Maj 1945/ Kur diktatura grabiste dhunshëm pasuritë e shqiptarëve

0
400
blank

“...vij t’i lutem së Ndershme Ministrië - se asht krejt absurde dhe e pa drejtë që shtëpija të sekuestrohet, kur janë pasuni eskluzive e jemja”

Statuti dhe Rregullorja e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar (KANÇ-it) e vitit 1943, parashikonte në pikën 3 të saj se: pasunija private si dhe inisjativa private n’industri dhe ekonomi mbeten të paprekura”. Por në të vërtetë ky premtim i komunistëve nuk u mbajt asnjë minutë, prej momentit kur erdhën në pushtet. Me dorë te hekurt dhe në një proces gjakatar, diktatori Enver Hoxha dhe pjesa tjetër e nomenklaturës, plaçkitën të gjithë shqiptarët, qofshin të pasur apo më pak të pasur, duke iu marrë dhe konfiskuar pronën private. Një korrepsondecë ndërmjet qytetarit të Tiranës Haxhi Turkeshi me Ministrinë e Financave të kohës, ku lutej që t'i kthehej banesa e tij. Ai ishte përzënë dhunshëm nga shtëpia me pretekstin se i biri  Abdurra Turkeshi ishte përfshirë në listën e personave të rënduar me tatim të jashtëzakonshëm të luftës, që do të thoshte grabitje e gjithçkaje kishin pas shpirti.

Dy dokumente na tregojnë represionin e komunistëve ndaj popullit shqiptar menjëherë pas ardhjes në pushtet. Dokumentet janë marrë nga faqja zyrtare e ISKK-së, referuar studimit të autorit, Alvin Saraçi me titull:  Dokumente mbi cenimin e pronës në periudhën komuniste (1944-1946)", botuar nga ISKK, 2021.

Dokumenti 22

Vdekje fashizmit

Liri popullit

Ministria e Financave

Mritun më 25/5/1945

Prot. Nr. 168/15

 

Ministrisë së Financave

Tiranë.

I nënshkruari Haxhi Qamil Turkeshi, nga Dibra e banues në Tiranë, kam nderin me parashtrue lutjen përsa poshtë vijon:

Me datën 4 Maj 1945, i kam drejtue një kërkesë – Asaj së Ndershme Ministrie, duke kërkue përfundimisht që mbasi të merrej parasyshë e drejta e zotnimit t’em mbi shtëpinë dhe sendet e sekuestruara me datën 17 Prill 1945 prej organeve të Seksionit Financiar, të disponohej ngritja e sekuestrimit duke u vue unë rishtas në dispozim dhe gëzim të plotë të shtëpisë dhe sendeve të sekuestrueme;---

Në vijim të kësaj lutje nga sa jam informuar Seksioni i Financave të Tiranës, duke pranuar të drejtën e zotnimit t’im mbi shtëpinë e sipër shënuar justifikon ndalimin t’im në përdorimin e kësaj shtëpije me nevojën e ruajtjes në këtë shtëpi të moblave  dhe sendeve shtëpijake të konsideruar prej Seksionit në fjalë si të zotnuara prej djalit t’im Abdulla Turkeshi të rënduar me tatimin e jasht-zakonshëm të luftës.---

Duke bërë çdo rezervë mbi të drejtën e zotnimit t’im mbi moblat e vena në sekuestrim, të cilat siç kam përmendur në lutjen e parë kanë qenë dhe janë nën zotnimin t’im apsolut si të blera prej meje dhe si të ndodhura në shtëpinë të pranuar prej Financës si të zotnuar prej meje, lejohem të përmend se sigurimi i moblave të sekuestruara prej Financës si të renduarit me tatimin në fjalë mund të bëhet duke u mbyllur këto në një ose në dy dhoma të shtëpisë siç veprohet në të tilla raste nga autoritetet Gjyqsore dhe Zyra e Përmbarimit. – Në këtë mënyrë nga një anë sigurohen të drejtat e Shtetit me mbylljen e dhe ruejtjen e ketyre në një ose dy dhoma të kësaj shtëpije dhe nga ana tjetër me jepet mua mundësija që të banoj në këtë shtëpi në dhomat e tjera të saja, duke u respektuar në këtë mënyrë e drejta e pronsisë që nuk mohohet nga ana e Financës.

Prandaj

duke qenë i bindur se arësyet e nalt përmendura do merren parasyshë, përfundimisht lutem dhe kërkoj që të urdhënohet mbyllja e moblave dhe teshave që për tash do konsiderohen si të tatuemit birit t’em Abdulla në një ose dy dhoma të shtëpisë, duke m’u lanë mua për banim familjar pjesa tjetër e shtëpisë bashkë me teshat e nevojshme për mua dhe familjen t’eme.

Tiranë, me 23-5-1945.

Me nderime

(Haxhi Qamil Turkeshi)

  1. O. T

AQSH, F. 505 / MF, V. 1945, D. 618, Fl. 295-6

Dokumenti 23

Vdekje Fashizmit

Liri Popullit

MINISTRISË SË FINANCAVE

Tiranë

I nënshkruemi Haxhi Qamil Turkeshi, nga Dibra e banues në Tiranë, kam nderin me parashtrue lutjen përsa poshte vijon:

Me datën 17 Prill këtij vjeti në koh mbramje kanë ardhë ne shtëpinë t’eme nëpunsat e Seksionit Financjar të shoqëruar me organe të forcës publike dhe kanë proceduar në sekuestrimin e shtëpisë s’ime të ndodhur në rrugën e Saraçit Nr. 22 me gjith moblat e sendet shtëpijake që ndodheshin mbrenda, duke na nxjerrë përfundimisht me ngutësië nga kjo shtëpië, nën pretekstin se kjo dhe moblat zotnoheshin prej Abdulla Turkeshit të rënduar me tatimin e jashtëzakonshëm për fitimet e luftës.-

Mirpo, siç vërtetohet dhe provohet me dokumentat zyrtarë dhe posaçërisht me notë transkriptimin e Zyrës së Ipotekave që me koh i asht paraqit me kërkesë të posaçme Këshillit Nac.ÇL.N/prefekturës (Seksionit Financiar), shtëpija e vënë në sekuestrim dhe moblat dhe sendet që ndodhen në këtë shtëpië nuk zotnohen prej bashkashanësit Abdulla Turkeshit, por ekskluzivisht prej meje të nënëshkruemit duke patur blerë dhe ndertuar këte shtëpië prej më tepër se 15 vjet më parë, kurse i përmenduri Abdulla Turkeshi qëndron në këtë shtëpië me pëlqimin t’em provizorisht për mungesë gjetje të një shtëpije të veçantë të përshtatëshme për banim familjar.-

Me qenë se në këto kondita sekuestrimi i venë në shtëpië dhe në moblat dhe sendet që ndodhen mbrenda në këte, asht i gabuem, mbasi asht venë mbi pronat dhe sendet të zotnuara prej meje që nuk jam detyruar ose renduar me as një tatim ose detyrim fiskal.-

Me qenë se i rënduari me tatim, Abdulla Turkeshi, në shtëpinë, moblat dhe sendet e sekuestruara nuk gëzon as një të drejtë zotnimi ose ndonjë të drejtë reale tjetër, mbasi këto, siç u përmend ma sipër, zotnohen ekskluzivisht prej meje të nënëshkruemit me përjashtim të moblavet të dhomës fjetjes së tij, dhe të disa veglave bujqësore të blokueme prej Financës më parë.-

Me qenë se, simbas dispozitave ligjore masat shternguese për nxjerrjen e një tatimi ose detyrimi kundër shtetit, duhet të merren vetëm kontra bashkadhansit dhe jo personave të tjerë të huej nga një detyrim ose tatim i tillë, dhe si pasojë masa e sekuestrimit duhet të merret vetëm mbi pasurinë e një bashkadhanësi.-

Me qenë se mbi sa më sipër i jemi drejtue që mbas muejit Prillë ketij vjeti Këshillit Nac.Çl. të N/prefekturës Seksionit Financiar); por gjer më sot nga ana e këtij Seksioni nuk asht marrë as një masë për kthimin në dorë t’onë të shtëpisë dhe sendeve të sekuestruara në të.- Me qenë se unë me familje po endem poshtë e përpjetë ndër miq, tue ngranë në kurriz të botës, mbasi dhe sendet ushqimore më janë sekuestrue.-

Me qenë se asht krejt absurde dhe e pa drejtë që shtëpija dhe moblat e sendet tjera të sekuestrohen, kurse këto janë pasunië eskluzive e jemja.-

Prandaj

vij t’i lutem Asaj së Ndershme Ministrië që pasi të marrë parasyshë të drejtën e zotnimit t’im mbi shtëpinë dhe sendet e sekuestruara me datën 17 Prill 1945 prej organeve të Seksionit Financiar, të disponojë, sa ma parë që të ngrihet ky sekuestrim duke na venë rishtas në disponim dhe gëzim të plotë të shtëpisë dhe të sendeve të sekuestrueme, duke i dhënë udhëzimet e duhura Seksionit Financiar të Këshillit NC.ÇL. për veprimtarinë e firmës.

Tiranë, në 4 maj 1945

Me nderime

Haxhi Qamil Turkeshi

Firma

AQSH, F. 505 / MF, V. 1945, D. 158, Fl. 295

Në kohën e tatimit të jashtëzakonshëm, komisioni i Komitetit Ekzekutiv të Prefekturës së Tiranës, shpalli 7 lista, ndërsa të parën e modifikoi. Tregtarët e tatuar ishin:

Lista nr.2 e Tiranës, 5 dhjetor 1945

1-Vllazën Tase, 3.000.000

2-Qamil Dibra, 1.819.396

3-Abdulla Q. Turkeshi, 1.587.490

4-Osman Vaqarri e vllazën, 1.100.000

5-Gjon Laca, 600.000

6-Vllazën Spahia, 330.403

Gjithsej 8.437.403 franga

 

Lista nr.3 e Tiranës, pa datë

1-Guljem Luka, 3.800.000

2-Hasan Lahi e vllazën, 2.516.000

3-Mihal Zaharia, 1.800.000

4-Tefi Tako, 900.000

5-Abdyl Karroçi & vllazën, 700.000

6-Shaqir Seseri &Myrteza Fida, 600.000

7-Filip Guraziu, 550.000

8-Aleksandër Çakmaxhian, 500.000

9-Luigj Gurakuqi (shtypshkronja) 500.000

10-Zef Gjeçi, 450.000

11-Xhemal Mënyiku &vllazën, 360.000

12-Zef Guraziu, 350.000

13-Zapogon Piraniak, 1.200.000

14-Is.Shpati & M.Papaniku, 111.350

15-Grigor Koja, 111.350

Gjithsej 13.998.900 franga

blank

Shënim: Lista e tatimit të jashtëzakonshëm është marrë nga faqja e fb e studiouesit Kastriot dervishi

 

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here