Drejtuesit e kamp-burgut të Spaçit në kohën e revoltës

0
175
blank

Nuk ishin të vetmit, për nga ligësia dhe egërsia në kamp-burgjet e komunizmit, por me rregullat e padrejta që imponuan dhe dhunën që ushtronin, ata luajtën rolin e tyre në shpërthimin e revoltës së Spaçit, që u mori jetën katër të burgosurve politikë dhe u zgjati dënimet dhe mundimet dhjetëra të tjerëve. Një përshkrim për komandantin, komisarin dhe operativin e Spaçit në kohën kur shpërtheu revolta

 

Emrat e tyre, për kë ka lexuar dëshmi të burgosurish politikë ose vetëm dëshmi për revoltën e Spaçit, janë të njohur. Gjithsesi, vëmendja, në këto dëshmi ku flitet për vuajtjet dhe heroizmin e të burgosurve, nuk ndalet gjatë te komandanti, komisari e operativi i kampit. Sigurisht nuk janë ata përgjegjësit e vetëm për revoltën e grumbulluar te të dënuarit politikë që shpërtheu në majin e vitit 1973. Të dënuarit kishin nisur ta ndienin efektin e dhunës, padrejtësive, fyerjeve, shfrytëzimit, urisë, që në ditën e arrestimit dhe shumë prej tyre, që vinin nga familje të përndjekura nga regjimi, shumë më herët, ndoshta që në lindje. Megjithatë njerëzit që drejtonin kampin burg të Spaçit, në kohën kur shpërtheu revolta, nuk janë as thjesht njerëzit që u gjendën aty në atë çast. Ata, me egërsinë e tyre, luajtën rol për derdhjen e kupës së durimit të të dënuarve politikë derisa, ata u ngritën në revoltë, pavarësisht pasojave të rënda që mund të kishin.

Ish-i dënuari politik, në atë kohë në Spaç, Shkëlqim Abazi, në librin e tij voluminoz “Spaçi”, i ka kushtuar një pjesëz “treshes cinike” të drejtuesve të kampit, që po e sjellim të plotë, më poshtë.

"Një ditë të bukur, pas katër vite “suksesi” në minierat e Spaçit dhe mbasi i rënduan gjoksin me dekorata dhe xhepat me para, në gjysmën e dytë të 1972 Çelo Arzën e transferuan në drejtorinë e përgjithshme të burgjeve. Emërimi mbase erdhi si meritë e eksperimentimit të çdo forme torture, që nga dhuna ekstreme gjer te gjoja, lëshimet. Nëse do t’i bënim një skaner mbretërimit Çelo, guri i kandarit do epej me siguri nga negativja, gjë për të cilën e vlerësoi partia.

Atë e zëvendësoi Haxhi Gora, një gjahtar i vjetër burgjesh që ishte po aq injorant dhe xhelat sa i pari, por më finok sepse rrallëherë hynte na kamp, ama kur shkelte do kish patjetër ngjarje të mëdha, arrestime ose dhunë të paparë dhe mjerë kujt i vinte radha t’i binte në dorë!

Komisar vijonte matjani kokëbosh dhe xhahil, Shahin Zgura, një besnik i vijës së ashpër që hiqej i kënduar, por gjithë dija përmblidhej në ca slogane partiake të paaplikueshëm në burgjet politikë, sidomos në Spaç ku “mbizotërojnë rebelët nga gjithë Shqipëria”, siç shprehej vetë.

Kurse skilja nga Korça, operativi Fejzi Liçaj, do t’u shkaktonte të dënuarve hidhërime pa hesap, (për “meritë” të tij do pushkatoheshin katër vetë në Revoltën e 21 majit, madje do ekzekutonin edhe Tartarinin, martirin e pestë!). Do ridënonin edhe mbi tetëdhjetë, madje edhe vetë burgun!

Trioja e xhelatëve, komandant, komisar, operativ, do ta shndërronin Spaçin në Ferr!

Haxhi Gora riktheu adetet e vjetra.

Tashmë valonte dajaku kot më kot, shtyllat mbusheshin me fatzinj që rënkonin dhe iu pikonte gjaku nga majat e gishtave të nxirë nga shtrëngimi i gjermankave në zero, birucat s’kishin më vend, një pjesë e kalonin natën në qiell të hapur duke numëruar yjet në firmament, raportet mjekësore i ndërprenë, sëmundjet profesionale dhe infektive po bënin kërdinë, u harrua pushimi të dielave, kur e lejonin, rrallëherë, na ndiqnin kontrollet dhe fjalimet e injorantit Shahin Skura; orari i punës u zgjat dyfish, çdo mosrealizim ndëshkohej, ushqim gatuhej beter, edhe ai pak që jepej ishte i pamjaftueshëm dhe i pangjërueshëm."

 

Në vijim të librit, kur përshkruhet atmosfera e pararevoltës dhe tri ditët e saj, emrat e drejtuesve të kampit të Spaçit, shfaqen përsëri dhe aty shihet roli i tyre në shpërthimin e kësaj revolte.

Ishte komandanti Haxhi Gora, ai që e kishte shndërruar të dielën e pushimit në ditë aksioni dhe revolta nisi pikërisht të hënën e 21 majit, të nesërmen e një të diele që kishte pasur protesta nga të dënuarit për nxjerrjen në punë edhe ditën që ligjërisht ishte pushim.

Ishte komisari Shahin Skurra, ai që i kish dhënë besën e malësorit, Pal Zefit, pas 30 ditëve të para të izolimit, që të kthehej në qeli për të plotësuar formularin sepse pastaj do e lironte, por nuk e bëri. Pal Zefi, nismëtari i revoltës, mbeti për 3 muaj në birucë dhe kur u plotësuan 3 muaj, ishte Fejzi Liço ai që dha urdhër të mos e lironin derisa Pali, një nga martirët e mëvonshëm të revoltës, doli nga biruca dhe ndodhi ajo që më pas hyri në histori.

Pjesë e kësaj historie, në anën e saj të errët, janë edhe tre drejtuesit e kampit.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here