1971/“Policët më lidhën në derën e galerisë së Spaçit”

0
175
blank

Më 6.9.1971, i dënuari Xhevat Gjana i shkruan Byrosë Politike për kushtet e rënda në Repartin nr.303 Spaç. Megjithëse i sëmurë, ai detyrohet të punonte në kushte ekstreme për jetën. Shumë të dënuar të Repartit nr.303 Spaç, i dërgonin letra Byrosë Politike, Komitetit Qendror apo Enver Hoxhës, jo se kishin shpresë se do ndryshonte gjë sepse letra drejtuar atyre dërgohej e nuk ndalohej.

Xhevati u arrestua më 19.4.1969. U akuzua në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal. Gjykata Popullore e Rrethit Kukës, me vendimin nr.6, datë 8.3.1970, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 8 vjet heqje lirie. U la në fuqi me vendimin nr.202, datë 13.4.1970 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. U lirua më 11.4.1977.

 

Letra:

“I burgosuri, unë Xhevat Gjana, jam caktuar nga komanda të punoj si minator. Duke pasur këto arsye:

1-Vuaj nga gastriti kronik

2-Kam kaluar infiltrat

3-Vuaj nga reumatizma

4-Jam i pakualifikuar dhe i pazoti për punë specialiteti (unë edhe një palë nallane i ble se nuk më vjen dorësh).

Kam refuzuar të punoj në këto punë dhe i gatshëm të punoj kudo në çdo lloj pune tjetër dhe në çdo front, me ujë apo temperaturë qoftë, deri sa gastriti të më kthehet në ulcer, procesi në mushkëri të më hapet prapë dhe reumatizma të më bllokojë.

Pa u arsyetuar, më dënuan 2 muaj birucë. I bëra ato. Presioni vazhdon. Arriti deri aty sa oficer Xhevdet Balla urdhëroi kapter Zef Bardhocin në derën e galerisë nr.20 më datën 3.9.1971 të më lidhnin. Një ditë më parë, më 2 shtator unë pashë me sytë e mi 4 kapterë me Mark Bruçin në krye, tërhoqën zvarrë e me shkelma Qerim Jakupin nga dera e birucës deri te porta e daljes në punë. Pa mundësinë e marrjesh vesh: o birucë pambarim ose zvarrë e në shkelma.

Mendova t’u hidhem telave e të vdes. Kalova tabelën e ndalimit. Dëgjova zëra: “Mos u bëj budalla”. Më shkoi mendoja për një çast se nga dënimi kam 5 vjet e gjysmë. U ula, qëndrova pak. Atëherë oficer Xhevdeti u largua.

Unë u ktheva, po ku të shkoj se, si do të merret vesh se...”.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here