenës, drejtor në punimet e Maliqit u dënuan me varje në litar. Ing. Vasil Mano, bashkëshkortja e tij kroate Zyrika e cila ishte shtatzënë dhe llogaritari italian Eugenio Scaturo u dënuan me pushkatim. Gjeometrat Pandeli Zografi dhe italiani Mario Guarnieri me burgim të përjetshëm; gjeometri tjetër Mihal Stratobërdha u dënua me 10 vjet burg dhe punë të detyrueshme; punëtori Anastas Risto 2 vjet burgim e punë të detyrueshme; ndërsa 16-vjeçari Jani Vasili u dënua “1 vjet burgim me kondicional, me kusht që të mbajë sjellje morale e politike të mira”. Për të dënuarit me burgim u urdhërua gjithashtu konfiskimi i pasurisë së tyre personale dhe humbja e të drejtave qytetare e politike.

 

Një ditë pas përfundimit të gjyqit, më 19.11.1946, Kuvendi Popullor refuzoi kërkesat për faljen e jetës të bërë nga të dënuarit. Ekzekutimi i dënimit me vdekje u bë më 22 nëntor në Maliq.

Ngjaren e rëndë, gazeta Bashkimi, e pasqyron të nesërmen me një gjuhë euforike që përshkruan urrejtjen e punëtorëve, që, e vërtetë, a e trilluar në kuadër të propagandës së pacak, trondit edhe më shumë çdo lexues normal.

Dje u ekzekutuan sabotatorët e Maliqit

Maliq 22- Korrespondenti ynë na njofton se sot në mëngjes, para punëtorëve të Maliqit, u bë ekzekutimi me litar i sabotatorëve Abdyl Sharra e Kujtim Beqiri dhe me pushkatim i sabotatorëve Zyrika Mano, Vasil Mano dhe Eugenio Scaturo.

Urrejtja e punëtorëve arrinte kulmin. Ata kërkonin që sabotatorët t’i shqyenin me duart e tyre.

Para ekzekutimit të tyre e mori fjalën një punëtor, i cili vuri në dukje tradhëtinë e lartë që këta i bënë popullit e Atdheut të tyre dhe çfaqi gëzimin e punëtorëve për plotësimin e dëshirës së tyre që t’a shihnin me sy zhdukjen e sabotatorëve.

Duke përfunduar fjalimin e tij, ai tha: “Kujt t’i pëlqejë le të bëjë si këta”.

Punëtorët duartrokitën dhe brohoritën vazhdimisht për drejtësinë e popullit.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here