Shën Mëhilli i përgjakur në Nikaj-Mërtur

0
203
blank

Duke kujtuar terrorin komunist në Nikaj-Mërtur që përkon me ditën e Shën Mëhillit 1946!

Nga: Besnik Palnikaj

Bie Fetë Sadiku, por mbi gjakun e tij mbiu lulja e lirisë.

Më 28 shtator të vitit 1946, në Nikaj-Mertur u lëshua thirrja nga përfaqësuesit e regjimit të atëhershëm, që të mblidheshin të gjithë burrat e krahinës nga 16 deri në 70 vjeç tek Kodra e Bekë Selimit. Aty mendohej se mund të ishte vendi më i përshtatshëm për një takim kur bëhej fjalë për zonën, duke mos harruar se edhe posta ku ishin partizanët ndodhej shumë pranë këtij pikëtakimi zonal.
Në këtë takim munguan disa burra: për arsye moshe, duke qenë të sëmurë apo për arsye të tjera, ndër të cilët ishte edhe Fetë Sadiku, i cili sipas kujtimeve të familjarëve kishte nuhatur diçka, ndaj nuk shkon atë ditë në takim, por mbledhje anullohet për ditën e nesërme, datë 29 shtator, ditën e Shën Mëhillit, ku i madh dhe i vogël, pa përjashtim, duke përfshirë edhe të sëmurët duhej të paraqiteshin në kodrën e Bekë Selimit. Me të zbardhur dita, mëngjes herët, në shumë pika u shfaqën grupe njerëzish të armatosur që kontollonin çdo kalimtar.
Njerëzit që vinin nga fshatra e drejtime të ndryshme, një nga një ose grupe-grupe, të vogla, futeshin brenda atij rrethimi të hekurt nga ku nuk guxonin të dilnin më për asnjë arsye.
Diku rreth 2000 persona gjendeshin të rrethuar nga ushtarë që mbanin në duar pushkë automatike e mitraloza. Mbi burrat po bëhej një presion psikologjik i rëndë. Kurrë malësorët e kësaj krahine nuk kishin përjetuar një poshtërim të tillë. Ata ishin futur si në një vathë të madhe, rrethuar nga njërëz të armatosur, duke i trajtuar si robër të vërtetë lufte.
Mes një ankthi dhe frike të paparë, që të kallte shpirtin e ka marrë fjalën komandanti i operacionit, i cili tha: “ Ju kemi thirrur për të dorëzuar armët. Ne e dimë se shumica nga ju keni armë. Jo nga një e dy, po nga tri e katër copë. Emrat dhe numrin e armëve që ka secili prej jush ne e kemi të regjistruar, prandaj të mos përpiqet askush për t’i mbajtur të fshehura. Dhe dijeni,- shtoi majori me mllef, - sot është dita jonë. Kemi ardhur të marrim armët me të cilat ju na keni qëlluar në Qafë të Kolçit. Tani e tutje ju nuk do të keni më armë në duar, sepse ato do të përfundojnë në magazinat tona”. Të gjithë ata që kanë armë me leje, t’i lënë aty. Kush është i lidhur me reaksionin, të dalë e të tregojë. Kush ka armë pa leje, ta kallzojë e të ulet në vend. Tortura sot nuk përdorim. Ka pushkatim ose burg. Ata që kanë armë të fshehta, i kam në këtë listë”. Dhe menjëherë kanë filluar emrat.
-Fetë Sadiku ! –thirri ai me zë të lartë. -Ti ke tri pushkë, prandaj kërkojmë që t’i dorëzosh pa një pa dy. Feta, një nga burrat më të njohur të krahinës, i një familje nacionaliste që kishte nxjerrë luftëtarë trima e prijës popullorë brez pas brezi gjatë luftërave për lrinë e pavarësisnë e Shqipërisë, u ngrit në këmbë dhe tha: “Po t’kishna do t’i kishna kallzue n’fillim dhe nuk e kishna lanë at vlla me ma pushkatue”. Kujtonte se Ademin, vëllain që e dërguan nën brinjën e arës me Sokolin e disa të tjerë, i kanë pushkatuar. Në fakt i morën ca partizanë, u lidhën duart dhe nga një rrugicë e largët i ngjitën tek posta pa rënë në sy të njerëzve të tubuar.
- Merre edhe këtë, pushkatoje! - urdhëroi majori. Fet Sadikun e lidhën me shokën e vet, me të cilën kishte mbështjellë tirqit, sepse u kishin mbaruar hekurat dhe litarët. Kur ka ecur dy-tri hapa, Fet Sadikut iu dha për të shikuar mbrapa. Ishte burrë i gjatë, i veshur me xhaketë ushtarake dhe tirq. Kur ktheu sytë pas, togeri tentoi t’i binte mbi kurriz me qytën e automatikut.
“Mos se nuk është për burra kjo!” - foli i revoltuar burri i shquar i Palçit. “Aty mos e ço më larg!”- ka thënë majori. Togeri ka derdhur gjithë karikatorin në trupin e 71-vjecarit, të cilit i dridhej xhaketa nga plumbat. Gjaku ka sterpikur njerëzit që ishin të ulur rreth e rrotull. Si një lis nga shkëmbi ra mes dy djemve të tij. Si për të mos u mjaftuar me pushkatimn e Fetës, atij i arrestojnë dy djemtë Marashin dhe Nikollën, bashkë me vëllain e tij Adem Sadik Gjolin.
E përsëri me egërsinë e përbindshave, xhelatët thenin arra dhe përtypeshin. Komandati vazhdoi ritualin e tij tragjik, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Atë ditë është pushkatuar edhe Ukë Çuni. Ashtu ka mbetur gjithë ditën, me gjysmën e trupit nën stom të livadhit, ku bëhej mbledhja. E lanë që ta kenë parasysh njerëzit, për t’u kallur tmerrin. Dëshimtarët kanë thënë se ishte djalë i ri dhe shumë i bukur. Një erë e lehtë i lëvizte flokët në ballin fisnik, ndërkohë që afër tij ruanin ushtarët me mitralozë. Masakra atë ditë do të vazhdonte gjatë dhe pushkatimet po ndodhnin çdo moment, por në të vërtetë togeri i dërgonte tek rrëpira dhe, pasi zbrisnin për të mos u dukur nga turma zbrazte “mbi ta” breshëritë e automatikut të tij dhe kthehej duke ngrënë arra. Madje, pasi kishte pushkatuar Dedë Mëhillin e Brashtës, mu në sy të turmës, kishte nxjerrë arrën nga xhepi dhe e kishte thyer mbi kokën e të vrarit. Në këtë terror çnjerëzor, që po përjetonin të tubuarit shumëkush tha që kishte armë dhe se do ta dorëzonte një orë e më parë. Ajo ditë e errët dukej se kurrë nuk do mbaronte…
Me perëndimin e diellit mbaroi dita e zezë e operacionit. Ajo la pas tmerre, urrejtje dhe vajë. Ajo ditë vulosi edhe betimin e Nikaj-Merturit për të mos iu nënshtruar për jetë komunizmit. Njërëzit u detyruan të largohen dhe të lënë aty të pushkatuarit. Ata nuk mund të merreshin, do të varroseshin diku aty.
Kështu mbaroi operacioni i dorëzimit të armëve në Nikaj-Mertur. Fetë Sadiku mbeti në kujtesën e malësorëve, për të mos u harruar kurrë, për atë akt të pashembullt, ku u demonstrua me krenari dhe burrëri forca e pamposhtur e malësorit trim.
- E sot një nga pinjollët e kësaj familjeje nacionaliste, nipi i të ndjerit Fetë Sadiku, Gjin Nikollë Feta, pas vitit 1990 iu shkëput egërsisë së luftës së klasave, duke mbaruar fakultetin e drejtësisë dhe akademinë e policisë e sot kryen në metropolin shqiptar detyrën e komisarit, i cili ndien përmallimin e gjyshit që u ekzekutua mizorisht nga falangat e kuqe, por shpirti i tij, pa asnjë shenjë hakmarrjeje, na thotë si Jezu Krishti: “Fali, o Zot, se nuk kanë ditur se ç’bëjnë!”. Demokracia e mirëpritur e bëri të pavdekshëm Fetë Sadikun, qëndresën burrërore të tij para syve të afër 2000 burrave. Edhe sot e kësaj dite përmendet vendi ku u pushkatua Fetë Sadiku, aty ku qëndron krenar lapidari i martirëve, përmendet dita e Shën Mhillit të përgjakur 1946, si dita ku xhelatët shuan qëndresëtarët e lirisë.
Populli i ka përjetësuar në këngë për t’i bërë të pavdekshëm këta martirë, qëndresëtarët e kodrës së Palçit dhe gjithë Nikaj-Mërturin e Dukagjinin, duke i fokusuar me ushtimën e bjeshkëve, telat e çiftelisë dhe shpirtin popullor. Duke përligjur dhe të tjerë, ky burrë 71 vjeçar, i pushkatuar nga diktatura komuniste, e meriton më shumë se kush tjetër kujtimin e këngën. Ndue Sharkija, (dritë paste!), një nga këngëtarët e njohur të anëve tona prej vitesh i këndonte Fetë Sadikut. Kënga ka mall dhe dhimbje, ka shumë krenari, e cila do të këndohej në Nikaj – Mertur në vitin 1993. Ja disa vargje:

S’mund ta la ket kangë pa këndue
Për shpi fisi na ka nderue
E njoftun n’zonë e në malsi
Derë e parë n’Palç ashtë kjo shpí
Shpi bujare me urti burrit
Asht në fis n’bajrak t’Merturit.

Nderim të veçantë përbën për Fetë Sadikun dhe krahinën e Nikaj-Merturit, akordimi nga prof.dr. Sali Berisha, me dekretin presidencial, nr.1130, datë 21.06.1995, i medaljes, me titull: “Martir i Demokracisë “, me motivacion: “Trim dhe patriot i shquar, që dha jetën për një Shqipëri të lirë dhe të bashkuar.”

Arti i fjalës dhe fonia e tyre për legjendën e Palçit

Djemtë dhe vajzat e Nikaj-Merturit, madje dhe paraardhës të tyre, kudo që shkojnë, historinë e marrin me vete, me tërë bëmat e saj. Ja si shprehet në një botim të tijin në tekstin poetik, një bir i Nikaj-Merturit, Pal Neçaj nga Mëserri, tani në Nju Jork (SHBA), më 1996:

Duart në hekura Fetës ia kryqëzojnë,
Pa folur një fjalë nuk mund ta ndalojnë.
“Të rrihem si kafshë, s’pranoj i gjallë,
Flakët e pushkëve i dua përballë”.

Vitet e demokracisë vlerësuan këta martirë, duke fiksuar një symbol të tyrin: një pllakë përkujtimore për Fetë Sadikun dhe Ukë Qunin në 2006, pranë komunës Lekbibaj, që do të sillte në kujtesën e Nikaj – Merturit, ngjarjen e 60 viteve më parë, pikërisht aty ku në praninë e 2000 burrave këta burra të fisit do të pushkatoheshin nën terrorin komunist që bastisi tërë Nikaj-Merturin, realizuar kjo në praninë e familjarëve, përfaqësuesve zyrtarë të të përndjekurve politikë dhe përfaqësuesve të pushtetit vendor.
Ja si na e sjell në shiritin e kujtesës këtë skenë rrëqethëse, Ndue Sokoli i Rajës, një nga dëshmitarët okularë të asaj dite rrëqethëse, që të ngre leshin e kresë përpjetë edhe sot e kësaj dite. “Asht kanë nji vend zije për ne, masi pjesa më madhe, dikush u pushkatue e dikush u lidh e u burgos. Kanë pushkatue Fet Sadikun qady, kanë pushkatue Uk Qunin po aty”,- duke dhënë me gishtin tregues vendin e ngjarjes. -Edhe na jena kanë si të pushkatuem. Babën e kishna edhe unë në kodër të Shëngjergjit dhe e kanë pushkatue edhe babën tem ka janë kanë ka shkojnë me ik, ata xhelatt e atij pushteti”.
Poezia dhe kënga përjetësuan dhe vazhdojnë të përjetësojnë sakrificën sublime të asaj dite, duke u kthyer në një ortek bjeshke që mbulon hidhërimin dhe dhimbjen, mbulon ditët e “kjametit” në Nikaj–Mertur. Ja një fragment poetik i Fran Ukcamës:

- Fet Sadiku, burrë vigan,
si çetina majë një guri…
U thanë lisat, rrah u bënë,
50 vjet, plagët hapur, liria,
lidhur në rrfanë…

Përsëri, Shën Mëhilli i zakonshëm, do të sillte përgjërimin e natyrshëm të “Shën Mëhillit të përgjakur”, 1946, nën vargjet e mësuesit dhe veprimtarit artistik të Nikaj-Merturit, zotit, Noc Malaj:

Përmbi Dri n’kulla prej gurit
Faqe t’bardhë Palçit t’Merturit
Kalojnë shekuj, kalonjë ditë
Emri yt vjen tuj u rritë.
.
Nisen burrat si luana,
Tuj ba gaz shkojnë me dekë
Pisket ora, bjeshkëve të randa
O Fetë Sadiku, o i ka dy jetë.

Thotë: “Largomja pushkës tytën
Mos më prek, po s’kuqja grykën,
Se dhe qielli n’tokë me ra
Fet Sadiku tutë nuk ka”.

…Si dragoni me shtatë zemra
Lisi i trollit lëshoj dy rrema:
Marash Feta e Nikollë Feta
Nalt u shkoj burrnia e besa.

Më 28 shtator të vitit 1946, në Nikaj-Mertur u lëshua thirrja nga përfaqësuesit e regjimit komunist, që të mblidheshin të gjithë burrat e krahinës nga 16 deri në 70 vjeç tek Kodra e Bekë Selimit. Ajo dite e Shenmhillit mbetet per jete dita e burrerise dge fisnikërisë njerzore, ku Fete Sadiku dhe Uke Çuni nuk do kursesin jetën përballë bishave të egra të komunizmit.

Marrë nga faqja e fb Nikaj Mertur News

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here